Quarta-feira’, 21/8/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Dr. Krenari nga Prishtina: ç’na çon në Gjermani, por dhe ç’na kthen në atdhe (ca sqarime dhe për zemrat e dobëta)

Dr. Krenari nga Prishtina: ç’na çon në Gjermani, por dhe ç’na kthen në atdhe (ca sqarime dhe për zemrat e dobëta)

Viteve të fundit po konsiderohet si “alarmante” ikja e profesionistëve mjekësorë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia të cilët po gjejnë punë jashtë shtetit, kryesisht në Gjermani, pasi që ky shtet ka shprehur hapur nevojën për ta.

Në mesin e tyre është edhe dr. Krenar Telqiu nga Prishtina, i cili ka përfunduar Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës dhe është duke specializuar në Gjermani. Ai nuk ka ikur për kushte ekonomike por për profesionin e tij, pasi është problem i madh të regjistrosh specializimin e Qendrën Klinike Universitare (QKUK).

Tesheshi.com realizoi një intervistë me Dr. Krenarin, për të kuptuar me mirë dimensionin “gjerman” në karrierë, si dhe mbi atë se ç’po ndodh sot me zemrën e njeriut, e cila e lë sakaq.

Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj

Dr. Telqiu, ju keni përfunduar studimet në Prishtinë, specializimin jeni duke përfunduar në Gjermani. Pse zgjodhët, vendoset që të punoni në këtë vend?

Është çështje edukimi. Pjesa më e madhe e spitaleve në Gjermani, shtetërore apo private, kanë të drejtën të trajnojnë mjekë për specializim. Kjo varet nga pajisjet dhe nga spektri mjekësor që performojnë në çdo departament. Kështu spitalet konkurrojnë me njëri-tjetrin për të tërhequr mjekë të rinj për të punuar, jo nga ana financiare, sepse kjo është e njëjtë kudo në Gjermani, por nga cilësia e trajnimit dhe edukimit mjekësor. Nga ana tjetër, Gjermania njeh çdo diplomë apo certifikatë të bërë. Kriteri i vetëm është gjuha.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, një numër i madh i mjekëve dhe infermierëve po ikin drejt shtetit gjerman. Cila është arsyeja dhe çfarë duhet bërë që të ndalet kjo ikje e atyre që më së shumti kemi nevojë?

Të rinjtë që sapo mbarojnë universitetin, e gjejnë veten pa perspektivë. Edukimi pasuniversitar nuk është në të njëjtin nivel si në Gjermani apo shtete të tjera evropiane. Situata në Kosovë është ndryshe. Edukimi është monopol. Specializimi bëhet vetëm në QKUK dhe ky është problemi i parë. Çdo monopol në edukim është i keq, nuk ka alternativë. Këtu ka mjekë shumë të mirë, të vjetër, që punojnë në shtet dhe në privat. Edhe kjo është problem. Në Gjermani nuk ekziston kjo. Ti punon në një spital privat ose shtetëror dhe nuk punon në një vend tjetër, kështu që të gjitha përpjekjet i jep për një vend të vetëm pune.

Është vështirë për një mjek jo gjerman të punojë në këtë vend? Si trajtoheni?

Adaptimi në rrethanat dhe kushtet e reja të punës merr kohë të kushtueshme.  Të punosh në Gjermani si doktor është e vështirë. Unë punoj deri 10 orë në ditë. E lë shtëpinë në orën 7:30 të mëngjesit dhe kthehem në shtëpi në orën 17:30. Ndonjëherë në kohën e pauzës duhet të zgjedh: të shkojë në tualet apo të pijë një kafe. Skam kohë për të dyja. Kështu është puna në Gjermani. Si specializant, në fundjavë ndodh që të bësh roje në 6 pavione dhe secili nga pavionet ka nga 28 pacientë. Më shumë se 100 pacientë. Kam dëgjuar që disa mjekë këtu ankohen dhe thonë: kam 6-10 pacientë. Është normale. Një specializant normal në Gjermani në kardiologji ose kirurgji ka 12-14 pacientë si rutinë, ndërsa si roje ka pavione në ngarkim. Njerëzit në Kosovë nuk e dinë se si funksionon Gjermania.

