Thursday, 23/3/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Tufejl Ibnu Amr Ed Devsij


Tufejl Ibnu Amr Ed Devsij


lule dielli
“O Zoti im, bëji atij një shenjë që do t’a ndihmojë në bamirësi!”
Nga lutja e Pejgamberit a.s. për të.
Tufejl ibnu Amr Ed-Devsij, ishte prijës i fisit Devs në kohën e injo­rancës (në periudhën paraislame), njëri prej njerëzve më me auto­ritet të parisë arabe dhe prej njerëzve më të ndershëm, të rrallë, të asaj kohe.
Tek ai asnjëherë nuk hiqej vorbulla nga zjarri, dhe as nuk mbyllej de­ra e shtëpisë para mysafirëve.
Ushqente të uriturit, siguronte të frikësuarit dhe streh-onte ata që kërkonin strehim.
Përveç kësaj, ai ishte mendjehollë, i zgjuar, poet i ndjeshëm dhe orator.
* * *

Një ditë prej ditësh, Tufejli u largua nga vendbanimi i popullit të tij në “Tuhame” dhe u nis për në Meke. Në atë kohë rrëmuja e luftës ndërmjet Pejgamberit a.s. dhe pabesimtarëve kurejshit kishte arritur kulmin. Secila palë dëshironte të përfitonte në anën e vet sa më shumë miq dhe aleatë. Ndërsa Pejgamberi a.s. i lutej Krijuesit të vet, e arma e tij e vetme ishte besimi i vërtetë.
Pabesimtarët kurejshit i ishin kundërvënë thirrjes së tij, e luftonin me çdo mjet dhe në çdo mënyrë i largonin njerëzit nga feja.
Tufejli u gjet në këtë luftë i papërgatitur dhe do të hyjë në të pa ndonjë qëllim të caktuar.
Ai nuk kishte ardhur në Meke për këtë qëllim, e as që i kishte shku­­ar ndërmend ndonjëherë për konfliktin e mëpar-shëm ndërmjet Muhammedit dhe kurejshitëve.
Rreth këtij konflikti, Tufejli përjetoi një ndodhi që konside­ro­het prej tregimeve më të çuditshme. Ta dëgjojmë pra.
Tufejli tregon e thotë:
Arrita në Meke. Posa më panë, paria e Mekës u nisën nga unë. Më pritën shumë mirë dhe më nderuan me një mikpritje që nuk mba­het në mend.
Pastaj u tubuan rreth meje më të zgjedhurit e kurej-shitëve dhe më thanë:
– O Tufejl! Ti erdhe në vendin tonë. Ky njeri, i cili pretendon se është Pejgamber, na ka përçarë dhe na ka prishur. Ne kemi frikë se mos do të ndodhë me ty dhe me popullin tënd ajo që na ka ndodhur neve. Kujdes, e mos fol me atë njeri! As mos dëgjo prej tij asgjë, sepse ai ka disa fjalë, të cilat i ngjajnë magjisë: e ndan fëmijën prej prindit, vëllanë prej vëllait e gruan prej burrit.
* * *

