Sexta-feira, 15/11/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Koha më e bekuar e vitit – dhjetë ditët e fundit të Ramazanit

Koha më e bekuar e vitit – dhjetë ditët e fundit të Ramazanit

ramadan_kareem__wall__by_kouary-d2z2709Transmetohet se Aishja RadiAllahu `anha i ka thënë Pejgamberit Alejhi Selam: “O i dërguar i Allahut, si të bëj dua në natën e Kadrit? Ai iu përgjigj: “O Allah, ti je falës fisnik Që e do faljen, prandaj, Të lutem, më fal mua”.

Sikurse çdo gjë ka vlerën dhe rëndësinë e vet, përmes së cilës arrihet në një vend të caktuar apo përmes së cilës ndiejmë një lumturi dhe qetësi shpirtërore a fizike, po ashtu edhe kohët në të cilat kryhet adhurimi ndaj Krijuesit, janë të caktuara, të begatshme dhe sidomos mjete për arritjen tek kënaqësia ndaj Krijuesit. Pikësëpari, duhet të dimë se të gjitha kohët që janë caktuar nga Ligjvënësi, kur duhet të kryejë njeriu detyrime/veprime të caktuara, kanë mirësinë dhe begatinë e tyre si për shëndetin  ashtu edhe për shërimin shpirtëror të njeriut, kështu që asnjë obligim nuk është në dëm të njeriut. I tillë është edhe muaji i shenjtë dhe i bekuar i Ramazanit, i cili është vetëm pastrim fizik e shpirtëror dhe përmes të cilit arrijmë të depozitojmë një bagazh shpërblimesh që do të na nevojiten shumë e shumë në ditën e Ringjalljes.

Ndonëse muaji i Ramazanit është një muaj që i tëri në vete përmban një sërë shpërblimesh e të mirash, megjithëkëtë pjesa e fundit e tij thuajse është ajka dhe yndyra e gjithë të mirave që bëhen gjatë pjesës së njëzet ditëve të para. Për këtë arsye, Muhamedi Alejhi Selam Ramazanin e ndan në tri pjesë, për se thotë: “Ramazani: fillimi i tij është rahmet – mëshirë, mesi i tij është magfiret – falje që bën Allahu për robërit e Tij, dhe fundi është shpëtim nga zjarri i Xhehenemit”.

Megjithëkëtë, për veçoritë dhe specifikën që ka kjo koha e fundit, duhet t’u bëjmë një vëzhgim edhe disa haditheve, ajeteve dhe skenarëve që pikërisht vetë Pejgamberi ka realizuar, në mënyrë që ky të mbetet një film i paharruar për të gjithë myslimanët. Atëherë, si e ndërtoi dhe si e zbukuroi Muhamedi Alejhi Selam këtë kohë kaq të begatshme? Meqë muaji i bekuar i Ramazanit është një muaj kur filloi të zbriste Kur’ani, muaji ku Allahu xhele sha’nuhu hapi një kapitull të ri për krijesat e Tij, muaji kur u mbyll një program i mëhershëm hyjnor për të rinisur një program më i mirë, që një pjesë e vendimeve të mëhershme të anuloheshin dhe një pjesë tjetër të shtohej deri në fundin e kësaj bote. Që të gjitha këto u realizuan në muajin e Ramazanit, dhe pikërisht në dhjetë ditët e fundit ndodhi kjo shfaqje që vuri themelet e fesë islame:

