Quinta-feira, 19/9/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Fëmija juaj ka dhimbe barku – si t’i ndihmoni?

Fëmija juaj ka dhimbe barku – si t’i ndihmoni?

Dhimbja e barkut (abdominale) është dhimbja e cila fëmija e ndjen në regjionin e barkut, pra midis kraharorit dhe ijëve. Prek shumë fëmijë dhe shumica e tyre nuk kanë çrregullime serioze, prandaj mund të trajtohen në shtëpi dhe simptomat mund të largohen për një apo dy ditë.

Dr. Dëfrim Koçinaj,
kirurg pediatrik

Nëse fëmija juaj ka dhimbje të forta të barkut të cilat shoqërohen me të vjella, gjithmonë duhet konsultuar mjekun. Dhimbja e barkut mund jetë shenjë e infeksionit, e kapsllëkut apo e gjendjeve serioze mjekësore.

Dhimbja e barkut gjithashtu mund të mos jetë e lidhur me probleme shëndetësore dhe thjeshtë mund të jetë mënyra se si fëmija juaj shpreh ndjenjën e stresit apo të ankthit (që nuk nënkupton që ai vërtetë nuk e ndjen dhimbjen!)

Çka e shkakton dhimbjen e barkut?

Dhimbja abdominale shpesh shkaktohet nga infeksioni (shpesh i shoqëruar me barkqitje dhe të vjella), nga reaksioni ndaj medikamenteve, nga intoleranca ndaj laktozës (vështirësia në tretjen e sheqerit të qumështit- laktozës), nga sëmundjet inflamatore të zorrëve (sëmundja e Crohn apo koliti ulcerativ), nga ulcera e lukthit ose e zorrës dymbëdhjetëgishtore, nga gastriti, nga problemet gjinekologjike ose nga stresi.

Tek vajzat adoleshente ngërçet menstruale (të ashtuquajtura “dismenorea”) janë shkak mjaft i shpeshtë i dhimbjeve të barkut. Gjatë periudhës së menstruacioneve vajzat mund të kenë dhimbje të lehta deri në të forta abdominale, në fundin e barkut ose në shpinë. Poashtu ato mund të kenë pështjellime (nauze), të vjella, barkqitje, kapsllëk ose dhimbje koke.

Disa nga këto probleme mund të fillojnë një ose dy ditë para menstruacioneve dhe mund të zgjasin gjatë një pjese ose gjatë tërë periudhës së menstruacioneve.

Apendiciti akut (zorra qorre)

Diagnoza më e shpeshtë e dhimbjes akute abdominale e që kërkon intervenim kirurgjik është apendiciti akut (zorra qorre). Diagnoza fillimisht mund të jetë e vështirë, sidomos tek fëmijët nën moshën 3 vjeçare dhe shpesh mjekut i nevojitet një periudhë observimi në spital, për të konfirmuar dyshimin klinik. Është e zakonshme vonesa në diagnostikimin e pacientëve të kësaj grupmoshe. Dhimbja abdominale përgjithësisht bëhet më konstante dhe më e theksuar.

Dhimbja shtohet gjatë lëvizjeve të pacientit dhe ndonjëherë edhe gjatë urinimit. Fillimisht dhimbja është difuze, pra e shpërndarë nëpër tërë barkun, pastaj lokalizohet dhe theksohet në pjesën e poshtme të djathtë të barkut; meqenëse pozita e zorrës qorre variron, mund të varirojë edhe pika e dhimbjes maksimale në bark. Apendiciti shpesh shoqërohet me anoreksi, nauze, të vjella, ose rrallë edhe barkqitje.

Çka është dhimbja abdominale rekurente?

Nëse mjeku ka përjashtuar gjendjet serioze mjekësore, por dhimbja e barkut është mjaft e ashpër saqë ndikon në aktivitetin e fëmijës tuaj dhe ndodh të paktën një herë në muaj, në periudhën prej të paktën tre muajsh, atëherë fëmija mund të ketë të ashtuquajturën dhimbje abdominale rekurente (poashtu e quajtur dhimbje funksionale abdominale).

Dhimbja abdominale rekurente në mënyrë tipike prek fëmijët e moshës 4-12 vjeç dhe është mjaft e shpeshtë, duke prekur deri në 15% të fëmijëve. Shkaku i saktë nuk është i njohur, por arsyeja e dhimbjes mund të lidhet me dietën, ankthin, depresionin, ndjeshmërinë e shtuar ose mospjekurinë e sistemit. Fëmijët me dhimbje barku rekurente kanë një rrezik të shtuar për të zhvilluar sëmundjen e ankthit në moshën adulte.

Si mund të jetë dhimbja abdominale?

Dhimbja abdominale ka karakteristika të ndryshme, mund të jetë akute (që nënkupton dhimbja fillon në mënyrë të menjëhershme) ose kronike (që nënkupton që dhimbja fillon ngadalë dhe zgjat për javë ose muaj). Dhimbja mund të jetë e topitur (si e mpirë), mund të jetë e mprehtë ose si ngërçe.

Secili tip i dhimbjes si dhe lokalizimi i saj në bark jep të dhëna të rëndësishme rreth shkaqeve specifike të dhimbjes, respektivisht sëmundjes specifike. Prandaj, është e një rëndësia të madhe “njohja e dhimbjes së fëmijës tuaj”. Në rast nevoje duhet ti shënoni në letër gjërat të cilat e bëjnë atë të ndihet më keq ose më mirë, kohëzgjatjen e tyre, problemet tjera bashkëshoqëruese (barkqitjet, të vjellat), etj.

