Tuesday, 28/3/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Ushqimi i islamofobisë dhe prishja e ekuilibrit social


Ushqimi i islamofobisë dhe prishja e ekuilibrit social


islamofobia

Dje muslimanët e Shqipërisë u vunë në qendër të vëmendjes së opinionit publik, për shkak të një operacioni policor që arrestoi shtatë besimtarë, të cilët akuzoheshin nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për: “Rekrutimit të personave me qëllim kryerjen e veprimeve terroriste”; të “Nxitjes, thirrjes publike dhe propagandës për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste”, dhe “Nxitjes së urrejtjes ose e grindjeve ndërmjet kombësive, racave dhe feve”!

Këto akuza janë tepër të rënda dhe reagimi i parë që ka çdo njeri normal është, a janë të vërteta këto akuza, sidomos kur flitet për njerëz që janë pjesë e bashkësisë ku ti bën pjesë?! Cilat janë provat për këto tre krime të rënda? Dhe nëse vërtetë ka diçka, a arrin situata deri atje sa të justifikojë këto akuza kaq të rënda dhe atë aksion aq bombastik?

Ajo çka e shton edhe më shumë habinë është edhe fakti se, këto akuza të pa precedentë deri më sot për ne si muslimanë shqiptar, krijojnë një terror psikologjik që errëson edhe gjykimin objektiv të njerëzve, për shumë besimtarë që do ta shohin këtë ngjarje si sulm ndaj fesë dhe shumë të tjerë që vërtetë do të tremben dhe besojnë se xhamitë prodhojnë njerëz që duan të bëjnë terror mes njerëzve në këtë vend apo diku tjetër! Kjo klimë nuk i shërben askujt, dhe organet e shtetit duhet të jenë jo vetëm objektiv dhe të drejtë me këdo dhe të mos amplifikojnë akuzat dhe veprimet përtej cakut të tyre real, nëse bazohen në prova, por edhe tepër të kujdesshëm nga shfaqje të tilla të panevojshme, që demonstrojnë forcën e shtetit në mënyrë spektakolare! Një shtet i fortë e kap “lepurin me qerre” dhe rasti konkret, duket që ka qenë më shumë një show, i cili duhet të ishte kursyer, edhe nëse vërtetë ka shkelje ligjore.

Një shkrim tjetër i dobishëm  PAPËRGJEGJËSIA PROFESIONALE E MEDIAVE

Ajo që më shqetëson më shumë nga kjo ngjarje, janë pikërisht pasojat e dyfishta negative si për muslimanët ashtu edhe për shoqërinë që na rrethon. Në njërin krah muslimanët ndjehen të terrorizuar, të trembur dhe frikësuar pa faj dhe në anën tjetër pjesa tjetër e shoqërisë që shton islamofobinë dhe përligj diskriminim, fyerjen dhe padrejtësinë ndaj nesh.

Pyetja thelbësore që unë ngre këtu për çdo njeri, është: Kujt i shërben kjo klimë? Të mirës së këtij vendi dhe qytetarëve të tij?! Kurrsesi që jo!

Nuk ka njerëz pa gabime, cilët do qofshin ata, dhe kjo është një e vërtetë që ne si besimtarë e kemi parim të fesë tonë ta pranojmë, na pëlqen ose jo, por askush, cilido qoftë ai, musliman ose jo, nuk ka të drejtë as ligjore dhe as morale të na detyrojë të ndihemi të përçmuar dhe akuzuar nga islamofobia dhe pakënaqësia, që vetëm se ushqehen më tej me të tilla ngjarje, në shoqërinë tonë tepër paragjykuese dhe të brishtë.

Në një situatë të tillë tepër të sikletshme, nuk më ngelet vetëm se, t’i lutem Zotit dhe të uroj që të gjitha palët, të ruajnë maturinë dhe të mos nxitohen në konkluzione, akuza dhe prononcime, që vetëm se dëmtojnë ekuilibrin social në këtë vend.

Hoxhë: Justinian Topulli

Categories

Archives