Friday, 21/7/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Veçoritë e dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit

Veçoritë e dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit

 ramazani

     Ndalu për një çast – ti o mysliman – dhe vështro orën tënde! Shiko akrepin e orës tënde se si i hanë sekondat pamëshirshëm, as nuk ndalet e as nuk zmbrapset por, sikur vrapon dhe i gëlltit orët dhe sekondat! Pavarësisht a je zgjuar apo i fjetur, duke punuar apo i papunë mbaje mend se çdo moment që kalon dhe çdo sekondë që e lë pas në të vërtetë është pjesë e jetës tënde dhe se ajo regjistrohet në regjistrin dhe fletoren tënde, është e shënuar në fletushkën e punëve tua të mira apo të liga. Andaj, frikësoju Allahut për veten tënde dhe kujdesu që kohën tënde ta zësh me diçka që të afron afër Allahut dhe diç që bëhet shkak për lumturinë dhe fundin tënd të mirë në këtë botë dhe botën tjetër.

     E nëse prej muajit të Ramazanit ka shkuar shumica e tij, atëherë dije se ka mbetur pjesa më madhështore dhe më e zgjedhur prej tij! Kanë mbetur dhjetë ditët e fundit e që janë yndyra dhe fryti i tij si dhe përbëjnë kurorën e tij.

     Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) i madhëronte këto dhjetë ditë dhe angazhohej me adhurim me një përkushtim sa që mezi e realizonte, e bënte këtë (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ndërsa Allahu ia ka faluar mëkatet e mëparshme dhe ato të mëvonshmet. Prandaj, ne jemi më meritorë, ne që gabojmë dhe kemi mangësi, që ta marrim atë për shembull (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të)  ashtu që t’ua dimë këtyre ditëve vlerën dhe të angazhohemi në to ndoshta Allahu na përfshin me mëshirën e Tij dhe na ndihmon me një dhunti prej dhuntive të Tij, e që do të ishte shkak i lumturisë në të tashmen dhe të ardhmen.

     Imam Muslimi transmeton nga Aisheja (Allahu qofë i kënaqur me të) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut – (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të)- angazhohej me adhurim në dhjetëshin e fundit, me një angazhim që nuk e bënte jashtë tij.”

     Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga ajo se ka thënë: “I Dërguari i Allahut – (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) – e përziente natën e njëzetë me namaz dhe gjumë por, kur fillonte dhjetëshi i fundit angazhohej maksimalisht dhe i përkushtohej adhurimit.”

     Këto hadithe tregojnë për vlerën e e dhjetëshit të fundit të Ramazanit dhe kujdesin e shtuar të Pejgamberit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) për t’i shfrytëzuar dhe për t’u angazhuar me lloje të ndryshme të adhurimeve. Të takon ty o musliman që ta lirosh veten tënde në këto ditë dhe ta zbusësh angazhimin tënd për dynja e të angazhohesh me lloje të ndryshme të adhurimit si: namazi vullnetar dhe leximi i Kuranit, përmendja e Allahut dhe sadaka, mbajtja e lidhjve farefisnore dhe bamirësia ndaj njerëzve. Këto – pasha Allahun – janë ditë të numëruara, sa shpejt kalojnë dhe mbyllet fletushka e tyre si dhe vuloset vepra jote në to, kurse  ti – pasha Allahun – nuk e di se a i arrin këto dhjetë ditë prapë, apo bëhet pengesë mes teje dhe tyre vdekja. Bile nuk e dinë as edhe a i plotëson këto dhjetë ditë dhe a do të kesh sukses ta plotësosh këtë muaj. Andaj të kërkoj në emër të Allahut të angazhohesh në to dhe të kesh kujdes në shfrytëzimin e ditëve dhe netëve të tyre. Gjithashtu duhet që ti – o mysliman – ta zgjosh familjen tënde dhe t’i nxitësh në shfrytëzimin e këtyre netëve të begatshme dhe që të marrin pjesë me myslimanët në madhërimin dhe angazhimin në to me lloje të ndryshme të adhurimeve dhe veprave të mira.

     E ne, në të Dërguarin e Allahut, (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) kemi shembullin më të mirë. Ka qenë traditë e tij që kur fillonte dhjetëshi i fundit përkushtohej në adhurim, e ngjallte natën dhe i zgjonte familjen e tij.

