Quarta-feira’, 18/9/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Diskursi komunikologjik

Diskursi komunikologjik

PRIM.DR.MED.SC. ALI F. ILJAZI.

Kuptimi aktual i një mësimi është në lidhje të pandashme me interpretimin dominues të tij, gjegjësisht me shpjegimin e tij. Njerëzit shpjegojnë një mësim të caktuar apo një ide, duke i dhënë kuptime të njohura në kontekstin kohor dhe hapësinor.

Islami është bindje dhe nënshtrim ndaj një Zoti. Sipas mësimit të librave të shenjtë, Ai, Krijuesi, i cili u shpalli njerëzve nëpërmes pejgambereve të cilët në mënyra të saktë e transmetuan Fjalën e Allahut. Islami në këtë kontekst tregon vazhdimësinë e doktrinar dhe pasimin e traditës së gjithë pejgamberëve, të cilët ishin para Muhamedit a.s.

“….thuani: “Ne i besuam All-llahut, atë që na u shpall neve, atë që iu shpall Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe pasardhësve (të Jakubit që ishin të ndarë në dymbëdhjetë kabile), atë që i është dhënë Musait, Isait dhe atë që iu është dhënë nga Zoti i tyre pejgamberëve, ne nuk bëjmë dallim në asnjërin prej tyre dhe ne vetëm atij i jemi bindur”.[1]

Islami nga Allahu i Madhërishëm iu ofrua njerëzve kryesisht në formë të pranimit të lirë. Feja, pra, është shprehje e lirisë njerëzore, gjegjësisht e zgjedhjes së lirë të njerëzve. Njerëzit, krijuesi i aftësoi që t`a njohin fenë e vërtetë dhe t`a pranojnë lirshëm:

“Në fe nuk ka dhunë. Është sqaruar e vërteta nga e kota!”[2]

“E ti thuaj: ” E vërteta është nga Zoti juaj, e kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë”.[3]

Pejgamberët model për njerëzimin

Karakteristikë tjetër e rëndësishme e Islamit vërehet në faktin që burimet themelore të Islamit në mënyrë eksplicite theksojnë unitetin biologjik të njerëzimit, barazinë shpirtërore në mes njerëzve dhe ekzistimin e domosdoshmërisë të botës multinacionale dhe pluraliste si kusht i koekzistencës dhe komunikimit në mes njerëzve. Kriteriumi i dallimit në mes njerëzve nuk është asgjë e jashtme dhe formale, por kryesisht e natyrës morale:

“O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat), e All-llahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë”.[4]

Mësim i rëndësishëm i Islamit, i cili ofron shembull dhe model identifikues njerëzve është tregimi kuranor për pejgamberët. Kur janë në pyetje principet morale-etike dhe rregullat e sjelljes të gjithë pejgamberët e Zotit janë model i pa shterur dhe më i plotë për njerëzit. Si mësim, i cili mbulon të gjitha aspektet e jetës njerëzore nga ajo individuale deri te ajo shoqërore, nga ajo familjare e deri te ato juridiko-shtetërore, Islami posedon një dimension universal-global. Zoti në Islam është Zot i të gjithë njerëzve e jo Zot i një populli të caktuar. Profeti Muhamed a.s. gjithashtu u dërgua si “mëshirë për botët.”

Parimet morale islame janë universale. Këto parime morale sipas Islamit bazohen në besimin e pranuar të lirë dhe njohurin që Zoti i Madhërishëm në shpallje qartë i ka përkufizuar etikën nga shenjtëria dhe në besimin që Zoti i Lartëmadhëruar shikon dhe në fund vlerëson sjelljen e tërësishme njerëzore:

“E kush punoi ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë. Dhe kush punoi ndonjë të keqe, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë”.[5]

Këto janë vetëm disa karakteristika të rëndësishme të Islamit, të cilat tregojnë vitalitet dhe fleksibilitet të mësimit Islam si dhe mundësia që kjo në botën bashkëkohore, nëpërmes mediave masovike, mjeteve të komunikimit dhe me kontaktet e drejtpërdrejta ndër njerëzore prezantohet në forma dhe mënyra të reja. Ja edhe disa karakteristika më të rëndësishme mbi karakterin e botës bashkëkohore.