Do ktheheni një ditë në Kosovë, duke mos llogaritur të ardhurat por sadisfaksionin për t’u shërbyer bashkëqytetarëve?   

Natyrisht që mundësia e shërbimit ndaj popullit është një dëshirë e kamotshme dhe që përsëritet. Unë këtë, megjithatë e kam lënë si enigmë. Më pastaj kuptohet që, siç thotë populli, derisa një ditë të kthehem në vendlindje “atje do të ketë rrjedhë shumë ujë”, prandaj tashmë pas kaq vitesh të ndërprerjes së kontakteve me atje, natyrisht se krijohet njëfarë diskontinutiteti dhe e di që gjithnjë dhe gjithherë do të funksionojnë shoqëritë dhe kontaktet e dikurshme me njerëzit, e jo ripërtëritje e kontakteve të reja. Nga ana tjetër, besoj se në Kosovë me më pak para mund të jetosh një jetë të mirë. Më mirë sesa me të ardhurat që mund të marrësh në Gjermani. Më besoni që cilësia e jetës është më e mirë këtu. Punon më pak orë, ke mundësi të dalësh, të rrish me familjarët, të takosh miqtë.

Dr. Telqiu të kthehemi tek profesioni juaj pasi çdo ditë jeni me pacientë. Po dëgjojmë, se vdekja po vjenë në të shumtën e rasteve prej zemrës apo infrakti në zemër sipas të dhënave ka një rritje të kësaj sëmundje. Ç’është infrakti dhe kë atakon më shumë?

Infarkti akut apo sulmi në zemër është sëmundje e rrezikshme për jetën dhe potencionalisht vdekjeprurëse. Ndodh atëherë kur qarkullimi i gjakut në njërën nga arteriet e zemrës papritmas ndërpritet (mbylla e arteries) që për pasojë pjesa e muskulit të zemrës që normalisht furnizohet nga arteria e bllokuar do të dëmtohet rëndë. Çdo kush mund të preket nga kjo sëmundje e rëndë. Por më të rrezikuar janë ata që tashmë janë diagnostikuar me shtypje të lart të gjakut, yndyra të larta në gjak, me diabetin mellit tip 2 (sëmundjen e sheqerit), duhangjinjët, personat obezë, personat me histori familjare pozitive etj.

Nëse një person ndien dhimbje të papritur dhe të fortë të kraharorit, si duhet vepruar?

Dhimbja e gjoksit është njëra nga ankesat mjaft të shpeshta në praktikën mjekësore, e cila zakonisht detyron pacientin t’i drejtohet në mënyrë urgjente mjekut më të afërt, duke kërkuar po ashtu një qasje serioze dhe të shpejtë diagnostike e terapeutike. Ajo nënkupton një ndjenjë dhimbjeje, diskomforti ose thjeshtë një ndjesi “të keqe” në pjesën e përparme të trupit, në regjionin ndërmjet qafës dhe pjesës së sipërme të barkut. Megjithatë për ta sqaruar këtë, na duhen disa informata esenciale të marra nga vet pacienti, të identifikojmë faktorët e rrezikut për sëmundje të zemrës, ekzaminojmë me kujdes pacientin, bëjmë regjistrimin e EKG-së, disa analiza të enzimave në gjak dhe sipas nevojës bëjmë edhe ekzaminime tjera ndihmëse. Pra, hapi i parë dhe më i rëndësishëm është konsulta e mjekut familjar dhe më pastaj specialist dhe sqarimi i gjenezës së këtyre dhimbjeve pasi që siç e dimë edhe shumë sëmundje tjera manifestohen me dhimbje kraharori: sëmundjet e mushkërive, të aparatit tretës, problemet me shtyllën kurrizore (sidomos pjesa e qafës dhe kraharorit), sëmundjet tjera reumatike, lëndimet, ndezjet ose tërheqjet e tepërta të muskujve ndërbrinjor (muskujve të gjoksit), lëndimet dhe thyerjet e brinjëve, pezmatimet e kërceve të brinjëve në vendet e ngjitjes së tyre me sternumin (parzmoren) që në terminologjinë mjekësore njihet si kostokondrit, pastaj herpes zoster si një infeksion i rrallë viral që prek nervat ndërbrinjor, por edhe çrregullimet e ndryshme të sferës psikike si p.sh. neurozat e ndryshme, ankthi, atakët e panikut etj, mund të manifestohen me dhimbje gjoksi, duke e bërë jo aq të lehtë diferencimin diagnostik të kësaj simptome mjaft të shpeshtë në praktikën mjekësore.

