Quinta-feira, 14/11/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Kohët dhe vendet e preferuara për të rënë salavat dhe selam mbi Profetin sal-lallahu alejhi ue selem

Kohët dhe vendet e preferuara për të rënë salavat dhe selam mbi Profetin sal-lallahu alejhi ue selem

Lus Allahun të na e bëjë të dashur Profetin tonë, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe të dërgojmë për të salavate e selame si dhe ta praktikojmë sunetin e tij! 

Hyrje

Përmendja e Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem, tek muslimanët pasohet me përshëndetje të emrit të tij, me lutje, dërgim salavate dhe selame, edukatë kjo që na e mëson Allahu i Lartësuar në librin e Tij dhe vet Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, në hadithet e tij.
Allahu thotë:
إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آَمَنُوا صَلُّوا عَلَيْهِ وَسَلِّمُوا تَسْلِيمًا
“Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin e Tij, edhe engjujt luten për të (që Allahu ta bekojë), o ju besimtarë dërgoni për të salavat (luteni Zotin ta shtojë bekimin) dhe selam (lutje për paqe)” (Ahzab, 56)

Sa i përket hadiheve ato do t’i lëmë për t’i përmendur në temën në vazhdim të cilat dëshmojnë për atë që po flasim.

Kujdes mos gabo!

Ka raste kur njerëzit gabohen duke menduar se është e mjaftuar dërgimi vetëm selam për Profetin, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe kështu pas përmendjes së emrit të tij thonë: “alejhi selam”, kjo është gjysma e punës dhe jo kryerje e plotë e urdhrit të Zotit. Kjo për arsye se në ajet janë përmendur selami dhe salavati, pra vetëm duke thënë: “sal-lallahu alejhi ue selem” ose :”alejhi salatu ue selam” apo të ngjashme me këto dyja kryhet urdhri ashtu si është kërkuar përndryshe jo. Kurse kur përmenden profetët e tjerë mjafton dërgimi selam me fjalën: “alejhi selam”.

Kur dhe ku duhet rënë salavat dhe selam.

1-Në tehijat gjatë uljes së parë dhe të fundit në namaz, qoftë ky namaz farz apo sunet.

Transmetohet nga Ebu Mesud ensariu, Kab ibën Uxhreh, Ebu Seid Hudriu, etj, se sahabët i kishin thënë Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem, o i Dërguar i Zotit, tashmë e dimë si të lexojmë Teslimin (selam) mbi ty por si të dërgojmë salavat? Ai tha“Thoni: Allahume sali ala Muhamedin ue ala ali Muhamed, abdike ve resulike, kema salejte ala Ibrahime ve barik ala Muhamed ue ala ali Muhamed kema barekte ala Ibrahime.”
(Shënon Buhariu, Muslimi, Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibën Maxhe).

2-Kur dëgjon ezanin dhe ikametin.

Nga Abdullah ibën Amri ibën Asi transmetohet se e ka dëgjuar Profetin, sal-lallahu alejhi ue selem, duke thënë:
“Kur e dëgjoni muezinin (gjatë thirrjes së ezanit) përsëritni të njëjtat fjalë të tij pastaj dërgoni salavat mbi mua, e kush bie salavat mbi mua një herë Allahu për të bie salavat dhjetë herë, pastaj kërkoni tek Allahu “vesilen” ngase ajo është pozitë në xhenet të cilën do ta ketë vetëm një rob i Allahut për të cilën shpresoj të jem unë ai. Kush kërkon për mua “vesilen” do t’i lejohet ndërmjetësimi-shefati im”
(
Shënon Muslimi, Ebu Davudi dhe Tirmidhiu).

3- Ditën dhe natën e Xhuma.

Ebu Derdai, radijallahu anhu, transmeton se profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë:“Shpeshtoni salavatet për mua në ditën e xhuma sepse ajo ditë është e dëshmuar që e dëshmojnë melekët. Kushdo që dërgon salavat mbi mua veçse më vijnë ato salavate deri tek e fundit”. Ebu Derdai thotë e pyeta të Dërguarin: Edhe pas vdekjes (tënde o i Dërguar)? “Edhe pas vdekjes sime ngase Allahu ia ka ndaluar tokës të hajë (kalbë) trupat e profetëve. Profetët e Zotit janë të gjallë duke u furnizuar.” (Ibën Maxhe).Në një hadith tjetër thuhet:“Shpeshtoni salavatet për mua ditën dhe natën e xhuma, sepse kush bie salavat për mua njëherë për të Allahu do të dërgoj dhjetë herë.”
(Shiko: “Silsile sahiha, 3/397”, hasen-sahih)

4-Çdo mëngjes dhe mbrëmje.

