Quinta-feira, 22/8/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Baballarët dhe ndikimi i tyre në mirëqenien e fëmijës

Baballarët dhe ndikimi i tyre në mirëqenien e fëmijës

Një sociolog i njohur,  Dr. David Popenoe thotë: “Baballarët janë më shumë se thjesht ‘I rrituri i dytë’ në shtëpi”, ai vazhdon: “Baballarët bashkëpunues sjellin përfitime pozitive tek fëmijët e tyre më shumë se çdo person tjetër”. Ata ndikojnë drejtpërdrejtë në mirëqenien e fëmijëve të tyre.

Ndikimi i marrëdhënieve nënë – baba në rezultatet e fëmijëve

Një ndër ndikimet më të rëndësishme që babai mund të ketë tek fëmijët tij është ajo indirekte, baballarët ndikojnë nëpërmjet marrëdhënieve me nënën e fëmijëve. Një baba që ka një marrëdhënie të mirë me nënën e fëmijëve të tij është më i prirur të jetë bashkëpunues dhe të shpenzoj kohë me fëmijët e tij. Po ashtu të ketë fëmijë që janë psikologjikisht dhe emocionalisht të shëndetshëm. Ndërkohë, një nënë e cila ndihet e vlerësuar nga babai i fëmijëve të saj dhe gëzon një status të lumtur ka më shumë gjasa të jetë një nënë më e mirë. Në të vërtetë, cilësia e marrëdhënieve ndikon në sjelljen e të dy prindërve. Ata janë më të përgjegjshëm, më të dashur, dhe më të afrueshëm me foshnjat e tyre; më të vetëkontrolluar kur kanë të bëjnë me fëmijë ngacmues; dhe më të afërt me adoleshentët që kanë nevojë për këshilla dhe mbështetje emocionale.

Një ndër ndikimet më të rëndësishme të një marrëdhënieje pozitive midis nënës dhe babait, është sjellja që modelohet tek fëmijët. Baballarët që e trajtojnë nënën e fëmijëve të tyre me respekt dhe i zgjidhin konfliktet në mënyrën e duhur dhe me pjekuri, ka më shumë gjasa që të kenë djem që kuptojnë se si duhen trajtuar femrat. Vajzat që kanë një baba bashkëpunues dhe respektues kuptojnë se si duhet të trajtohen nga meshkujt e tjerë. Ato kanë më pak gjasa të përfshihen në marrëdhënie të dhunshme dhe jo të shëndetshme.

Studimet kanë treguar se burrat që shfaqin agresivitet, përbuzje ose kundërshtojnë gratë e tyre mundësia është më e madhe që të kenë fëmijë ankthioz, të tërhequr ose antisocial.

Ndikimi i baballarëve në aftësitë dhe arritjet akademike të fëmijës

Fëmijët me baba bashkëpunues dhe përkujdesës kanë rezultate më të larta në mësime. Një sërë studimesh tregojnë se baballarët bashkëpunues, të edukuar dhe hokatar me foshnjat, kanë fëmijë me KI të lartë apo shumë të zgjuar dhe me kapacitet më të mirë gjuhësor dhe njohës. Të vegjlit që kanë një baba bashkëpunues e fillojnë shkollën më me dëshirë. Ata janë më të durueshëm dhe mund ti përballojnë streset dhe frustrimet lidhur me shkollën më lehtë se fëmijët e tjerë.

Ndikimi kur përfshihet babai në arritjet akademike është përgjatë adoleshencës dhe rritjes së hershme. Studimet tregojnë gjithashtu se të qenit një baba aktiv dhe i edukuar lidhet me aftësitë e mira verbale, intelektuale dhe arritjet akademike tek adoleshentët.

Lidhja mes martesës dhe të qenit baba

Baballarët bashkëpunues dhe të kujdesshëm ekzistojnë edhe jashtë martesës. Megjithatë ka më shumë mundësi të gjenden më shumë në kontekstin martesor. Ka shumë arsye për këtë, disa prej të cilave janë normat ligjore dhe sociale mbi martesën ato që e lidhin një baba me bërthamën familjare. Kjo gjë mund të shpjegojë pjesërisht se pse studimet tregojnë që një nënë dhe baba të martuar janë një mjedis më i mirë për rritjen e fëmijës se sa një familje ku nëna dhe babai bashkëjetojnë.

Ndikimi i baballarëve në zhvillimin psikologjik dhe sjelljen sociale të fëmijës

Që në lindje, fëmijët që kanë një baba bashkëpunues mund të jenë emocionalisht të sigurt, e eksplorojnë mjedisin përreth me siguri dhe gjatë rritjes kanë lidhje më të mira shoqërore me moshatarët e tyre. Gjithashtu këto fëmijë kanë më pak gjasa të sjellin telashe në shtëpi, në shkollë apo në lagje. Foshnjat që marrin më shumë dashuri nga babai kanë atashim më të sigurt; pra, ata mund të eksplorojnë ambientin lirshëm kur babai është afër dhe riafrohen më lehtë me të pas një ndarjeje të shkurtër. Ata gjithashtu janë më të shoqërueshëm me fëmijët e tjerë gjatë fëmijërisë së hershme.

Mënyra se si baballarët luajnë me fëmijët e tyre ndikon shumë në zhvillimin emocional dhe social të fëmijës. Baballarët ndikojnë në përqindje më të lartë duke i stimuluar dhe duke luajtur kokë më kokë me fëmijët më shumë se sa nënat. Nga ky lloj ndërveprimi fëmijët mësojnë të menaxhojnë ndjenjat dhe sjelljen e tyre. Përleshjet në formë loje me baballarët, ndihmojnë  fëmijët të menaxhojnë impulset agresive dhe kontaktin fizik pa humbur kontrollin e emocioneve. Baballarët priren të nxisin pavarësinë tek fëmijët.

Nga studim i bërë me fëmijët e moshës shkollore, rezultoi se fëmijët që kishin marrëdhënie të mira me baballarët e tyre mundësia ishte më e vogël të ishin pre e depresionit, të shfaqin sjellje shqetësuese, apo të gënjenin. Gjithashtu rezultoi se djemtë me baballarë të dashur kishin më pak problem me sjelljen në shkollë dhe vajzat kishin vetëvlerësim më të lartë. Studime të shumta theksojnë se fëmijët që jetojnë me baballarët e tyre mund të gëzojnë shëndet të mirë fizik dhe emocional, të kenë arritje më të larta akademike, të shmangin problemet me drogën, dhunën dhe sjelljet antisociale.

Si përfundim, mund të themi se baballarët kanë ndikim thelbësor dhe pozitiv në zhvillimin dhe shëndetin e fëmijëve.

Përktheu: Suada Hajredinaj

 

(Visited 87 times, 1 visits today)
Top