Kur duhet dërguar fëmijën tek doktori?

Është shumë e rëndësishme të dimë kur duhet kërkuar këshillën mjekësore. Edhepse shumica e dhimbjeve abdominale të moshës fëmijërore nuk kanë shkak të njohur dhe nuk janë të rrezikshme, ka shkaqe të dhimbjes të cilat mund të jenë jetëkërcënuese dhe kërkojnë trajtim të menjëhershëm mjekësor.

Disa shenja dhe simptoma të cilat duhet të alarmojnë doktorin e fëmijës tuaj që të kërkojë ekzaminime të mëtejme janë:

* humbja e peshës
* shkalla e ngadalësuar e rritjes
* të vjella të shumta
* barkqitja e ashpër e vazhdueshme
* gjakderdhja nga trakti i tretjes
* dhimbja persistente në kuadrantin e poshtëm të djathtë të barkut
* ethet e pashpjegueshme
* histori familjare të sëmundjeve inflamatore të zorrëve
* gjetje tjera jonormale nga ana e doktorit gjatë ekzaminimit të fëmijës.

Këshilla se si prindi identifikon ose dyshon në sëmundje

Fillimisht duhet ditur se a ka fëmija juaj dhimbje barku apo jo? Nëse po, a shoqërohen me të vjella?
Të vjellat a janë me ngjyrë të gjelbër në të verdhë, a përmbajnë gjak apo a duken si ngjyrë kafeje?

A e përshkruan ndonjëra nga fjalitë në vijim gjendjen e fëmijës tuaj?

* Ai ka pasur dhimbje konstante për të paktën tre orët e fundit.
* Pjesa e poshtme e djathtë e barkut të tij është e dhimbshme.
* Ka dhimbje të forta në abdomen
* Dhimbja e tij nuk largohet pasiqë ai vjell ose del për nevojë, si barkqitje.
* Barku i tij është i fortë ose i ënjtur.
* Ai ka temperaturë (mbi 39˚ C).
* Ka gjak në jashtëqitje.
* Ka një ënjtje në testisin e tij ose në qesen e herdheve.

Nëse po, atëherë duhet të alarmoheni dhe duhet menjëherë t’i drejtoheni shërbimeve të urgjencës së qytetit tuaj, sepse fëmija juaj mund të ketë gjendje serioze mjekësore në barkun e tij.

Ndonjëherë dhimbja abdominale është shenjë e ndonjë problemi me veshka ose me fshikëzën urinare (pra, me traktin urinar), prandaj duhet patur parasysh këto gjëra në lidhje me fëmijën tuaj:

* Fëmija thotë që ndjen dhimbje kur urinon.
* Ai urinon më shpesh se zakonisht.
* Ai e lag krevatin kohëve të fundit, gjë që është shumë e pazakontë për të.
* Urina e tij mban erë të fortë, të çuditshme dhe të keqe.
* Urina e tij duket ngjyrë rozë ose të kuqe.
* Ai ndjen dhimbje menjëherë nën kërthizë, ose në pjesën e poshtme të shpinës.

Nëse fëmija juaj përshkruan një nga gjendjet e përshkruara më sipër, atëherë drejtohuni kirurgut pediatrik ose pediatrit nefrolog, sepse dhimbja abdominale me gjasë është shkaktuar nga infeksioni i traktit urinar (ITU).

Si mund ta ndihmojë unë fëmijën tim?

Prindër të dashur, fëmijës tuaj mund t’i ndihmoni duke qenë pranë gjatë gjithë kohës, e sidomos kur ta vizitoni mjekun. Duhet t’i përmbaheni këshillave të mjekut me përpikëri. Ka momente kur mjeku mendon që trajtimi i dhimbjes abdominale me anë të medikamenteve mund të jetë i dëmshëm, sepse maskon dhimbjen duke fshehur shkakun e vërtetë të saj.

Prandaj, ekzistojnë edhe metoda alternative të cilat quhen “teknikat e distraksioni” ose të tërheqjes së vëmendjes së fëmijës, nëpërmjet imazherisë së drejtuar, relaksimit progresiv apo auto-hipnozës.

Si trajtohet dhimbja abdominale?

Varësisht nga shkaku që ka çuar deri në shfaqjen e dhimbjes, do të bëhet dhe trajtimi i dhimbjes. Nëse shkaku është kirurgjik, atëherë vetëm intervenimi kirurgjik zgjidh situatën. Shkaku më i shpeshtë kirurgjik është apendiciti akut (zorra qorre), i cili kërkon ndërhyrje të menjëhershme kirurgjike.

Kur shkaku është infeksioni, atëherë do të ordinohet terapia me antibiotik në bazë të analizave përkatëse të cilat realizohen konform kërkesave të mjekut të fëmijës tuaj.

Mbani mend: mos e trajto asnjëherë fëmijën tënd me medikamente, nëse ai ka dhimbje barku, pa konsultimin me mjekun më të afërm! Pse?

Sepse maskimi i dhimbjes mund të jetë katastrofik në vonesën e diagnozës së sëmundjes me gjasë serioze, e që kërkon intervenim kirurgjik, gjë që çon në rrezikimin e jetës së fëmijës, ose në zgjatjen e periudhës së shërimit.

(Visited 46 times, 1 visits today)
Top