– Ramazani, muaji kur zbriti i tërë Kur’ani nga Levhi Mahfudh në Bejtu’l-Izzeh dhe prej aty, në mënyrë graduale, përmes melekut Xhibril, tek Muhamedi Alejhi Selam: “Muaji i Ramazanit është muaj në të cilin filloi të shpallej Kur’ani…”(El-Bekare, 185)
– Ramazani, muaji kur Kur’ani filloi të zbriste për herë të parë në Natën e Bekuar të Kadrit. Allahu xhele sha’nuhu thotë: “Ne e zbritëm atë (Kur’anin) në Natën e Kadrit”. (El-Kadr,1)
– Ramazani, muaji në dhjetë ditët e fundit të të cilit gjendet Nata e Bekuar e Kadrit, më e vlefshme se një mijë muaj.
– Ramazani, muaji që, i tëri dhe në mënyrë të veçantë përmes Natës së Kadrit, është falës i mëkateve dhe robit i mundëson të arrijë shpërblime që nuk do t’i arrijë në ndonjë kohë dhe muaj tjetër.
– Ramazani, muaji në fundin e të cilit lidhen djajtë me zinxhirë dhe falen robërit duke i larguar nga zjarri i Xhehenemit.
– Ramazani, muaj fundi i të cilit fillon me hyrjen në I’tikaf – izolim dhe largim nga shoqëria, për t’u shoqëruar në adhurime vetëm me Allahun xh.sh..
– Ramazani, muaji fundi i të cilit u mundëson të pasurve që me një pjesë simbolike nga pasuria e tyre, t’u japin të varfërve.
– Muaj fundi i të cilit i gëzon skamnorët, të varfrit, studentët etj..
– Muaji, fundi i të cilit e përgëzon robin me përfundimin e leximit të Kur’anit –kryerjen e Hatmes, qoftë në origjinal, qoftë të përkthyer.
– Muaji që zbut zemrat e besimtarëve, hap gjoksin e tyre, i drejton ata që të vizitojnë të afërmit, të sëmurët nëpër spitale.
– Muaji që sjell një edukatë dhe disiplinë morale e shpirtërore tek individi.
– Muaji kur vizita e vendeve të shenjta – kryerja e umrës, llogaritet si haxh i vogël.
– Muaji i bashkimit dhe solidaritetit të mbarë myslimanëve, ku të gjithë, në dhjetë ditët e fundit, përveç namazeve të obliguara, mblidhen për faljen e namazeve vullnetare – namazeve të natës.

Ngjallja e dhjetë ditëve të fundit nga Pejgamberi Alejhi Selam Shembulli më i mirë për mbarë myslimanët, pa dyshim është Muhamedi Alejhi Selam, i cili na e dha skenarin e ditëve të fundit të Ramazanit. Rrëfen
Aishja r.a. “Pejgamberi Alejhi Selam, kur vinte dhjetëshi i fundit i Ramazanit, i ngjallte netët (me ibadete), zgjonte familjen e tij prej gjumit, përpiqej (për ibadet të shumtë) dhe shtrëngohej (për ibadete)“.

“Kush ngjall Natën e Kadrit me adhurime duke pasur besim të plotë për shpërblime, do t’i falen mëkatet e kaluara”1 Pejgamberi Alejhi Selam angazhohej në dhjetë ditët e fundit (me ibadet dhe vepra të mira) jo sikurse në ditët e tjera. Dhjetë ditët e fundit, ai  e gjallëronte natën dhe e zgjonte familjen për ta gjallëruar atë”.2

Muhamedi Alejhi Selam hynte në i’tikaf në dhjetë (ditë) shin e fundit derisa vdiq dhe për këtë thoshte: “Kërkojeni Natën e Kadrit në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit”. Kërkojeni Natën e Kadrit në netet tek të dhjetë ditëve të fundit. Kjo është një pasqyrë që dhamë shkurtimisht për mënyrën se si e kishte ringjallur Pejgamberi Alejhi Selam Ramazanin në përgjithësi, dhe dhjetë ditët e fundit në veçanti. Nga kjo kuptojmë se nga kohët në të cilat janë caktuar adhurimet, që të gjitha kanë një vlerë specifike, ndërsa dhjetë ditët e fundit të Ramazanit kanë një specifikë sepse u janë dhënë vetëm agjëruesve dhe atyre që angazhohen me ibadete. Prandaj, kjo natë është lënë enigmë për besimtarët, që të jenë në kërkim gjatë këtyre dhjetë ditëve të fundit. Ata, me aktivitetet e tyre në adhurim, të kërkojnë mbrojtje, falje, begati dhe mirësi nga Allahu xh.sh.. Transmetohet se Aishja RadiAllahu `anha i ka thënë Pejgamberit Alejhi Selam: “O i dërguar i Allahut, si të bëj dua në Natën e Kadrit? Ai iu përgjigj: “O Allah, ti je falës fisnik Që e do faljen, prandaj, Të lutem, më fal mua”.

