Quarta-feira’, 23/10/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Paqja qoftë me ju

Paqja qoftë me ju

By: Dr. Selman Aude

Paqja qoftë me ju

Bëra një hulumtim lidhur me fjalët më të përhapura dhe më të përdorura në fjalorin mes myslimanëve në marrëdhëniet me njëri-tjetrin dhe kërkimi më çoi tek tre syresh:

E para, dëshmia se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Zotit, e cila e bën njeriun pjesë të umetit mysliman dhe të cilën e citojmë me dhe pa raste për të shtuar sevapin dhe për të ripërtërirë besimin.

E dyta, “bismilahi” me të cilën fillojmë çdo vepër të mirë duke i kërkuar Zotit ndihmë për përmbushjen e detyrave dhe arritjen e suksesit. Këtë fjalë, myslimani e reciton sa herë që ia nis një pune individuale qoftë apo kolektive.

E treta, ishte togfjalësh i përshëndetjes mes myslimanëve “Esselamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu” (paqja, mwshira dhe bereqeti i Zotit qoftë me ju). Qëllimi dhe thelbi i saj është ndërtimi dhe konsolidimi i marrëdhënieve sublime mes individëve të shoqërisë të gjitha shtresave.

Në këtë përshëndetetje, ashtu si tek “bismilahi” manifestohet fjala “mëshirë – rahmet” mbi të cilën bazohen marrëdhëniet e myslimanit me Zotin, por edhe me vëllanë e tij mysliman.

Përse i përshëndesim të tjerët me selam?

Unë u thellova pak në kuptimin dhe domethënien e kësaj fjale dhe zbulova se sillej rreth katër kuptimeve:

Kuptimi i parë: Kur të përshëndes me selam, sikur të dhuroj paqen, të shoqëruar me një nga emrat e Zotit të lartësuar; I Plotfuqishmi, i Shenjti dhe Paqedashësi. Tregon Abdullah ibnu Mesudi:”Gjatë namazit citonim:”Paqja qoftë mbi Allahun, mbi filanin…” Por Profeti a.s na tha një ditë:”Allahu është Paqedashësi, prandaj nëse dikush qëndron ulur në namaz, le të thotë:”Ettehijat (përshëndetjet) lilahi ves salavatu… salihin.” Kur e thotë këtë, bereqeti mbërrin tek çdo rob i ndershëm dhe dinjitoz.” (Buhari, 6328)

Prandaj, kur të jap selam, është njësoj sikur të them se je në mbrojtjen, kujdesin dhe vëmendjen e Allahut. Urtësia e zgjedhjes së këtij emri të bekuar, qëndron në faktin se ai shpreh shpëtimin nga çdo e ligë dhe largimin nga çdo e keqe e dëmshme.

Kuptimi i dytë: Shpëtimi nga të metat dhe mangësitë. Përshëndetja me selam në thelb është një lutje që Zoti të shpëtojë dhe ruajë nga çdo ligësi që mund të prekë besimin apo jetën tënde. Ajo që e përforcon këtë ide, është vetë fakti se selami mund të vijë i shoqëruar me emrin e Allahut “Selamullahi alejkum”.

Kuptimi i tretë: Siguria. Të japësh dhe përshëndetësh me selam, do të thotë të nënshkruash marrëveshje paqeje dhe sigurie mes teje dhe tjetrit, ku ti je nismëtari dhe iniciatori. Në këtë rast, sikur i thua palës tjetër: Mos kij frikë prej meje dhe mos u shqetëso, pasi nuk kam asnjë qëllim të keq ndaj teje, s’bëhet fjalë për komplot, as shfrytëzim dhe as për urrejtje. Përballë teje unë jam një faqe e bardhë e cila titullohet: Sinqeritet, besë dhe mirëkuptim.

Frika nga çdo gjë e panjohur, ka qenë zakon dhe traditë e njerëzve përgjatë shekujve, saqë luteshin:”Zoti na ruajt nga çdo gjë e panjohur!” Por kur u vinte një i panjohur dhe i përshëndeste menjëherë me:”Paqja qoftë mbi ju!” u largohej frika dhe paniku duke u qetësuar e rehatuar.

Që këtu, është mirë që përshëndetja “Esselamu alejkum” të kthehet me fjalët “We alejkum selam” e njëjtë ose duke shtuar fjalë të tjera.

Nëse dikush që vjen na thotë “Ue alejke” do të ndiheshim në siklet dhe do të na lindnin dyshime lidhur me qëllimet që fsheh.

Prandaj, përshëndetja me selam, është garanci dhe besë e cila nuk shkelet, është marrëveshje e cila nuk prishet. Ebu Bekri Zoti qoftë i kënaqur me të, thoshte:”Selami është garancia e Zotit në tokë.” Kurse Profeti a.s thoshte:”Musliman, është ai i cili është në paqe me myslimanët e tjerë, si me gojë ashtu dhe me vepra.” (Buhari, 10)

Kuptimi i katërt: Dëlirësi, pastërti dhe zemërbardhësi. Kështu kuptojmë se përshëndetja me selam – paqe, i fshin mëritë e kaluara dhe debatet shterpë. Selami është një faqe e re, epokë plot shkëlqim, miqësi, dashuri dhe besë.

