Sexta-feira, 19/7/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Faleminderit Junusit (a.s.)



Faleminderit Junusit (a.s.)

Faleminderit Junusit (a.s.)

– Faleminderit Junusit (a.s.)! Nga tregimet e tij, kam mësuar që mos të mbështetem në këtë botë dhe të ruhem nga paqëndrueshmëria dhe ndryshueshmëria e saj, pa marrë parasysh se çfarë shkalle të besimit kam arritur. Junusi (a.s.), nuk e priste, as nuk mund ta imagjinonte se hapësirën e kësaj bote do ta zëvendësonte me ngushtësinë e barkut të peshkut.

– Faleminderit Junusit (a.s.)! Nga historia e tij mësova se fati që Allahu e ka përcaktuar është i pashmangshëm. Njerëzit në anije e përsëritën hedhjen e zarit për të parë se cili prej tyre do të hidhet në det [aspak nuk kanë llogaritur se zari mund t’i bjerë Junusit (a.s.), sepse tek ai e vërejtën dritën e pejgamberisë], por Allahu deshi që ai të jetë pikërisht Junusi (a.s.).

– Faleminderit Junusit (a.s.)! Nga historia e tij, mësova se nuk duhet ta humbim shpresën në aspektin e udhëzimit të njerëzve të tjerë. Junusi (a.s.) i bëri thirrje popullit të tij ditë e natë në besimin në një Zot, Allahun e Plotfuqishëm, por ata nuk i besuan, ndërsa kur Junusi (a.s.) u largua, ata besuan. Ky është mësimi i dytë të cilin e mësoi pejgamberi i Allahut, Junusi (a.s.): Allahu mund t’i udhëzojë njerëzit edhe pa dërgim të pejgamberëve, por Allahu i Plotfuqishëm të gjitha gjërave ua ka përcaktuar shkakun dhe pas dërgimit të pejgamberëve me udhëzim të qartë, njerëzit nuk do të kenë justifikim në Ditën e Gjykimit.

– Faleminderit Junusit (a.s.)! Nga historia e tij mësova se Allahu i zbret fatkeqësitë dhe sprovat mbi evlijatë (të dashurit) e Tij për t’i lartësuar dhe pastruar tërësisht, jo për hakmarrje. Prandaj, lavdërimi dhe falënderimi i Atij që robërit e Tij të sinqertë i vënë në sprovë për t’i lartësuar dhe pastruar, që të ecin mbi tokë të pastër nga mëkatet.

– Faleminderit Junusit (a.s.)! Nga tregimi i tij kam mësuar se një njeri nuk mund të dalë kurrë nga korniza e njerëzimit. Edhe pse Junusi (a.s.), ishte i dërguar i Allahut, ai, si çdo besimtar tjetër, deshi t’i shihte frytet e thirrjes dhe të misionit të tij pejgamberik. Atë e mundonte fakti që populli i tij këmbënguli në mosbesim.

– Faleminderit Junusit (a.s.)! Nga tregimet e tij, kam mësuar se do të pyetemi për shkaqet dhe jo për pasojat, për atë në çka u kemi bërë thirrje njerëzve dhe cilat metoda i kemi përdorur në da’ve, dhe jo për pranimin ose refuzimin e udhëzimit të dikujt.

– Faleminderit Junusit (a.s.)! Nga historia e tij mësova se besimtari i sinqertë në Tokë është i famshëm, kurse edhe në qiej i respektuar. Kur jobesimtarët deshën ta hedhin Ibrahimin (a.s.) në zjarr, zemërimi i melekëve u dëgjua në qiell. Kur Junusi (a.s.) thirri duke qenë në barkun e peshkut: “La ilahe il-la Ente subhaneke!”, melekët në qiell thanë: “O Zoti ynë, ky është zëri i njohur i robit Tënd të njohur”

– Faleminderit Junusit (a.s.)! Nga tregimi i tij kam mësuar se nuk ka çlirim dhe shpëtim nga fatkeqësitë përveç me besim të sinqertë dhe me afërsi me Allahun, për çka aludon ky ajet: “Dhe, po të mos ishte nga ata që i luten Zotit, me siguri do të mbetej në barkun e tij deri në Ditën e ringjalljes (së të gjithëve).” (es-Saffat, 143-144)





– Faleminderit Junusit (a.s.)! Nga tregimi i tij mësova se pranimi i mëkatit dhe ndjenja e fajit për mëkatet është karakteristikë e pejgamberëve, kurse kryeneçësia dhe këmbëngulja në mëkate është cilësi e shejtanit. Sa të mrekullueshme janë fjalët e Junusit (a.s.): “S’ka zot tjetër përveç Teje! Ti je i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar (ndaj vetes)!” (el-Enbija’, 87)

Nuk është turp vajtimi për shkak të mëkatit, turp është mos vajtimi për të.

– Faleminderit Junusit (a.s.)! Nga historia e tij mësova se tesbihu, lavdërimi i Allahut dhe dhikri i vazhdueshëm i eliminojnë vështirësitë dhe pikëllimin. Falënderimi dhe lavdërimi i qoftë Atij që i eliminon vështirësitë dhe fatkeqësitë, dhe i Cili të pamundurën e bën të mundur!

Edhem Sherkavi; saff.ba

Përkthim: Miftar Ajdini

 

(Visited 25 times, 1 visits today)




Top