Quarta-feira’, 21/8/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Hajdi (menstruacionet)

Hajdi (menstruacionet)

Hajd ose menstruacion në kuptimin gjuhësor të gjuhës arabe do të thotë “rrjedhje”. Me këtë term në terminologjinë e sheriatit islam nënkuptojmë ciklin mujor të gjinisë femërore që rrjedh në kohë të caktuar. Pra, menstruacionet janë gjak që del nga mitra në kohë të caktuar kur femra arrin moshën e pjekurisë.
Periudha më e shkurtër e pastërtisë (pa menstruacione) është 15 ditë sipas shumicës së dijetarëve, sepse disa të tjerë kanë thënë se është 13 ditë. Në bazë të mendimit të shumicës së dijetarëve hajdi nuk shfaqet para moshës nëntë vjeçare, andaj nëse vërehet gjak më herët kjo do të jetë nga ndonjë shkaktar tjetër.
Gjaku i menstruacioneve dallon nga ai i istihadës prej karakteristikave të mëposhtme:
1) Ngjyra e gjakut menstrual është i zi (i kuq i errët), ndërsa gjaku i istihadës është i kuq.
2) Gjaku i menstruacioneve është i trashë dhe i rëndë, ndërsa gjaku i istihadës është i hollë.
3) Gjaku i menstruacioneve ka erë të rëndë, ndërsa gjaku i istihadës jo, pasi vjen nga një venë e zakonshme.
4) Gjaku i menstruacioneve nuk mpikset kur del nga trupi, ndërsa gjaku i istihadës po, pasi del nga një venë e zakonshme.
Këto janë karakteristikat e gjakut të menstruacioneve. Nëse gjaku që del nga trupi ka këto karakteristika atëherë është hajd.
Por, ngjyra e gjakut të menstruacioneve mund të jetë me ngjyra të ndryshme te femrat e ndryshme.
Ato janë:
1- ngjyra e errët,
2 – ngjyra e kuqe,
3- ngjyra e verdhë (si qelbin që e ka mbizotëruar ngjyra e verdhë),
4- ngjyra e përzier mes të zezës dhe të bardhës, pra si e turbullt, si uji i pistë. T
ë gjitha këto ngjyra mund të dallohen fare lehtë nga gjaku i zakonshëm, përveç nëse është disi e vështirë tek gjaku i hajdit kur del i kuq, sepse edhe ai i zakonshmi është i kuq, mirëpo prapë mund t’i dallosh. E nëse nuk mundesh, atëherë e dallon nëpërmjet erës dhe nëpërmjet karakteristikave të tjera, sepse gjaku i hajdit gjithnjë ka erë të veten që dallohet nga gjaku normal.
Hajdi (menstruacionet) janë edhe shenjë për hyrjen në moshën e pubertetit. Gjatë kohës së menstruacioneve ka rregulla të veçanta përsa i përket namazit, agjërimit, tavafit rreth Qabes, etj..
Për sa i përket kohës më të shkurtër dhe kohës më të gjatë të hajdit, nuk ka diçka të caktuar me argument dhe mendimi më i saktë i dijetarëve është se nuk ka një minimum ose maksimum të caktuar. Kur ky gjak me cilësitë e veta të dallueshme është i pranishëm, atëherë është menstruacion, qoftë ky gjak në sasi të madhe ose të vogël.
Kjo çështje ndryshon nga një femër në tjetrën dhe s’ka kohë të caktuar me sheriat, por çdo femër e llogarit vetë se sa ditë i shkojnë duke dalluar gjakun e hajdit nga gjaku normal.
Femrat janë dy llojesh: femrat që i kanë ditët e hajdit të rregullta për çdo muaj dhe femrat që i kanë të çrregullta. Për sa i përket atyre që i kanë të rregullta është shumë e thjeshtë, sepse ajo e ka mësuar se kur i vijnë dhe se sa i zgjasin, p.sh.: nëse i zgjasin veç 6 ditë dhe pas një kohe sheh se ditën e shtatë i ka dalë prapë gjak atëherë ajo e llogarit hajdin veç gjashtë ditë dhe çfarë është më tepër konsiderohet istihada dhe istihada nuk është si hajdi por konsiderohet gjak i zakonshëm për të cilin femra nuk duhet ta lë namazin, agjërimin, etj.
Femra e pastron atë gjak për momentin, merr abdes dhe falet. Përveç kësaj, femra që i ka të rregullta menstruacionet e dallon më qartë se kur i ndërpritet hajdi sepse me ndërprerjen e gjakut asaj i del një lëng i bardhë që del zakonisht nga mitra pas ndërprerjes së gjakut të hajdit dhe pas kësaj nëse femra sheh gjak, nuk konsiderohet më hajd por istihada. Ndërsa femrat të cilat i kanë ditët e hajdit të çrregullta, pra, nuk e dinë se kur i vijnë dhe se sa i zgjasin ato, mund ta dallojë gjakun e hajdit nëpërmjet atyre të dhënave që janë përmendur më sipër (ngjyrat e gjakut të hajdit dhe erën e gjakut). Nëse shikon gjak normal, që nuk i ngjan gjakut të hajdit në erë dhe ngjyrë, atëherë ajo quhet istihada.
Gjithashtu, nuk është kusht që gjakderdhja gjatë kohës së hajdit të jetë e vazhdueshme, p.sh.: mund të ketë 1 ditë gjakderdhje, ditën tjetër më pak ose fare, pastaj ditën tjetër përsëri, etj.

