Tuesday, 22/1/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

 Bioenergjia



 Bioenergjia

bioenergjia

 

Rijad Misimi

 

(Sistemi energjik i trupave dhe praktikat e kurimit me të) 

I tërë falënderimi dhe lavdërimi është për Allahun e Lavdishëm. Vetëm Atë e adhurojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi vulën e profetëve, Muhamedin, familjen dhe të gjithë pasuesit e tij.

Duke u nisur nga parimi logjik se të gjykosh për diçka është pasojë e parafytyrimit të drejtë të tij, edhe ne në këtë artikull do të përpiqemi që nën dritën e këtij ligji të flasim në vija të përgjithshme mbi bioenergjinë dhe disa pyetje madhore që lidhen me te, si dhe disa dilema që ndoshta mund ta devijojnë të kuptuarit e drejtë të fenomeneve që lidhen me të.

Trupat tonë kanë natyrë të thellë elektrike. Çdo kurs fillestar anatomie e konfirmon një gjë të tillë. Zvarriti këmbët e tua mbi tepih dhe pastaj prek ndonjë artikull metali. Kështu mund të shohësh elektricitetin e qëndrueshëm të shkarkohet nga gishtat e tu. Një gjë e tille nuk do të ishte e mundshme po qe se trupi yt nuk do të kishte natyrë elektrike. Po qe se prek stufën e nxehtë do të ndjesh menjëherë dhembje, ngaqë ajo transmetohet elektrikisht nëpër nerva deri ne tru. Dhembja udhëton me shpejtësinë e elektricitetit dhe ky është shkaku pse ti ndjen dhembje menjëherë. Mesazhet elektrike shkojnë vazhdimisht kudo në trup për ta informuar pandërprerë për gjerat që shkojnë në te. Pa këtë rrjedhë elektrike nuk do të mund të shihje, as të dëgjoje, as të ndjeje, as të shijoje e as të nuhasje.

Një tjetër argument lidhur me ekzistencën e elektricitetit (energjisë) në trup është edhe elektroencefalografi (EEG) dhe elektrokardiografi (EKG). EEG-ja regjistron aktivitetin elektrik të trurit, ndërkohë qe EKG-ja regjistron atë të zemrës. Këto pajisje janë përdorur me dekada nga shkenca e mjekësisë dhe janë si ato që mbërthehen pranë pacientëve të vdekur në dramat spitalore, që mund t’i shohësh në TV. Kur ekrani ndal “sinjalet” pacienti është i vdekur. Sistemet tona elektrike janë thelbësore për shëndetin tonë fizik dhe psikik.

Në fakt civilizimi e di këtë prej mijëra vitesh. Diku rreth 5000 vite më parë kinezët zbuluan sistemin kompleks të qarqeve energjike që qarkullojnë nëpër trup. Këto vargje përcjellëse elektrike ose meridianë siç quhen ndryshe janë epiqendra e praktikave lindore të shërimit dhe formojnë bazat e akupunkturës së ditëve moderne dhe teknikave të ndryshme e të gjera të kurave. Fillet e para të këtyre zbulimeve mund t’i gjejmë në akupunkturë dhe shiatsu, si praktika të hershme të kurave që qenë zhvilluar përgjatë shekujve në Kinë dhe Japoni.

Eksperti i Çi Kongut mjekësor (ushtrimeve të shëndetit nga mjekësia kineze) me renome ndërkombëtare, Hasan el-Bishel (Arabi Saudite) nënvizon faktin, se nocioni i energjisë me këtë botëkuptim nuk është monopol i kulturës kineze, por edhe mjekësia greke, indiane, arabe dhe ajo islame e kane konsideruar se kjo energji është jetike dhe esenciale për shëndetin e njeriut.

Dallimi në mes këtyre kulturave qëndron në faktin se mjekësia kineze është më e përpikta në shtjellimin dhe trajtimin e temave dhe praktikave me bioenergji, për shkak se kjo mjekësi është  bazuar në esencë në përqendrimin e saj në studimin e kësaj energjie dhe lidhjen e saj me shëndetin e njeriut përgjatë shekujve. Ai nënvizon më tej faktin, se për bioenergjinë si botëkuptim kanë folur edhe Ibën Sina në “Kanuni i mjekësisë”, ku e ka emërtuar me nocionin “El-kuva uel-ef’al” (Fuqitë dhe veprimet), Imam Ibën Kajimi e emerton me nocionin “El-Harare el-Garizijje” (Nxehtësia natyrale) në veprën e vet “Zad el-Mead (Et-Tibb en-nebeuijj)”, dhe Ebu Hamid Gazaliu e emërton me nocionin “El-Buhar el-Letif” (Avulli delikat).

