Tuesday, 17/7/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Xhindet egjiptiane



Xhindet egjiptiane

“Dua të kërkoj ndjesë për gjithçka ndodhi. Nuk doja ti bëj keq askujt. Unë dhe kolegët e mi, thjesht po rendnim pas ëndrrave tona të fëmijërisë.”

Kjo ishte përgjigja e një grupi fotografësh rusë, të cilët hynë vjedhurazi tek piramidat e Egjiptit, duke shfrytëzuar shkujdesjen e rojeve, ku me aparatet e tyre ofruan foto të mrekullueshme, të cilat magjepsën frekuentuesit e faqeve sociale të internetit.

90 – 130 është numri i piramidave që janë ulur këmbëkryq në tokën e Egjiptit, piramida të cilat konsiderohen si një nga shtatë mrekullitë e botës. Programi GOOGLE EARTH, ka arritur të zbulojë prezencën e piramidave të tjera në nëntokën egjiptiane, të cilat janë në pritje të heqjes së rërës që i ka mbuluar. Ato janë ndërtime që prej mijëra vitesh, në kohën e Egjiptit të lashtë faraonik, të cilat shërbenin si varreza të mbretërve dhe mbretëreshave. Piramidat janë të mbushura me mumie dhe pasuri ari të tepër të shtrenjta, si dhe gjëra të tjera, të cilat konfirmojnë besimin e egjiptianëve për jetën e amshuar të shpirtit, për ringjalljen dhe për një jetë tjetër të amshuar. Megjithatë, mungesa e dritës së mesazhit hyjnor, e çoi besimin e tyre në një labirint legjendar.

Miliona gurë të barabartë që peshojnë miliona tonelata, janë transportuar nga jugu i Egjiptit, falë një ushtrie të nënshtruar e cila ka punuar për më shumë se njëzet vite në gdhendjen e shkëmbinjve, njëlloj siç kanë bërë punëtorët që vinin nga vendet e kolonizuara teksa hapnin underground-in në Londër. Inxhinierët egjiptianë i ndërtonin kryeveprat e tyre me një saktësi të madhe, nga Alfiom, në Alxhiza. Format gjeometrike të piramidave dhe saktësia e tyre, vazhdojnë të magjepsin dhe mrekullojnë botën. Piramidat janë dëshmitar i një nga civilizimeve më të lashta njerëzore.

Hafidh Ibrahim, thoshte:”Ustallarët e lashtë të piramidave, më sfiduan dhe më lanë pa gojë.”

Shumë njerëz kanë besuar se piramidat nuk janë ndërtuar nga njerëzit, por nga xhindet. Por, ka mundësi që egjiptianët e vjetër të kenë shpikur dhe ndonjë përzierje të fortë që ti mbijetojë ndryshimeve klimaterike dhe kohës. Sipas këtij mendimi, shkëmbinjtë me të cilët janë ndërtuar piramidat, janë falë një përzierjeje e cila është derdhur në kallëpe, në vendin e piramidave. Prandaj, po sipas këtij mendimi, origjina e tyre është uji, balta dhe përzierje të tjera.

Vetë Kurani e përmend si shkarazi faktin që faraonët e përdornin baltën e pjekur në ndërtime. Këtë e përmend vetë faraoni në debatin e zhvilluar mes tij dhe profetit Musa a.s, ku thotë:”O Haman, më ndez një zjarr për të pjekur qerpiçë dhe më ndërto një kullë të lartë që të ngjitem te Zoti i Musait.” (Kasas, 38)

Piramidat ka mbi gjashtë mijë vjet që i rezistojnë kohës dhe kurdo që të vërtetohet lënda dhe mënyra si janë ndërtuar, do të shërbejnë dhe për interpretimin e teksteve kuranore në mënyrë të saktë. Para se të vërtetohet kjo, gjithçka mbetet supozim. Në Kuranin fisnik përmendet emri i faraonit i shoqëruar me mjetet me të cilat ndëshkonte kundërshtarët: Dhe me Faraonin, njeriun e hunjve “eutad”(ku torturonte njerëzit)?” (Fexhr, 10)

