Sunday, 19/11/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Zbritja (ulja) e temperaturës që shkaktohet nga telashet dhe mërzia

Zbritja (ulja) e temperaturës që shkaktohet nga telashet dhe mërzia

merzitur

Allahu i gjithëfuqishëm thotë: “Ne do t’ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e nga jeta e edhe nga frytet, po ti jepju myzhde durimtarëve. Të cilët, kur i godet ndonjë e pakëndshme thonë: ‘Ne jemi të Allahut dhe ne vetëm tek Ai kthehemi!’ Të tillët janë që te Zoti i tyre kanë bekime e mëshirë dhe të tillët janë ata të udhëzuarit në rrugën e drejtë”. (El Bekare, 155-157)
Ne gjithashtu gjejmë një udhëzim të ngjashëm në versetin e cekur në Musned-in e imam Ahmedit, në të cilin thuhet se i Dërguari i All-llahut , s.a.v.s., ka thënë: “Kushdo që sulmohet nga telashet dhe thotë:’Ne jemi të All-llahut dhe do të kthehemi tek Ai. Zot, bëhu ndihmësi im në këtë përpjekje timen dhe zëvendësoje humbjen time me diçka që është më mirë’. All-llahu me siguri do t’i ndihmojë dhe do t’ia zëvendësojë humbjet e tij me atë që është më e mirë”.183
Fjalë të këtilla të urta paraqesin ilaçin e fundit kundër mundimeve. Ato demonstrojnë njohjen e Zotit dhe janë më të dobishmet për mirëqenien në këtë botë dhe në botën e ardhshme. Këto fjalë gjithashtu përfshijnë qartë dy elemente sublime, të cilat kur i kupton robi, me siguri do të pushtojnë kujdesin e tij dhe do të bëjnë që telashet e tij të duken të parëndësishme. Para së gjithash, lutja e cituar nënkupton atë që robi, familja dhe pasuria e tij t’i përkasin vërtet All-llahut. Çfarëdo dhuratash që All-llahu xh. sh. do t’i japë për t’i plotësuar nevojat e përkohshme të robit të vet gjatë jetës në këtë botë, Ai ka të drejtë të pakontestueshme që ato t’ia vazhdojë apo t’ia ndalojë. Kur All-llahu i gjithëfuqishëm i tërheq pas, ato janë sikurse gjërat që merren hua, ku huadhënësi ka të drejtë ta përtërijë marrëveshjen lidhur me kohën e kthimit. Ekzistenca e robit në këtë botë është e rrethuar nga dy zbrazëti: një herë para lindjes së tij (daljes) në këtë botë, dhe herën e dytë pasi ta lërë këtë botë. Në këtë kuptim, Pronari ka plotësisht të drejtë të përcaktojë përdorimin e çfarëdo dhurate që Ai e ka bërë të pranueshme në kohë dhe në kushte specifike, ose t’ia mohojë krijesës së vet përdorimin e mëtejshëm të saj. Më tej, kjo provon se këto komponenta të varura nuk bëjnë aluzion në varësinë absolute, dhe Pronari i vërtetë i kontrollon periudhat kohore të përdorimit të tyre. Pra, si mundet ekzistenca kalimtare të pranojë pronësinë e përhershme? Elemente të tilla të huazuara nuk kanë fuqi ta mbështesin plotësisht individin ose ta mbrojnë atë nga telashet, ose ta mbrojnë pasi ai të largohet nga kjo botë. Në këtë kuptim, All-llahu është Pronari i gjithëfuqishëm dhe i vetëm i gjithçkaje, dhe askush nuk ka pronësi të vërtetë mbi asgjë përveç Atij, ndërsa përdorimi i këtyre elementeve nga individi, në asnjë rast nuk ia lejon atij që të disponojë me to si t’i teket. Në vend të kësaj, një përdorim i tillë kalimtar është subjekt i periudhave kohore dhe i kushteve të Pronarit.
Aspekti tjetër i lutjes së cekur merret me destinacionin e padyshimtë të robit dhe me kthimin e tij përfundimtar dhe të domosdoshëm tek Zoti i tij. Urtësia e Krijuesit e ka bërë këtë kthim të detyrueshëm për të gjitha krijesat. Prandaj ato duhet ta provojnë vdekjen, ndarjen nga bota dhe daljen para Zotit Suprem e të vërtetë dhe të qëndrojnë lakuriq si në ditën kur kanë qenë krijuar. As familja, as fisi atë ditë nuk do të jenë atje për ta mbrojtur, por në vend të tyre do të jenë veprat e mira dhe të këqija të tij, të cilat do të maten dhe vlerësohen drejt. Kur të jetë kuptuar kjo gjendje elementare, atëherë si mund të posedojë dikush diçka, të gëzohet për atë që ka pasuri të veten, apo të hidhërohet për shkak të humbjes së diçkaje? Në këtë pikëpamje, individi duhet patjetër të mbajë qëllimin e fundit në qendër të interesimit të vet, duke pasur parasysh rregullat e mbijetesës së udhëtarit.
Njohja e fatit (kadr) vërteton gjithashtu pashmangshmërinë e ndodhjes dhe të mosndodhjes së disa ngjarjeve. All-llahu i gjithëfuqishëm e vërteton këtë aspekt në Kur’an, ku shkruan:
“Nuk ndodh asnjë fatkeqësi në tokë e as në trupin tuaj, e që të mos jetë në shënime (libër – Levhi Mahfudh) para se të ngjajë ajo, e kjo për Allahun është lehtë. Ashtu që të mos dëshproheni tepër për atë që u ka kaluar, e as të mos gëzohi tepër me atë që Ai u ka dhënë, pse Allahu nuk e do asnjë arrogant që u lavdërohet të tjerëve”. (El Hadidë, 22-23)
Si ilaç për këtë sëmundje, individi do të duhej të ndalej dhe të mendonte një çast lidhur me të ashtuquajturën “fatkeqësi” të veten dhe rrethanat. Nëse e bën këtë, ai me siguri do të shohë se, paralelisht me humbjet e veta, Zoti i tij (Rabb), në mëshirën e Tij të pakufishme dhe në madhështinë e jashtëzakonshme, përmban dhuratën me vlerë të njëjtë apo edhe më të madhe. Në anën tjetër, nëpërmjet një fatkeqësie të këtillë, All-llahu i gjithëfuqishëm i ka dhënë mundësi të meditojë për të mirat dhe ta njohë misterin e kontrollit (kujumijja) të All-llahut mbi të gjitha universet. Më tej, duke qenë i durueshëm në fatkeqësinë që i ka ndodhur, individi do të shohë se All-llahu i gjithëfuqishëm ka ruajtur një dhuratë më të madhe për të dhe, duke qenë se ky është vullneti i All-llahut, Ai me siguri ka fuqi ta bëjë të pamatshme atë dhuratë. Me anë të meditimit, individi do të vërejë gjithashtu se All-llahu i gjithëfuqishëm ka fuqi të shkaktojë fatkeqësi më të mëdha dhe, për shkak të mëshirës së Tij ndaj krijesave të veta, ka kufizuar në mënyrë të theksuar ndikimin e asaj që robi i Tij e kupton si fatkeqësi.

Categories

Archives