Terça-feira, 12/11/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Kam probleme me kontaktin e parë seksual

Kam probleme me kontaktin e parë seksual

Pyetja:

Selam alejkum! Allahu ju shpërbleftë për këtë iniciativë që keni marrë t’i përgjigjeni pyetjeve tona. Jam një motër e rregullt e faqes suaj, i lexoj me kujdes pyetjet dhe përgjigjet tuaja, andaj mora guximin t’ju hap zemrën juve për një gjë që më brengos mua. Jam një motër 22-vjeçare e fejuar para një viti me një djalë shumë të mirë, e duam shumë njëri-tjetrin, kalojmë shumë mirë, kemi një gjuhë të përbashkët për çka e falënderoj çdo ditë Allahun. Gjatë verës shkuam në pushim, pasi ishim fejuar dhe vendosëm që të flemë bashkë, kështu që provuam ta humbja virgjërinë, mirëpo kisha shumë dhembje, nuk di a ishin dhembje sepse ishte hera e parë apo edhe pse kisha pak frikë. Pushuam disa ditë, pastaj provuam prapë, mirëpo prapë asgjë, nuk kisha forcë të duroja prapë. Vazhdojmë të provojmë, mirëpo kot nuk mund ta bind veten t’i duroj ato dhembje. Kam dëgjuar që ka disa lloj cipash, disa që hapen më lehtë e disa me zor. Më vjen turp të shkoj te mjeku për këtë gjë. Shpresoj që ju me ndonjë këshillë të mund të më ndihmoni sepse ndonjëherëë mendoj edhe ndarjen tonë sepse me dhimbset i fejuari, pasi kemi plane që të martohemi edhe disa muaj. Në fund, ju kërkoj falje që e zgjata dhe kërkoj falje për këto shprehje ndoshta jo të natyrës së kësaj faqeje te nderuar. Allahu ju shpërbleftë, pres përgjigjen sa më parë.
Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Motër e nderuar, ju përshëndesim me selam dhe ju kërkojmë falje për vonimin e përgjigjes, fatkeqësisht nuk arritëm t’ju përgjigjemi më herët. Ju në letër bëni pyetje për një problem që ju mundon, por nga përmbajtja e letrës neve na duhet të flasim rreth dy gjërave:
Gjëja e parë:
Në lidhje me fejesën se si trajtohet ajo nga këndvështrimi islam dhe a legalizon fejesa që në mes të dy të fejuarve të ndodhin marrëdhënie intime apo jo. Kjo është një problematikë që duhet shtjelluar, për shkak se fatkeqësisht ka keqkuptime edhe nga ata vëllezër e motra të cilët janë praktikues të dispozitave islame. Prandaj do të flasim së pari për këtë, pastaj do t’i përgjigjemi problemit tuaj.
Fejesa është periudha në të cilën djali, pasi i propozon martesë vajzës, e merr konfirmimin pozitiv për këtë nga vetë vajza dhe familja e saj.
Te dijetarët islam fejesa përkufizohet se është premtim të cilin e merr djali nga përgjegjësi (prindi) për ta martuar vajzën e tij. Nga kjo konkludojmë se fejesa në Islam nuk është martesë, por është premtim për martesë, prandaj sipas mendimit të juristëve islamë, i fejuari apo e fejuara lejohet të heq dorë nga fejesa pa ndonjë komplikim. Kjo nënkupton se prishja e fejesës nuk tërheq pas vetes asnjë pasojë juridike. Prandaj derisa nuk ka kontratë martese, juridikisht kjo nuk konsiderohet martesë dhe neve nuk na lejohet që ta trajtojmë ashtu.
Duke e pasur parasysh këtë vlerësim, themi se nuk është e drejtë që raporti mes vajzës dhe mashkullit të fejuar të jetë sikurse raporti mes bashkëshortëve; që ata të vetmohen, të flasin lirshëm siç i flet burri gruas dhe anasjelltas e aq më pak që të kryejnë marrëdhënie intime ose diçka të ngjashme me këtë. Këto veprime të gjitha janë të ndaluara dhe ai person i cili merr guximin ta trajtojë të fejuarën e tij sikurse ta ketë grua dhe t’i legalizojë marrëdhëniet intime me të, atëherë ai ka tejkaluar kufijtë e Allahut të Plotfuqishëm.
Prandaj, motër e nderuar, ne nuk e kemi parasysh se ju a e keni bërë kontratën e martesës (kurorën) apo vetëm keni realizuar fejesën. Nëse është e dyta, atëherë juve nuk ju lejohet që të bëni marrëdhënie intime derisa ta realizoni kontratën e martesës.
