Sexta-feira, 15/11/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Foshnjat qe folen ne djep!

Foshnjat qe folen ne djep!

Foshnjat qe folen ne djep!

Falënderimi i takon vetëm Allahut. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e fundit të Tij, Muhamedin alejhi selam, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Eselamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu!

I lartësuar është Allahu dhe Ai është i Plotfuqishëm të bëjë çdo gjë, si të dojë dhe kur të dojë dhe nuk ka kufi për Fuqinë dhe Pushtetin e Tij Subhanehu ue Teala.

Ata të cilët kanë folur në djep (foshnja) janë shtatë (që ka argumente për ta, disa numërojnë edhe më shumë) dhe që ta kuptojmë shprehjen “kane folur ne djep”, e ka kuptimin që kanë folur në një moshë që nuk flasin në të fëmijët asnjëherë, (pra nga mosha një ditë e deri sa të flasë ky fëmijë normalisht) dhe këto quhen mrekulli që Allahu jua ka dhënë këtyre njerëzve nëpërmjet fëmijëve të tyre siç janë këto raste, në kohë dhe momente të vështira, që t’i mbrojë nga ajo që i akuzojnë, siç është rasti i Merjemes ose adhuruesit Xhurejxh, ose Jusufi alejhi selam kur e akuzuan për imoralitet (kurvëri).
Allahu menjëherë i mbrojti këta njerëz të pastër dhe të ndershëm siç është tradita e Tij në të tilla raste, që qëndron gjithmonë në mbrojtje të atij që i bëhet padrejtësi, se kush e ruan Allahun në kohë të mirë dhe largohet nga haramet, e ruan atë Allahu kur është në vështirësi dhe i ka mbrojtur këta besimtarë nga këto akuza nëpërmjet gojës së këtyre foshnjave të pastra dhe të porsalindura, siç është rasti i Isait dhe djalit të ngjitur te Xhurejxhit, ku nuk kishte kush t’i mbronte përveç Allahut dhe nuk kishte kush të dëshmonte për pastërtinë e tyre, por Allahu u dha gjuhë këtyre foshnjave që të dëshmonin ndershmërinë e tyre dhe shqiptuan fjalë madhështore që nuk mund t’i thotë as burri i mençur nganjëherë dhe i nxori Allahu të pastër robërit e tij.

Ose ka qenë e folura e këtyre foshnjave, shkak për qëndrueshmëri deri në momentet e fundit për moskthimin në “shirk” të nënave të tyre kur donin të shtireshin sikur ndërruan fenë nga frika për fëmijët e tyre, siç është rasti i parukieres se Faraonit dhe nëna e djalit në historinë e hendeqeve prej zjarri, për shkak se thoshin: Allahu është Zoti ynë; pra për shkak të besimit të tyre në Allahun dhe tani po t’i sqaroj një nga një:

1. Isai alejhi selam(Jezusi): “Unë jam rob i Allahut…”

Thotë Allahu në Kuran: “Dhe trego (o Muhamed) në Libër për Merjemen, kur u tërhoq nga familja e saj në një vend në lindje, duke e fshehur veten nga ata. Ne i dërguam Shpirtin Tonë (Xhibrili), i cili iu paraqit asaj si një njeri i plotë. Ajo i tha: ‘Unë kërkoj që të më mbrojë i Gjithëmëshirshmi prej teje, nëse i frikësohesh Allahut.’ Ai tha: ‘Në të vërtetë, unë jam vetëm një i dërguar i Zotit tënd, që të të dhuroj ty një djalë të pastër.’ Ajo tha: ‘Si mund të kem unë djalë, kur asnjë mashkull nuk më ka prekur e nuk jam as e pacipë?!’ Iu përgjigj: ‘Kështu është!
Zoti yt ka thënë: ‘Kjo për Mua është e lehtë. Ne do ta bëjmë atë (Isain) shenjë për njerëzit dhe mëshirë nga ana Jonë’. Dhe kjo është punë e kryer.’ Ajo mbeti me barrë e u tërhoq me të në një vend të largët. Dhembjet e lindjes e detyruan atë që të shkonte te trungu i një hurme. Ajo tha: ‘Ah, sikur të kisha vdekur para kësaj (ngjarjeje) dhe të isha harruar krejt!’ Një zë e thirri nga poshtë: ‘Mos u pikëllo, se Zoti yt të ka bërë një burim uji poshtë teje! Shkunde trungun e palmës, që të bien mbi ty hurma të freskëta! Ha, pi dhe qetësohu.

