Domingo, 15/12/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Bleta është shumë më e zgjuar se kompjuterët e sotëm

Bleta është shumë më e zgjuar se kompjuterët e sotëm

Ta rikujtojmë versetin e Kur’anit fisnik:

“Zoti yt i dha instinkt bletës: “Ndërto shtëpi nëpër kodra (male), nëpër drurë (pemë) dhe nëpër kulmet që ata (njerëzit) i ndërtojnë. Pastaj ha nga të gjitha llojet, frutat dhe futu në rrugët e nënshtruara (e të mësuara prej Zotit tënd)”. Nga barqet e tyre (të bletëve) del lëng, ngjyra e të cilit është e ndryshme dhe në të cilin ka shërim (bar-ilaç) për njerëz. Dhe në këtë ka arsye për atë popull që mendon thellë.” (En Nahl: 68-69)

Kur’ani Fisnik, pra, troket përherë në portën e mendjes njerëzore me qëllim që ta zgjojë dhe ta aktivizojë, sepse në shembullin e bletës ka argument të fuqishëm për njerëz që meditojnë thellë.

Është e njohur se mjalti është burim fundamental i ushqimit për trupin e njeriut, por një numër i vogël i njerëzve dinë diçka për karakteristikat mahnitëse të prodhueses së tij – bletën. Është interesant të theksohet se sasia e mjaltit të cilin e depozitojnë bletët është më e madhe nga sa është nevoja e tyre reale. Shtrohet pyetja: përse vallë ky prodhim i tepërt i mjaltit, i cili duket si humbje e kohës dhe energjisë? Përgjigjja në këtë pyetje ndodhet në versetin vijues të Kur’anit Fisnik:

“Pastaj ha nga të gjitha llojet, frutat dhe futu në rrugët e nënshtruara (e të mësuara prej Zotit tënd).” Nga barqet e tyre (të bletëve) del lëng, ngjyra e të cilit është e ndryshme dhe në të cilin ka shërim (bar-ilaç) për njerëz. Dhe në këtë ka arsye për atë popull që mendon thellë.” (En Nahl: 69)

Bletët e prodhojnë mjaltin në mënyrë instinktive, jo vetëm për vete, por edhe për njerëzit.

Sipas zbulimeve shkencore, bleta është shumë më e zgjuar se kompjuterët e sotëm. Truri i bletës mund t’i kryejë 10 trilionë veprime për një sekondë.

Bletët shërbehen me strukturën heksagonale të ndërtimit të hojëzave. Të çuditë fakti pse bletët e kanë zgjedhur strukturën heksagonale, e jo pesë apo tetëkëndëshe?! Përgjigjen e jep matematika.

Struktura gjashtëkëndëshe (heksagonale) është forma më e përshtatshme gjeometrike për shfrytëzim maksimal të masës sipërfaqësore (hapësirës). Ndër të gjitha format gjeometrike, forma e gjashtëkëndëshit e ka vëllimin më të vogël, andaj edhe sasia e dyllit për këtë formë është më e vogël sesa për hojëzat tre apo katërkëndëshe.

Konkludimi është se hojëzat gjashtëkëndëshe kërkojnë sasi minimale të dyllit për konstruktimin e tyre, por njëkohësisht në to mund të depozitohen sasi më të mëdha të mjaltit. Këtë rezultat të fituar pas shumë kalkulimeve gjeometrike, me siguri, nuk e kanë llogaritur vetë bletët. Këto insekte të vogla shërbehen me formën heksagonale të lindur, vetëm e vetëm sepse janë të mësuara dhe të frymëzuara nga Zoti.

Bletët duhet të fluturojnë zakonisht në largësi të mëdha për ta gjetur ushqimin. Bleta duhet të përshkojë 360-460 mijë kilometra për të bërë 1 kg mjaltë. Kjo rrugë është 11 herë më e gjatë se gjatësia e ekuatorit të rruzullit tokësor.

