Segunda-feira, 16/9/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Dhjetëshja e fundit

Dhjetëshja e fundit

 

Ky umet u nderua me një muaj, në të cilin pastrohen shpirtrat nga gjynahet dhe nga veprat dhe cilësitë e këqija. Muslimanët, në këtë muaj, janë të zënë me adhurim dhe lexim Kur’ani. Agjërimi atyre ua pastron shpirtrat, namazi i natës ua përmirëson moralin, ndërsa Kur’ani ua zbut zemrat. Gjatë netëve të këtij muaji ata garojnë në punë të mirë, ndërsa gjatë ditëve të tij garojnë në bujari, kurse në dhjetëshen e fundit të këtij muaji veprat pastrohen dhe shpresat realizohen. Aisheja, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte: “Pejgamberi, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, kur hynte dhjetëshja (e fundit e Ramazanit) gjallëronte natën, e zgjonte familjen dhe shtrëngonte rripin.”[1]

Pejgamberi, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, gjithashtu i shtonte veprat e mira në këtë muaj, e sidomos në dhjetëshen e fundit. Aisheja, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte: “I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, i shtonte përpjekjet në Ramazan, gjë që nuk e bënte në muajt tjerë, e veçanërisht në dhjetëshen e fundit, të cilën nuk e bënte herëve tjera.”[2] Ramazani është treg në të cilin garojnë ata që lakmojnë në begatitë e Zotit dhe provim në të cilin sprovohen ambiciet.

Zoti ynë, i hapi për robërit e Tij dyert e hajrit, të devotshmit i fituan thesaret e tyre, të mirët i arritën netët e fundit, netët e bekuara, të cilave gati sa nuk u erdhi fundi, netët e muajit të begatë. Muaj, në të cilin hapen portat e xhenetit, mbyllen portat e xhehenemit dhe prangosen shejtanët. Dhjetëshja e fundit e këtij muaji është kurora e të gjitha netëve. Pejgamberi, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, kur hynte dhjetëshja (e fundit e Ramazanit) shtrëngonte rripin, gjallëronte natën dhe e zgjonte familjen.

Namazi i natës është ndër veprat më të pëlqyera dhe prej shkaqeve për hyrje në xhenet. I Dërguari i Allahut, Muhammedi, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, thoshte: “O njerëz! Përhapeni selamin, jepni ushqim dhe faluni natën, kur njerëzit flenë, do të hyni me paqe në xhenet!”[3] Netët e ramazanit i përgëzojnë ata që i shfrytëzojnë ato duke falur namaz, se atyre do t’u falen mëkatet. I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, po ashtu thoshte: “Atij që falet në Ramazan me besim dhe duke llogaritur në shpërblim, do t’i falen mëkatet e kaluara.”[4]

Në dhjetëshen e fundit është një natë e bekuar, e cila është mbretëresha e të gjitha netëve të vitit, përplot me begati, orët e saj janë të shtrenjta, vepra e vogël në të është e madhe, ndërsa vepra e madhe shumëfishohet pa masë. Kjo është Nata e Kadrit, e cila është më e mirë se njëmijë muaj. Në këtë natë, nga qielli zbresin krijesa të shumta madhështore për ta përjetuar këtë natë. “Melekët dhe shpirti (Xhibrili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë.” (El-kadr: 4). Atij që e gjallëron këtë natë me adhurim, do t’i falen gjynahet. Pejgamberi Muhammed, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, thoshte: “Atij që falet në Natën e Kadrit me besim dhe duke llogaritur në shpërblim, do t’i falen mëkatet e kaluara.” Në të hapen portat, dëgjohen lutjen. Në këtë natë, Zoti i Lartësuar, disa i afron e disa i largon, disave u jep e disa i privon dhe disa i ngre lart e disa i poshtëron (në bazë të veprave të tyre, të mira apo të këqija). Aisheja, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte: “Njëherë e pyeta të Dërguarin e Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, se po ta dija se cila është Nata e Kadrit, çfarë të them? Ai m’u përgjigj: Thuaj: “O Allahu im, Ti je Falës, e do faljen, andaj më fal mua!”[5]

