Monday, 29/5/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Zemërimi dhe depresioni


Zemërimi dhe depresioni


depresioni zemerimi

Kur Allahu i Madhërishëm krijoi njeriun, Ai krijoi brenda tij shumë emocione dhe dëshira, që ne i quajmë instinkte njerëzore. Këto përfshijnë cilësi pozitive siç është njohja dhe shprehja e të vërtetës, dashuria, dhembshuria dhe dëshirat e plota fiziologjike, sikurse etja, uria dhe nevojat seksuale. Ekzistojnë edhe cilësi negative sikurse urrejtja dhe tërbimi, që prodhojnë dhunë dhe depresion. Melekët që ishin dëshmitarë të krijimit të Ademit alejhi selam ishin të vetëdijshëm për këto cilësi negative dhe hulumtuan krijimin e kësaj qenie të re e cila sipas fjalëve të tyre: “A do ta vësh në te atë që bën çrregullime dhe që derdh gjaqet…” (Bekare, 30), mirëpo Krijuesi i Gjithëdijshëm, ka mbjellë disa mekanizma mbrojtës në luftë kundër këtyre pasioneve negative. “Njeriu është krijuar i dobët” thotë Kurani.

Gjatë momenteve të dobësisë ne i nënshtrohemi qëllimeve të armikut tonë, shejtanit, i cili na “sulmon nga para, prapa dhe anash”, me qëllim që të na çorientojë nga vetëdija e pandërprerë mbi praninë e Allahut, kështu që tërbimi në vetvete nuk është i natyrshëm. Kjo është shprehje e gabuar për zemërimin, i cili sjell deri te problemi.

Zemërimi (tërbimi) i destabilizon mendimet. Ai çrregullon gjykimin normal, udhëheq në depresion, çmenduri dhe veprime të gabuara. Gjatë zemërimit  njeriu mund të lëndojë fizikisht dhe verbalisht personin e dashur, lëndon personin tjetër sikurse kafsha, ose gjatë fazës së depresionit mund të lëndojë veten, ose të bëjë vetëvrasje. Kur zemërimi orientohet ndaj një grupi njerëzish, ai mund të shprehet me terrorizëm, qoftë kur drejtohet kundër një grupi njerëzish, feve dhe popujve të tjerë. Plotësimi natyral i dëshirave normale, qoftë në kuptimin e ushqimit, ose të marrëdhënieve seksuale është parakusht për parandalimin e zemërimit. Ekzistojnë shumë kemikate dhe hormone që ndikojnë në disponimin dhe sjelljen tonë.

Është e ditur që hipoglicemia (niveli i ulët i sheqerit në gjak), ose tajitja tejmase e hormoneve të gjëndrës mbrojtëse ndikon në disponimin tonë dhe shkakton zemërimin. Hormonet duhet të mbahen në baraspeshë, e cila e lehtëson harmoninë tonë shpirtërore. Pejgamberi ynë, Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem, u dërgua për mbarë njerëzimin për të na mësuar sjelljet e bukura morale dhe vazhdimisht ka folur për kontrollimin e zemërimit. Një sahab e pyeti Pejgamberin: “Më jep një këshillë të shkurtër për moralin në bazë të së cilës mund të shpresoj mirësi në këtë dhe në botën tjetër?”  Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, iu përgjigj: “Mos u zemëro.”

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, njëherë i pyeti  shokët e tij: “Kë mendoni njeri të fortë?”Ndërsa ata iu përgjigjën: “Ai që mund ta mposhtë dikë në luftë.” Pejgamberi u përgjigj: “Nuk është kështu. I fortë është ai që mund të kontrollohet në momentet e hidhërimit.”