Nga Ebu Derdai përmendet se profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë:“Kush dërgon salavat mbi mua nga dhjetë herë çdo mëngjes dhe mbrëmje do ta kaplojë ndërmetësimi (shefati) im në Ditën e Gjykimit”.(Shënon Taberaniu me sened të mire. Shiko: Sahihul xhami, nr. 6357, të Albanit).

5-Nëpër tubime dhe para largimit prej tyre.

Ebu Hurejre, radijallahu anhu, transmeton nga profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, se ka thënë:
“Një grup njerëzish kur ulen në një tubim e pasaj nuk e përmendin Allahun në të e as nuk dërgojnë salavate mbi të dërguarin e tij ai tubim veçse do të jetë kundër tyre (dëm për ta) për të cilin nëse Allahu do i dënon e nëse do i falë.”
(Shënon Tirmidhiu dhe Ibën Maxhe, hasen-më shumë sahih)

6-Kur përmendet emri i profetit, sal-lallahu alejhi ue selem.

Nga Ebu hurejre, radijallahu anhu, përmendet se profeti i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë:
“Është i ngratë ai njeri në prani të të cilit përmendet emri im e ai nuk dërgon salavat mbi mua, është i ngratë ai i cili e arriti Ramazanin dhe shkoi ky muaj e atij nuk i janë falë mëkatet, është i ngratë ai njeri i cili i i ka arritë dy prindërit e vet të gjallë e nuk ka hyrë (përmes respektit të tyre) në xhenet.”
(Shënon Tirmidhiu, me sened: Hasen-Sahih, shiko: El-Mishkat (927), et-talik erregib 2/283, fadlus-salat alen-nebij… (16).

7-Në çdo kohë.

Kjo argumentohet me të njëjtin hadith të cilin argumentuan dijetarët të cilët argumentuan rreth rënies salavat çdo mëngjes e mbrëmje që e cekëm në pikën e katërt të kësaj teme.
Nga Ebu Derdai përmend se profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë:“Kush dërgon salavat mbi mua nga dhjetë herë çdo mëngjes dhe mbrëmje do ta kaplojë ndërmetësimi (shefati) im në Ditën e Gjykimit”
(Shënon Taberaniu me sened të mirë. Shiko: Sahihul xhami, nr. 6357, të Albanit).

8-Gjatë lutjeve-duave në përgjithësi.

Fadël ibën Ubejdi tregon se:
I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, kishte dëgjuar një njeri të lutej në namazin e tij duke mos e madhëruar paraprakisht Allahun e dhe duke mos dërguar salavat mbi profetin, sal-lallahu alejhi ue selem, ku profeti për të tha:
“U ngut ky njeri, pastaj e thirri dhe i tha atij (ose të tjerëve-dyshon transmtuesi kujt i ka thënë): Kur ndonjëri prej jush lutet le të fillojë me madhërimin dhe lartësimin e Allahut, pastaj le të dërgojë salavatë mbi profetin e Tij, sal-lallahu alejhi ue selem, e pastaj le të lutet çfarë të dojë.”
(Shënon Ebu Davud dhe Tirmidhi me sened të mirë sipas shejh Albanit).

9-Gjatë hyrjes në xhami dhe daljes prej saj.

Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: 

“Kur ndonjëri nga ju hyn në xhami le të dërgojë selam mbi profetin, sal-lallahu alejhi ue selem, pastaj le të thotë: o Zot, hapi për mua dyert e mëshirës Tënde ndërsa kur të del prej xhamisë le të thotë “O Zot unë kërkoj nga mirësitë e Tua.”
(Shënon Ebu Davudi me sened të saktë.)
Në në transmetim tjetër përmendet:“Kur ndonjëri nga ju hyn në xhami le të dërgoj selam mbi profetin, sal-lallahu alejhi ue selem, pastaj le të thotë: o Zot, hapi për mua dyert e mëshirës Tënde ndërsa kur të del prej xhamisë le të thotë: “O Zot, më mbroj nga shejtani i mallkuar”.
(Shënon Ibën Maxhe-hadithi është i saktë bazuar në të kaluarin dhe në librin “Ethemerul mustetab” – Albani).

Fatimja, e bija e profetit, përmend se Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, kur futej në xhami dërgonte salavat dhe selam mbi veten e tij dhe pastaj thoshte:
“O Zot m’i fal mëkatet dhe m’i hap dyert e mëshirës Tënde”, gjithashtu kur dilte prej saj prapë dërgonte salavat dhe selam për veten e tij dhe thoshte:
“O Zot m’i fal mëkatet e mia dhe m’i hap dyert e mirësisë Tënde.”
(Shënon Ibën Maxhe. Hadithi është i saktë sipas shejh Albanit).

Këto janë disa vende në të cilat duhet rënë salavat, lus Allahun të na e bëjë të dashur Profetin tonë, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe të dërgojmë për të salavate e selame si dhe ta praktikojmë sunetin e tij!

(Visited 70 times, 1 visits today)
Top