Saturday, 18/11/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Udhëzimi profetik gjatë përkujdesjes për fëmijët

Udhëzimi profetik gjatë përkujdesjes për fëmijët
femijet ne islam

I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, është kujdesur shumë për fëmijët dhe na ka urdhëruar t’i trajtojmë mirë ata dhe të sillemi butë ndaj tyre.

A e dini të dashurit e mi se i Dërguari i Allahut, paqja e Allahut qoftë mbi të, asnjëherë nuk e ka goditur ndonjë fëmijë në jetën e tij? Madje ai na ka urdhëruar të jemi të dhembshëm ndaj të vegjëlve dhe të tregohemi bamirës ndaj tyre që nga momenti i parë, madje para se të vijë në këtë botë. Ai na urdhëroi të bëjmë përzgjedhjen e nënës së tij duke thënë: “Zgjidhe atë që ka besim që të gjesh lumturinë”, t’ia zgjedhim emrin dhe ta trajtojmë mirë.

Enes b. Maliku, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i ka shërbyer të Dërguarit të Allahut dhjetë vjet, kurse i Dërguari gjatë tërë asaj periudhe nuk e ka qortuar asnjëherë të vetme e as nuk i ka thënë: “Përse e bëre këtë apo përse nuk e ke bërë këtë, por e mësonte dhe sillej butësisht me të”.

Transmeton Buhariu dhe Muslimi në dy koleksionet e tyre nga Enesi, i cili thotë: “I kam shërbyer të Dërguarit, paqja e Zotit qoftë mbi të, dhjetë vjet në Medinë sa isha fëmijë, e punët e mia nuk ishin gjithnjë ashtu siç dëshironte miku im, asnjëherë nuk më ka thënë uf e as nuk më ka thënë: “Përse e bëre këtë ose sikur ta kishe bërë këtë”.

Enes b. Maliku, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, pasi i ka shërbyer dhjetë vjet Profetit, ka thënë: “Profeti ishte njeriu me moral më të mirë.” Buhariu dhe Muslimi. Subhanallah! Ku jemi ne sot në raport me këtë sjellje të mirë profetike?

Sigurisht që Profeti i ka kundërshtuar zakonet e idhujtarëve në kohën e tij. Ashpërsia me fëmijën qe një traditë e përhapur, ndërsa rrahja e fëmijëve dhe e grave konsiderohej një veprim i mirë sipas zakonit të injorancës së parë. Prindërit silleshin keq me fëmijët e tyre, i rrihnin ata dhe kishin bindjen se kjo është edukatë ideale.

Mirëpo i Dërguari i mëshirshëm, për të cilin Allahu i Lartësuar thotë: “Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët” (Tevbe, 128), është dërguar si mëshirë për botët, ka ardhur t’i përmirësojë gabimet dhe të na mësojë metodën ideale për edukatën e shëndoshë. Ai ka ndaluar rrahjen e fëmijëve, përveç nëse fëmija kundërshton përgjigjen për namazin, në këtë situatë rrahja e lehtë konsiderohet një çështje e mirë, madje e kërkuar. Pavarësisht kësaj nuk lejohet rrahja e fëmijës para moshës dhjetëvjeçare!

Shkaku i kësaj është se personaliteti i fëmijës formohet gjatë dhjetë vjetëve të para, saqë ndikimi i tij nga rrahja do të jetë jashtëzakonisht i madh gjatë këtyre viteve, ndërsa pas kësaj ndikimi i rrahjes në psikologjinë e tij do të jetë më i vogël. Për këtë shkak Profeti, paqja e Zotit qoftë mbi të, thotë: “Urdhërojini fëmijët tuaj për namaz që në moshën shtatëvjeçare, kritikojini për të në moshën dhjetëvjeçare dhe ndajini ata në shtretër.” Silsilah es Sahiha, Albani.

