Wednesday, 24/5/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Universi – I spjeguar në Kur’an apo në Britannica?!


Universi – I spjeguar në Kur’an apo në Britannica?!


universi

Në kohërat e filozofëve të lashtë, është menduar se yjet janë fishekzjarrë të ndezura nga fise tjera që jetojnë në univers…, ose se universi është një pjatë e rrafshët që qëndron mbi shpinën e një breshke të madhe; astronomi grek Ptolemeu kishte thënë se toka gjendet në qendrën e universit…, e ka pasur edhe shumë e shumë teori të tjera misterioze. Ndërsa ndër faktet madhështore të gjithësisë është se në realitet, në galaktikën ‘rruga e qumështit’ (‘kashta e kumtrit), vlerësohet se ekzistojnë më shumë se 100 miliardë yje. Këto janë disa shpjegime që mund të gjinden në enciklopedinë ‘Brittanica’, në botimin më të ri të vitit 2008.

 


Në këtë shkrim do të mundohemi të bëjmë një krahasim në mes të argumenteve të vërtetuara shkencore dhe teorive shkencore me argumentet e treguara në librin e shenjtë Kur’anin.

Në pjesën e cila flet rreth universit, në faqen nr. 7 të enciklopedisë, thuhet: “A e keni ditur se sekondë pas sekonde universi vazhdimisht rritet?”

 


 

Kjo çështje e shtjelluar në këtë mënyrë nga shkencëtarët na sjell në pah diçka tjetër që është mjaft mbresëlënëse. Rreth kësaj çështje, Zoti ka treguar në Kuranin Fisnik qysh 1400 vite më parë duke na bërë të qartë se universi është vazhdimisht në rritje e sipër; ndërsa teoria e zgjerimit të universit është dhënë vetëm në vitin 1920 nga Edwin Hubble.


Allahu thotë në Kuran:

“Ne, me forcën tonë e ngritëm qiellin dhe Ne e zgjerojmë atë.” (Dharijat, 47)

 

 

Tutje, në faqen e dhjetë të këtij atlasi shënohet se: “është e pamundur të dihet në mënyrë të saktë se si, nga asgjëja, universi filloi ekzistencën. Sipas teorisë së ‘Shpërthimit të Madh’ (‘Big Bang’) – teoria që pranohet më së shumti në komunitetin e shkencës, universi filloi të krijohet kështu: “në fillim u shfaqën disa topa të zjarrtë pambarimisht të vegjël dhe të dendur të cilët mundësuan rritjen e hapësirës, masës, dhe energjisë…” (‘Enciklopedia e Lustruar Shkencore Brittanica’, ‘Universi’, faqe 10). Edhe pse kjo është një teori e cila më së shumti u pranua nga komunitetit shkencor prapë se prapë kjo teori ka dalë si studim i realitetit të gjithësisë ekzistuese në ditët e sotme dhe në bazë të supozimit të shkaqeve të cilat kanë mundur të ndikojnë në krijimin e saj. Kjo gjendje e përshkruar nga shkencëtarët si ‘topa të zjarrtë pambarimisht të vegjël dhe të dendur’ çuditërisht është përmendur në Kur’an para më shumë se 1400 viteve dhe është quajtur me një emër në gjuhën arabe që ka kuptimin e mjegullinës:

“Pastaj Ai (Allahu) iu kthye qiellit (krijimit të qiellit) e ai ishte tym (mjegullinë që ishte si materie e parë)…” (Fusilet, 11)

Pra, edhe ky një fakt tjetër i shpallur qysh para 14 shekujve në Kuranin Fisnik e që ka mundur të kuptohet përafërsisht vetëm tani në shekullin 21.

Më vonë në këtë atlas përmendet edhe fakti se shkencëtarët kanë supozuar se universi ashtu siç është krijuar ashtu do ta ketë edhe një fund (‘Enciklopedia e Lustruar shkencore Brittanica’, ‘Universi’, faqe 14), pra do të zhduket, harxhohet. Ndërsa në Kuranin Fisnik Allahu i Madhëruar ka treguar se do të ndodhë një shkatërrim total i gjithçka çka ka në qiell dhe në tokë – Kijameti. Megjithatë dikush mund të thotë se shkenca supozon se kiameti do të ndodhë vetëm kur harxhohen materiet dhe energjia në tokë për të pasur mundësi të ekzistojë toka. Ndërsa, sipas librit të shenjtë Kuranit kjo teori është plotësisht e gabuar sepse shkatërrimi i përgjithshëm do të ndodhë në një kohë të caktuar nga Allahu xh.sh. dhe jo nëpërmes harxhimit të ciklit jetësor të diellit mirëpo përmes një dridhje të llahtarshme e cila do të jetë aq e madhe sa që do të shkatërrojë ekzistencën në tokë.