Robi ka shumë nevojë për shlyerjen e mëkateve dhe që të përulet para Allahut të Lartmadhërishëm për të treguar nevojën e madhe që ka për Të. Prej përulësisë më të madhe ndaj Zotit, pa dyshim që është i’ëtikafi, mbyllja në ndonjë shtëpi të Allahut (xhami), duke kërkuar kështu mëshirën e të Gjithëmëshirshmit. I Dërguari i Allahut, Muhammedi, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ngujohej në xhami në dhjetë netët e fundit të Ramazanit. Sa herë që robi i afrohet Allahut Allahu sillet butë me të, duke e begatuar atë me të mira të shumta, nga nuk e pret fare, dhe e ruan atë nga sherri, aq sa nuk mund ta paramendojë.

Lutja është litari i gjatë, i cili qëndron mes qiellit dhe tokës, ajo është begati që arrihet pa vështirësi dhe ilaçi më i mirë kundër sëmundjes. “A ka më të mirë se Ai që i vjen në ndihmë nevojtarit të këputur, kur i lutet Atij, që jua largon të keqen…”(En-Neml: 62). Në çdo natë të këtij muaji është një kohë në të cilën lutjet pranohen, dyert e tij janë të hapura, dhe në të Bujari jep shumë, andaj kërko çfarë të duash, sepse depot e Allahut janë përplot të mbushura dhe se Dhënësi është Madhështor, dhe ji i bindur se lutjet do të të pranohen, sepse për Zotin asgjë nuk është e vështirë! Drejtoja Atij ankesat, sepse Ai është i Gjithëmëshirshmi! Pejgamberi, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, thoshte: “Gjatë natës është një kohë, në të cilën, sa herë që muslimani e lut Allahun për ndonjë të mirë të kësaj bote apo të botës tjetër, Allahu ia jep atë, dhe kjo gjë përsëritet për çdo natë (të Ramazanit).”[6]

Koha e fundit e natës shpresohet të jetë kohë në të cilën pranohen lutjet, sepse kur u pyet Pejgamberi i Zotit se cila lutje pranohet më shumë, ai u përgjigj: “Lutja në brendësinë e fundit të natës dhe pas namazeve të detyrueshme.”

Për fund, Ramazani gati sa nuk shkoi, bashkë me atë që bënë robërit e Zotit, andaj i zgjuar është ai njeri që e përfundon këtë muaj me pendim të sinqertë dhe vendosmëri se do të largohet nga mëkatet, ndërsa tërësisht i falimentuar është ai njeri që është zhytur në mëkate dhe e takon Zotin e tij, duke i bërë mëkat. Pendimi nuk është mangësi, por, në të vërtetë ai është prej përsosmërive më të pëlqyera dhe prej veprave më të mira te Zoti i Madhërishëm. Pendimi është thelbi në bazë të së cilit përmirësohen gjërat. Andaj, shpeshtoje kërkimin e faljes në fund të Ramazanit, që të jetë kurorë e veprave tua të mira dhe shlyerje për gabimet tua të shëmtuara, dhe kujto gjithnjë, se Allahu e shtrin Dorën e Tij natën që të pendohet mëkatari i ditës dhe e shtrin Dorën e Tij ditën që të pendohet mëkatari i natës derisa të lindë dielli nga perëndimi! Dhe, kujdes!! Assesi mos e vono pendimin, sepse vdekja vjen papritmas!

Përktheu: Jusuf H. Kastrati

Burimi: “El-mekteb et-te’avuni lid-da’ëveti bir-Reudah”

[1] Muttefekun alejhi.

[2] Hadithin e transmeton Muslimi.

[3] Hadithin e transmeton Tirmidhiu.

[4] Muttefekun alejhi.

[5] Hadithin e transmeton Tirmidhiu.

[6] Hadithin e transmeton Muslimi.

(Visited 34 times, 1 visits today)
Top