Quarta-feira’, 20/3/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Kolosi Ebu Hanife 1



Kolosi Ebu Hanife 1

 

Dr. Selman Aude

Imam Ebu Hanife ka jetuar në një mjedis dijesh të fikhut, të cilat e transferuan nga marrja me biznes, për tek marrja me studime dhe ndjekja e mësimeve tek dijetarët e kohës dhe kjo që në moshë të njomë. Diçka e tillë ngjau pas këshillës së atyre që pikasën tek ai zgjuarsinë dhe inteligjencën. Askush nuk ka përse ta nënvlerësojë moshën e njomë të dikujt dhe të tregohet koprrac me një këshillë, orientim dhe ndihmë sado të vogël për të ndryshuar linjë, ose për vendosje të këmbës në vendin e duhur.

Emri dhe prejardhja:

Ai thirrej Ebu Hanife (babai i Hanifes), kurse emrin e kishte Numan ibnu Thabit ibnu Zuta. Thuhet se Zuta ka qenë skllav i Benu Thalebe. [1]

Lidhur me origjinën e tij, ka mendime të ndryshme. Disa thonë se ka qenë me orgjinë nga Kabuli, të tjerë nga Babel, Nesa, Tirmidh, Enbar etj…

Transmeton Hatib nga Ismail ibnu Hamad ibnu Ebi Hanife, se thoshte:”Unë jam Ismail ibnu Hamad ibnu Numan ibnu Thabit ibnu Numan ibnul Merzeban, me prejardhje perse dhe nga familje e fisme. Për Zotin kurrë nuk kemi qenë skllevër si familje. Gjyshi im ka lindur në vitin tetëdhjetë dhe Thabit ka vajtur tek Ali ibnu Ebi Talib që në moshë të vogël. Imam Aliu është lutur që Zoti ti japë bereqet ne familje. Ne urojmë që Zoti t’ia ketë pranuar këtë lutje të imam Aliut.” [2]

Thotë Serraxh Hindij, pasi citon thënien e mësipërme të Ismailit:”Të njëjtën gjë ka pohuar dhe vëllai i Ismailit. Asnjë myslimani nuk i lejohet që figurave të tilla tu atribuojë lidhje gjaku përveç atyre prindërore.”

Lindja e tij:

Thotë imam Dhehebij:”Ai ka lindur në vitin e tetëdhjetë hixhri.” [3]

Sakaq të tjerë pohojnë se ka lindur vitin e gjashtëdhjetë, ose vitin gjashtëdhjetë e tre. Thotë Kureshij:”E vërteta është se ai ka lindur vitin tetëdhjetë.” [4]

Thotë Dhehebij:”Ai ka lindur vitin e tetëdhjetë, gjatë jetës së sahabëve të fundit. Është takuar me Enes ibnu Malik kur ky i fundit vizitoi Kufen dhe nuk është vërtetuar se ai ka spekuluar me mendimet e tyre.” [5]

Ka thënë Abdul Kadir Kureshij:”Disa pretendojnë se ai (Ebu Hanife) ka dëgjuar (hadithe) nga tetë sahabe, emrat e të cilëve disa dijetarë i kanë koleksionuar në një volum. Unë kam shkruar një libër lidhur me pamundësinë e diçkaje të tillë (që Ebu Hanife është takuar me tetë sahabe). Në këtë libër kam përmendur sahabët me të cilët është takuar dhe me ata të cilët nuk i ka takuar dot. Ashtu siç kam replikuar me ata që mendojnë se Ebu Hanife nuk është takuar me Enes ibnu Malik.” [6]

Nxënia e dijes:

Ebu Hanife u orientua drejt studimit të shkencës së fikhut dhe hadithit, duke nxënë prej një plejade figurash nga brezi i tabi’inëve. Ai u shqua në fushën e shkencave islame, duke u radhitur tek imamët e mëdhenj të islamit.

Vlen të citojmë se Ebu Hanife nuk u mor me dije që në moshë të vogël, pasi angazhohej me çështje të biznesit dhe shitblerje. Kjo vazhdoi derisa imam Shabij e këshilloi ti përkushtohej dijeve fetare. Ngjarjen vendimtare të orientimit të Ebu Hanifes drejt shkencave islame e rrëfen ai vetë ku thotë:

“Një ditë kalova pranë imam Shabij, i cili ishte i ulur dhe me të më dalluar më kërkoi ti shkoj pranë. Pasi u afrova, më tha:”Tek cili usta shkon?” Unë iu përgjigja:”Tek ustallarët e pazarit.” Ai më tha:”S’të pyeta për ustallarët e pazarit, por ustallarët e dijes.” Unë i thashë:”Në fakt, shkoj shumë rrallë tek ata.” Ai shtoi:”Mos hiq dorë nga shkollimi, dijet dhe qëndrimi me njerëz të ditur! Unë dalloj tek ti inteligjencë dhe pasion.” Këto fjalë më prekën në zemër dhe që atëherë fillova të heq dorë nga pazari dhe iu qepa nxënies së dijes. Padyshim që ia kam parë hairin.” [7]

Lidhur me fillesat e tij me dijen, na mjafton përgjigja e tij kur u pyet se si e kishte filluar nxënien e dijeve. Ai u përgjigj:”Unë jetoja në vatrën e dijes dhe të fikhut. Kështu, fillova të ulem pranë dijetarëve dhe kryesisht iu qepa njërit prej tyre.”

