Quinta-feira, 19/9/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

8 Marsi!

8 Marsi!

“Mjafton krenari për gratë se përbëjnë më tepër se gjysmën e njerëzimit, edhe më tepër shtohet kjo krenari, kur dihet se ato kanë në dorë edhe pjesën tjetër të njerëzimit”.

Këtë fjali thoshte një dijetar në një rast kur fliste për pozitën e grave. Domethënia e kësaj fjalie është aq e qartë dhe aq e vërtetë, saqë të bën të habitesh nga gratë e sotme. Pse mashtrohen ato me gjëra të lira? Pse mashtrohen nëse dikush vendos që atyre t’ua kushtojë një ditë, 8 Marsin? Një ditë, ku do t’i përkujtojnë mundimet përgjatë historisë dhe duhet të mundohen të harrojnë nënçmimin që përjetojnë gjatë tërë vitit. Ato vërtet kanë natyrë të butë dhe kanë guxim të falin, por me çfarë ndërgjegjeje merr guximin dikush ta keqpërdorë këtë cilësi, duke u shtirur në këtë ditë se njohin dhe respektojnë pozitën e gruas në shoqëri? E shpalosin duke i blerë nënës, gruas, mësueses etj. lule me numër tek, që në të shumtën e rasteve është vetëm një lule, ose i dërgojnë në ndonjë restorant apo atë ditë vendos djali a burri, që ai t’i lajë enët e shtëpisë.
Dhe pas kësaj dite çdo gjë kthehet si më parë, nëna urdhërohet të mbetet në qoshen e saj të shtëpisë derisa ende nuk është dërguar në shtëpinë e pleqve, gruaja niset në punët e saja, që edhe ajo të “kontribuojë” materialisht për mirëmbajtjen e familjes, ashtu që të harrojë rolin e saj si nënë, e të mos flasim si bashkëshorte. Ajo duhet të ketë pamje të përsosur dhe sjellje të lartë para kolege/ëve, dhe pastaj lodhet që të njëjtën t’ia ofrojë fëmijëve dhe bashkëshortit. Ndërsa bija, ah bija, e cila babën e ka të zënë me punë, e tani edhe nënën, duke u mërzitur pse askush nuk e vëren, pse askush nuk i kushton vëmendje, mundohet të gjejë princin e ëndrrave në metoda më të ndryshme, derisa një ditë prindi të çuditet dhe të thotë: “Tashmë, gjeneratat e reja nuk i përfillin prindërit”. Nëse nuk e përfill tjetrin, as ai nuk të përfill ty, qoftë edhe fëmijë.

Këtë deformim në shoqëri, këtë parregullsi mendojnë ta rregullojnë me disa formalitete: duke mos u ndalur së foluri për të drejtat e gruas, duke sulmuar qëndrimin e gruas në shtëpi si edukatore dhe duke festuar 8 Marsin.

Kjo Fe, pozitën e gruas e ka ngritur në piedestalin më të lartë, e ka nderuar dhe respektuar, i ka caktuar rolin e saj në shoqëri dhe shpëtimin në xhenet e ka lidhur ngushtë me respektin ndaj kësaj gjinie.

Për nënën: Allahu i Lartmadhëruar në Kur’an thotë: “Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as ‘uh’!, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti”. (Isra 23).

Të Dërguarin e Allahut një njeri e pyeti: O i Dërguar, kush nga njerëzit meriton që më së miri të sillem ndaj tij? Nëna jote – u përgjigj. Po pastaj? – pyeti sërish. Nëna jote – u përgjigj njëjtë. Po pastaj? – përsëriti pyetjen. Nëna jote – u përgjigj prapë. Po pas saj? – pyeti prapë. Babai yt – u përgjigj i Dërguari, salAllahu alejhi ue selem.

Për bashkëshorten: I Dërguari salAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “Më i miri prej jush është ai që është më i mirë me familjen e tij. Unë jam më i miri ndaj familjes”. (Shënon Tirmidhiu 3830)

Për vajzat dhe motrat: Resulullahi, salAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush ka tre bija apo tre motra, ose dy bija apo dy motra, me të cilat sillet mirë dhe kujdeset, atij i takon xheneti”. (Sahihu Tergib 1973).

(Visited 27 times, 1 visits today)
Top