Duhet të bëjmë dallimin në mes zemërimit si përgjigje natyrale ndaj padrejtësisë dhe tradhtisë dhe zemërimit joproduktiv si hakmarrje personale. Në një rast kalifi Ali duke luftuar u ballafaqua me kryeparin e idhujtarëve, e mposhti dhe deshi ta vrasë, kur ai në atë çast e pështyu në fytyrë. Aliu radijallahu anhu,menjëherë u ngrit dhe u largua duke mos e vrarë atë. Njeriu vrapoi pas tij dhe e pyeti: “Pate rastin të më vrasësh, përse nuk e bëre?” Aliu tërësisht i qetë u përgjigj: “Nuk kam urrejtje personale ndaj teje, kundër jush luftoj për shkak të mosbesimit tuaj ndaj Allahut. Sikur të të mbysja pasi më pështyve në fytyrë, atëherë lufta do të ishte hakmarrja ime personale, e unë në këtë nuk dëshiroj të marrë pjesë.”- Pas kësaj kryepari idhujtar e pranoi menjëherë Islamin.

Çfarë ndodh fiziologjikisht kur zemërohemi?

Në ato çaste rritet frekuenca e zemrës dhe tensioni i gjakut, si pasojë e veprimit direkt të adrenalinës në gjak. Rritet fuqia jonë fizike, ndërsa zvogëlohet fuqia shpirtërore. Mendja jonë dhe fuqia e gjykimit mënjanohen, dhe gjërat të cilat në gjendje normale mund t’i arsyetonim bëhen të papranueshme. Organet e trupit tonë, të cilat zakonisht janë nën kontrollin tonë dalin jashtë kontrollit. Pra, gjuha jonë, duart, këmbët dalin jashtë kontrollit. Personi, i cili nuk kontrollon dhe nuk e orienton zemërimin mund të ndërtojë hidhërimin brenda vetes, i cili mund ta lëndojë atë fizikisht. Përveç depresionit dhe ndjenjës së shpirtngushtësisë gjatë fazës së paraqitjes së zemërimit, ritmi i shpejtuar i zemrës dhe tensioni i lartë i gjakut mund të dëmtojnë zemrën, bile duke shkaktuar në fund edhe sulm në zemër. Përveç dhunës gjatë fazës së zemërimit (sepse mendja nuk punon drejtë) njeriu mund të marrë një vendim të gabuar në punën e tij ose në marrëdhëniet personale dhe kështu mund të ndikojë keq në ardhmërinë e tij.

ILAÇI I ZEMËRIMIT

Ilaçi i parë preventiv është nga ndjeshmëria në provokime. Kjo duhet të jetë e domosdoshme që njerëzit të preokupohen  me diçka tjetër, me qëllim orientimin e tyre personal. Përveç përkujtimit ndaj Allahut ose ibadetit, ekzistojnë edhe mënyra të tjera që mund të ndihmojnë. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, e ka këshilluar një njeri, që të pijë ujë kur të hidhërohej me bashkëshorten dhe ta mbajë në gojë pa e çuar poshtë. Disa muaj pas kësaj këshille ky bashkëshort shkon te Pejgamberi, duke e njoftuar se këshilla e tij ka pasur sukses. Meqë besojmë se zemërimi është shprehje e kontrollimit të shejtanit, nuk duhet ta lejojmë që ai të marrë kontrollin. Allahu i Madhërishëm në Kuranin Fisnik urdhëron e thotë: “E nëse ty të ngacmon ndonjë ngacmim prej djallit, ti kërko mbrojtje prej Allahut, se vërtetë Ai është dëgjuesi, i dijshmi.” (Fussilet, 36).

Një shkrim tjetër i dobishëm  “Shtatë fjalë të cilat gruaja i dashuron që t’i dëgjojë ato”

Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem, ka këshilluar që kur jemi të zemëruar të ulemi, ose të shtrihemi, sepse nuk është e lehtë ta godasësh dikë kur jemi në këtë pozicion. Por ilaçi më i mirë është të mendosh për hidhërimin dhe dënimin e Allahut. A thua hidhërimi i Allahut është më i vogël se i yni? Dhe çfarë ndodh kur Ai shpreh hidhërimin e vet? Ne, njerëzit që kërkojmë falje nga Allahu së pari duhet të falim njerëzit. Kur falim dikë vendoset paqja dhe qetësia në zemrat tona. Atributi i parë i Allahut me të cilin ne myslimanët përkujtohemi, është që Ai është Mëshiruesi, Mëshirëbërësi. Allahu i Madhërishëm thotë: “Mëshira Ime është më e madhe se hidhërimi Im”, ndërsa Pejgamberit, në hadithin kudsi na rrëfen: O bijtë e Ademit, kur hidhërohemi, më përkujtoni Mua. Pra, përkujtimi tek Allahu është ibadet, i cili na ndihmon të kthehemi në rrugë të drejtë. Një prej emrave të Zotit është edhe Halim, në kuptimin i Butë. Gjithashtu duhet t’i lutemi Allahut ta kemi nën kontroll situatën, që na e ka shkaktuar hidhërimin. Duhet kuptuar gjithashtu që kjo jetë, edhe pse është e dashur ajo është kalimtare, dhe nuk duhet ta harrojmë vdekjen dhe nuk duhet të lejojmë që ta shkatërrojmë botën e përhershme, për shkak të kësaj bote të përkohshme. Larja me ujë të ftohtë, ose dushi i ftohtë gjithashtu është i dobishëm dhe i efektshëm.

Me rëndësi është t’i orientojmë energjitë në bashkëveprim me diçka tjetër. Por sjellje kulmore dhe shembull i edukatës islame është të veprohet kundër asaj që pret provokuesi. Nëse provokuesi pret që ta kritikoni ose t’ia ktheni me nënçmim verbal, atëherë duhet t’i përgjigjemi se e doni atë, duke ia përmendur cilësitë e tij të mira. Nëse pret që ta sulmoni fizikisht, atëherë duhet ta përqafojmë dhe ta falim.

SHPIRTNGUSHTËSIA (DEPRESIONI )

Shpirtngushtësia është gjendje e mendimeve pikëlluese dhe e ndjenjave të jo mirëqenies. Kjo mund të jetë shkas i hidhërimit ndaj vetvetes ose tjetrit, mos-paraqitjes së zemërimit, mos suksesit ose frustracionit. Shpirtngushtësia është sëmundje vdekjeprurëse, e cila mund t’i shkaktojë dëme akute trupit, ose dëme me bazë kronike, si dhe mund të shkatërrojë pa kthim marrëdhëniet ndër-njerëzore. Gjatë gjendjes së shpirtngushtësisë, njerëzit mund të kenë edhe mendime vetëvrasëse. Shpirtngushtësia ndërtohet ngadalë, ndërsa zemërimi është manifestim akut, e cila nga brenda bren shpirtin dhe trupin njerëzor. Nga ndonjëherë shpirtngushtësia, ose depresioni është pasojë e çrregullimit të baraspeshës kimike, sikurse te tërbimi, qoftë kur bëhet fjalë për gjendje psikotrope me zvogëlimin e amineve të trurit, epinefrinës, norepinefrinës dhe dopaminës ose disbalansi hormonal sikurse hipertireoza dhe sëmundja e Adisonit. Prandaj të gjitha rasteve të depresionit duhet t’i gjejmë shkakun organik. Mënyra e luftës kundër depresionit është fenomeni i kontrollit mendor. Duhet ta kuptojmë, se ne nuk jemi në gjendje ta kontrollojmë fatin tonë. Lëshimet e caktuara dhe sprovat na dhurojnë mundësinë për të mësuar leksione të caktuara. Ilaçi për depresionin është shpresa. Allahu i Madhërishëm shpresën e përkrah duke thënë: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut…” (Zumer, 53).

Krahas me këtë, pa marrë parasysh shkallën e pashpresës, depresionin ose frustracionin, nuk duhet ta humbasim shpresën, sepse gjithmonë drita është në fund të tunelit. Shpresa më e madhe është mëshira e Allahut. Ne muslimanët, besojmë që vuajtjet tona dhe fatkeqësitë janë sprova nga Allahu, i cili ka thënë në Kuranin Famëlartë: “Po ju menduat se do të hyni në xhenet, pa u provuar edhe ju me shembullin e atyre që ishin para jush…” (Bekare, 214). “Ne do t’ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e nga jeta e edhe nga frytet, po ti jepu myzhde durimtarëve.” (Bekare, 155).

PRIM. DR. MED. SC. ALI ILJAZI

Tags:

Categories

Archives