Nëse vëren ndonjë njeri, i thuaj: ‘Unë jam betuar në të Gjithëmëshirshmin se do të agjëroj, prandaj sot nuk do të flas me askënd.’ Dhe u kthye te populli i vet, duke mbajtur fëmijën. Ata i thanë: “O Merjeme, ke bërë diçka të turpshme! O motra e Harunit! Babai yt nuk ka qenë njeri i keq, as nëna jote nuk ka qenë grua e shthurur.’ Ajo bëri me shenjë nga i biri. Ata thanë: ‘Si t’i flasim ne fëmijës që është në djep?’ Ai (Isai në djep) tha: ‘Unë jam rob i Allahut. Ai më ka dhënë Librin (Ungjillin), më ka bërë profet dhe më ka bërë të bekuar kudo që të jem. Ai më ka porositur që të falem e të jap zekat sa të jem gjallë dhe që të jem i mirë ndaj nënës sime dhe nuk më ka bërë të ashpër dhe të padëgjueshëm.” Merjem, 16-32.

Fjala e Allahut “Një zë e thirri nga poshtë”. Thonë komentuesit e Kuranit ai është Isai i porsalindur, dhe ajetet në vazhdim e tregojnë qartë që flet në mbrojtje të nenës së tij i porsalindur.

2. “Djali” Xhurejxhit: “Babai im është filan bari.”

Transmetohet nga Ebu Hurejre radiallahu anhu se ka thënë i Dërguari i Allahut alejhi selam: “Tre foshnja kanë folur në djep: Isai; ka qenë nga mesi i israelitëve një njeri të cilin e quanin Xhurejxh. Një dite kur po falej në faltoren e tij (jashtë qytetit) i erdhi e ëma për vizitë dhe e thirri Xhurejxhin.
Tha në veten e tij: ‘O Zot nëna apo namazi?’ dhe vazhdoi të falej derisa e plotësoi. Kthehet e ëma në shtëpi dhe e përsërit vizitën e saj tri ditë dhe ndodh e njëjta gjë. Xhurejxhi në namaz, e thërret nuk i përgjigjet por plotëson namazin, atëherë ajo tha: ‘O Zoti im, mos e vdis derisa t’i tregosh (sprovosh) me laviret ( te takohet me ta)’.

Një dite e kujtojnë Xhurejxhin një shtresë e prishur nga izraelitët dhe deshën t’ia prishnin moralin dhe gjejnë një kurvë të bukur dhe ia dërgojnë kundrejt pagesës.
Kur Xhurejxhi ishte në vendadhurimin e vet. Vjen kjo grua e bukur dhe ia ekspozon trupin e saj dhe e fton për dashuri. Xhurejxhi e refuzon këtë gjë dhe e përzë. Ajo nga inati takon një çoban që kulloste bagëtitë rreth tempullit dhe bën me të zina dhe ngel shtatzënë. Kur lindi e pyeten se kush është i ati? Tha: “Ky është fëmija i Xhurejxhit”. Atëherë u zemëruan njerëzit për këtë punë të fëlliqur dhe shkojnë tek ai, e fyejnë dhe e rrahin dhe ia prishin tempullin dhe kur urdhëroi mbreti që ta vrisnin.
Xhurejxhi u thotë: “Çfarë keni me mua, jam i pafajshëm”. I thanë se ti ke bere këtë e këtë. Tha: “Me jepni kohë sa të marr abdes dhe të fal dy rekatë.” Dhe kur i mbaroi, shkoi tek foshnja, e vendosi gishtin e tij në barkun e foshnjës dhe i tha: “O vogëlush, kush është babai yt?”

Vocërraku i porsalindur iu përgjigj: “Babai im është filan bari”. Atëherë filluan njerëzit ta përqafonin dhe t’i kërkonin falje dhe i thanë që do t’ia rindërtojnë vend-adhurimin prej Ari (Flori), por Ai refuzoi dhe tha: “Ma ndërtoni prej balte siç ishte”.

3. Foshnja që thotë: “O Zoti im, mos më bëj si ky, O Zoti im, më bëj si kjo!”

Një grua izraelite po i jepte gji të birit. Pranë saj rastësisht kaloi një kalorës i bukur. Ajo tha: “O Zoti im, bëje djalin tim që t’i përngjajë këtij kalorësi”. Djali e lëshoi gjirin, u kthye nga kalorësi dhe tha: “O Zoti im, mos më bëj si ky”, pastaj përsëri vazhdoi të pinte. (Ebu Hurejre radiallahu anhu thotë se sikur po e shoh të Dërguarin e Allahut alejhi selam si e thith gishtin e vet duke jua shembëlluar fëmijën shokëve.) Pastaj sollën një robëreshë dhe po e rrihnin, ndërkaq e ëma e djalit tha: ‘O Zoti im, mos e bëj djalin tim si kjo!’ Ai e lëshoi gjirin dhe tha: ‘O Zoti im, më bëj si kjo!’
“Pse?” – e pyeti e ëma. Ai ju përgjigj: ‘Kalorësi është njeri i keq e gjakpirës, kurse për robëreshën thonë se ka vjedhur dhe ka bërë zina, kurse ajo nuk ka bërë asgjë nga këto’.” Buhariu dhe Muslimi.