Bleta e cila i gjen lulet, kthehet në koshere për t’i informuar bletët e tjera. Po si ua tregon dhe si ua përshkruan bletëve të tjera vendin e luleve? Bleta komunikon me bletët tjera me anë të një gjuhe të veçantë të ashtuquajtur “vallëzuese”. Për të shkencëtarët mendojnë se është një gjuhë e komplikuar dhe e zhvilluar.

Shkencëtari Karl von Frish, i Universitetit të Munihut në Gjermani, në vitin 1940 e zbuloi i pari domethënien e vallëzimit të bletëve. Sapo e zbulon burimin e ushqimit, bleta kthehet në koshere dhe nëpërmjet tingujve dhe gjuhës së saj “vallëzuese” ua tregon shoqeve të saj vendndodhjen e ushqimit të sapozbuluar.

Tingujt që lëshojnë me krahët e tyre janë gjithashtu pjesë thelbësore të gjuhës “vallëzuese” të bletëve. Vallëzimi, të cilin bleta e përsërit disa herë, përmban në vete të gjitha informatat mbi këndin, drejtimin, largësinë dhe detaje të tjera, të cilat do t’ua mundësojnë bletëve të tjera të shkojnë në atë vend. Vallëzimi i bletës bëhet në formë të numrit tetë. Bleta formon pjesën e mesme të numrit tetë duke lëvizur me bisht dhe duke bërë lëvizje zig-zag. Këndi ndërmjet lëvizjeve zig-zag dhe linjës në mes diellit dhe kosheres e tregon drejtimin e saktë të burimit të ushqimit.

Por vetëm njohja e drejtimit nuk është e mjaftueshme. Bletët punëtore duhet të dinë gjithashtu sa është largësia. Bleta e bën këtë me lëvizje të pjesës së pasme të trupit, duke bërë lëvizje në ajër. P.sh. për ta përshkruar distancën prej 250 metrave, ajo lëviz pjesën e pasme të trupit pesë herë brenda gjysmë minute.

Nëse rruga prej kosheres deri te burimi i ushqimit është shumë e gjatë, atëherë bleta ballafaqohet edhe me një problem. Gjatë kohës së kthimit në koshere dielli largohet një shkallë në çdo 4 minuta. Kjo domethënë që bleta gabon vetëm një shkallë kur e përcakton drejtimin e burimit të ushqimit. Prandaj ajo për këtë duhet të informojë bletët tjera.

Syri i bletës përbëhet nga njëqind thjerrza të imëta gjashtëkëndëshe. Secila thjerrzë fokusohet në sipërfaqe shumë të vogël, si teleskop. Bleta, duke shikuar kah dielli, në çdo kohë të ditës mund ta përcaktojë vendndodhjen e vet edhe kur është duke fluturuar.

Saktësia e fjalëve të Kur’anit Fisnik lidhur me fenomenin shkencor shpaloset nëse e analizojmë me kujdes versetin kur’anor:

“Zoti yt i dha instinkt bletës: “Ndërto shtëpi nëpër kodra (male), nëpër drurë (pemë) dhe nëpër kulmet që ata (njerëzit) i ndërtojnë.” (En Nahl: 6

Kur’ani Fisnik flet për bletën e cila del nga kosherja për të kërkuar ushqim. Për ta përshkruar këtë aktivitet, All-llahu u drejtohet bletëve në gjininë femërore, e cila në gjuhën arabe shprehet me fjalët kuli (ha) dhe fesluki (futu, ndiq, ec). Në të vërtetë kjo është për t’u habitur, sepse vetëm bleta femër kërkon dhe sjell ushqim.

Mbretëresha dhe punëtoret janë zemra e kosheres, ndërsa meshkujt jetojnë të veçuar vetëm për t’u çiftuar me mbretëreshën.

A mund të bëjmë dallimin në mes bletës mashkull dhe femër? Edhe nëse e lëmë anash kohën e Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], për të bërë dallimin e gjinisë së bletës duhet të jesh specialist.

