Sunday, 19/11/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Vlerat e mrekullueshme të pjeprit

Vlerat e mrekullueshme të pjeprit

Pjepri është një nga frutat më të mira për t’u konsumuar gjatë sezonit të verës. Vlerat e tij janë një e mirë e madhe për metabolizmin, por edhe për pamjen e jashtme…

Pjepri është një frutë shumë e mirë, e shijshme dhe shumë e dobishme në verë për freskinë që të jep. Ekzistojnë tri lloje pjeprash: ai i verës me lëkurë me relieve, ai me feta si të ndara në sipërfaqe dhe pjepri i dimrit, me lëkurë të gjelbër dhe me tul të tejdukshëm.

Pjepri nuk është vetëm i shijshëm, por edhe i pasur me vlera të cilat favorizojnë mirëqenien, që ju ndihmon në ndjekjen e një ushqyerje të drejtë. Për më konkretisht lexoni në vijim:

Pjepri është i pasur me ujë

I pasur me ujë ai ndihmon në mënyrë domethënëse hidratimin e organizmit tuaj, sidomos në verë, kur temperaturat janë tepër të larta. Ju mund të përzieni një tas kos pa yndyrë me një pjesë pjepri për një minivakt të shëndetshëm me pak kalori, i cili ju ndihmon të mbani gjendjen e duhur të hidratimit: ndër të tjera kjo përzierje është pastruese për organizmin.

Vitaminë A për të parandaluar radikalet e lira

Si shumë lloje të tjera frutash, pjepri është i pasur me vitaminë A dhe veçanërisht me betakarroten, të cilat ndihmojnë në parandalimin e formimit të radikaleve të lira, të cilat çojnë në plakjen e qelizave dhe në shfaqjen e strijave (zgjatimeve të dukshme jo estetike të lëkurës). Po kështu para ekspozimit në diell, rekomandohet që të konsumoni pjepër, për të përfituar një nxirje më të bukur, transmeton gazeta shqip.

Vitamina B kundër urisë nervore

Pjepri është i pasur edhe me vitaminë B, e duhura për të hequr urinë nervore dhe për të përmirësuar humorin në përgjithësi. Vitamina B mund të përmirësojë edhe shikimin dhe ndihmon në riforcimin e kockave dhe të dhëmbëve.

Pjepri është freskues dhe diuretik

Pjepri është një nga ushqimet më të preferuara në verë: ai është shumë freskues dhe ka vlera diuretike, pastruese dhe laksative. Pikërisht për këtë vlerat e tij duhen marrë në konsideratë edhe kur vuani nga kapsllëku, hemorroidet dhe dhimbjet reumatike, sepse ndihmon në eliminimin e këtyre shqetësimeve të bezdisshme dhe shumë të zakonshme.

I duhuri për të luftuar të nxehtin dhe dehidratimin

Nuk duhet harruar se pjepri është i pasur edhe me kalcium, fosfor, magnez dhe potasium: pikërisht për këtë bëhet një shtesë e natyrshme për të rikuperuar forcat sidomos kur bën shumë nxehtë. Kur zorrët bëhen “dembele” për shkak të temperaturave të larta, atëherë pjepri kthehet në një bekim të vërtetë. Ai është mjaft i mirë edhe për gjakun, sepse ka veti dizinflamatore, diuretike dhe holluese, përmirëson qarkullimin e gjakut dhe eliminon kolesterolin, ndërsa ul dhe trigliceridet.

Është antistres

Pjepri është një ushqim që lufton stresin. Një studim i kryer në Itali ia atribuon këtë veti antioksidantit të njohur si super oksid dismutasi i cili gjendet në këtë frutë. Ai është një enzimë që transformon substancat e rrezikshme për organizmin.

Shëron plagët

Vitamina C, e cila gjendet te pjepri, kryen një funksion të rëndësishëm në formimin e kolagjenit, duke ndikuar në shërimin e plagëve në lëkurë.

Vlerat ushqyese

Çdo 100 gramë pjepër përmban 7,4 gramë karbohidrate, 0,2 gramë yndyra, 0,8 gramë proteina, 0,7 gramë fibra. 90% e pjeprit është ujë dhe kjo bën të mundur hidratimin e organizmit.

Pjepri, aleati i bukurisë

Pjepri nuk është i mirë vetëm për mirëqenien dhe metabolizmin, por edhe për bukurinë: ekstraktet e tij mund të përdoren si maskë për të tonifikuar lëkurën. Edhe ju mund të përgatisni një të tillë për të pasur një lëkurë të butë dhe të bukur duke bashkuar 1 decilitër lëng pjepri me 1 decilitër ujë natyral dhe 1 decilitër qumësht. Aplikojeni në lëkurë si një krem normal. Po kështu ju mund të realizoni lehtësisht një locion rifreskues duke bashkuar pulpën e shtrydhur të pjeprit (të kaluar edhe në sitë) me një lugë gjelle argjilë të gjelbër. Mund ta aplikoni duke përdorur pambuk.

Categories

Archives