Dijetari të cilit iu qep pas Ebu Hanife, ishte pikërisht Hamad ibnu Sulejman, të cilit nuk iu shqit për tetëmbëdhjetë vite të plota. Kushdo që lexon mbi këtë emër, ia vlen të kërkojë dhe studiojë më shumë rreth figurës sëtij, për ta kuptuar më mirë përse nuk iu nda Ebu Hanife për dy dekada.

Pasi Ebu Hanife kishte përcaktuar orientimin e tij akademik, pra zgjodhi fikhun, filloi të marrë pjesë në mësimet që jepte Hamadi. Shejhu i tij e vuri re menjëherë inteligjencën dhe aftësinë memorizuese të këtij djaloshi të njomë. Për këtë, ai kishte thënë:”Askush tjetër nuk do të ulet pranë këmbëve të mia gjatë mësimit, përveç Ebu Hanifes.”

Tregon Ebu Hanife:”Pasi kisha qëndruar pranë tij për dhjetë vite me radhë, nefsi më tundoi që të shkëputem prej tij dhe të formoj një grup nxënësish dhe të apasionuarish pas fikhut. Një ditë kisha vendosur ta çoj në fund planin tim dhe isha gjithë entuziazëm. Por kur hyra në xhami dhe pashë fytyrën e shejhut tim, ndryshova mendim aty për aty dhe vajta u ula tek vendi im. Atë natë, atij i erdhi një letër ku njoftohej për  vdekjen e një personi të afërm në Basra, i cili nuk kishte lënë trashëgimtarë përveç tij. Kështu, i duhej të largohej për disa kohë. Për këtë, shejh Hamadi më urdhëroi të ulem në vendin e tij dhe të jap mësim.”

Kështu, Ebu Hanife zuri vendin e shejhut të tij, po atë ditë që kishte vendosur të ndahej prej tij për të formuar një grup të ri nxënësish. Ai e realizoi planin e vet, pra po jepte mësim pa u mbështetur tek shejhu, por këtë herë në rrugë të ndershme dhe jo separatiste. Ai po e bënte me lejen e shejhut dhe profesorit të vet, të cilin e donte shumë, saqë e kujtonte me nostalgji edhe pasi kishte ndërruar jetë. Sa herë që lutej për prindërit e tij, Ebu Hanife do të lutej edhe për mësuesin e vet të dashur.

Për herë të parë Ebu Hanife do të ulet në fronin e dijes, për të dhënë mësim dhe për tu përgjigjur pyetjeve që shqetësonin popullsinë. Asokohe, ai ishte vetëm tridhjetë vjeç.

Tregon ai vetë:”Gjatë mungesës së shejh Hamad, kam dëgjuar pyetje dhe mesele të cilat kurrë nuk i kisha dëgjuar më parë. Unë u jepja përgjigje, të cilat i shënoja në letër. Kur shejhu u kthye pas dy muajsh, ia tregova përgjigjet e meseleve, numri i të cilave ishte tetëdhjetë. Mendimi i tij përkoi me dyzet mesele të miat, kurse për njëzet mesele kishte mendim të kundërt. Që atëherë ia bëra vetes obligim që të mos ndahem prej tij deri në vdekje dhe në fakt, nuk i jam shqitur derisa ndërroi jetë.” [8]

Ngjarje të tilla lënë gjurmë të thella në jetën e personit që i përjeton. Ato shndërrohen në mësime të gjalla për çdo nxënës dije dhe shërbejnë si kushtetutë për hapat që do të hedhë në të ardhmen. Litarët e dijes janë të gjatë dhe brigjet e saj të largët. Dijet nuk përftohen veçse duke pasur një model, profesor, zell, modesti dhe vijimësi. Në të kundërt, je një flluskë sapuni, e cila ka vlerë përderisa nuk ka plasur akoma. E mandej, thahet dhe zhduket pa lënë gjurmë. [9]

Tiparet dhe moralet:

Ebu Hanife kishte fytyrë simpatike, plot autoritet, i kushtonte vëmendje veshjes dhe parfumit. Ai radhitej tek njerëzit më të hijshëm, me gojën bilbil dhe më zërin melodioz. [10]

Thotë Jahja Kuttan:”Jam ulur pranë Ebu Hanifes dhe kam dëgjuar prej tij. Pasha Zotin, po ta shihje në fytyrë, e kuptoje menjëherë se ai është një burrë që e ka frikë Zotin.” [11]

Nxënësi i tij, Ebu Jusufi, duke folur për vlerat e shejhut të vet para Kalifit Harun Reshid, thotë:”Thotë Zoti në Kuran:”dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë).” (Kaf, 18)