Instituti Kombëtar Amerikan i Mjekësisë kërkoi nga kirurgu i kockave Dr. Robert Beker studime konkrete për të kuptuar metodikën e punës së akupunkturës. Supozimi fillestar i Dr. Bekerit ishte se ekzistenca e rrymave elektrike, që ai regjistroi në kërkimet e veta, në realitet është po e njëjta gjë që qarkullon nëpër meridianët e energjisë në të cilat bazohet mjekësia kineze në praktikat e akupunkturës dhe se ato meridianë në të vërtetë janë përçues elektrikë dhe pikat që ekzistojnë përgjatë atyre meridianëve shërbejnë si stacione stimulimi të kësaj rryme energjie, proces i cili realizohet me stimulimin e energjisë përmes nguljes së gjilpërave në ato pika. Rezultatet e Dr. Bekerit konfirmuan supozimet e tij dhe se pikat (lexo: meridianët), që i saktëson mjekësia kineze me përpikëri të madhe për të ngulur gjilpërat në to janë pika njëmend të sakta për stimulimin dhe forcimin e rrymës elektrike. Më në fund u bë e qartë se teoritë e mjekësisë kineze në lidhje me bioenergjinë dhe ndikimin e saj tek njeriu, u qartësuan shumë paqartësi përkitazi me mekanizmat e shërimit, të cilat hutuan studiuesit dhe profesionistët përgjatë shekujsh dhe se ato teori japin përgjigje konkrete dhe të sakta mbi forcat e brendshme të njeriut në avancimin e shëndetit dhe realizimin e tij, natyrisht me lejen dhe ndihmën e Allahut.

Një tjetër studim serioz dhe mjaft interesant është edhe studimi i Born Nordenstormit, shkencëtar suedez dhe ish-kryetar i Komisionit për Kandidim pranë çmimit Nobel. Ai në studimet e tij, që zgjatën dy dekada dokumentoi ekzistencën e qarkoreve elektrike  në trup. Shkak i studimeve të tij ishte ekzistimi i një aure ndriçuese rreth një tumori malinj në mushkëri, gjë që e shtyu atë ta studiojë një dukuri të tillë.





Ka edhe disa studime empirike mjaft konkrete, të cilat i sjell psikoterapeuti amerikan Dr. Roxher Kallahan në librin e tij “Tapping the Healer within”, por ne nuk e shohim të arsyeshme të zgjerohemi edhe më tej. Vlen të përmendet këtu edhe fakti se Organizata Botërore e Shëndetësisë në raportin e saj mbi mjekësinë popullore e ka regjistruar Çi Kongun Mjekësor (Ushtrimet e zhvillimit të energjisë) si një prej terapive natyrale nga mjekësia kineze dhe e ka përkufizuar kështu: “Çi Kongu mjekësor janë ushtrime nga mjekësia popullore kineze, ku inkuadrohen lëvizjet e shoqëruara me meditim dhe rregullimin e frymëmarrjes për forcimin e qarkullimit të bioenergjisë (çi) në trup, përmirësimin e qarkullimit të saj dhe forcimin e funksionit të imunitetit”.

Edhe disa qendra me renome ndërkombëtare e kanë inkuadruar Çi Kongun si strategji plotësuese në repartet e mjekësisë alternative, siç janë: Mayo Clinic; Qendra mjekësore në kuadrin e universitetit UCLA; spitali Stanford etj.

Në lidhje me debatin, se a thua vallë praktikat e kurave me bioenergji bien ndesh me besimin e pastër Islam, autori pati rastin të takohet edhe me Dr. Seid el-Gamidiun, ekspert i çështjeve akaidologjike dhe profesor në universitetin Umm el-Kura në Mekën e Ndershme dhe me këtë rast diskutoi me te, në lidhje me praktikat e kurave me bioenergji. Ai konfirmoi ligjshmërinë e shërimit me anë të këtyre kurave pas një studimi të hollësishëm të librit të ekspertit dhe terapeutit Hasan el-Bishel “Shëndeti nga brendësia jote”, duke mohuar se praktika të tilla bien ndesh me besimin Islam.

E pyeta: “Por, a nuk ekziston rreziku i mbështetjes së zemrës në kura të tilla dhe si rrjedhojë të rrezikohet çiltëria e besimit Islam, apo rënia në kurthin e shirkut?!”