Të njëjtën fjalë të përdorur për hunjtë “eutad”, Kurani e përdor dhe kur flet për malet. Meqë piramidat u përngjajnë maleve, janë quajtur dhe në Kuran male. Sigurisht që piramidat ishin objektet më të rëndësishme të dinastive faranike dhe është normale që të ceken. Fakti që ato i atribuohen faraonit, nuk do të thotë se ishte faraoni i Musait a.s ai që i ndërtoi. Ky është interpretimi i disa interpretuesve të Kuranit, pra që fjala “eutad” nënkupton piramidat. Sakaq, dijetarë të tjerë thonë që “eutad” ishin obelisk ku shënoheshin emrat dhe të dhënat e faraonëve.





Kur myslimanët e morën Egjiptin, e ruajtën trashëgiminë shkencore, arkitekturore dhe civilizuese. Prandaj dhe këto objekte qëndruan të paprekur, për të dëshmuar fuqinë me të cilën Zoti ka pajisur krijesën e Tij, njeriun. Ato dëshmojnë aftësitë e egjiptianëve për kreativitet dhe madhështi të paprecedent.

Sot ne jemi dëshmitarë të prodhimeve të ndryshme të këtij populli, si laptopi, prodhimi i lokomotivave dhe shumë produkteve të tjera të cilat janë premtuese për zhvillimin dhe rilindjen e këtij vendi. Ndoshta, egjiptianëve sot, më shumë se motivimi u lipset liria dhe mjedisi që e shpërthen kreativitetin e tyre.

Ibnu Abdul Hakem, në vitin 257 hixhri, pati shkruar një libër rreth hyrjes së myslimanëve në Egjipt dhe në Afrikën veriore, duke mos harruar të flasë dhe për piramidat. Me këtë, ai është ndër të parët që kanë shkruar për këto objekte madhështore. Njëkohësisht, Sujutij ka shkruar një libër lidhur me piramidat e Egjiptit “Buqeta e fisnikëve, për haberet e piramidave”.

Piramidat nuk janë aspak të kërcënuara nga askush, janë thjesht mediat ato që i prodhojnë dhe i ekzagjerojnë lajmet, sipas të cilave piramidat kërcënohen nga islamikët. Frika e vetme që u kanoset piramidave është neglizhenca. Kjo, ndërkohë që flasim për njerëz nga lindja dhe perëndimi, të cilët zbulojnë varreza, i analizojnë dhe studiojnë, i reklamojnë tek kompanitë turistike për ti kthyer në vende të vizituara nga turistë nga e mbarë bota. Kështu, i shndërrojnë në një investim me të ardhura përrallore, ndërkohë që vetë banorët përreth nuk përfitojnë prej tyre.

Rrëzë këtyre objekteve madhështore, gjen shpresën e një taksisti të thjeshtë i cili është në kërkim të disa centëve teksa transporton turistët e huaj. Aty gjen shpresën e një turisti apo studiuesi, i cili ka ardhur nga larg për të qenë dëshmitar i kësaj kryevepre të rrallë, si dhe për të zbuluar sekretet që fshihen poshtë saj.

Nëse besohet se xhindet janë ustallarët e vërtetë të piramidave, le ta dinë se Zoti e ka pajisur njeriun me aftësi, energji, mendje dhe privilegje, për të cilat ia vlen të krenohen dhe të bëhesh shembull për këdo që i shfrytëzon në të mirën e njerëzimit, jo në favor të diktatorëve, për këdo që i lejojnë dhuntitë e tyre ta realizojnë ëndrrën dhe mendjet të rendin drejt saj.

 

Përktheu: Elmaz Fida





Categories

Archives