Sábado, 7/12/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Besimi dhe shërimi

Besimi dhe shërimi

A ndikon besimi, feja dhe lutjet në shërimin e njeriut?

Është një pyetje e cila i ka munduar shkencëtarë për shekuj me radhë. Vetëm gjatë dekadave të shkuara, janë zhvilluar me mijëra studime, të cilat i japin përgjigje pozitive pyetjes së mësipërme.

Që nga viti 1872, janë kryer me mijëra eksperimente dhe studime nga më të ndryshmet, për të vërtetuar nëse besimi dhe feja kanë ndikim shërues në shëndetin mendor dhe atë fizik të njeriut.

Sipas këtyre studimeve, koncepti i fesë përfshin besimin, ritualet dhe praktikat e përditshme të cilat kanë si synim kënaqësinë e Zotit.

Studimet kanë treguar se mes rritjes së besimit dhe përmirësimit të shëndetit, ekziston një lidhje përpjestimore, që do thotë se sa më i madh të jetë besimi, aq më shumë përmirësohet shëndeti. 256 studime kanë vërtetuar marrëdhëniet mes besimit dhe lumturisë, pra sa më shumë të rritet niveli i besimit, rritet dhe niveli i lumturisë.

229 studime janë fokusuar tek shpresa dhe kanë vërtetuar marrëdhënien e ngushtë mes  besimit dhe shpresës, 25 studime kanë vërtetuar marrëdhënien mes besimit dhe optimizmit, 42 studime kanë vërtetuar se besimi i jep kuptim jetës, 45 studime kanë vërtetuar se besimi rrit nivelin e vetëbesimit dhe vetë respektit, 13 studime kanë vërtetuar se besimi rrit kontrollin ndaj vetes, 68 studime kanë vërtetuar se besimi shton stabilitetin në familje, 15 studime kanë vërtetuar se besimi rrit imunitetin e trupit.

Besimi krijon dhe lidhje inverse, sipas të cilave shtimi dhe forcimi i besimit, ndikon në reduktimin e patologjive. Në 272 studime është vënë re se forcimi i besimit, ndikon në reduktimin e depresionit. Në 123 studime është vënë re se forcimi i besimit, ul ndjeshëm nivelin e vetëvrasjeve. Në 80 studime vihet re ulja e stresit, në 125 vihet re reduktimi i konsumit të alkoolit dhe lëndëve narkotike, në 149 studime është vërtetuar reduktimi pirjes së duhanit tek besimtarët, në 240 studime është vënë re përmirësimi i shëndetit të atyre që vuajnë nga tensioni i lartë, të alzajmer, kancerit etj…

Që prej shumë kohësh, neurologët studiojnë ndikimin fiziologjik që ritualet ushtrojnë në tru, gjë e cila ka çuar dhe në lindjen e një shkence të re, e cila merret me studimin e nervave në gjendje përhumbjeje gjatë kryerjes së ritualeve.

Nëpërmjet injektimit të një lënde e cila ndjek qarkullimin e gjakut, është vënë re se qarkullimi i gjakut ndikohet nga aktiviteti nervor. Qëllimi i shkencëtarëve dhe studiuesve ishte përcaktimi i vatrave që aktivizohen në tru dhe ato të tjerat që e humbasin aktivitetin e tyre, kur njeriu përjeton momente të lartësimit të shpirtit dhe ndjen prezencën e Krijuesit.

Studiuesit zbuluan se gjatë përhumbjes, lobi frontal i njeriut aktivizohej më shumë. Lobi frontal, pjesa ballore, është vatra e përqendrimit.

Por, ajo që nuk pritej, ishte qetësia që mbizotëroi pjesët e tjera të trurit, ku lobi parietal pothuaj u çaktivizua totalisht. Ky lob është përgjegjës për orientimin dimensional të trupit, ku fillon dhe ku mbaron, si dhe për marrëdhëniet e tij me gjithçka përreth.

Për këtë, njeriu, gjatë përhumbjes së tij shpirtërore, ndjen se të gjitha barrierat që e rrethojnë kanë rënë, se shpirti i tij është çliruar dhe shëtit në hapësirën e gjerë, ndjen madhështinë e Krijuesit dhe shkrihet me universin.

Besimi i jep kuptim jetës së njeriut dhe e bën krijimin e tij të qëllimtë. Ai e ndihmon njeriun në përballjen me vështirësitë e jetës, kultivon tek ai optimizmin në jetën e tij, për shkak të ekzistencës së një Krijuesi, i cili e do krijesën e Tij. Për këtë, me gjithë vështirësitë e jetës, njeriu i sheh ato si të përballueshme, falë durimit, shpresës dhe besimit se ka një Zot të drejtë dhe të gjithëpushtetshëm për të na i pranuar lutjet dhe për të na i larguar vuajtjet.

E gjitha kjo shkakton reduktim të tensionit dhe presionit nervor, duke stimuluar prodhimin e hormoneve të dobishme për trupin.

Në shoqëritë tona, ka njerëz të cilët nuk besojnë në asgjë tjetër përveç ilaçit material, duke mohuar ndikimin e arsyes, shpirtit, fesë dhe besimit. Sakaq, ekzistojnë të tjerë të cilët nuk i besojnë fare ilaçit material, duke u mbështetur vetëm tek fuqia e besimit dhe e fesë. Diçka të tillë, e mendojnë si mbështetje tek Zoti. Në fakt, të dy grupet janë të gabuar.

Ajo që duhet, është që të kërkojmë ndihmën e terapisë mjekësore, duke e mbështetur atë me lutje dhe rituale shpirtërore, të cilat përshpejtojnë shërimin.

E gjitha kjo vjen si vërtetim i pasazhit kuranor i cili thotë:”Me përkujtimin e Zotit, qetësohen zemrat.”

Profeti a.s thoshte:”Në trup gjendet një organ, i cili kur është në gjendje të mirë, i gjithë trupi është në gjendje të mirë, e kur sëmuret, sëmuret i gjithë trupi. Ky organ është zemra.”

Zemra që citohet në këtë thënie, nuk është zemra që pompon gjakun, por është zemra dhe bota e brendshme e njeriut. Prandaj, nëse bota e brendshme dhe esenciale e njeriut është në rregull, i tillë do të jetë dhe shëndeti i tij fizik.

Thotë Zoti në Kuran:”Do ua tregojmë faktet Tona në horizonte dhe tek vetet e tyre, derisa të binden se ai (Kurani) është i vërtetë.”

 

Përktheu: Elmaz Fida

(Visited 72 times, 1 visits today)
Top