Monday, 23/1/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame
Tirana
0C

Varfëri dhe luks


Varfëri dhe luks


shefqet

Dr. Shefqet KRASNIQI

Varfëri dhe luks, është ky një kombinim paradoksal që Kosova ka preferuar të bëjë për Vitin e Ri. Shifrat alarmante të shpenzimeve për përgatitjet dhe manifestimin e kësaj feste ishin vërtet për shqetësim. Komuna e Prishtinës, ndonëse ka të varfër në kushte ekstreme, ndau mbi 62.000 euro nga paraja publike për ta zbukuruar qytetin. Sikur këto para të jepeshin për të varfrit ata të paktën do të mund ta kalonin më lehtë këtë dimër! Është bërë disi si zakon që të vajtohet për varfërinë duke u zhytur edhe më thellë në të.

Kur njeriu shikon se si bëhen gazmendet, ahengjet e sidomos e ashtuquajtura “festë e vitit të ri” të mbushet mendja se ky popull ose nuk është i varfër ose nuk është fare racional. Kjo për faktin se po t’i thuash dikujt se Kosova është vend i varfër, ndërsa në anën tjetër sheh gjithë këto shpenzime vetëm për një natë, askush nuk do të besonte se një gjë e tillë është reale. Përkundrazi, do të mendonte se kemi një standard jetese të ngjashëm me ndonjë shtet skandinav. Sipas të dhënave zyrtare të shërbimit doganor në Kosovë për këtë vit janë futur mjete piroteknike në vlerë mbi tre milionë euro. A thua vallë sa para të tjera janë harxhuar për ushqime dhe pije?! Kjo sinjalizon se ne ose bëhemi se jemi të varfër ose vuajmë nga oportunizmi – çka bën njëri, bënë edhe tjetri. E, padyshim, që të dyja këto janë gjeste dhe veti shumë të ulëta.

Absolutisht nuk synoj të përqesh popullin tim, Zoti mos e bëftë! Unë vetëm po përpiqem ta këshilloj atë për faktin se e dua dhe më dhimbset. Nuk dua ta shoh popullin tim duke shpenzuar kot në gjëra të paarsyeshme; nuk dua ta shoh atë tek manipulohet nga të tjerët.

Kjo ‘festë’ le që na i zbrazi xhepat, por shumë kujt ia nxiu edhe jetën, ia mbushi shtëpinë me lot, sepse të lënduarit arritën në dhjetëra, disa prej të cilëve edhe me lëndime të rënda e serioze.

Me gjithë stërmadhimin që iu bë kësaj feste, me gjithë reklamat nëpër programe të larmishme, megjithatë ata që me vetëdije iu larguan festimit nuk ishin pak. Çdo vit e më shumë po hasim në qytetarë, të cilët nuk festojnë për shkak se llogarisin festimin si mëkat, ose për shkak se nuk shohin ndonjë dobi nga kjo festë, ndaj edhe nuk duan të shpenzojnë kot e kot. Na mbanë shpresa dhe lutemi që numri i tyre të shtohet edhe më shumë në vitet që do të vijnë.

Një shkrim tjetër i dobishëm  Ngadhënjimi i së vërtetës në tokën e faraonëve

Konsideroj se, të paktën moralisht, shteti duhet të vihet para përgjegjësisë për viktimat e panevojshme të kësaj ‘feste’ si dhe për thellimin e varfërisë për çdo vit sepse, jo vetëm që do të duhej të kufizonte me ligj futjen e mjeteve piroteknike, por do të duhej edhe të ndërmerrte fushata vetëdijesimi për qytetarët që të kursejnë maksimalisht në mënyrë që të përballojnë dimrin, i cili ende këtë vit nuk ka filluar me acar e reshje dëbore.

Sido që të jetë, vitin që lamë pas ishte një vit shumë i rëndë, i mbushur me sfida, halle e parregullsi, në të gjitha rrafshet. Po e fillojmë një vit të ri të mjegulluar, do të thosha, të paqartë për shumë gjëra. Zoti e di, por mendoj se mund të jetë vit edhe më i rëndë sesa ai i kaluari, me më shumë sfida, varfëri, etj.

Natyrisht, e ardhmja për njerëzimin është plotësisht e fshehtë, njerëzit vetëm mund të parandiejnë e të planifikojnë, ndërsa Allahu është Ai që vendos se çka do të bëhet. Nuk bën të jemi pesimistë, por të shpresojmë, të lutemi e të punojmë për një vit më të mirë, më të suksesshëm, më të mbarë në të gjitha fushat!

Nga ana tjetër, viti që shkoi ishte vit mjaft agresiv me sulme të njëpasnjëshme kundër Islamit dhe muslimanëve në Kosovë. Shumë shpresojmë që politikanët, të cilët edhe më tej kanë keqkuptime në raport me Islamin dhe muslimanët, ta korrigjojnë veten e tyre, të mos paragjykojnë, ta lënë shekullin e kaluar, e të jetojnë me kohën, me të tjerët në shekullin XXI. Tani është koha e shkencës, koha e respektimit të lirive fetare dhe praktikimit të fesë, koha e rizgjimit shpirtëror, koha e paraqitjes së vlerave, secili veç e veç, koha e tolerancës dhe bashkëjetesës pa e dëmtuar dhe penguar asnjërin.

Kam shpresë të madhe në Zotin e Plotfuqishëm që çështja e shamisë të zgjidhet këtë vit njëherë e përgjithmonë dhe të mos vazhdojë më me këto zvarritje të pakuptimta e monotone. Allahu na ndihmoftë të gjithëve në punë të mbarë, na dhëntë suksese dhe të mira! Amin!

Deri në takimin e radhës, Selam alejkum!

image_pdf

Categories

Archives