Çfarë thonë psikologët rreth fenomenit të rrahjes së fëmijëve? Cilat janë rezultatet e dhunës me fëmijët? Të lexojmë këtë lajm shkencor i cili konfirmon se dënimi fizik, fëmijët i bën më të dhunshëm.

Një studim shkencor ka vërtetuar se dënimi fizik i bën fëmijët më të dhunshëm dhe ndikon në zhvillimin e tyre psikik dhe aftësinë e tyre mendore. Ky studim si dhe një numër studimesh të tjera, që kanë përcjellë një grup fëmijësh nga mosha e fëmijërisë deri te mosha e pjekurisë, kanë konstatuar se rrahja mund ti bëjë më tepër të jenë të izoluar, ndërsa ata që i janë ekspozuar rrahjes fizike në moshën njëvjeçare janë bërë më grindavecë si dhe aftësia mendore i është kthyer mbrapsht në krahasim me ata që janë qortuar vetëm gojarisht.

Studimi ka sqaruar ndaras se dënimi fizik i fëmijëve zhvillon tek ta fenomenin e sjelljes së pahijshme trefish më tepër se sa moshatarët e tyre që nuk i janë ekspozuar rrahjes.

Dr. Liz Berlin, hulumtuese shkencore në Qendrën Politika e fëmijës dhe e familjes në Universitetin North Karolina thotë: “Rezultatet tona qartazi vërtetojnë se rrahja ndikon në zhvillimin e fëmijëve”. Në këtë studim të publikuar në revistën periodike “Zhvillimi i fëmijës” kanë marrë pjesë një grup hulumtuesish nga universitetet e ndryshme amerikane.

Dr. Xhenifer Lansford, nga uiversiteti “Duke”, e cila ka udhëhequr një studim të ngjashëm rreth ndikimit të rrahjes tek fëmijët nga moshapesë vjeçare deri në moshën gjashtëmbëdhjetëvjeçare,thotë: “Grupi i cili i ekspozohet qortimit fizik është më i prirë për zhvillim të sjelljes armiqësore gjatë periudhës së pjekurisë dy apo trefish më tepër. Prej shembujve të atyre sjelljeve janë rebelimi në shtëpi ose në shkollë”.

Shikoni të dashurit e mi se si shkencëtarët thërrasin drejt domosdoshmërisë së kujdesit me edukimin e fëmijës dhe mos rrahjen e tij, por me udhëzimin, këshillimin dhe arsimimin e tij. Këtë e bënte Profeti, paqja e Zotit qoftë mbi të, me fëmijët.

Kush ia mësoi të Dërguarit bazat e pedagogjisë bashkëkohore? Përse i kundërshtoi njerëzit në kohën e tij dhe nuk urdhëroi rrahjen e fëmijëve? Përse urdhëroi Profeti të kemi frikë Allahun për fëmijët tanë? Medito mbi këtë porosi të shkëlqyeshme të Profetit të mëshirshëm kur thotë: “Kini frikë Allahun dhe jini të drejtë me fëmijët tuaj.” Buhariu dhe Muslimi. Subhanallah! Pas tërë këtyre fakteve dhe të vërtetave vjen dikush e thotë se Profeti, paqja e Zotit qoftë mbi të, ishte “terrorist” ose të thotë se “Islami është përhapur me forcë dhe me tehun e shpatës”, ose muslimanët janë të dhunshëm e të prapambetur!

Të dashurit e mi! Çdo gjë që e përhapin mjetet perëndimore të informimit rreth imazhit të shëmtuar rreth Islamit, nuk është e vërtetë dhe është në kundërshtim me të vërtetën. Këshilloj çdokënd që dëshiron të dijë realitetin islam që të kthehet tek biografia e saktë e Profetit dhe shokëve të tij e jo tek shkrimtarët e fabrikuar të mjeteve perëndimore të informimit.

Përktheu: Almedin Ejupi

 

Tags:

Categories

Archives