Kjo vlen për gjuhën e çdo personi që flet. Sipas njohurive të mia për Ebu Hanifen, ai u ruhet fort harameve, ruhet që të mos thotë për fenë e Zotit atë që nuk e di, dëshriron që Zotit ti bindet dhe të mos e kundërshtojë. Ai qëndron larg qejflive të kohës, nuk e sheh veten rival të tyre, shpesh herë qëndron i heshtur, mediton shumë, ka dije të shumta dhe të thella, nuk është banal dhe as llafazan. Nëse pyetet mbi një mesele të cilën e njeh, përgjigjet sipas dijeve që ka. Ai përpiqet ta ruajë veten dhe fenë e tij, është zemërgjerë me dijen dhe pasurinë, nuk manifeston nevojë ndaj askujt, nuk e njeh lakminë dhe të tjerët nuk i përmend veçse për mirë.” Reshid i tha:”Këto janë moralet e njerëzve të mirë. Hidhi këto tipare në letër dhe jepja djalit tim tu hedhë një sy!” [12]

Ebu Hanife ka qenë shumë i pasionuar pas fikhut dhe e mbanin ndër më të diturit në këtë fushë. Njihej për devotshmëri, shumë i pasur, tepër bujar me ata që e rrethonin, durues gjatë mësimdhënies ditë apo natë qoftë, simpatik, i heshtur dhe fjalëpakë derisa të biseda orientohej për hallallin apo haramin. Ai të orientonte tek e mira më mirë se kushdo tjetër dhe qëndronte larg dhuratave të sulltanit.” [13]





Ibnu Mubarak ka thënë:”Nuk kam parë burrë më të hijshëm teksa jepte mësim dhe as më të matur sesa Ebu Hanife.” [14]

Ka thënë Haxher ibnu Abdul Xhebbar, Zoti e mëshiroftë:”Nuk kam parë njeri më të fisëm në mesin e njerëzve të vet, sesa Ebu Hanife dhe as më respektues sesa ai.” [15]

Ai ishte i urtë, i matur dhe nuk e provokohej nga xhahilët.

Thotë Abdurrezzak:”Ndodhesha në xhami, kur dikush e pyeti Ebu Hanifen dhe ai iu përgjigj. Burri i tha:”Hasani mendon ndryshe nga ti dhe thotë…” Ebu Hanife ia ktheu:”Po, por ka gabuar në këtë çështje.” Mandej vjen një burrë me fytyrë të mbuluar dhe gjithë nerva e i thotë:”Ti thua se Hasani ka gabuar o bir…” dhe largohet. Ebu Hanife, pa i ndërruar fytyra aspak tha:”Ah medet! Po, ka gabuar Hasani dhe ia ka qëlluar Ibnu Mesudi në këtë mesele.” [16]

Sehl ibnu Muzahim ka thënë:”E kam dëgjuar Ebu Hanifen të thotë pasi lexonte ajetin:”Pra, jepu lajme të gëzueshme robërve të Mi, të cilët, pasi i dëgjojnë fjalët (që u thuhen), ndjekin atë që është më e mira prej tyre.” (Zumer, 17-18) “O Zot! Na bëj zemërgjerë me ata që tregohen zemërngushtë me ne!” [17]

Ka thënë Jezid ibnu Kemit:”Një burrë i tha Ebu Hanifes:”Kij frikë Zotin!” Ebu Hanife brofi në këmbë i zverdhur në fytyrë dhe kokulur i tha:”Zoti ta shpërbleftë me të mira! Njerëzit kanë nevojë për dikë që u thotë fjalë të tilla.” [18]

Ebu Hanife thoshte:”Në çdo namaz që kam falur pas vdekjes së Hamad, jam lutur për të bashkë me prindërit e mi. Unë kërkoj falje për ata që më kanë dhënë mësim.” [19]

Imam Ebu Hanife ishte tokë pjellore ku mbinte dhe rritej dija. Ai bashkoi mes dijeve të thella dhe urtësisë.

Referencat:

1.   Tehdhibul Esmai 2/501, Sijeru A’lami nubela 6/390

2.   Tarihu Bagdad 13/326

3.   Sijeru A’lami cubela 6/391

4.   Elxhevahir elmudie  1/53

5.   Sijeru A’lami cubela 6/391

6.   Elxhevahir elmudie  1/53

7.   El-akdul Ferid 3/415

8.   Tarihu Bagdad 13/333

9.   Eimmetul erbea lilshekka 17-18

10.                Elxhevahir elmudie  1/53

11.                Tarihu Bagdad 13/352

12.                Ahbar Ebu Hanife ue as’habihi 42 fq

13.                Tarihu Bagdad 13/340

14.                Sijer Alam Nubela 6/400

15.                Tehdhib Kemal 29/439

16.                Tehdhib Kemal 13/351

17.                Tehdhib Kemal 13/352

18.                Sijer Alam Nubela 6/400

19.                Tarih Bagdad 13/334

 

Perktheu: Elmaz Fida

(Visited 3 times, 1 visits today)