Domingo, 2/4/2023 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
United States
+11C

5 Cilësitë dhe begatitë e Natës së Kadrit

5 Cilësitë dhe begatitë e Natës së Kadrit

nata e Kadri

Kjo natë është më e mira e të gjithë netëve. Allahu e ka nderuar atë më fhumë se netët e tjera. Ajo është një natë e begatë. Allahu thotë: “Ne e zbritëm atë në një natë të begatë” Ed Duhan 3.

Kurtubiu ka thënë: “Allahu e ka cilësuar atë si të begatë, sepse Ai në këtë natë zbret begati, mirësi dhe shpërblim për robërit e Tij.” Tefsiri i Kurtubiut” 16/126.

Nata e Kadrit, kjo natë e begatë përmban vlera madhështore dhe mirësi te shumta.

1- Në këtë natë vendoset saktësisht fati i çdo gjëje

Allahu thotë: “Në atë (natë) zgjidhet çdo çështje në mënyrë të prerë.”Ed Duhan 4

Ibn Abasi (r.a.) thotë: “Çdo gjë që ndodh gjatë vitit, si e mira, e keqja, caktimi i rrisqeve dhe i moshave shkruhen prej Librit Mëmë, Natën e Kadrit.” Tefsiri i Ibn Kethirit” 4/532.

 2-Veprat shumëfishohen Natën e Kadrit dhe atij që e kalon me adhurim këtë natë i falen gjynahet

Allahu në suren Kadr thotë: “E ç’të bëri ty të dish se ç’është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj!” El Kader 2-3

Komentuesit e Kuranit kanë thënë: “Vepra e mirë gjatë Natës së Kadrit është më e vlefshme se vepra gjatë njëmijë muajve, pa Natë Kadri në to.’”Kjo padyshim është një mirësi e madhe, një mëshirë e Allahut për robërit e Tij, një begati e qartë dhe madhështore e kësaj nate.

Buhariu dhe Muslimi transmetojnë në të dy Sahihet e tyre nga Ebu Hurejre (r.a.), se i Dërguari i Allahut alejhi selam  ka thënë: “Kush qëndron në Natën e Kadrit me besim e me shpresë, do t’i falen të gjitha gjynahet e kaluara. “Sahih Buhari.

Qëndrimi në Natën e Kadrit kryhet me namaz, me përkujtim, me lutje, me lexim Kurani dhe me të tjera vepra të mira.

3-  Kurani Fisnik është zbritur në këtë natë

Një tregues i vlerave dhe begative të Natës së Kadrit është edhe zbritja e Kuranit në të. Kurani, në të cilin gjendet udhëzimi i njerëzve dhe lumturia e tyre në këtë jetë dhe në jetën tjetër, është zbritur në Natën e Kadrit. Allahu i Madhëruar thotë: “Ha, Mim. Pasha Librin e qartë. Ne atë e zbritëm në një natë të begatë”Ed Duhan 1,2,3 dhe: “Ne atë e zbritëm në Natën e Kadrit.”El Kader 1

Sipas mendimit të një grupi dijetarësh, Kurani është zbritur njëherësh në Natën e Kadrit, pastaj i është zbritur të Dërguarit të Allahut alejhi selam pjesë- pjesë. Mirëpo një grup tjetër janë të mendimit se ky ajet kuranor që përmendëm më sipër, ka si qëllim fillim e zbritjes së Kuranit në Natën e Kad rit. Gjithsesi, Allahu e di më së miri këtë çështje.

4-  Zbritja e melaikeve është një tjetër begati e kësaj nate

Allahu i Madhëmar në suren Kadr thotë: “Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) zbresin melaiket dhe shpirti (Xhibrili).”El Kader 4

Ibn Kethiri në tefsirin e tij thotë: “Shumë melaike zbresin në këtë natë, për shkak të begative të shumta të saj. Melaiket zbresin gjithnjë me zbritjen e begatisë dhe mëshirës, sikurse zbresin kur lexohet Kuran. Ata zbresin për të rrethuar tubimet e përkujtimit dhe për të ulur krahët e tyre për nxënësin e sinqertë të dijes në shenjë madhërimi për të.” Tefsiri i Ibn Kethirit” 4/532.

Shpirti në këtë ajet nënkupton Xhibrilin, sipas mendimit të shumicës së komentuesve të Kuranit. Melaiket zbresin dhe bashkë me ta është edhe Xhibrili. Xhibrili përmendet në veçanti në këtë ajet për të treguar madhështinë dhe pozitën e lartë të tij. Çelja e Fuqiplotit” e Sheukanit 5/472.

5-Ajo është paqe. E tërë Nata e Kadrit është e mirë, në të nuk ka asgjë të keqe

Allahu (xh.sh.) thotë: “Ajo është paqe.” El Kader; 5.

Disa komentues janë shprehur se Nata e Kadrit është paqe, sepse në të nuk shkaktohet ndonjë sëmundje dhe nuk lirohet asnjë Shejtan.

Disa të tjerë janë shprehur se paqja në këtë natë nënkupton mirësinë dhe begatinë (Furnizimi i udhëtarit” e Ibn Xheuzit 9/194.)

dhe se e tërë Nata e Kadrit është mirësi, nuk ndodh në të diçka e keqe deri në agim.

Të tjerë kanë thënë se paqja këtu nënkupton përshëndetjen e melaikeve me paqe gjatë kësaj nate ndaj atyre që gjenden nëpër xhami. Tefsiri Bin Kethirit” 4/532.

Këto ishin disa nga vlerat dhe begatitë më kryesore të kësaj nate të veçantë.

SHKEPUTUR NGA LIBRI “KERKIMI I BEGATISE”
AUTOR NASIR IBN MUHAMED EL XHEDI