Tufejli pastaj vazhdon e thotë:
– Betohem në Allahun se, derisa më tregonin lajme të çuditshme për të dhe duke më frikësuar mua dhe popullin tim për veprat e tij të çuditshme, vendosa që të mos i afrohem atij, të mos i flas e as të mos dëgjoj prej tij asnjë fjalë.
Në mëngjes herët u zgjova dhe shkova për të bërë tavaf rreth Qabes, që të kërkoj ndihmë nga idhujt e vndosur në të, ku bënim haxhin dhe i adhuronim ata. Para se të nisesha, i mbylla të dy veshët me pambuk, nga frika se mos do të depërtojnë tek unë fjalët e Muhammedit.
Mirëpo, posa hyra në Qabe, e pashë Muhammedin duke u falur, e falur që ndryshonte nga të falurit tonë, edhe adhurimi i tij ndryshonte nga adhurimi ynë. Pamja e tij më magjepsi dhe mënyra e adhurimit të tij më mahniti. E pashë veten duke iu afruar atij padashje dhe për një çast e gjeta veten pranë tij. Deshi Allahu të arrijë te veshët e mi ajo që thoshte ai. Dëgjova fjalë tejet të bukura dhe thashë me vete:
“Medet për ty, o Tufejl!”
Ti je njeri i mençur dhe poet. Je në gjendje të dallosh të mirën prej të keqes. Ç’të pengon ty të dëgjosh prej këtij njeriu se ç’thotë?
Nëse ajo që thotë është e mirë, e pranon, e nëse është e keqe, e lë.
Tufejli pastaj vazhdon rrëfimin e tij:
Qëndrova aty derisa u largua Pejgamberi a.s. dhe u nis për në shtë­pinë e vet. U nisa menjëherë pas tij dhe, ndërsa ai hyri në shtë­pinë e tij dhe deshi ta mbyllë derën, e arrita dhe i kërkova leje të hy­j me të. Menjëherë ia fillova bisedës dhe i thashë:
– O Muhammed! Populli yt më ka thënë për ty kështu e ashtu. Be­to­hem në Allahun se më frikësuan prej teje deri në atë shkallë saqë i mbylla të dy veshët me pambuk me qëllim që të mos dëgjoj prej teje asgjë. Mirëpo, deshi Zoti e dëgjova diçka dhe e hetova se është e bukur.
Më trego për çështjen tënde. Pejgamberi a.s. i tregoi në de­ta­je dhe ia lexoi atij kaptinën “El-Ihlas” dhe “El-Felek”.
Tufejli pastaj thotë:
– Betohem në Zotin se asnjëherë nuk kam dëgjuar fjalë më të bu­kura se fjalët e tij dhe as që kam parë njeri me parime dhe mësime më të drejta.
Në atë moment ia dhashë dorën dhe dëshmova se “nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, dhe se Muhammedi është i Dërguari i Tij”, dhe kështu hyra në fenë islame.

Tufejli pataj vazhdon rrëfimin e tij:
– Pas kësaj qëndrova një kohë në Meke për t’i mësuar bazat e fesë islame dhe mësova përmendsh disa pjesë të Kur’anit. Kur vendosa të kthehem te populli im, Pejgamberit a.s. i thashë:
– O i Dërguari i Allahut! Fjala ime ka peshë në fi­sin tim. Unë do të kthehem te populli im dhe do t’i ftoj ata në fe­në islame. Lute Zotin të më japë një shenjë, që do të më ndih­mojë në thirrjen time. Atëherë Pejgamberi a.s. tha: “O Zoti im, jepi këtij një shenjë!”
U nisa për te populli im dhe kur arrita në një vend të lartë, prej ku dukeshin shtëpitë e tyre, në mes të syve të mi u paraqit një dri­të, një si kandil, e thashë:
– O Zoti im, bëje atë jashtë fytyrës sime, sepse kam frikë se ata do të mendojnë se ky është dënim për mua, për shkak të braktisjes së fesë së tyre.
Posa hyra në shtëpinë time, hyri babai im i shtyrë në moshë dhe i thashë:
– Largohu prej meje, o babai im! Ti nuk je imi e as unë nuk jam yti!
Babai i habitur ma ktheu:
– Përse, o biri im?!
Iu përgjigja:
– Unë jam bërë musliman dhe kam kaluar në fenë e Muhammedit a.s.
Babai ma ktheu:
– Në rregull, biri im. Feja jote është edhe feja ime!
Atëherë i thashë:
– Shko lahu dhe pastroi rrobat, e pastaj eja tek unë që ta mësoj atë që kam mësuar unë.
Babai shkoi e u la, i pastroi rrobat e veta dhe pastaj erdhi. Ia paraqita fenë islame dhe e pranoi.
Pas tij erdhi gruaja ime, së cilës i thashë:
– Largohu prej meje, sepse nuk jam yti e as ti nuk je imja!
Gruaja e habitur ma ktheu:
– Përse?! Të betohem në babanë dhe nënën time?!
Iu përgjigja:
– Na ka ndarë feja islame. Unë kam pra­nuar Islamin, fenë e Muhammedit.
Atëherë ajo tha: Feja jote është edhe feja ime.
I thashë: – Shko, pastrohu me ujin e “Dhish-Shera”! E “Dhish -Shera” ishte një idhull i posaçëm për fisin “Devs”, rreth të cilit zbriste ujë nga kodra.”
Gruaja e habitur ma ktheu:
– Të betohem në babanë dhe nënën time, a mos po u ndodh fëmijëve ndonjë e keqe nga “Dhush-Shera”?
Ia ktheva me hidhërim:
– Medet për ty dhe për “Dhush-Sheran”?! Të thashë shko dhe pas­trohu atje, larg prej syve të njerëzve, e unë të garantoj ty se ai gur i shurdhër nuk është në gjendje të të bëjë asgjë.
Shkoi dhe u pastrua. Pastaj u kthye. Ia paraqita fenë islame dhe e pranoi.
Pastaj e thirra fisin tim “Devs”, por ata ngurruan t’i përgjigjen thirrjes sime, përveç Ebu Hurejres, i cili ishte më i shpejti në pra­ni­min e fesë islame.
* * *