    Zgjimi i familjes së tij nuk është i veçantë për këto dhjetë por, i zgjonte ata gjatë tërë vitit, mirëpo zgjimin që ua bënte në këto dhjetë natë ishte më i shtuar dhe më i vendosur. Sufjan Thevriu ka thënë: “Është më e dashur te unë që kur të hynë dhjetëshi i fundit të falë namaz nate dhe të angazhohet në të si dhe të zgjon familjen dhe fëmijët e tij për namaz nëse kanë mundësi për këtë.”

     Në të vërtetë është privim i madh dhe humbje e papërshkruar kur gjenë shumë musliman që iu kalojnë këto dhjetë natë të begatshme e ata janë të zhytur në pakujdesi. I kalojnë këto kohë të çmuara në diçka çka nuk ju bën dobi. Rrinë zgjuar tërë natën apo shumicën e saj duke luajtur dhe lozur në atë që nuk ka dobi apo ka dobi të kufizuar të cilën mund ta arrijnë në një kohë tjetër por, që ajo vepër nuk e ka këtë të mirë dhe veçori.

    E i gjen disa të tjerë që kur të vjen koha e namazit të natës, bie në shtratin e tij dhe zhytet në gjumë të thellë duke bërë që t’i kalon një e mirë e madhe ndoshta nuk e arrinë atë në vitin tjetër.

     Prej veçorive të këtij muaji: është ajo që e ka përmendur Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur me të) se i Dërguari i Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) e ngjallte natën e tij dhe përkushtohej në adhurim d.m.th. largohej nga gratë e tij për t’iu përkushtuar namazit dhe adhurimit. Gjithashtu ka qenë traditë e të Dërguarit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) – që t’i ngjallte këto natë për të arritur mirësinë e tyre dhe ishte në kërkim të natës së Kadrit e cila është më e vlefshme se një mijë muaj.

     Në Sahihu Muslim transmetohet nga Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur me të ) se ka thënë: “Nuk e di se Pejgamberi – (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) – është falur në ndonjë natë gjerë në mëngjes” por, mes këtij hadithi dhe atij të lartëpërmendur nuk ka kundërshtim, ngase gjallërimi i natës në dhjetëshin e fundit bëhet me namaz, lexim të Kuranit, përmendje të Allahut dhe me syfyr si dhe me lloje të ngjashme të adhurimeve, ndërsa ajo që e ka mohuar Aisheja është gjallërimi i natës vetëm me namaz.

     Prej veçorive të dhjetëshit të fundit është se: nata e Kadrit është në to, nata për të cilën Allahu ka thënë: “Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj! Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) të zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit.” (El Kadr: 3 – 5) dhe ka thënë: “Ne e zbritëm atë në një natë të bekuar (në natën e begatshme të kadrit). Ne dëshiruam t’u tërheqim vërejtjen, e njerëzit të jenë të gatshëm. Në atë (natë) zgjidhet çdo çështje në mënyrë të prerë.” (Ed Duhan: 3 – 4) d.m.th. bartet nga ‘Pllaka e ruajtur’ gjerë te melaiket që shkruajnë dhe iu sqarohet tërë çka do të ndodhë atë vit prej furnizimeve, exhelit, të mirës dhe të keqes dhe urdhëra të tjerë të Allahut që janë të përsosur dhe të drejtë.

     I Dërguari -(lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) – thotë: “Në të është një natë që është më e mirë se një mijë muaj. Ai që privohet nga ajo është privuar nga tërë e mira, e nuk privohet nga e mira e saj veçse dikush që është i privuar.” (Hadith i vërtetë të cilin e transmeton Nesaiu dhe Ibn Maxhe)

     Imam En Nahij thotë: “Puna në të është më e mirë se puna në një mijë muaj jashtë saj.”

     Disa dijetarë kanë llogaritur “një mijë muaj” me tetëdhjetë e tri vjet e katër muaj. Ai që i jepet mundësia të falë namazin e natës në këtë natë dhe e ngjallë me lloje të ndryshme të adhurimit sikurse vazhdon ta bëjë këtë për më tepër se tetëdhjetë vjet! Ah sa dhunti e madhe që është kjo, dhe çfarë shpërblimi i madh dhe i bollshëm, vërtetë ai që privohet nga ai është privuar nga tërë e mira.