4. Foshnja në historinë e hendeqeve prej zjarri.

Foshnja në historinë e hendeqeve prej zjarri, që tregohet ne suren El Buruxh, ku një mbret mizor thirrtë që ta adhuronin atë si zot, dhe Allahu nxjerr nga populli i këtij mbreti një djalë besimtar që i ftonte njerëzit në adhurimin e Allahut si Zot të vetëm dhe lënien e adhurimit të mbretit dhe magjistarit të tij. Kur dëgjon mbreti zemërohet dhe vendos zhdukjen e këtij djaloshi, mbas disa atentateve të dështuara për zhdukjen e djaloshit besimtar, më në fund, me mënyrën që i tregoi djali mbretit, si rrugë e vetme për vrasjen e tij ishte që mbreti të grumbullonte gjithë popullin në një diteë të caktuar dhe ta qëllonte djalin besimtar para tyre duke shqiptuar me zë të lartë që ta dëgjonin të gjithë të pranishmit: “Ne emër të Zotit të këtij djaloshi”.

Dhe mbasi e lidh para gjithë popullit të grumbulluar për të parë këtë ngjarje mbreti thotë: “Ne emër të Zotit të këtij djaloshi” dhe e qëllon për vdekje, atëherë njerëzit thanë se mbreti nuk mundi ta vrasë djalin besimtar vetëm se kur tha: “Ne emër të Zotit të këtij djaloshi”. Atëherë ne besuam ne Zotin e djaloshit besimtar, atëherë mbreti i zemëruar urdhëroi rrethimin e tyre dhe hapjen e hendeqeve të thella dhe ndezën në të zjarr të madh për djegien e besimtareve.

Ushtaret hidhnin në të të gjithë ata që thoshin: Zoti ynë është Allahu, derisa erdhi radha e një gruaje që kishte në gjirin e saj një fëmijë të vogël dhe nga dhimbsuria për të, vendosi të shtiret sikur beson që mbreti është zot, por Allahu ia mundësoi këtij fëmije që po pinte gllënjkat e fundit nga gjiri i nënës së tij, që t’i thoshte asaj para ushtarëve dhe para mbretit: “Duro o nëna ime se ti je në të drejtën dhe do shpërblehesh për këtë”
Dhe duroi e i hodhën të dy (nënë e bir) në zjarrin gjigant. (Ngjarja është e gjatë dhe kjo ishte përmbledhje hadithesh nga Muslimi, Ahmedi, Nesai…). (Sot ky vend ndodhet ne jug të Arabisë Saudite, në Xhezan dhe është i rrethuar, nuk lejohet hyrja nën moshën 18 vjeç, për shkak se duken kockat dhe hiri sipër tokës sikur ngjarja ka ndodhur para disa vitesh e jo para rreth 1600-1700 viteve.)

5. Djali i parukieres së vajzave të faraonit.

Transmeton Abdullah ibn Abasi se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kur kam qenë në Natën e Israsë (udhëtimi i tij natën nga Mekja për në Aksa), dëgjova një ere shumë të këndshme dhe i thashë Xhebrailit alejhi selam (që e shoqëronte): “Çfarë është kjo ere kaq e këndshme?” Më tha: “Kjo është era e parukieres së Faraonit dhe fëmijëve të saj”.
I thashë: “Si është puna e saj?”. Me tha (Xhibrili): “Kur ka qene një ditë duke krehur vajzën e Faraonit i ka shpëtuar nga dora krehri dhe është ulur për ta kapur dhe ka thënë:” Bismilah”. I ka thënë vajza faraonit: “Babai im?”. I ka thënë parukierja: “Jo, por Zoti im dhe Zoti babait tënd, Allahu”.
Dhe vajza shkon e i thotë faraonit. Ky urdhëron që ta sjellin gruan së bashku me pesë fëmijët e saj dhe i thotë: “O filane, a mos ke Zot tjetër përveç meje që e adhuron?”. I thotë me qetësinë e besimtares: “Po, Zoti im dhe Zoti yt është Allahu”.

Ky urdhëron që të merret një kazan i madh dhe të vendoset në zjarr e të mbushet me vaj dhe urdhëron që të hidhet djali më i madh i saj në vaj të vluar, nëse gruaja nuk kthehet në mosbesim.
Dhe kështu bëjnë, e hedhin djalin e madh nën ulërimat e tij dhe mbas disa minutash del trupi i tij i djegur nga nxehtësia e vajit. I thotë nenës: “A ke Zot tjetër përveç meje tani?” I thotë gruaja: “Po, Zoti im dhe Zoti yt është Allahu”. Atëherë faraoni i inatosur urdhëron të merret djali i dytë dhe të hidhet në vaj. E tërheqin me forcë dhe e hedhin në vaj dhe mbas disa minutash del i përcëlluar dhe bashkohet me trupin e vëllait të djegur që notonin sipër vajit të nxehtë.