“Dhe i fryhet Surit dhe bie i vdekur çka ka në qiej dhe çka ka në tokë, përveç atyre që do All-llahu (të mos vdesin), pastaj i fryhet atij herën tjetër, kur qe, të gjithë ata të ngritur e presin (urdhrin e Zotit).” (Zumer, 68)

Për ta qartësuar se teoria shkencore rreth kësaj çështje është e gabuar do të përmendim një shembull nga jeta e përditshme, i cili do të kuptohet më së miri në formë pyetëse: “A do të thotë se secili njeri do të vdes vetëm pasi ti ketë harxhuar të gjitha forcat dhe energjitë për jetë, apo ndoshta mund të ndodh diçka tjetër si aksident, sëmundje vdekjeprurëse, vrasje, etj., dhe të shkaktojë vdekjen e tij në një moment tjetër të caktuar para kësaj???” Pra, kështu Allahu në Kuran na tregon se Kijameti do të ndodh në një moment të caktuar, me urdhërin e Zotit, dhe dijenia për këtë moment nuk i takon askujt tjetër përveç Allahut xh.sh.

Në enciklopedinë ‘Brittanica’ përmenden disa teori që janë dhënë nga shkencëtarë rreth forcës së gravitetit dhe efekteve të saj (‘Enciklopedia e Lustruar shkencore Brittanica’, ‘Universi’, faqe 17). Graviteti është përmendur së pari në Kuran edhe pse nuk është quajtur me emrin ‘gravitet’. Pra, ekziston një forcë e madhe e cila i mban krijesat në tokë dhe nuk i lejon të rrëshqasin përtej. Allahu i Madhëruar duke treguar për depërtimin në qiell për të cilin nevojitet një forcë shumë e madhe, na bën me dije se ne jemi të ngjitur në planetin tonë nga një forcë e madhe të cilën ne sot e quajmë ‘forca e gravitetit.’

“O xhinde dhe njerëz, nëse keni fuqi të përshkoni kufijtë e qiejve dhe të Tokës, atëherë përshkojini ato! Por nuk do të mund ta bëni këtë, përveçse me një fuqi të madhe (nga Allahu)!” (Rrahman, 33)

Një krahasim tjetër që do ta bëjmë në mes të kësaj enciklopedie dhe Kuranit Fisnik është fakti se: “planetët të cilët rrotullohen rreth tij (diellit) nuk e prodhojnë dritën e tyre. Në të vërtetë, ata e reflektojnë dritën e diellit. (‘Enciklopedia e Lustruar shkencore Brittanica’, ‘Universi’, faqe 38). Edhe për këtë Allahu na ka treguar qysh në vitet 600 në Kuranin e bekuar duke marrë si shembull hënën e cila është vetëm dritë ndërsa burimi i kësaj drite vjen nga dielli:

“A nuk e keni parë se si All-llahu krijoi shtatë palë qiej (në kate). Dhe në ta hënën e bëri dritë, diellin e bëri ndriçues.” (Nuh: 15,16).

Në faqen 66, atlasi ‘Brittanica’ shpjegon se: “Duhet të vërejmë se jeta në Tokë do të ishte e pamundur pa prezencën e atmosferës – shtresat e pangjyrë, pa aromë, dhe të padukshme të cilat na rrethojnë, të cilat na ofrojnë ajrin për të marrë frymë dhe na mbrojnë nga rrezatimi i dëmshëm i Diellit”.

Në Kuranin Fisnik, është përmendur se qëllimi i krijimit të qiellit në formën dhe përbërjen të cilën e ka, përveç të tjerash, është edhe mbrojtja nga gjërat që vijnë nga jashtë tokës, për shkak se qielli është quajtur kulm:

“All-llahu është Ai që ua bëri tokën vendbanim e qiellin kulm, dhe ju formësoi, e formën tuaj e bëri më të mirë dhe ju pajisi me të mira….” (Gafir, 64)

Në këtë ajet pra qielli është quajtur kulm, e ne e dimë se kulm mund të quhet vetëm një shtresë mbrojtëse që qëndron mbi sendin e caktuar me qëllimin e vetëm që ta mbrojë atë nga faktorët e jashtëm që e rrezikojnë mirëqenien e këtij sendi – pra, ky ajet shumë qartë aludon se qielli është mbrojtës nga rrezatimi i dëmshëm, e edhe nga depërtimi i copëzave tjera në tokën tonë, e sigurisht që aludon edhe në qëllime të tjera të cilat ne ende nuk i kemi të qarta e ndoshta do ti kuptojmë në të ardhmen.