     Buhariu dhe Muslimi transemtojnë nga Ebu Hurejre, e ky nga i Dërguari i Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) se ka thënë: “Ai që e falë natën e Kadrit me besim të plotë dhe llogaritë në shpërblimin, do t’i falen atij mëkatet e mëparshme.”. E kjo natë është në dhjetëshin e fundit të Ramazanit për shkak të fjalës së Pejgamberit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të): “Kërkoni natën e Kadrit në dhjetëshin e fundit të Ramazanit.” (Buhariu dhe Muslimi)

     E ajo më afër dhe më me shpresë është të jetë në natët tek. Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se i Dërguari i Allahut  (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Kërkonie atë në dhjetëshin e fundit në natët tek.” d.m.th. në natën njëzet e një, njëzet e tre, njëzet e pesë, njëzet e shtatë dhe njëzet e nëntë. Shumë prej dijetarëve kanë mendimin se ajo nuk qëndron në një natë por, bartet nëpër këto natë, ndonjëherë është në natën e njëzet e shtatë e ndonjëherë në natën e njëzet e njëtë apo njëzet e tretë apo njëzet e pestë apo njëzet e nëntë.

     Allahu i lartësuar e ka fshehur dijen për të në shenjë mëshirë për robërit ashtu që të angazhohen në tërë netët e dhjetëshit të fundit dhe me këtë t’iu shtohen veprat e tyre të mira dhe të ngriten te Allahu gradat e tyre: “Po për secilin (veprues) ka shkallë (që do t’i arrijë) sipas asaj që vepruan. All-llahu nuk është i pakujdesshëm ndaj asaj që veprojnë.” (El Enam: 132) Allahu i lartësuar e ka fshehur këtë natë gjithashtu për t’u dalluar ai që është serioz në kërkimin e së mirës dhe i kujdesshëm në arritjen e kësaj vlere prej atij që është përtac apo i pakujdesshëm, ngase ai që kujdeset për diçka është serioz në kërkimin e tij dhe i lehtësohet atij vështirësia në rrugën e arritjes së tij dhe triumfimit me të. Prandaj, tregojani Allahut më të mirën nga vetja e juaj dhe angazhohuni  në këto natë të begatshme dhe përpiquni të përfitoni nga mëshirat dhe dhuntitë e Tij, ngase i privuar është ai që privohet nga e mira e Ramazanit dhe i pafat është ai që i kalon në të falja dhe kënaqësia e Allahut. I Dërguari (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) thotë: “I poshtëruar qoftë ai që e arrinë Ramazani dhe del prej tij pa iu falur atij.” (E transmeton Ibn Hibbani dhe El Hakim e Shejh Albani e konsideron të saktë).

     Xheneti është i rrethuar me vështirësi dhe është i shtrenjtë dhe i çmuar, si dhe nuk arrihet me gjumë, me përtaci dhe duke qëndruar pa lëvizur apo duke pasuar epshin. I Dërguari – (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) – ka thënë: “Ai që frikësohet ec natën – d.m.th. pjesën e parë të natës – e ai që ec natën arrin në shtëpi. Veni re! Malli i Allahut është i shtrenjtë. Veni re! Malli i Allahut është xheneti.” Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) me këtë ka dhënë shembullin e udhëtarit për në botën tjetër – e të gjithë jemi të tillë – me shembullin e atij që udhëton në një vend tjetër për të kryer ndonjë nevojë apo për ta realizuar ndonjë interes. E nëse është serioz në udhëtimin e tij, e lë gjumin e përtacinë dhe i përballon vështirësive të udhëtimit ai e arrin synimin e tij dhe udhëtimi dhe lodhja e tij janë për t’u lavdëruar. Dhe siç thuhet: E kur të gdhin mengjesi njerëzit lavdërohen për ecjen e tyre të natës.  

