Quinta-feira, 19/9/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

El Adhim – El Kebir (Madhështori, i Madhi)

El Adhim – El Kebir (Madhështori, i Madhi)

Allahu i Lartësuar thotë: “Ai është i Larti, Madhështori.” (Bekare, 255). Gjithashtu thotë: “Ky (dënimi) është pse kur bëhet thirrja për të besuar Allahun Një, ju e mohuat, e nëse i përshkruhej shok Atij, ju besuat, pra i tërë sundimi është në duart e Allahut, të lartit, të madhëruarit!” (Gafir, 12)
Allahu është Madhështori, i Cili përmbledh në vete cilësitë e madhështisë, cilësitë e lavdërimit, nderimit, bukurisë. Atij i përket çdo atribut dhe domethënie që tregon madhështi, ndaj krijesat nuk mund ta lavdërojnë Atë siç meriton Ai, por Ai është ashtu siç e lavdëron Veten.
Domethëniet e madhështisë për Allahun e Lartësuar janë dy llojesh:

1. Madhështia e Qenies dhe e cilësive. Ai është i cilësuar me çdo cilësi të përsosur. E nga kjo përsosmëri Atij i takon më e përsosura, më madhështorja. Atij i përket dituria përfshirëse, fuqia e madhështia. E nga madhështia e Tij qiejt dhe toka janë në dorën e të Gjithëmëshirshmit dhe ato janë të vogla, siç ka thënë ibn Abbasi dhe të tjerë. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata nuk e çmuan Allahun me atë madhështinë që i takon, ndërsa, në Ditën e Kiametit e tërë toka është në grushtin e Tij, e qiejt të mbështjellë në të djathtën e Tij.” (Zumer, 67). Gjithashtu thotë: “Allahu i mban qiejt dhe tokën që të mos zhduken, e nëse zhduken, s’ka askush pos Tij që mund t’i mbajë; Ai është që nuk ngutet, është që fal.” (Fatir, 41)

Ndërsa në hadithin sahih të transmetuar nga i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, Allahu i Lartësuar thotë: “Krenaria është mbështjellësja ime (rida-pjesa e lartme e ihramit), ndërsa madhështia është petku im (izar-pjesa e poshtme e ihramit). Pra, kush dëshiron të matet me Mua në këto dy gjëra, Unë do ta hedh në zjarr!”
Ndaj, krenaria dhe madhështia janë për Allahun. Janë atribute të cilat thelbin dhe esencën nuk arrin t’i kuptojë kush pos Allahut të Lartësuar.

2. Lloji i dytë: Prej domethënieve të madhështisë së Allahut të Lartësuar është madhështia e nderit në shpirtrat e robërve të Vet. Askush nga krijesat nuk meriton të madhërohet siç madhërohet Allahu i Lartësuar. AI meriton të madhërohet nga krijesat në zemrat e tyre dhe me gjuhët e tyre, me organet e trupit të tyre, duke u përpjekur për njohjen dhe dashurinë e Tij, për t’iu përulur Atij, për t’iu nënshtruar madhështisë së Tij, për të pasur frikë ndaj Tij, për të shprehur falënderim ndaj Tij përmes gjuhës, për ta adhuruar Atë.

Prej madhërimit të Tij është edhe të kihet frikë Ai me një frikë të vërtetë, të respektohet e të mos t’i bëhen mëkate, të përmendet e të mos harrohet, të falënderohet e të mos mohohet. Gjithashtu, nga madhërimi i Tij është edhe madhërimi i asaj që ka ndaluar dhe ligjësuar: “Kjo është kështu! E kush madhëron dispozitat e Allahut, ajo është shenjë e devotshmërisë së zemrave.” (Haxh, 32)
“Pra, kështu: Kush madhëron atë që Allahu e bëri të shenjtë, ajo është më e dobishme për te Zoti i vet.” (Haxh, 30)
Prej madhërimit të Allahut është që të mos kundërshtohet diçka nga ajo që ka krijuar dhe ligjësuar.

(Visited 31 times, 1 visits today)
Top