Sábado, 23/3/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

KËSHTU VJEDHIN TË MËDHENJTË DHE TË FUQISHMIT (Një tregim relaksues)



KËSHTU VJEDHIN TË MËDHENJTË DHE TË FUQISHMIT (Një tregim relaksues)

Dy vjedhës kishin hyrë në një pallat të një pasaniku dhe e kishin gjetur kasafortën në të cilën pasaniku i ruante paratë.

Njëri nga vjedhësit ishte me shumë përvojë dhe arriti ta hapte kasafortën pa e thyer. I vendosi të gjitha paratë mbi tryezë dhe u ul në një karrige, pastaj i tha kolegut të tij të ri, i cili sapo i kishte mësuar shkathtësitë e vjedhjes: “Ulu pranë tryezës dhe nxirri letrat se duam të luajmë letra!”

Vjedhësi i ri u përgjigj: “Çfarë loje me letra në pallatin e huaj, ne duhet të ikim nga këtu sa më parë bashkë me paratë. Do të luajmë me letra kur të shkojmë në shtëpi.”

Vjedhësi i vjetër, me një zë kërcënues i tha: “Unë jam udhëheqësi, ti bëj atë që them unë! Ulu pranë tryezës dhe fillo të luash letra!”

Vjedhësi i ri e dëgjoi, kurse më pas shefi i tij i tha: “Lëshoje radion dhe ngritja zërin!” I riu e dëgjoi, edhepse dridhej i tëri, sepse ishte i bindur se së shpejti do të arrestoheshin.

Së shpejti para tyre u shfaq pronari i pallatit me një armë në dorë duke bërtitur: “Çka po bëni këtu, ju banditë hajdutë?”

Atëherë vjedhësi i vjetër i tha kolegut të tij të ri: “Mos ia vë veshin atij, por vazhdo të luash!”

Dhe ata të dy po vazhdonin të luanin letra, kurse pronari i pallatit i thirri policët, të cilët së shpejti erdhën në pallat. Kur policët hynë në pallat, pronari u tha atyre:

“Këta dy hajdutë e kanë thyer kasafortën time, kurse paratë që i vodhën janë para tyre në tryezë.”





Me atë rast vjedhësi i vjetër u tha policëve: “O zotërinj, ky njeri është gënjeshtar. Ai vetë na ftoi të luanim letra me të dhe ne e fituam lojën. Pasi që i humbi të gjitha paratë e tij, e nxori armën e tij dhe tha: ‘Ose mi ktheni paratë ose unë do t’i thërrasë policët dhe do tu them se ju jeni hajdutë!”

Polici shikoi në tryezë, pranë së cilës ndodheshin dy vjedhësit, më pas e shikoi grumbullin e madh të parave, si dhe radion prej së cilës dëgjohej muzikë me zë të lartë, kështu që në bazë të kësaj besoi në atë që i tha vjedhësi i vjetër. Pastaj iu kthye pronarit të pallatit, duke i thënë: “Shihet se ti ke luajtur letra me këta djem dhe i ke humbur të gjitha paratë, më pas i ke thirrur policët. Nëse këtë e bën edhe një herë tjetër, ne do të arrestojmë dhe do të burgosim.”

Pastaj u nis që të shkojë nga pallati. Mirëpo, para se të largohej nga pallati, vjedhësi me përvojë i tha atij: “O zotëri, nëse ju shkoni dhe na lini vetëm me këtë njeri, ky mund të na vrasë neve!”

Polici u pajtua me këtë konstatim, andaj i urdhëroi vjedhësit që t’i marrin të gjitha paratë dhe nën përcjellje të policisë ta lëshojnë pallatin.

Kështu veprojnë hajdutët e mëdhenj dhe të fuqishëm. Në mënyrë të ngjashme sot, vendet imperialiste i vjedhin dhe plaçkitin pasuritë e botës, i marrin dhe uzurpojnë vendet e huaja bashkë me të gjitha resurset e vendeve të pushtuara, pastaj i robërojnë, i dëbojnë dhe i vrasin banorët dhe pronarët e vërtetë të atyre shteteve. Ndërsa ata që e kundërshtojnë vjedhjen dhe veprimet e tyre penale, i shpallin gënjeshtarë, terroristë, armiq të paqes dhe demokracisë dhe i kërcënojnë me dënime drakonike, pasiqë ua kanë konfiskuar dhe grabitur të gjitha.

Përshtati: Miftar Ajdini

(Visited 4 times, 1 visits today)