Dispozitat e femrës gjatë ciklit menstrual:

1- Nuk e ka obligim namazin.
2- E ka haram të agjërojë muajin e Ramazanit, por ato ditë të cilat nuk i agjëron për shkak të menstruacioneve duhet t’i zëvendësojë më vonë. (I bën kaza)
3- Nuk i lejohet leximi i Kur’anit dhe nuk i lejohet as ta prekë atë.
4- Burrit nuk i lejohet kontakti intim me bashkëshorten e tij gjatë kësaj kohe sepse kjo gjë është e ndaluar. (“Të pyesin ty për menstruacionin (hajdin). Thuaj: “Ajo është gjendje e neveritur, andaj largohuni prej grave gjatë menstruacionit dhe mos iu afroni atyre (për marrëdhënie) derisa të pastrohen…” [Kur’an, 2: 222])
Të gjithë dijetarët janë të mendimit se burrit i lejohet prekja e gruas në këtë gjendje mbi kërthizë dhe nën gjunj për shkak të kënaqësisë. Shumica e tyre konsiderojnë se është e ndaluar të kënaqurit me trupin e femrës në gjendje hajdi ose nifasi në pjesën ndërmjet kërthizës dhe gjunjve, ndërsa të tjerët mendojnë se edhe kjo është e lejuar, ngase Muhamedi (alejhi selam) ka deklaruar: Bëni ç’të dëshironi pos marrëdhënies seksuale”. Transmeton Muslimi, Ebu Davudi dhe të tjerët.
5- Nuk lejohet të qëndrojë në xhami.
6- Nuk bën tavaf.
7- Nuk divorcohet. Gruaja me menstruacione nuk divorcohet, por pritet derisa të pastrohet. “Ibn Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, ndau gruan e tij kur ajo ishte me menstruacione, por Profeti, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin me të, e urdhëroi atë që ta kthente e ta mbante derisa të pastrohej”. Përzgjedhur nga Muslimi.
Kur femra pastrohet nga cikli, ajo së pari duhet të lahet, pastaj të ketë kontakt intim me bashkëshortin e saj. Allahu i Lartësuar ka thënë: “…E kur të pastrohen, atëherë afrohuni atyre ashtu siç u ka lejuar All-llahu. All-llahu i do ata që pendohen dhe ata që ruhen prej punëve të ndyta e të neveritshme.” (Bekare, 222)
Pra, është kusht që të marrin gusël. Nëse sheh diçka me ngjyrë të verdhë ose të turbullt (pas pastrimit), nuk e merr në konsideratë, bazuar në thënien e Umu Atijes, Allahu qoftë i kënaqur me të: “Nuk e merrnim në konsideratë të verdhën apo të turbulltën pas pastrimit.”
Përzgjedhur nga Buhariu.

Ndërsa, kur e sheh një gjë të tillë gjatë ditëve të menstruacioneve, atëherë janë menstruacione, kështu që nuk lahet, nuk falet e as nuk agjëron.

Eglantina Muça

(Visited 65 times, 1 visits today)
Top