Quarta-feira’, 11/12/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Falënderoji ziliqarët e tu! Aid el Karni

Falënderoji ziliqarët e tu! Aid el Karni

Në librin e tij “Falënderoji ziliqarët e tu” Aid el-Karni shkruan:

Falënderoji ziliqarët e tu!

Kritika, e cila të drejtohet ty, e barazon plotësisht vlerën e madhështinë tënde, e nëse ke ardhur në një shkallë që nuk kritikohesh e as nuk xhelozohesh, Allahu e bëftë mirë gjendjen tënde, sepse ti paske vdekur prej kohësh, e këtë nuk e ditke! E nëse agove një ditë prej ditëve të jetës, e gjete telegrame dhe mesazhe ofenduese, e vargje me karakter sulmues e fjalime shpifëse, falënderoje Allahun.. sepse ti je bërë njeri i përmendur, e numër i rëndësishëm në këtë botë!

Nga shenjat më të mëdha të suksesit janë kritikat e pamatura, që s’kanë as erë e as shije, e që kuptimi i krejt atyre janë, se ti ke bërë punë të mëdha, e që në to ka gabime aty-këtu. Porse, nëse as nuk të xhelozojnë e as nuk të kritikojnë, atëherë kuptimi i krejt kësaj është: se ti je një zero kubik.

“Është e ndaluar për ju ngrënia e cofëtinës!” (El-Maide 3)

Psikologu i famshëm dhe mjeshtri i artit të komunikimit, Dale Carnegie, thotë: “Njerëzit nuk e shqelmojnë qenin e ngordhur” – e
në lidhje me këtë poeti në një dyvargësh thotë:

E kur dëshiron Allahu shpërndarjen e të mirave;
I zgjat gjuhët e xhelozëve me familjen e të ligave!

Ndërkaq njëri nga shkrimtarët e njohur thotë: “Ty të takon t’i falënderosh ziliqarët e tu, sepse ata ty ta dhurojnë publicitetin falas në llogarinë tënde, e nëse gjete një lumë sulmesh kundër teje, nga miqtë e tu armiq, apo nga armiqtë e tu miq, mos ua kthe atyre, por fali e kërko tek Allahu falje për ta, e shto në prodhimtarinë tënde, në autorësitë dhe në programet e tua, sepse kjo është ndëshkimi më i madh për ta!

Poeti i madh, Mutenebiu thotë:

Nëse vdesin ziliqarët e mi;
Nuk e mohoj se unë isha ndëshkimi për ta!

Me të vërtetë, kritika e armiqve tanë miq u reziston të metave tona, i shpalos ato, ndërkohë që mbase mund të jenë fryrë si pasojë e lëvdatave nga masa dhe nga duartrokitjet e tyre.

Filosofi i famshëm gjerman, Gëte, thotë:

“Pula kur dëshiron që të bëjë vezë bën kok-kok, e ajo e shkreta mendon që tani do të nxjerrë ndonjë hënë satelitore (aq alarm jep)!”

Kështu, edhe dijetari nga lëvdatat e shumta mendon se Perëndia e ka zgjedhur atë dhe se tjetër sikur ai nuk ka në këtë kohë! E kur të lavdërohet me ndonjë poezi apo diç të ngjashme, mendon që edhe melekët në Qiell duartrokasin për të. Ndaj, patjetër që ai nëpërmjet kritikave që i drejtohen, duhet ta brejë ndërgjegjen e ta zgjojë mendjen e tij; të trullosur nga lëvdatat e lira dhe false.

Një tjetër urtar thotë: “Kur të të shqelmojnë nga pas, dije se ti je përpara”

Me të vërtetë, dështakët nuk kanë as kritikues e as ziliqarë: ata janë të ngurtë plotësisht. Më thuaj, a ke dëgjuar që dikush t’i vërsulet gurit apo baltës?!!

Njëherë ka përmendur Akadeja se njëri nga shkrimtarët e famshëm të asaj kohe i është ankuar së tepërmi atij, se gazetarët e kanë lodhur duke shkruar kundër tij dhe se sulmet ndaj tij, vetëm se radhiteshin njëri pas tjetrit. E Akadeja i tha kështu: “M’i mblidh, të lutem, të gjithë artikujt që janë shkruar kundër teje!” Ai ia mblodhi, e atëherë Akadeja urtësisht e porositi kështu: “Renditi të gjitha ato dhe vendoji nën këmbët e tua, duke hipur mbi to!” E kur ankuesi i sëkëlldisur i shkeli ato, atëherë Akadeja i tha: “E tani, ti ke hipur në një nivel më të lartë se toka, dhe sa herë që ata i shtojnë kritikat e sulmet ndaj teje, ti do të shkosh duke u ngritur lartë e më lartë!”

Me të vërtetë, miqtë e tu armiq dhe armiqtë e tu miq, nuk të hakmerren ty për faktin se ti ua vodhe atyre pasurinë, apo se ua grabite shtëpitë dhe ua boshatise ato… jo!

Ata e bëjnë këtë kundër teje, vetëm se ti grumbullove dituri, njohuri, famë, prestigj, pasuri, dhe se i realizove sukseset e tua, të cilat i lanë pa mend të gjithë ata, i lanë të shastisur e me sy të zgurdulluar. Ndaj, ata e shohin gjë të pashmangshme që ti të mbetesh nën ta, të mbetesh nën këmbët e tyre, atëherë, mos prit nga ziliqarët e tu dëshmi të mira, apo sjellje të lavdëruara ndaj teje, apo lutje për ty në fundin e natës, por.. prit, vargje të thurura plotë sarkazëm e fyerje plot zjarr. Prit fjalime, plot mllef e hallakatje!

Problemi, vëlla, është se miku yt ziliqar, e hedh poshtë lidhjen tënde dashuronjëse, edhe pse ti vazhdon që t’ia afrosh atij në mënyrë të vazhduar, ndërsa ai kërkon të ndërtojë me të tjerët ura lidhëse, dashurie, miqësie e shoqërie!

Përktheu: Agron Islami

(Visited 195 times, 1 visits today)
Top