Nëse pohojmë se këtë e ka shkruar Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], atëherë ai ka qenë dashur të jetë specialist i pajisur me dituri speciale për bletët – bletar i specializuar dhe i kualifikuar i cili ka bërë teste statistike për përcaktimin e gjinisë së bletës. Sipas logjikës njerëzore, bletët meshkuj do të duhej të fluturonin për të kërkuar dhe për të sjellë nektarin, ndërsa bletet femra duhet të qëndrojnë në koshere. Por te bleta nuk ndodh kështu, dhe kjo gjë e dëshmon dhe argumenton fuqishëm autenticitetin e Kur’anit Famëlartë.

Bletët e bëjnë gjithë këtë punë pa qenë të ndihmuara apo të drejtuara nga jashtë. Ato punojnë të pavarura, kurse kompjuterët kanë ende nevojë për ekipe programuesish, inxhinierësh dhe teknikësh.

Bletët kontrollojnë klimën në koshere duke e freskuar me ajër të pastër dhe duke e spërkatur me ujë gjatë verës, kurse gjatë dimrit, duke u mbështetur pas njëra-tjetrës, ato prodhojnë dhe lëshojnë ngrohtësi. Kur kosheret e tyre mbushen plot e përplot, ato janë mjaft të zgjuara të kuptojnë se disa prej tyre duhet të largohen dhe të formojnë koloni të reja.

Në Kur’an fjala vahj (frymëzim) ka kuptim të përgjithshëm dhe tregon se All-llahu ua ka dhënë instinktin krijesave të veta, por në veçanti ia ka dhënë frymëzimin të Dërguarit të Tij.

All-llahu i frymëzon bletët që të bëjnë punë mahnitëse. E njëjta gjë vlen edhe për shpezët, të cilat mësojnë të fluturojnë; peshku mëson të notojë; i vogli i kafshëve të pijë qumësht etj. Në të njëjtën mënyrë All-llahu i Madhërishëm e frymëzon njeriun në mendime spontante, siç është rasti me të gjitha zbulimet e mëdha, me krijimin e veprave letrare dhe artistike etj. Në realitet, secili njeri ndonjëherë përjeton gjëra në formë të ndonjë ideje ose mendimi, plani apo ëndrre, e cila pas përvojës së mëtejshme tregohet si e realizueshme.

Pastaj ekzistojnë forma të veçanta të vahjit, por ato janë privilegj i pejgamberëve.

Fjala dhulul i ka dy kuptime:

1. Rrugët e lehta dhe të zgjeruara, kur është fjala për arritjen e qëllimit, nëpër të cilat bleta e gjen kosheren e vet.

2. Përulje dhe bindje.

Nga të dy kuptimet mund të nxirret kuptimi metaforik dhe shpirtëror.

Bleta, pra, i ndjek metodat me të cilat e ka frymëzuar All-llahu, prandaj jeta në bashkësinë e bletëve zhvillohet në harmoni të përsosur.

Mrekullia e mjaltit është mahnitëse. Këtë na e përkujton verseti i Kur’anit Fisnik:

“Nga barqet e tyre (të bletëve) del lëng, ngjyra e të cilit është e ndryshme dhe në të cilin ka shërim (bar-ilaç) për njerëz. Dhe në këtë ka arsye për atë popull që mendon thellë.” (En Nahl: 69)

Sipas hulumtimeve shkencore biokimike, që janë bërë në 39 lloje të mjaltit, është vërtetuar se mjalti përmban glukozë, fruktozë, minerale të shumta, si: kalium, kalcium, litium, magnezium, kobalt, mangan, bakër, hekur, natrium, argjend, nikël, silicium, fosfor, klor, zink, ari etj. Pastaj vitaminat: B1, B2, B3, B6 dhe C, të cilat ndryshojnë varësisht nga cilësia e nektarit dhe polenit. Në mjaltë janë zbuluar edhe materie azotike, enzime (invertaza, dietaza, oksidaza, feroksidaza) dhe disa hormone.

Siç është theksuar në Kur’anin Fisnik, mjalti ka cilësi shëruese. Sot, në vendet e zhvilluara, përdorimi dhe aplikimi i mjaltit dhe i nënprodukteve të tij është bërë degë e re e hulumtimit shkencor.

(Visited 289 times, 1 visits today)
Top