Sunday, 23/7/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Xhandameria serbe shqetëson fëmijët dhe familjarët në fshatin Norçë

Xhandameria serbe shqetëson fëmijët dhe familjarët në fshatin Norçë

Sot më datë 15 shtator 2013, ditë e diel rreth orës 17:45 në mënyrë të befasishme, xhandarmëria serbe në përbërje prej pesë xhipave me xhama të errët, ku në njërin prej tyre ishte i vendosur dhe një mitraloz i lëvizshëm i cili drejtohej nga një xhandar i maskuar, me shpejtësi të madhe u futën në rrugën familjare të familjes Abdullah Hasani në fshatin Norçë.

xhandermeria serbe
Mesa u pa, rruga e tyre ishte e gabuar, mirëpo sjelljet e tyre aspak nuk përkonin të ishin njerëzore. Së pari qarkullimi nëpër vendbanim me shpejtësi të madhe, duke rrezikuar kalimtarët e rastit, së dyti dhe më kulminantja nga ana e xhandarit të maskuar mbi xhip, fëmijëve gjashtë vjeçar të cilët po luanin në oborr të tyre, u drejton tytën e pushkë mitralozit, të cilët ashtu të frikësuar, me shpejtësi janë futur brenda në shtëpi duke bërtitur “babi ushtria ka ardhur dhe deshti të na vriste”.

Unë si prind i tyre u shtanga për një moment dhe vrapova nga kati i parë i shtëpisë, për të parë se çfarë po ndodhte. Vërejta që dy xhipat e fundit ishin kthyer në drejtimin e kundërt dhe po shkonin rrugës, i treti po lëvizte mbrapsht, ndërsa dy të parët që ishin futur në brendësi deri në fund të rrugës, gjithashtu ishin kthyer në oborrin e shtëpisë së vëllaut që ndodhet sipër shtëpisë sime dhe po lëviznin teposhtë në drejtim të rrugës së fshatit.

Dy xhipat e fundit arrita t’i takoj në rrugën tonë. Tentova t’i ndaloj për t’i pyetur arsyen e hyrjes në oborret tona, mirëpo ishte e pamundur, pasi as që deshtën të komunikonin. Lëvizën me shpejtësi aq të madhe, sa që më detyruan të tërhiqem për të mos rrezikuar vehten nga shpejtësia e lëvizjes së xhipave të tyre. Xhipin e fundit që po largohej vetëm e vështrova i habitur nga sjellja e tyre, pasi nuk kam patur përvojë asnjëherë me njerëz të uniformuar, sidomos me të tillë që të befasojnë me sjelljet e tyre dhe të lejnë pa tekst në oborrin tim. Fatkeqësisht, as që pata mundësinë për t’i fotografuar, pasi në momentin kur vrapova për t’i qetësuar fëmijët dhe për të parë se çfarë po ndodhte, nuk më qëlloi me vehte as telefoni.

Një shkrim tjetër i dobishëm  Nuk do të ketë regjistrim derisa nuk kthehen popullata e shpërngulur nga viti 1999

Edhe pse në hyrje të rrugës kemi vendosur dhe shenjë të komunikacionit për ndalimin e qarkullimit të automjeteve dhe sinjalizim me shkrim që rruga është private, pra është rrugë – pronë, kjo gjë fare nuk iu bëri përshtypje forcave të uniformuara të xhandarmërisë serbe.

Raste të tilla të hyrjes së gabimshme kanë qenë të numërta, si nga ana e policisë kufitare, poashtu dhe nga ushtria e shtetit. Këta të mëparshmit ndalonin dhe kërkonin të falur për qarkullim të gabuar dhe nuk provokonin me sjelljet e tyre, për dallim nga xhandrët që provokuan me sjelljet e tyre, duke ua drejtuar tytën e mitralozit fëmijëve dhe të lëvizin me shpejtësi të madhe me qëllim të demostrimit të forcës, me një pakujdesi maksimale gjatë lëvizjes së tyre nëpër oborret familjare.

Ne si prind dhe familjar, me këtë rast u bëjmë apel organeve kompetente të shtetit, që njësitet e tyre të uniformuara të pajisen me udhërrëfyesin e qarkullimit të tyre, sidomos në pjesët e banuara që të mos futen në shtëpi
private, për të frikësuar fëmijët dhe gratë, pse jo edhe të rriturit. Gjithashtu, apelojmë tek institucionet e vetëqeverisjes lokale që të bëjnë evidentimin e këtyre rasteve dhe të zhvillojnë bisedime me përfaqësuesit e
organeve të rendit, që rastet e tilla të mos përsëriten pasi janë të dëmshme për qytetarët tanë dhe mbjellin mosbesimin dhe urrejtjen ndaj forcave të uniformuara të shtetit.

Me rastin në fjalë, në orët e mbrëmjes është njoftuar edhe kryetari i komunës z. Ragmi Mustafa.

Për këtë gjë gjithashtu do të njoftohen edhe organet kompetente të policisë dhe institucioneve tjera të shtetit dhe nga ta do të presim përgjigje zyrtare, nëse këta të fundit do të marrin masa që rastet e tilla të mos përsëriten më./presheva/

Me shqetësim,

Xhelal Hasani – Norçë
Më 15 shtator 2013.

Categories

Archives