Kontrata e martesës është ceremoni e veçantë, në të cilin zakonisht merr pjesë hoxha ose dikush që ka njohuri rreth dispozitave të martesës në Islam. Në këtë tubim merr pjesë përgjegjësi i vajzës, vajza, djali dhe dy dëshmitarë. Prezenca e vajzës nuk është obligative, nëse paraprakisht dihet se ajo është pajtuar me këtë martesë. Gjatë kësaj kontrate përgjegjësi i vajzës i thotë djalit (burrit) se po të martoj me vajzën time (el-
ixhab) dhe ai e pranon këtë (el-kabul) dhe në këtë dëshmojnë dy dëshmitarë. Gjithashtu gjatë kësaj kontrate bëhet edhe përcaktimi i mehrit. Mehri është dhurata të cilën burri ia jep nuses së tij si pasojë e lidhjes së aktit martesor. Dhënia e mehrit është detyrë për burrin, pa marrë parasysh nëse përmendet apo jo gjatë aktit të martesës. Rëndom kjo kontratë evidentohet dhe në të nënshkruajnë përgjegjësi i vajzës, djali dhe dy dëshmitarët. Sido që të jetë, shkrimi i kësaj kontrate nuk është i obliguar.
Nuk do të zgjerohemi më shumë në këtë pikë, por edhe një herë ju themi se nëse nuk e keni realizuar kontratën e kurorës, atëherë dijeni se nuk u lejohet dy të fejuarve ta trajtojnë njëri-tjetrin si bashkëshortë dhe t’i legalizojnë gjërat që legalizohen vetëm në mes të një çifti kur martohen.
Gjëja e dytë:
Ndërsa në lidhje me problemin që ju mundon, para se t`ju përgjigjemi dëshirojmë të sqarojmë se do të shkruajmë larg çdo kompleksiviteti dhe paragjykimi, pasi është një problem që ndoshta për shumëkënd është i panjohur dhe mund t’i duket i panevojshëm, por realisht ekzistojnë disa raste që çifti i porsamartuar ballafaqohet me këtë. Prandaj shpresojmë që të mos keqkuptohemi nga lexuesit për gjërat të cilat do t’i përmendim më poshtë.
Shumica e femrave ndiejnë dhimbje gjatë kontaktit të parë, por me ndërlikime me të mëdha, ashtu si jeni ballafaquar ju, ndeshen vetëm disa prej femrave. Shkaktarë për problemin e këtillë mund të jetë njëra nga këto arsye:
1. Është e vërtetë, ashtu si ju e përmendni, se cipa e virgjërisë (himeni) dallon te femrat dhe është disa llojesh, në mjekësi ajo ndahet në shtatë lloje. Disa nga këto lloje janë më pak elastike e disa të tjera më shumë dhe varësisht prej kësaj edhe dhembja është me vogël apo më e madhe. Gjithashtu edhe nuk është kusht që gjatë kontaktit të parë të ketë gjakderdhje, rëndom ka gjakderdhje, por ekzistojnë raste kur nuk ka fare apo gjakderdhja është shumë e vogël. Ekziston edhe një lloj cipe që është më rezistent dhe vajzat e këtilla ndiejnë dhimbje shumë më të mëdha gjatë kontaktit të parë, prandaj mund të jetë arsyeja e problemit te ju kjo.
2. Kontakti i parë për djemtë është pa dhembje, por megjithëkëtë nuk është emocionalisht më e lehtë për ta. Djali i porsamartuar, po njësoj sikurse edhe vajza, mund të jetë i shqetësuar, i frikësuar dhe pa përvojë. Prandaj reagimet tuaja gjatë kontaktit të parë me burrin ndikojnë në ndjenjat e tij dhe nëse gruaja manifeston reagime të theksuara, atëherë edhe ai shqetësohet, ndien presion dhe nuk arrin ta mbajë ereksionin. Me fjalë të tjera, gjatë marrëdhënies së parë seksuale nuk janë vetëm vajzat që kanë probleme dhe frikë, probleme dhe shqetësime kanë edhe djemtë dhe si rezultati i reagimeve tuaja e bëjnë atë që të mos tentojë të vazhdojë më tutje gjatë provave.
3. Disa nga çiftet që martohen, në fillim ballafaqohen edhe me problemin e magjisë, prandaj si shkak i problemit në fjalë mund të jetë edhe magjia (sihri). Mirëpo nga përshkrimi i problemit tuaj nuk mendojmë se tek ju ekziston një problem i këtillë, pasi simptoma e këtij sihri është që kur burri i afrohet gruas, e humb ereksionin dhe ndjenjën për marrëdhënie seksuale. Pra, në rastin e magjisë nuk paraqitet si problem dhembja, por simptoma e kësaj është se burri kur gjendet larg gruas ka epsh dhe ereksion, por kur i afrohet asaj automatikisht ai e humb ereksionin, epshin dhe ndjenjën për marrëdhënie.
Këto janë shkaqet e mundshme të problemit në fjalë dhe nga letra juaj mund të përfundojmë se arsyeja tek ju është e para, por është e mundur që si shkak i reagimeve tuaja të theksuara nga dhembja edhe burri të ketë marrë një frikë.
Sido që të jetë, ju sigurojmë se ky problem nuk është i patejkalueshëm. Ne njohim persona që na janë drejtuar për të kërkuar këshilla për probleme të këtilla në fillim të martesës dhe tani ata i kanë tejkaluar dhe me falënderimin e Allahut kanë edhe fëmijë. Prandaj mos u brengosni dhe mos u bëni pesimiste. pasi ky problem është i zgjidhshëm dhe ju themi se të mendoni për ndarje si shkak i këtij problemi është i paarsyeshëm dhe ky është vetëm një cytje nga shejtani.
