Monday, 23/10/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Vrasja e fëmijës

Vrasja e fëmijës
Vrasja e fëmijës
Dr Selman Aude 

Si ai që është kreativ, i drejtë, zemërmirë, i suksesshëm… por edhe ai i ligu, krimineli profesionist, i mbushuri me urrejtje… e kanë rrënjën tek fëmijëria e tyre.

Ka prindër të cilët u vënë fëmijëve të tyre emrat e burrave të shtetit, edhe pse mund të jenë diktatorë dhe tiranë. Ka të tjerë të cilët u vënë emrat e futbollistëve pas të cilëve janë të fiksuar.

Në moshën shtatë vjeçare, fëmija fillon e piqet psikologjikisht.

Kur i dëgjojmë me vëmendje fëmijët tanë, fillojmë e kuptojmë shumë gjëra:

Agresiviteti i fëmijës dhe rebelimi i tij shpreh instinktin e tij për të pronësuar dhe për të treguar se edhe ai ekziston.

Prishja e gjërave shpreh nevojën e tij për të eksploruar.

Britmat dhe të qarat janë armë që i drejtohet prindërve për të përmbushur kërkesat e tij.

Kafshimi i thonjve, përdredhja e flokëve rreth gishtit, kafshimi i flokëve apo belbëzimi, janë shprehje e një presioni psikologjik dhe paaftësi për të shprehur ankthin dhe frikërat ndaj vetes apo një personi të dashur.

Eksplorimi i shkakut me qetësi, shprehja e dashurisë dhe mbështetjes, rendja për parandalimin e përkeqësimit të këtij vesi me qëllim që të mos ndikojë në jetën akademike dhe sociale, është ajo që kërkohet.

I qetë dhe i bindur, apo nevrik dhe rebel, fëmija ka gatishmëri që të mësojë më shumë se kushdo tjetër, sepse është në fazën e formimit të personalitetit të tij.

Ushtrimi për të falur namazin, për të marrë abdes, për të fjetur i pastër, leximi i Kuranit, përmendja e Zotit, respekti për të tjerët, mirënjohja, të lexuarit, fjalët e mira, respekti për prindërit, interesi për mësimet, zhvillimi i talenteve etj…

Pastërtia, dushi i përditshëm, larja e dhëmbëve, rregullimi i krevatit dhe i dhomës, krehja e flokëve, gjumi herët, kujdesi për veten.

Gënjeshtra bëhet zakonisht nga frika.

Dhuna është produkt televiziv dhe social. Mund të provohet ideja “Një javë pa televizor” ku e gjithë familja mblidhet dhe diskuton rreth këtij fakti.

Supermani fluturon dhe nuk e kap plumbi, ai ka aftësi që të shikojë përtej mureve!

Spidermani maskohet dhe nuk e shfaq veten, për të luftuar bandat dhe kriminelët.

Roboti Grandizer, gëlon nga heronj imagjinarë që u ofrohet fëmijëve të cilët nuk e kanë akoma aftësinë ta dallojnë të vërtetën nga e pavërteta.

Imagjinata e bën fëmijën të imitojë personazhe të caktuara. Ai mund të mos i përgjigjet dikujt që e thërret në emër, pasi kërkon të arratiset nga aktualiteti.

Xhelozia është një sjellje normale kur fëmija ka humbur dhembshurinë dhe nuk e plotëson nevojën për tu puthur, përqafuar dhe për dashuri. Në këtë rast, ai përdor xhelozinë për të tërhequr vëmendjen e prindërve.

Një ndarje totale mes dy fëmijëve ka pasoja të papritura dhe shkakton kureshtje të madhe tek fëmija i madh, i cili shfrytëzon çdo shans për ta zbuluar këtë krijesë të re, larg vëmendjes dhe mbikëqyrjes së prindërve. Ftojeni fëmijën e madh që ta eksplorojë dhe të njihet me të vëllanë apo motrën e porsaardhur. Le ta kapë atë për dore, le ta mbajë në krahë nën kujdesin e prindërve. Le ti kërkojmë ndihmë për të sjellë rrobat e foshnjës. Assesi nuk duhet ndëshkuar nëse tregohet agresiv ndaj vëllait të tij të vogël, pasi ndëshkimi thjesht do e shtojë agresivitetin e tij. Në këtë rast, do të mjaftojë udhëzimi dhe orientimi.

Një shkrim tjetër i dobishëm  60 rregulla të suksesit

Llastimet e tepërta janë si ashpërsia, pas e bën fëmijën të paaftë për të ndërtuar marrëdhënie sociale të suksesshme dhe të mbajë përgjegjësi në përballjen me jetën dhe ngjarjet e saj.

Më e rëndësishme se pasuria, për fëmijën është modeli i mirë që i ofrohet, është koha që posaçërojmë për ta. I ati i dha vajzës së tij dyqind dollarë si shpërblim për notat e larta. Vajza ia ktheu dhe i tha:”Merri dhe mi konverto në një orë kohë në ditë, në të cilën do të qëndrosh me mua!”

Marrëdhëniet e mbivendosura me fëmijën, e fusin atë në një labirint. Fëmija ka nevojë të sqarohet, ti tregohen rregullat që janë në interesin e tij. Kur ti kuptojë dhe të bindet, atëherë do i respektojë me rigorozitet të madh. Njëkohësisht, këto rregulla duhen bërë objekt diskutimi me fëmijën, herë pas here.

Nëna mund të ndjekë një linjë të caktuar në edukimin e fëmijës, ndërkohë që ia ti është i luhatur dhe i paqëndrueshëm. Kjo e bën fëmijën konfuz dhe e shtyn të bëjë gabime.

Drejtësia mes fëmijëve është obligim dhe kjo vlen si për djemtë dhe për vajzat.

Preferencat mes fëmijëve për shkak të gjinisë, bukurisë dhe zgjuarsisë, shkakton xhelozi tek fëmijët e tjerë, gjë të cilën ata e shprehin me sjellje agresive dhe hakmarrëse karshi të rriturve.

Gëzojmë kur fëmijët fillojnë e flasin, e dikush i duartroket kur thonë ndonjë fjalë banale!

I biri, ishte bërë ekspert i përdorimit metaforik të fjalëve, të cilat i mësonte nga shikimi i televizionit:

O çantë shpine! O shpend misterioz!… e shumë gjëra të tjera që nuk thuhen.

Nuk kisha përse të qesh me këto fjalë, e aq më pak ti them se është turp!

Duhet kërkuar burimi i këtyre fjalëve, pasi nuk janë fëmijët ata që i shpikën. Ata i shqiptojnë pasi imitojnë familjarët, fqinjët, shokët… Duhen larguar fëmijët tanë nga burimi i këtyre fjalëve.

Sjellje të tilla duhen refuzuar haptazi, shoqëruar me durim, maturi, qetësi dhe përshkallëzim.

Fëmija mund të shpërblehet me lëvdata, motivim, vlerësim…

Nëse ai nuk reagon pozitivisht, atëherë mund të ndëshkohet, por duke e privuar nga diçka, si shëtitja për shembull.

Fëmijët janë nga parajsa, është një parim islam dhe është edhe titulli i një libri të bukur me autor Xhon Gray, i cili vë theksin tek rëndësia e edukimit me dashuri, bindje, njohje të motiveve …. larg edukimit me dhunë, fyerje, poshtërim…

 

 

Përktheu: Elmaz Fida

Categories

Archives