    Ndërsa ai që është gjumash, përtac dhe që pason dëshirat e kota dhe epshet e vetes së tij, atij i ndërpriten rrugët dhe ia kalojnë ata që janë seriozë dhe që angazhohen, e rehatia nuk arrihet me rehati dhe veprat kolosale nuk arrihen vetëm se përmes kalimit mbi urën e lodhjes dhe vështirësive. “O ju besimtarë, bëni durim, bëhuni të qëndrueshëm kundër armikut, rrini të përgaditur dhe, që të shpëtoni, ruajuni dënimit të All-llahut.”  (Ali Imran: 200)

     E prej veçorive të këtij dhjetëshi të begatshëm është edhe: preferimi i Itikafit në to. E itikafi është: Qëndrimi në xhami për t’u veçuar me respekt dhe adhurim ndaj Allahut të lartësuar. Itikafi është prej syneteve të pohuara me librin e Allahut dhe synetin e të Dërguarit të Tij (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të). Allahu i lartësuar ka thënë: “E kur jeni të izoluar (në i’tikafë) në xhami, mos t’u afroheni atyre (për marrëdhënie intime).” (El Bekare: 187) dhe i Dërguari i Allahut – (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) – e kryente itikafin në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit gjersa vdiq, e gratë dhe shokët e tij e kryen itikafin gjithashtu gjatë jetës dhe pas vdekjes së tij.

     Buhariu transmeton nga Aisheja (Allahu qoftl i kënaqur me të) se ka thënë: “I Dërguari  i Allahut – (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) – qëndronte në itikaf çdo Ramazan  dhjetë ditë, e në vitin në të cilin vdiq qëndroi në itikaf njëzet ditë.”

     Qëllimi prej Itikafit është: Largimi i njeriut nga njerëzit për t’iu përkushtuar adhurimit të Allahut dhe të angazhohet në arritjen e shpërblimit dhe arritjen e natës së Kadrit. Për këtë duhet që ai që qëndron në itikaf (mutekifi) të merret me dhikër dhe adhurim dhe të largohet nga ajo që nuk i hynë në punë nga biseda e kësaj bote por, s’ka gjë nëse flet me familjen e tij apo të tjerët me biseda të lejuara.

     Ai që qëndron në Itikaf i ndalohen marrëdhëniet intime dhe ato që iu paraprijnë, Allahu i lartësuar thotë: “E kur jeni të izoluar (në i’tikafë) në xhami, mos t’u afroheni atyre (për marrëdhënie intime).” (El Bekare: 190)

 

–         Ndërsa dalja e tij prej xhamisë ndahet në tri raste:

     1. Dalja për diçka që duhet kryer patjetër si nga aspekti natyror edhe fetar si p.sh kryerja e nevojës së vogël apo të madhe, marrja e abdestit të obliguar apo gusllit prej xhynybllëkut, gjithashtu ngrënies dhe pijes e kjo është e lejuar nëse  nuk mund të kryhet ne xhami. E nëse mund të kryhet në xhami atëherë, jo. Si p.sh. të ketë në oborrin e xhamisë banjo dhe të ketë mundësi të kryejë nevojën e tij në to apo dikush t’ia sjell ushqimin dhe pijen atëherë, me këtë rast nuk del për shkak se nuk nuk ka nevojë të dalë.

     2. Dalja e tij për ta bërë një vepër të mirë por, që nuk e ka të obliguar sikurse, vizita e të sëmurit, përcjellja e xhenazes e të ngjashme. Këto nuk i vepron përveç nëse e ka kushtëzuar në fillim të itikafit të tij, sikurse ta ketë ndonjë të sëmurë që dëshiron ta vizitojë atë apo i frikësohet vdekjes së tij, atëherë e kushtëzon në fillim të itikafit të tij daljen për këtë dhe në këtë s’ka gjë.

     3. Dalja për diçka që bie ndesh me itikafin si dalja për shitblerje e të ngjashme. Këtë nuk e bën pavarësisht a e ka kushtëzuar apo jo sepse, kjo e kundërshton itikafin dhe bie ndesh me synimin prej tij mirëpo, nëse e bën atëherë i ndërpritet itikafi dhe nuk detyrohet me asgjë.

AbdulAziz El Fevzan

Një shkrim tjetër i dobishëm  Mire se vjen Ramazan!

Përktheu : Driton Lekaj

Categories

Archives