Tregon një nga të parët tanë:”Nëse dikush me të cilin jam konfliktuar më takon dhe më përshëndet me selam, më zbutet zemra në çast.”

Prandaj, mos harrojmë se përshëndetja me paqe (selam) nuk është thjesht një fjalë që del nga goja, një fjalë e zhveshur nga çdo përmbajtje dhe domethënie. Në fakt, ajo është një linjë e re marrëdhëniesh, është fabrikë harmonie dhe mirëkuptimi mes njerëzve.

Selami (paqja), është një emër të cilin Zoti e zbriti në  tokë për një qëllim të lartë, ai është simboli i harmonisë, emblema e miqësisë, dëshmitari i dashurisë dhe çelësi i prezantimit. Me anë të tij largohet vetmia, thyhet frika, manifestohet mirësia dhe merr jetë suksesi.

Përshëndetja me selam është një lloj ushtrimi për më shumë modesti dhe respekt për të tjerët. Njerëzit janë të gjithë njëlloj përballë selamit, nuk i dallon dhe diferencon asgjë. Prandaj, përshëndetja me selam vlen si për ata që i njeh ashtu dhe për ata që nuk i njeh. Ky fakt, e mbush me energji njeriun dhe e orienton drejt objektivave madhore dhe të fisme.

Motoja e Islamit është selami, i cili përmban në vetvete mëshirën dhe ajo është dy llojesh:

E para, është cilësi e Zotit të lartësuar (Errahman dhe Errahim). E mëshira e Tij i paraprin zemërimit. Ai e ka obliguar veten e Tij me mëshirë. Prandaj trashëgimia islame është e mbushur dhe zien nga ky emër dhe kjo cilësi hyjnore, të  cilën e hasim pothuaj në çdo lutje dhe dhikër.

E dyta, mëshira e krijesave. Në një hadith të transmetuar nga imam Buhari dhe Muslim, thuhet se Profeti a.s ka thënë:”Zoti i lartësuar ka njëqind njësi mëshire. Vetëm njërën njësi e ka zbritur dhe instaluar në tokë, me të cilën mëshirohen njerëzit, egërsirat, shpendët dhe kafshët. Kurse 99 njësi të tjera i ka rezervuar për Ditën e Llogarisë.” (Buhari, 6000 – Muslim, 2752)

Fjala mëshirë (rahmet) përfshin zemërbutësinë, mirësjelljen dhe tolerancën.

Zoti i lartësuar krijoi Ademin a.s dhe i fryu shpirtin. Kur shpirti i mbërriti tek zgavrat e hundës, Ademi a.s teshtiu dhe Zoti i tha:”Të mëshiroftë Allahu o Adem!” Kështu, shohim që mëshira hyjnore ishte fjala e parë me të cilën Zoti i lartësuar iu drejtua robit, të dërguarit të Tij dhe babait tonë Ademit a.s. Ndoshta, teshtima e Ademit a.s me ti mbërritur shpirti tek zgavrat e hundës, ishte treguesi i jetës së tij dhe se ajo – jeta – i ka mbërritur tek hunda. Këtë ide e përforcojnë fakihët dhe shkencëtarët bashkëkohorë të cilët thonë se jeta fillon nga truri, e nëse vdes truri, njeriu radhitet tek të vdekurit dhe trajtohet sipas dispozitave të vdekurit. Por edhe përfundimi i njeriut, është drejt mëshirës dhe se problemet dhe vështirësitë me të  cilat përballet në këtë jetë, janë aksidentale.

Në lashtësi, arabët e konsideronin teshtimën si sëmundje dhe mendonin se ajo është rrufë e dhimbje. Por profeti Muhamed a.s i sqaroi se Zoti i lartësuar e do teshtimiën dhe e urren hapjen e gojës. Ai na ka obliguar që personit që teshtin ti themi:”Jerhamukallah!” (Të mëshiroftë Zoti) (Buhari, 6223)

Sikur teshtima të ishte diçka aksidentale e cila së shpejti do të largohej duke lënë pas shëndetin dhe mirësinë. Për këtë ne lutemi që personi të kthehet sërish në normalitet. Kjo nënkupton dhe është sinjal që gjithçka që prek myslimanin në këtë jetë, në shëndetin e tij, pasurinë, familjen, fëmijën apo besimin, është diçka aksidentale në vetvete e cila do të shuhet edhe pse mund të lërë shenja.

Fatkeqësitë dhe problemet që na vijnë, nga vetja apo armiku, duhet të shihen si aksidentale dhe rastësore, të pasohen nga vepra të mira, ftesë në rrugë të Zotit dhe reforma të njëpasnjëshme. Umer ibnu Abdul Aziz lutej:”O Zot! Nëse unë nuk e meritoj të përfshihem nga mëshira Jote, është mëshira Jote ajo që meriton të më përfshijë mua. Mëshira Jote përfshin gjithçka, e meqë unë jam pjesë e  gjithçkaje, më përfshi me mëshirën Tënde o i Gjithëmëshirshëm.”