Ai më tha se një rrezik i tillë ekziston gjithnjë edhe në praktikat e kurave me medikamente dhe teknikat e mjekësisë konvencionale! Nuk ka dallim këtu. Çështja qëndron këtu në realitetin e efikasitetit dhe ligjshmërinë e të shëruarit me të dy llojet e kurave, por gjithnjë duke u mbështetur tek Allahu i Madhërishëm në kthimin e shëndetit apo parandalimin e sëmundjeve, meqë të gjitha ato kura bëjnë pjesë në botën e shkaqeve materiale dhe energjike, dhe ne si muslimanë jemi të urdhëruar t’i bëjmë shkaqet dhe njëkohësisht zemrat tona të lidhen me Allahun e jo me ato shkaqe. Po qe se zemrat tona do të lidheshin dhe mbështeteshin në këto shkaqe materiale, atëbotë ne do të kishim rënë në shirkun e vogël. Kjo vlen për të gjitha shkaqet materiale të kësaj bote dhe në të gjitha fushat e jetës. Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm gjithnjë për ligjin e shkaqeve dhe pasojave, të ngërthyera tërësisht dhe të integruara në domosdoshmërinë e besimit e të tevekulit (të mbështeturit e vazhdueshëm tek Allahu).

Mbetet të thuhet në përmbyllje të këtij artikulli, se nuk ka vend për mohimin e rezultateve shkencore empirike dhe se ta pranosh ekzistencën e bioenergjisë nuk do të thotë të biesh ndesh me besimin e pastër Islam e as nuk do të thotë se po flasim për besëtytni dhe besime pagane, mu ashtu si nuk do të thotë se të pranosh ekzistencën e komunikimeve radiotelefonike është filozofi sektare, që buron nga krishterimi, apo se përdorimi i këtyre valëve elektromagnetike në telekomunikacion do të thotë, se beson në katolicizëm!

Fakti se botëkuptimet mbi bioenergjinë janë keqkuptuar dhe keqpërdorur nga disa besime të feve të Lindjes së Largët nuk do të thotë që ta mohosh ekzistimin e saj. Paganët kane adhuruar diellin, hënën, planetët dhe shume krijesa të tjera, por kjo s’do të thotë aspak, se ato krijesa nuk ekzistojnë ashtu siç është absurde të denoncohesh prej tyre apo t’i urresh ato. Të krishterët adhurojnë Isaun alejhis selam! Çifutët adhurojnë Uzejrin alejhis selam. A do të thotë kjo, se ne duhet si reagim ta mohojmë ekzistencën e tyre, apo të denoncohemi nga ata?!… Ne nuk e adhurojmë Isain alejhis selam, as diellin, as planetët e as bioenergjinë. Ne adhurojmë vetëm Allahun, i Cili na krijoi neve dhe ato; dhe Ai është i vetmi që meriton të adhurohet. Duhet të dihet edhe fakti, se nuk ka energji kozmike në kuptimin e veprimeve hyjnore, apo mbikëqyrjes se kozmosit. Ky është një besim i kotë dhe i pavërtetë. Pra, ashtu siç nuk ka oksigjen me ndikime dhe veprime hyjnore, por pa te cilin nuk mund të jetojmë, po ashtu nuk ka energji me veprime dhe ndikime hyjnore, e gjithashtu pa të cilin nuk do të mund të jetonim! Ato janë elemente që Allahu i Lartësuar ua nënshtroi gjallesave dhe njerëzve dhe i bëri shkaqe për vazhdimin e jetës. Edhe një herë e përsëris: Ne gjithmonë duhet të mbështetemi tek Allahu, Krijuesi i shkaqeve, por në të njëjtën kohë t’i bëjmë edhe shkaqet.

Vërejtje me rendësi: Të lejohet të shkosh për shërim te ndonjë terapeut me bioenergji, por më përpara duhet të plotësohen tri kushte esenciale: Kushti i parë: terapeuti me bioenergji të jetë i kualifikuar dhe i certifikuar nga qendra trajnuese përkatëse të pranuara zyrtarisht nga autoritetet përkatëse. Kushti i dytë: praktikat e terapeutit me bioenergji të jenë neutrale, në kuptimin e mos-cenimit të ndonjë parimi të akides dhe të sjelljeve islame. Kushti i tretë: pacienti musliman duhet të ketë bindje të paluhatshme, se shërimi është në Dorë të Allahut të Madhërishëm, ndërkohë që mjekësia energjike është vetëm shkak material i krijuar nga Allahu i Lartë, d.m.th. që zemra e tij kurrsesi nuk duhet të mbështetet në atë shkak, por vetëm te Krijuesi i shkaqeve.

Literatura e shfrytëzuar:

1-The EFT Manual – Emotional Freedom Techniques (Manual i teknikës së lirisë emocionale). Autor: Gary Craig.

2- Atlik Kuvvete esh-shifa bidahilik (Liroje forcën e shërimit nga brenda). Dr. Roger Callahan dhe Richard Trubo.

3- El-Afije min dahilik (Shëndeti nga brendësia jote). Hasan el-Bishel.

4- El-Ilaxh bi mesarat et-Takah (Kurimi me meridianët e energjisë). Prof. Tam Edwards dhe Hamud el-Abri.