Rekomandohet që aktivitetet sociale që bëhen gjatë muajit të Ramazanit, të kryhen qysh në fillimin e tij, në mënyrë që dhjetë ditët e fundit t’i kalojmë vetëm e vetëm në adhurim. Që të gjitha aktivitetet shoqërore për nder të këtij muaji, janë të vlefshme, si vizita për darkë në iftare, programet dhe shfaqjet e ndryshme etj., por më e mira nga këto mendojmë se është adhurimi dhe ngjallja e netve të fundit, ashtu sikurse i ka ngjallur Muhamedi Alejhi Selam. Nevojitet që së paku në çdo qytet të ketë një grup myslimanësh që të kryejnë obligimin e i’tikafit, në mënyrë që të tjerët të lirohen nga ky obligim. Gjatë këtyre netve të fundit, çdo mysliman të arrijë të përfundojë leximin e Kur’anit qoftë edhe të përkthyr, dhe këto ditë të jenë ditët e lutjeve për shpërblim për leximin e Kur’anit fisnik. Të mos harrojmë se agjëruesit, përveç të tjerash, janë të përgëzuar edhe me këtë lajm, që e thotë Pejgamberi Alejhi Selam: “Në xhenet është një derë që quhet er-Rejjân. Në ditën e Kiametit nga kjo derë do të hyjnë vetëm agjëruesit dhe askush tjetër”.3

Prandaj: shfrytëzoni këto çaste dhe pastroni zemrat tuaja me pendim, ngrini duart tuaja duke lexuar ajetin kuranor:
“O Zoti ynë, ne dëgjuam një të dërguar, i cili na thërriste për besim – ‘Besoni Zotit tuaj!’- dhe ne e besuam atë.
O Zoti ynë, na fal mëkatet tona, zbuti veprat tona të këqija dhe na bëj të vdesim me ata të mirët.
O Zoti ynë, na jep atë që na e ke premtuar me anë të pejgamberëve të Tu, dhe mos na pikëllo në Ditën e Kiametit! Ti me siguri e përmbush premtimin Tënd”. (Ali Imran, 193-194)

Në këtë mënyrë përcilleni Ramazanin, mikun fisnik, ashtu si përcillet miku i vërtetë i shpirtit. Dijeni se miku i vërtetë nuk përcillet vetëm me selame, po me dhurata, shpërblime, çaste të mira dhe me gjëra të vlefshme. Por, a e dini se cilat janë dhuratat për mikun tuaj? Ajo është që pikërisht, siç e theksuam edhe më sipër, në ditët e fundit të jepet Zekatul-lfitri, i cili pastron agjërimin tuaj, pastron shpirtrat tuaja, pastron punët tuaja, gëzon të varfrin, të sëmurin dhe studentin. Prandaj, dijeni se vendi më i mirë për ta dhënë këtë lëmoshë, pa dyshim është shoqëria jonë e Bashkësisë Islame, e cila për vite të tëra qëndroi pranë myslimanëve të kësaj zone. Lusim Allahun që t’i pranojë veprat tona të mira dhe të na shpërblejë me sinqeritet në të gjitha veprimet tona (të mira), kudo që i bëjmë dhe që të dalim në festën e Bajramit të gjithë të gëzuar.

(1) Buhariu, Salatut-Teravih, 1.
(2) Buhariu, në kapitullin mbi begatitë e Natës së Kadrit, 5. Muslim, ’tikaf, 8.
(3) Transmeton Imam Muslimi, në kapitullin mbi agjërimin nr. 5

Mr. Zymer Ramadani

(Visited 38 times, 1 visits today)
Top