Dhe nëna e vëllezërit e tyre shikonin. Përsëri e pyet faraoni dhe përsëri e njëjta përgjigje nga nëna e djemve që ia hidhnin njeri pas tjetrit në zjarr (vaj), deri sa i ngel më i vogli në gji.
Ndjen dhembshuri për të dhe mendon të tërhiqet për ta shpëtuar nga vdekja, por Allahu i jep gjuhë dhe shqiptim këtij vogëlushi që po pinte nga gjiri i së ëmës dhe i thotë ky vogëlush: “O nëna ime, mos u tërhiq po hidhu se ndëshkimi i dynjase ( vaji i nxehtë) është shumë më i lehtë se ndëshkimi në botën tjetër.”
Atëherë nëna e tij i thotë faraonit: “Kam një dëshire”. Cila është dëshira jote, – i thotë faraoni, se ne do ta plotësojmë”. I thotë nëna e djemve: “Dua që t’i grumbullosh kockat e mia dhe të fëmijëve dhe të na varrosesh në të njëjtin varr”. Dhe e hedhin në zjarr me gjithë fëmijën. Sunen Ibn Maxheh.

6. Dëshmitari i Jusufit alejhi selam.

Transmtohet nga Ibn Abasi radiallahu anhu se i Dërguari i Allahut alejhi selam ka thënë: “Nuk kanë folur në djep përveç katër (fëmijëve): Isai, dëshmitari i Jusufit, “djali” i Xhurejxhit dhe djali i parukieres së faraonit.” Shënuar nga Hakim në “Mustedrek”

Kur gruaja e ministrit të Egjiptit i mbylli dyert e dhomës së saj mbasi e kishte futur brenda saj (dhomës) me dredhinë e një gruaje të dashuruar shërbëtorin e saj të bukur Jusufin alejhi selam, djalin e Jakubit alejhi selam dhe e urdhëroi që të kryente marrëdhënie me të, Jusufi i ndershëm refuzoi dhe tentoi që të shpëtojë nga dredhia e saj duke dalë nga dhoma.
Ajo e kapi nga këmisha nga pjesa e kurrizit që ta ndalonte për të realizuar qëllimin e saj, ndërkohë iu gris këmisha nga mbrapa (kurrizi) nga tërheqja dhe ndodhi që erdhi burri i saj, dhe kjo, gruaja e tij për t’u justifikuar për atë që kishte bërë ia hodhi fajin Jusufit alejhi selam duke thënë që ai ishte vërsulur asaj dhe Allahut që nuk i shpëton asgjë i jep gjuhë që të flasë një fëmijë e vogël në djep dhe të tregojë historinë.
Thotë Allahu në Kuran: “(Jusufi) tha: ‘Ajo provoi të më joshte’. Një i afërt i saj (që u gjend aty), pohoi…” Sipas hadithit të transmetuar nga Ibn Abasi tregohet që ai ishte foshnje. ( Për këtë ka mendime të ndryshme nga dijetarët)

7. Mubarek el Jemameh: “Ti je i Dërguari i Allahut”.

Në një transmetim të Muared bin Abdullah el Jemani nga gjyshi i tij ka thënë: “Kam shkuar për kryerjen e haxhit të lamtumirës dhe kam hyrë në vendbanimet e Mekës dhe kam parë të Dërguarin e Allahut alejhi selam dhe fytyra e Tij ndriçonte si hëna e plotë dhe dëgjova tek ai gjëra interesante. I ka ardhur një burrë nga Jemamah që mbante në duart e tij një djalë të porsalindur (donte ta bekonte i Dërguari i Allahut), kur e mori foshnjën i Dërguari i Allahut alejhi selam në duart e tij të bekuara, i thotë: “Kush jam unë?”. I përgjigjet foshnja: “Ti je i Dërguari i Allahut”. I thotë Muhamedi alejhi selam: “Të drejtën the, Allahu të bekoftë!” Bashkëfshatarët e tij thonë se djali nuk ka folur më derisa është rritur. Transmeton Bejhekiu në “Dalail en-Nubue”.

Thotë Ibn Haxheri se Dahaku ka thënë në tefsirin e tij se Jahja alejhi selam ka folur në djep.

Thotë imam El Begeuij në tefsirin e tij se edhe Ibrahimi alejhi selam kanë folur në djep dhe gjithashtu thonë për Muhamedin alejhi selam sapo ka lindur ka folur duke lutur Allahun.

Allahu e di më së miri dhe prej Tij falje kërkojmë.

Vëllai juaj Murat Basha

(Visited 50 times, 1 visits today)
Top