“Berekatuhu” është emër shumës, kurse njëjësi është “bereke” (bereqet). Ky emër përfshin gjithë të mirat e Zotit të përhershme dhe të përsëritshme. Për këtë, përshëndetja islame, vjen në shumës “Esselamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu (bereqetet e Tij), sepse bereqetet shfaqen tek fëmijët, pasuria, jeta, koha, punët dhe në çdo gjë tjetër.

Bereqeti i pasurisë është me shtimin e saj, si dhe faktin që është fituar dhe shpenzohet në hallall, larg haramit.

Bereqeti në fëmijë, manifestohet tek udhëzimi i tyre, edukimi i mirë, përkujdesi etj… Ka njerëz për të cilët pasuria është barrë e rëndë për ta, pasi janë kopracë dhe dorështrënguar duke mos e shpenzuar as për veten dhe as për fëmijët. Njerëz të tillë, bëjnë pazar për ta ulur çmimin, edhe me personin që do u hapë varrin, me shpresën se do i ulin ndonjë qindarkë më shumë.

Po ashtu, barrë është dhe fëmija për prindin, nëse ka ndjekur rrugë të keqe. “..ata i drejtohen Allahut për ndihmë, (duke i thënë djalit): “Mjerë për ty! Beso, sepse premtimi i Allahut është i vërtetë!” (Ahkaf, 17)

Bereqeti manifestohet edhe tek jeta, morali i mirë, modestia dhe thjeshtësia. Ajo manifestohet tek koha, nëpërmjet menaxhimit të drejtë të saj, duke e mbushur me përkujtim të Zotit, istigfar dhe vepra të mira.

Bereqeti në jetë, është për ata që jetojnë jetë dinjitoze dhe të ndershme. Ka njerëz të cilët jetojnë vetëm dyzet apo pesëdhjetë vite, megjithatë ata kanë mbushur botën me dije dhe famë. Sakaq, ka të tjerë që i kalojnë të njëqindat, por emri i tyre u harrohet me tu kthyer nga varrimi, pasi nuk kanë lënë pas punë të mira, apo fëmijë të mbarë. Ata vdesin në brigjet e kësaj jete, pa u kujtuar kush për ta.

Bereqeti është edhe në dua dhe lutje, që Zoti ti shtojë të mirat, pasurinë, familjen, fëmijët dhe jetën. Që këtu, kuptojmë se përshëndetja islame e plotë “Esselamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu” përfshin paqen, mëshirën dhe bereqetin. Ajo fillon me paqen, për tu lutur që të jesh i shpëtuar nga çdo e ligë, edhe pse njeriu mund të shpëtojë nga ligësia, por nuk sheh ndonjë të mirë. Për këtë, pasohet nga rahmeti ose mëshira e Zotit, e cila përmban lutje që ti jepen të mirat e Tij, ti shtohen dhe të jenë të përhershme.

Nëse do të bënim një hulumtim mbi përshëndetjet e të gjithë kombeve mbi faqen e tokës, nuk do të gjejmë si përshëndetja islame, domethëniet e saj, bereqetin dhe mirësitë.

Jo praktikantët, i dëgjojmë të përdorin përshëndetje të tilla si: Mirëmëngjes, mirëmbrëma, natën e mirë etj… përshëndetje të cilave u mungojnë kuptimet dhe gjithëpërfshirja e përshëndetjes islame.

Besimtari mysliman, teksa shkëputet nga namazi dhe lutja e tij e përditshme, përshëndet me selam një herë në drejtim të supit të djathtë pastaj në drejtim të supit të majtë. Këto shprehje sinjalizojnë përfundimin e lutjes dhe namazit të tij. Kështu, në çdo gjendje, në namaz kur komunikon me Zotin, apo gjatë komunikimit me njerëzit, besimtari e fillon dhe përfundon me selam, paqe, mëshirë dhe bereqet.

Sa madhështor është Islami dhe sa të fisme janë mësimet e tij! Besimtari i freskon marrëdhëniet mes tij dhe vëllait mysliman, fqinjë qofshin, ortakë apo të afërm, me puhiza dashurie, zemërbutësie dhe miqësie. Ai nuk lejon që debatet dhe konfliktet aksidentale, të zëvendësojnë lidhjen e vëllazërisë.

Kurani fisnik na bën thirrje të kapemi fort pas litarit të Allahut dhe të mos përçahemi. Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani!” (Al Imran, 103)

Le ta të jetë motoja jonë në jetë, fillimisht e mbarimisht: Paqja, mëshira dhe bereqetet e Zotit qofshin me ju!

 

Përktheu: Elmaz Fida

(Visited 25 times, 1 visits today)
Top