A mendoni se udhëtimi i planetëve nëpër orbita të caktuara është çështje e zbuluar nga shkenca? Padyshim se po, mirëpo të shikojmë se kur është treguar ky fakt në librin e shenjtë – nga burimi i pashtershëm deri në Ditën Përfundimtare – Kur’ani. Në faqen 74 të atlasit përshkruhet orbita nëpër të cilën udhëton planeti ynë, ndërsa në Kuran Allahu xh.sh. ka treguar se gjithçka noton nëpër një orbitë të caktuar.

“Ai është që krijoi natën e ditën, diellin e hënën dhe secili prej tyre noton në orbitë.” (Enbija, 33)

Kuptoje pra se shkenca vetëm se është duke e shprehur gradualisht vërtetësinë e librit të shenjtë – Kur’anit Fisnik, një mijë e katërqind vite më vonë. Njëkohësisht, shkenca ka mundësuar anulimin e teorive të çuditshme antike të filozofëve rreth formës së tokës, teori këtë të cilat kanë vazhduar të besohen nga popujt jomusliman edhe gjatë kohës kur realiteti i shpjegimit të gjithësisë ka ekzistuar në Librin e qartë Kuranin.

Pak më vonë, në faqen 76 të këtij atlasi të universit, flitet rreth hënës dhe fazave të saj. Rreth kësaj çështje Allahu xh.sh. ka zbritur ajete, ndër të cilat është edhe ajeti i sures Junus në vijim:

“Ai e bëri diellin shndritës, e hënën dritë dhe asaj (hënës) ia caktoi fazat, që ta dini numrin e viteve dhe llogarinë. All-llahu nuk e krijoi këtë për tjetër, pos me qëllim të caktuar.” (Junus, 5)

Për ata që mendojnë thellë, duke medituar rreth asaj që na rrethon, nuk ka nevojë për më shumë fakte se këto për të besuar në Zotin e Lartmadhëruar dhe për të kërkuar se çka me të vërtetë kërkon Ai prej nesh; cila do të ishte ajo vepër e cila do të krijonte lidhjen tonë me Krijuesin tonë të Gjithëmëshirshëm; çfarë do të ishte hapi i ardhshëm që do të duhej të hidhje në mënyrë që Allahu i Plotfuqishëm të kënaqet me sjelljet tua e të mos jesh prej atyre mbi të cilët është derdhur hidhërimi i Tij. Allahu shpeshherë përmend në Kur’an meditimin dhe mendimin rreth argumenteve të Tij në tokë e në qiej, e një shembull të tillë e kemi edhe në ajetin:

“Ne, në qiell kemi krijuar galaksione yjesh dhe atë e kemi zbukuruar për ata që e shikojnë me vëmendje.” (Hixhr, 16)

Dëshiroj ta mbaroj këtë shkrim me njërin nga ajetet madhështore të Kur’anit në të cilin Allahu xh.sh. na ka paralajmëruar që moti se ka për të na bërë të qarta argumentet e Tij të pamohueshme. Allahu në Kuran ka përmendur në shumë vende se si popujve të ndryshëm u kanë ardhur gjithmonë argumente të qarta nga Zoti i tyre, ndërsa gjithmonë kanë qenë zullumqarët ata që edhe pasi i shikonin këto argumente të qarta si drita e diellit, ata i quanin këto magji dhe u vënin llagape të ndryshme. Pasojat e mohimeve të këtyre popujve do të kuptoheshin më mirë nëse studiohen pak më shumë historitë e zhdukjes së popujve. Allahu (I Lartësuar Qoftë) na bëftë prej atyre që kuptojnë fjalët e Tij dhe të cilët janë vazhdimisht të angazhuar në kërkim të asaj që është e pamohueshme:

“Ne do t’ua bëjmë atyre të mundshme që t’i shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre deri që t’u bëhet e qartë se ai (Kur’ani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë?” (Fusilet, 53)

Një shkrim tjetër i dobishëm  Në cilin muaj vie shpirti i bebes në barkun e nënës?

Categories

Archives