Quarta-feira’, 13/11/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Habil dhe jo Kabil

Habil dhe jo Kabil
Habil dhe jo Kabil

Aid Elkarnij

Kushdo që dëshiron të jetojë i lumtur dhe të vdesë me nder, ta hedhë tutje armën e armiqësisë dhe ta shkulë nga zemra e tij pemën e sherrit. Ngrije lart flamurin tënd të bardhë dhe shpall faljen për të gjithë! Nga pas, do të gjesh shumë zemra që të stimulojnë, shpirtra që të rrethojnë dhe motivojnë. Do të gjesh dashurinë që të rrethon nga të katër anët, kudo që të shkelësh këmbën. Kush paqtohet me njerëzit, ka shpëtuar nga shigjetat e urrejtjes dhe e zë gjumi krejt të qetë dhe në paqe.

Ka shumë njerëz që ndjekin linjën e Habilit. Kur vëllai u shtrin dorën për ti vrarë, ata përgjigjen:”Nëse ti e shtrin dorën për të më vrarë, unë nuk e shtrij dorën time për të të vrarë. Unë i frikësohem Zotit të botrave.” Lëre zullumqarin derisa ta thyejë qafën, ose derisa Zoti ti çojë një zullumqar më të egër dhe ti vijë hakut! Një fjalë e urtë kineze thotë:”Lëre armikun tënd të qëndrojë në breg të lumit. Shumë shpejt, do e shohësh kufomën e tij të kalojë pranë teje!”

Mos u përpiq ti hapësh dosjet e armiqësive, njerëzve mos u hap gjykata inkuizicioni në kraharorin tënd, mos e ço dëm jetën tënde të shtrenjtë duke u ngritur pusi të tjerëve dhe duke u hakmarrë ndaj tyre!

Çdo minutë që e harxhon në armiqësi me të tjerët, nuk është veçse një gotë helmi që e rrëkëllen. Duke e praktikuar, do të shohësh që maturia dhe urtësia, është arma më e fuqishme përballë armiqve të tu.

Ahnef ibnu Kajs thoshte:”Pasha Zotin! Falë maturisë dhe urtësisë, Zoti më ka ndihmuar më shumë se ç’mund të më ndihmonte farefisi im.”

Poeti i madh, Elmutenebi thoshte:

Me të ligun, vetja ime e matur tregohet

Ia kthej me urtësi, derisa të pendohet

 

Nëse yt vëlla të nxjerr shpatën dhe ta vë para syve, ti nxirri një trëndafil dhe zgjatja ti marrë erë! Nëse ai planifikon natë e ditë si të të heqë qafe, ti ngriji duart lart dhe lutu për të që Zoti t’ia pastrojë zemrën dhe t’ia zgjojë ndërgjegjen! Nëse kundërshtari të sulmon me fjalë të rënda dhe banale në një mexhlis, ti lëvdoje dhe lutu për të! Logjika e Kuranit na thotë se madhështia e një njeriu, qëndron tek aftësia e tij për ta shndërruar armikun në mik, jo të shndërrojë mikun në armik. “përgjigju me atë që është më e mirë, e do të shohësh se ai që ishte armik i hapur, tashmë shndërrohet në një mik të ngushtë.”  (Kuran)

Një burrë, i tha një të mençuri:”Nesër do i lajmë hesapet bashkë!” I mençuri ia ktheu:”Jo, nesër do ia bëjmë hallall njëri-tjetrit.”

Asnjëherë mos të duken shumë një mijë miq dhe asnjëherë mos të duket pak qoftë dhe një armik i vetëm, sado i pafuqishëm të jetë. Një mushkonjë e gjakos hundën e luanit, një mi i vogël prishi një digë të madhe në Jemenin e lashtë.

Jetët tona janë shumë të shkurtra për ti shpenzuar në hakmarrje dhe urrejtje. Betejat dhe luftërat që nxit shejtani në zemrat e disa njerëzve, janë pjesë e programit të shkollës së tij, e cila ka si moto: Zullumqari gëzon autoritet dhe agresori është trim, kurse i maturi është i poshtëruar dhe falësi frikacak. Por, shkolla e shpalljes hyjnore na ofron një program të mrekullueshëm, i cili bazohet në:”E kush fal dhe pajtohet, shpërblimin e gjen tek Zoti!”(Kuran)

Në një hadith, profeti Muhamed a.s thotë:”Shkoji atij që nuk të vjen, jepi atij që nuk të jep dhe fale atë që të ka hyrë në hak!”

Nëse takohesh me dikë, filloje takimin me dy gjëra të bukura: Një buzëqeshje të sinqertë dhe një përshëndetje të ngrohtë me selam. Buzëqeshja është titulli i brendësisë së  zemrës. Ajo është tregues i pjekurisë, arsyetimit të shëndoshë, dëlirësisë dhe zemërgjerësisë. Kurse përshëndetja me selam, është një besëlidhje nderi dhe bese. Kuptimi i saj është: Paqe jo luftë, falje jo armiqësi.

A ke dëgjuar ndonjëherë se një person me urrejtje në zemër, i zymtë, vetullngrysur dhe hakmarrës, ka fituar dashurinë e dikujt, ka ndërtuar marrëdhënie të shëndosha dhe është vlerësuar pozitivisht? Është dashuria e sinqertë, dëlirësia e zemrës, respekti, toleranca, urtësia, maturia dhe bujaria ajo që depërton në zemrat e njerëzve, ajo që ta ndriçon shpirtin dhe ku fokusohen sytë. Kushdo që dëshiron të bëjë histori në fushën e mirësisë, le të paqtohet me njerëzit, le ti falë, le të frenojë inatin, le të mbyllë njërin sy e njërin vesh ndaj gabimeve, le ti groposë të metat e tyre.

O njeri! Çrrënjosi gjëndrat toksike nga zemra dhe shpirti yt, hidhe mënjanë armën e  urrejtjes, fute në këllëf shpatën e armiqësisë dhe të gjithëve thuaju:

Mirësevini, paqja dhe të mirat e Zotit qofshin mbi ju!

Jeta do të bëhet maksimalisht e bukur pa armiqësinë dhe gjithësia do të ndihet në paqe pa urrejtjen. Janë njerëzit e ligj dhe sherrxhinj ata që e kanë ndotur pastërtinë e kësaj jete, ata kanë shkatërruar ngrehinën e vëllazërisë dhe kanë shqyer petkun e dashurisë. “Mjerë për çdo përqeshës – shpifës” “shpifaraku, që përhap thashetheme” (Kuran)

Mjerë për këdo që e ka mbushur zemrën me urrejtje dhe mjerë sherrxhinjtë nga opinioni i keq që krijojnë për veten, nga zemërngushtësia dhe errësira e varrit. Sakaq, sihariqe pafund për zemërgjerët, bujarët, miqësorët dhe dashamirësit. Njerëzit e mirë e shkruajnë historinë e tyre me veprat që bëjnë, me mirësjelljen dhe vlerat që rrezatojnë. Ata nuk presin mirënjohje nga askush. Historia e tyre do të përjetësohet në mexhliset e njerëzve të mirë, njerëzit do i përcjellin veprat e tyre gojë më gojë. Gjuha e njerëzve është pena e të vërtetës, prandaj, ruaju se mos këto gjuhë të përjetësojnë negativisht, ose nënshkruajnë të shëmtuarën tënde.

 

 

 

Perktheu: Elmaz Fida

(Visited 42 times, 1 visits today)
Top