Një shkrim tjetër i dobishëm  Çfarë thotë Islami për terrorizmin?

Tufejli pastaj vazhdon e thotë:
Shkova te Pejgamberi a.s. në Meke bashkë me Ebu Hurejren. Po­sa më pa, Pejgamberi a.s. u gëzua për ardhjen time dhe më pyeti:
– Çka ka, o Tufejl?!

Iu përgjigja:
– Zemra të ngurta dhe mosbesim i madh. Në fisin tim “Devsin” ka triumfuar e keqja dhe amoraliteti.
Pejgamberi a.s. u çua, mori abdes, u fal dhe i ngriti duart lart kah qielli. Ebu Hurejre tregon:
“Kur e pashë ashtu, më hyri frika se mos po e mallkon popullin tim e do të shkatërrohet dhe thashë: ”Medet për popullin tim!”
Mirëpo, Pejgamberi a.s. filloi t’i lutet Allahut me këto fjalë:
– O Zoti im, udhëzoje Devsin!!! O Zoti im, udhëzoje Devsin!!! O zoti im, udhëzoje Devsin!!!
Pastaj u kthye kah Tufejli dhe tha:
– Kthehu te populli yt, sillu butë me ta dhe thirri ata në fenë islame!
* * *

Tufejli pastaj vazhdon e tregon:
– Derisa unë isha në mesin e fisit Devs duke i thërritur ata në fenë islame, Pejgamberi a.s. u shpërngul në Medinë. Ndërkohë ndodhi lufta e Bedrit, e Uhudit dhe e Hendekut. Një ditë prej ditësh shkova te Pejgamberi a.s. dhe me mua ishin tetëdhjetë shtëpi të fisit Devs, të cilët kishin pranuar fenë islame. Kjo e gëzoi pa masë Pej­gam­berin a.s. dhe na dhuroi një pjesë nga preja e luftës së Haj­be­rit, kurse ne i thamë:
– O i Dërguari i Allahut, na cakto neve krahun tënd të djathtë në çdo luftë dhe le të jetë shenja jonë “mebrur”.
Tufejli pastaj vazhdon rrëfimin e tij:
– Vazhdimisht isha me Pejgamberin a.s., deri në çlirimin e Mekës dhe një ditë prej ditësh i thashë:
– O i Dërguari i Allahut më dërgo te “Dhul-keffejni”, idhull i Amër ibnu Hamemes, që ta djeg atë… Pejgamberi a.s. më lejoi dhe shkova tek idhulli në krye të një çete të popullit tim.
Posa arrita tek idhulli dhe desha t’ia vë zjarrin, rreth tij u tubuan gratë, burrat dhe fëmijët, e vëzhgonin dhe pritnin se do të gjuajë rru­feja, nëse i bëja çfarëdo dëmi “Dhul-keffejnit”.
Mirëpo, në prezencën e adhuruesve të tij u drejtova kah idhu­lli dhe nisa të fusë zjarr në brendinë e tij, duke recituar;
“O ‘Dhul-keffejn’, nuk jam prej adhuruesve të tu.
Lindja jonë është më e vjetër se lindja jote.
Unë e ndeza zjarrin në brendinë tënde”.
Me shkatërrimin e idhullit “Dhul-keffejn” u shka­tërrua çdo gjë që kishte mbetur nga mosbesimi në fisin Devs dhe i tërë populli pranoi fenë islame.
Pas kësaj ngjarje, Tufejl ibnu Amr Ed-Devsij mbeti me Pejgam­berin a.s. derisa i Dërguari i Allahut ndërroi jetë.
Pas vdekjes së Pejgamberit a.s. dhe me kalimin e hilafetit në duart e Ebu Bekr Es-Sidikut, Tufejli me gjithë të birin ishte në shërbim të halifes së Pejgamberit a.s.