Bota bashkëkohore: Ikje nga absolutizmi racional deri te transcendentalja dhe shpirtërorja

Është shumë pak falënderuese dhe praktikisht e pa mundur për të përshkruar në pika të shkurtra kuptimet themelore dhe karakteristikat e botës bashkëkohore. Por, nuk do të gabojmë nëse themi se shpirti njeriut modern është formësuar pas përvoja tragjike pas luftës së dytë botërore, procesit të industrializimit dhe revolucionit teknologjik. Në këtë vend do të kufizohemi vetëm në ato çështje esenciale për njeriun, karakteristikat e tij specifike, dilemat dhe kontraverzat, të cilat në botën bashkëkohore përsëri paraqitën kthimin e fesë dhe shpirtërores. Perceptimi i diturisë dhe teknologjisë nga periudha e pozitivizmit, ka filluar dukshëm të ndryshohet në shekullin XX. Filozofia e rritjes ekonomike të pa rregullt u tregua shumëfish e rrezikshme dhe absurd jo rentabile. Shikimi i elementit irracional tek njerëzit, përsëri bëhet preokupim i mendimtarëve dhe filozofëve. Interesimi për afirmim dhe mbrojtje e të drejtave njerëzore, mbrojtja e mjedisit dhe resurseve pa mundësi të ripërtëritjes, vendoset si prioritet i njeriut bashkëkohor. Intelekti njerëzor dikur i ngritur pa kufi dhe pa rezervë dhe glorifikuar bie nën llupën e hulumtimit kritik.

Tani pranojmë se irracionalja, të cilës mendimtarët i kushtuan pak vëmendje, është karakteristik e pashlyeshme e natyrës njerëzore dhe jetës shoqërore. Faktorët irracional përthekojnë bindjet tona, shijet estetike dhe përcaktimet politike.

Mënjanimi epsheve, largimi i anës irracionale të natyrës sonë mund të sjellë tek problemet psikike, siç ka menduar Frojdi, ose deri te ngulfatja e aftësive tona kreative, siç ka pohuar Niçe, në çfarë ka tërhequr vërejtjen Ruso. Nuk mund të kemi civilizim pa mendje, por prapë nuk mund të jetojmë vetëm nga mendja

Kjo kthesë e shpejtë në kuptimin filozofik dhe psikologjik të njeriut, është e art me mësimin Islam për njeriun, sipas të cilit aktivitetet e njerëzve nuk mund të shikohen vetëm nëpërmes prizmës racionale dhe as intelekti njerëzor nuk është në gjendje të arrijë të vërtetën absolute mbi
esencën e të gjithë manifestimeve të kësaj bote.

Tmerret e shekullit njëzet kanë bërë që disa mendimtar të hulumtojnë karakteristikën themelore të kohës moderne- nacionalitetin sekular – dhe të përpiqen në orientimin e mendimit në atë që është transcendentale-në Zotin dhe vlerat morale. Përsëri u hap një hapësirë për shpirtëroren, e cila ishte mënjanuar në kohën e arsimimit dhe më vonë nën dominimin e scientizmit në shkencë. Besimi i verbër i pa kufijshëm në shkencë dhe bota e despiritualizuar, nuk i sollën njeriut lirinë e proklamuar dhe të premtuara, bile prosperiteti teknologjik, hapi çështje të reja mbi kufijtë e përgjegjësisë njerëzore dhe rrezikimin e ardhmërisë së afërt.

“Çudirat e teknikës perëndimore? Jo, sepse ende është tejet e shtrenjtë, kur janë në pyetje çmimet natyrale të kostos dhe adaptimit të dobët të fuqive tona dhe nevojave reale. Dyshohet se është përgjithësisht edhe rentabile kur bëhen të gjitha llogaritë, kur dihet sa është shkapërderdhëse në kuptim të burimeve natyrore.

Në zbulimet e reja të përsosura teknike, njeriu bashkëkohor nuk gjeti përgjigje praktike për nevojat jetësore konkrete, por njëkohësisht kërkoi përgjigje për përgjegjësitë e reduktuara për fatkeqësitë gjithnjë e më shumta.

Denis Reugemont bukur vëren se njeriu bashkëkohor ik nga ballafaqimi me përgjegjësitë individuale për fatkeqësitë dhe tragjeditë të cilat ndodhin për çdo ditë, duke u thirrur në pashikueshmërinë e zbulimeve teknologjike. Kështu, ai vëren se gabimet njerëzore që shkaktojnë fatkeqësitë në komunikacion, gjejnë arsyetimin në sloganin e njohur dhe të pakuptueshëm ” kthesa e cila mbyt “.

(Visited 11 times, 1 visits today)
Top