Në vazhdim do t`ju përcjellim disa këshilla si hapa të nevojshëm për ta tejkaluar këtë problem.
– Ju këshillojmë që gjatë provave të para me burrin të përdorni kremra ose vajra që shërbejnë si lubrifikantë, që ta lehtësojnë kontaktin e parë, depërtimin dhe çarjen e cipës. Nuk është e kushtëzuar që të përdorni ndonjë krem apo vaj të posaçëm, por mund të kryejnë punë edhe ato të thjeshtat, mund të përdorni p.sh. krem vazelinë, ose vaj arre, etj.
– Ashtu si e përmendëm më parë, ju duhet ta keni parasysh se burri juaj, edhe pse nuk ndien dhimbje ashtu sikurse ju, ballafaqohet me shqetësime dhe frikë si rezultat i papërvojës. Prandaj nëse ju reagoni shumë dhe nuk duroni dhembjen, atëherë do të jetë më vështirë që edhe ai të vazhdojë më tutje.
– Mundohuni që të zgjidhni situata të përshtatshme për të provuar. Pikësëpari duhet të jeni që të dy të çlodhur, jo të uritur, të papreokupuar me ndonjë problem dhe koha të mos jetë e shkurtër, kështu që të keni mundësinë të provoni disa herë duke pushuar.
– Mundohuni që veshja juaj të jetë tërheqëse për burrin, pasi luan rol të rëndësishëm kjo.
– Gjithashtu le t’i paraprijë kontaktit tuaj një paralojë, duke u munduar ta largoni nga vetja edhe ju edhe burri presionin psikik që keni.
– Nuk është e thënë që ta kryeni kontaktin e parë për një natë apo me të parën herë, prandaj duhet të keni durim edhe ju edhe burri dhe nëse dështoni një herë, atëherë mos të jetë kjo shkak që të ngrihet pesimizmi te ju.
– Edhe pse nuk do ta preferonim këtë, është e mundur që burri juaj para fillimit të kontaktit të marrë një tabletë viagra. Kjo do ta ndihmonte që ta mbante ereksionin dhe të keni në dispozicion më shumë kohë për të provuar. Sido që të jetë, bëjeni këtë hap nëse nuk do të arrini sukses me hapat e mëparshëm.
– Mos t`ju preokupojë koha se sa do të zgjasë ky problem, pasi që është e mundur të shkoj edhe me muaj; ne njohim raste që çifti ka kaluar deri në një vit martesë dhe nuk kanë arritur kontaktin vetëm pas kësaj kohe.
– Motër e nderuar, nëse këto që i përmendëm nuk do të ndihmojnë dhe nëse ju do të vazhdoni të provoni, por nuk do të keni sukses dhe kjo vazhdon për një kohë të gjatë, atëherë ju duhet ta bëni një vizitë te gjinekologia, e cila do t`ju ekzaminojë dhe do të shohë pak më qartë se çfarë është problemi. Është e mundur që cipa të jetë shumë e fortë dhe të jetë e pamundur të çahet me kontakt seksual. Atëherë ndoshta do të jetë e nevojshme që të bëhet ndërhyrje kirurgjike dhe të bëhet çarja e cipës ashtu.
– Para të gjitha këtyre, motër e nderuar mos harroni Allahun dhe drejtojuni Atij për çdo nevojë dhe problem, kërkojini falje ti dhe burri juaj, pasi kërkimi i faljes (istigfari) dhe pendimi (tevbeja) janë arsye të fuqizimit të njeriut në të gjitha aspektet, por edhe nga aspekti seksual. Në një ajet, i Dërguari Hud alejhi selam e këshillon popullin e tij kështu: “O populli im, kërkoni falje prej Zotit tuaj dhe kthejuni Atij, Ai ju lëshon shi me bollëk dhe fuqisë suaj i shton fuqi, e mos refuzoni e të bëheni mëkatarë!” (Hud, 52) Komentuesit e Kuranit pjesën e ajetit: “…dhe fuqisë suaj i shton fuqi…” e komentojnë se nënkupton edhe aspektin e fuqizimit seksual.
Këto ishin disa nga hapat të cilat arritëm t’i përmbledhim në këtë përgjigje. Edhe një herë ju themi se problemi juaj nuk është i patejkalueshëm dhe nuk keni nevojë të mërziteni dhe të shqetësoheni shumë, pasi është një problem që ka nevojë për kohë dhe durim dhe me kalimin e kohës, fitimit të përvojës, njohjes së njëri-tjetrit në mes të partnerëve do të zgjidhet me lejen e Allahut. Lus Allahun e Lartësuar që ta tejkaloni sa më shpejtë këtë problem dhe të kaloni një jetë sa më të lumtur bashkëshortore. Amin!
Alaudin Abazi

(Visited 111 times, 1 visits today)
Top