Domingo, 21/4/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

4 llojet e gurëve që formohen në trupin e njeriut



4 llojet e gurëve që formohen në trupin e njeriut

Hera–herës, në trupin tonë formohen guralecë, ndaj le të shohim si zhvillohen dhe si mund t’i parandalojmë ata.

Kur trupi ynë prodhon më shumë seç duhet disa lloje mineralesh ose lëndë kimike, formohen gurë, të cilët shpeshherë na sjellin shqetësime. Por cilët janë ata më të zakonshmit dhe si mund t’i parandalojmë dhe të ulim rrezikun?

GURËT NË VESHKA: Gurët në veshka kanë madhësinë e një kokrrize rëre ose të një topi golfi. Ata përbëhen nga mbetjet kimike kristalore në urinë.

Në 4-8 % të njerëzve, ata zhvillohen me kalimin e moshës ose si pasojë e historikut familjar. Janë më të zakonshëm në vendet me klimë të nxehtë, nëse nuk hidratoheni dhe nuk pini lëngje mjaftueshëm, pasi urina bëhet më e koncentruar.

Dhimbja e mesit nën brinjë është një nga shenjat kur këta gurë lëvizin në traktin urinar midis veshkave dhe fshikëzës. Shenjat e tjera janë gjakderdhja në urinë, të vjella dhe temperaturë. Kur këta gurë lëvizin, dhimbjet janë aq të forta sa shpesh kemi dëgjuar t’i krahasojnë me dhimbjet e lindjes.

Gati 90 % e tyre kalojnë pa shenja dalluese dhe nuk i ndiejmë fare, por kur një gur ngec, atëherë kemi nevojë për ultratinguj që të shpërbëhet dhe të dalë më pas me urinën. Gurët më të mëdhenj kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale, duke përdorur endoskopinë, transmeton living.al.

Zvogëloni rrezikun duke ndjekur këshillat e mëposhtme: Pini rreth 2 litra lëngje në ditë, për të përgjysmuar rrezikun; Agrumet ndryshojnë aciditetin e urinës dhe ulin ndjeshëm rrezikun, ndaj konsumoni portokaj, qitro ose boronicë, e cila gjithashtu ndihmon; Zvogëloni sasinë e kripës që konsumoni.

Trajtoni menjëherë infeksionet urinare, sepse disa prej tyre rrisin rrezikun e formimit të gurëve.

GURËT E TËMTHIT: Pas moshës 50-vjeçare, gati 15 % e njerëzve zhvillojnë gurë të përbërë nga kolesteroli, kripërat biliare dhe kalciumi.

Ata zhvillohen në xhepin e vogël që prodhon bilën, e cila shpërbën yndyrat në energji. Fakti i të qenit femër, mbipeshë dhe me histori familjare me gurë në tëmth rrit ndjeshëm rrezikun.

Në 70 % të rasteve ata nuk shkaktojnë asnjë problem, por nëse këta gurë bllokojnë ndonjë nga kanalet që lidhen me fshikëzën e tëmthit, atëherë shkaktojnë shumë dhimbje abdominale, të përziera dhe të vjella.

Ngjyra e verdhë që merr lëkura është gjithashtu një tregues. Ultratingujt përdoren për t’i thërrmuar gurët, por kur kjo terapi është e pamundur, tëmthi duhet hequr me ndërhyrje të specializuara kirurgjikale, sipas udhëzimeve të mjekut.





Zvogëloni rrezikun duke ndjekur këshillat e mëposhtme: Pjesa më e madhe e njerëzve shton gati 1 kg në vit, ndaj duhet të kujdeseni që të parandaloni shtimin në peshë, sidomos në moshën e mesme; Studimet tregojnë se konsumi i Vitaminës C ul ndjeshëm rrezikun e formimit të gurëve, ndaj konsumoni sa më shumë agrume, perime të gjelbra, luleshtrydhe, domate dhe pjepër; Hani sa më shumë fibra, bishtaja, drithëra dhe perime.

Disa studime të kryera te femrat tregojnë se konsumi i katër kafeve në ditë (jo ato pa kafeinë) ulin rrezikun e formimit të gurëve në tëmth.

GURËZAT E PËSHTYMËS: Gurëzat e gjëndrave të pështymës prekin 1 në 100 njerëz dhe formohen në gjëndrat e pështymës.

Ato përbëhen nga kalciumi i ngurtë dhe kripërat që bllokojnë kanalet rreth nofullës, anës fytyrës ose nën gjuhë. Ato janë më të zakonshme kur jeni të dehidratuar dhe pështyma bëhet shumë e trashë.

Gjithashtu, grimcat e ushqimit dhe bakteret luajnë një rol shumë të rëndësishëm në krijimin e tyre. Shenjat dalluese janë vështirësi dhe dhimbje në hapjen e gojës, gëlltitjen e pështymës ose kur ushqeheni, skuqje dhe temperaturë.

Përmasat e tyre arrijnë deri në 0.5 cm dhe zakonisht diagnostikohen me rreze X, ultratinguj ose rezonancë magnetike. Nëse janë të vegjël, kalojnë nëpërmjet gojës dhe nuk i ndiejmë fare, por, nëse janë shqetësuese përdoret endoskopia për diagnostikimin e tyre.

Zvogëloni rrezikun duke ndjekur këshillat e mëposhtme: Pini shumë ujë, që ta mbani pështymën të hollë; Konsumoni ushqime të athëta, si lëngu i limonit, për të rritur sasinë e pështymës dhe të mbani kanalet sa më të pastra; Lani rregullisht dhëmbët dhe pastroni hapësirat midis dhëmbëve me fill dentar.

GURËT NË FSHIKËZËN E URINËS: Gurët në fshikëzën e urinës formohen nga mineralet në urinë, që forcohen pasi ajo nuk zbrazet e gjitha.

Shenjat përfshijnë dhimbje barku, gjakosje në urinë dhe dhimbje në penis ose testikuj. Gurët dalin jashtë nëse konsumoni shumë ujë, por në disa raste trajtimi me lazer ose ultratinguj është i nevojshëm për t’i thërrmuar, ose ndërhyrje kirurgjikale kur janë shumë të mëdhenj dhe të vështirë për t’u thërrmuar.

(Visited 17 times, 1 visits today)




Top