Cilat janë shkaqet e kësaj sëmundjeje, a mund të parandalohet?

Siç e ceka edhe më lart, shkaqet më të shpeshta janë te pacientët që tashmë janë diagnostikuar me shtypje të lart të gjakut, yndyra të larta në gjak, me diabetin mellit tip 2 (sëmundjen e sheqerit), duhangjinjët, personat obezë, personat me histori familjare pozitive etj.

Më përpara për sulmet në zemër jemi mësuar të dëgjojmë vetëm për moshën e vjetër tani është rritur numri edhe tek të rinjtë. Kush rrezikon më shumë nga këto probleme shëndetësore?

Më së shumti rrezikojnë personat obezë, duhangjinjët, ata që nuk merren me aktivitet fizik, ata të cilët gjatë punës së tyre kanë nivel të lartë stresi, etj.

Çfarë duhet të dimë për parandalimin e sëmundjeve të tilla?

Është shumë e rëndësishme që të ruajmë shëndetin tonë duke eliminuar faktorët e rrezikut (duhanin, alkoolin, yndyrat, sheqernat), të merremi sa më shumë me aktivitet fizik, të monitorojmë peshën dhe bëjmë gjumë të mirë (së paku 7-8 orë gjumë gjatë natës).

Cilët janë faktorët kryesor që ndikojnë negativisht mbi shëndetin e zemrës?

Tensioni i lartë i gjakut, pirja e duhanit, kequshqyeshmëria, obeziteti, pasiviteti, pagjumësia (gjumi jo i mjaftueshëm).

Një ndër problemet shfaqet edhe ushqimi. Sa mund të kontribuojë të ushqyerit dhe përdorimi i saj i drejt ose jo i drejt për një jetë të shëndetshme?

Siç e përmenda më herët, kequshqyerja është shkaktar i shumë sëmundjeve, prej tyre një ndër më të shpeshtat janë tensioni i lartë arterial dhe sëmundja koronare me të gjitha nëngrupet e saja. Sa i përket rekomandimit për një ushqim më të rregullt preferohet të ushqehej mire dhe me masë ( sa më shumë fruta dhe perime, sa me pak ushqime me kripë, sheqer dhe yndyra).

Përfund, një këshillë nga ju si duhet ta ruajmë zemrën?

Përgjigja: Duke eliminuar faktorët e rrezikut për zemrën si dhe mbi moshën 40 vjeçare edhe pa praninë e simptomave së paku një herë në vit të bëni një Check-Up kardiologjik, qe nënkupton një vizitë te mjeku kardiolog si dhe analizat laboratorike, vlerat e sheqerit dhe yndyrave në gjak, ndërsa në moshat më të shtyra edhe më shpesh.

Në fund ju falënderoj nga zemra për mundësinë që më dhatë të përgjigjem në pyetjet tuaja. Zoti jua shpërbleftë!/tesheshi.com/

(Visited 38 times, 1 visits today)
Top