Posa filluan luftërat kundër renegatëve të fesë islame, Tufejli u mo­bi­lizua së bashku me të birin e tij, Amrin, në krye të ushtrisë së muslimanëve në luftë kundër Musejleme el-Kedh-dhabit.
Gjatë rrugës së tij për në Jemame pa një ëndërr, të cilën ua tre­goi shokëve të vet dhe u tha:
– Unë kam parë një ëndërr. Cili prej jush mund të ma shpjegojë domethënien e saj?
Shokët e pyetën:
– Çfarë ke parë?
Tufejli u përgjigj:
– Pashë se i kisha qethur flokët, një zog doli prej gojës sime, një grua më futi në barkun e saj dhe se djali im Amri filloi të më kër­kojë me të shpejtë, mirëpo diçka e pengoi që të më bash­kan­gjitet.
Shokët i thanë:
– Dhashtë Zoti e të jetë mirë.
Tufejli iu ktheu atyre:
– Pasha Allahun, sa më përket mua, unë e kam shpjeguar atë.
Sa i përket qethjes së flokëve të mi, kjo do të thotë se mua do të më prehet koka.
Ndërsa shpendi që doli prej gojës sime, ai është shpirti im.
Kurse gruaja, e cila më futi në barkun e saj, simbolizon tokën në brendinë e së cilës do të varrosem.
Por, edhe dëshira ime e kahershme është që të vdes shehid.
Ndërsa kërkesa e birit tim dhe nxitimi i tij pas meje do të tho­të se edhe ai do të kërkojë të bjerë shehid sikurse unë, me lejen e Zotit xh.sh., mirëpo, ai do ta arrijë këtë më vonë.
Në luftën e Jemames, sahabi i ndershëm, Tufejl ibnu Amr Ed- Dev­sij, tregoi trimëri të rrallë, derisa ra shehid në fushën e betejës. Ndërsa i biri i tij, Amri, vazhdoi të luftojë derisa e lodhën plagët dhe iu pre dora e djathtë. Pas mbarimit të betejës, u kthye në Medinë duke lënë në mejdanin e luftës babanë dhe dorën e vet.
Në kohën e sundimit të Omer ibnul Hattabit, Amr ibnu Tufejli shkoi një herë në vizitë tek ai dhe ndërkohë Omerit ia sollën ush­qimin dhe të gjithë njerëzit që ndodheshin aty u ulën në sofrën e Omerit, përveç Amrit, i cili u largua. Kur Omeri vërejti mospre­zencën e tij, pyeti:
– Çfarë ke, o Amr?! Ndoshta ti nuk deshe të ulesh për shkak se turpërohesh prej dorës sate.
Amri u përgjigj:
– Po. O halife (sundues) i besimtarëve…
Omeri, atëherë ia ktheu:
– Betohem në Allahun se nuk do ta kërkoj këtë ushqim derisa mos ta përziesh me dorën tënde të prerë. Betohem në Allahun se nuk është asnjëri në mesin tonë që një pjesë e tij e ka në xhenet, përveç teje, – duke aluduar në dorën e tij.
* * *

Ëndrra e rënies shehid i dilte parasysh vazhdimisht, që nga koha kur ishte ndarë prej babait. Kur u zhvillua lufta e Jermukut, Amri nxitoi të marrë pjesë në të, bashkë me të tjerët, dhe në betejë e sipër, në kulmin që kishte arritur lufta, ai ra shehid, gjë që edhe e kishte paralajmëruar babai i tij disa vjet më parë.
Allahu xh.sh. e mëshiroftë Tufejl ibnu Amrin. Ai ishte shehid dhe baba i shehidit.

Categories

Archives