Thursday, 23/3/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Trekëndëshi i degradimit medial


Trekëndëshi i degradimit medial


shefqet krasniqi

Dr. Shefqet Krasniqi

Informimi është fuqi në vete. Në demokraci është konceptuar si fuqi e popullit apo mjet i tij për të ushtruar ndikim në rrjedhën e politikes. Për këtë, mediet janë përshkruar si institucioni i pavarur i cili duhet të informojë publikun drejtë dhe paanshëm. Po kështu, mediet duhet ta kenë saktësinë si kriter profesional të pa-kompromis.

Megjithatë, për fat të keq ky nuk është realiteti i medieve. Nëse i hedhim një vështrim të shkurtër medieve tona shohim se në fakt ato veprojnë të kundërtën e kësaj që u tha. Ato nuk janë zëri i popullit dhe as mjeti i informues i tij. Personalisht, kam vërejtur tri elemente që kanë ndikuar në këtë transformim monstruoz të medieve, natyrisht duke mos përfshirë të gjitha pasi që gjithmonë ka përjashtime.

1. Partizimi i medieve

Politika me kohë ka aplikuar një kriter famëkeq atë se kush kontrollon mediet, kontrollon dhe popullin. Mu për këtë, politika ka investuar mjaft shumë në media. Nuk duhet shumë kohë të meditosh për të dalluar se cili medium televiziv i përket cilës parti, cila gazetë është e afërt me cilën parti, cilët gazetarë janë partizanë të cilin subjekt politik, etj. Kjo për shkak të presionit material të politikës ndaj medieve. “Të padëgjueshmit” janë ndëshkuar. Ky presion ekonomik i ka thyer disa media. I ka nënshtruar, i ka bërë të pa kriter, servil dhe të nënçmuara. Për pasojë ato nuk pasqyrojnë realitetin objektiv, as zhvillimet afirmative të qytetarëve të Kosovës. Por siç thotë populli ato janë “tek lind, ndërsa populli tek perëndon”.

2. Humbja e kritereve profesionale

Një dështim tjetër i medieve manifestohet përmes humbjes se kritereve profesionale. Jo rrallë prezantojnë lajme, falsiteti i të cilave zbulohet gjatë ditës. Në mëngjes na thonë diçka e që në mbrëmje vërtetohet të mos jetë ashtu fare. Kësaj në fjalorin e popullit i thonë rrenë, ndërsa në atë të medieve ndoshta ‘shkathtësi’. Pastaj disa nga ato medie i kanë vërë veti objektiv të caktuar, në veçanti kur është në pyetje Islami dhe muslimanët, ku jo rrallë herë orvaten të bëjnë mizën buall, siç u pretendua rrejshëm këtyre ditëve në lidhje me aeroplanin nga Cyrihu. Sikur dhjetëra hera më parë, u pretendua për një akt të rrejshëm terrorist siç dinë shpesh ato mediume të pretendojnë. Ato kurrë nuk cekën ndonjë vlerë të kësaj feje madhështore së cilës i përkasin edhe vet, apo së paku rrjedhin nga familjet të cilat kanë këtë fe, ata gjithmonë u përpoqën që ta paraqesin Islamin si fe të dhunës e të injorancës dhe muslimanët, në veçanti rininë, si njerëz të manipuluar. Mjaftojnë këto ilustrime për ta kuptuar se shumë nga mediet kanë devijuar misionin e tyre, pra në vend se të informojnë publikun ato janë vënë në shërbim të të tjerëve.

Një shkrim tjetër i dobishëm  Apel myslimanëve shqiptarë!

3. Zhveshja nga misioni edukativ

Elementi i tretë degradues i medieve ka të bëjë me moralin. Zaten morali është një ndër shtyllat kryesore të shoqërisë, ashtu që nuk ka shoqëri të mirëfilltë  pa moral të mirëfilltë. Për atë arsye çdo profesion shoqëror në vete ngërthen edhe këtë element, pra moralin, edukatën dhe kulturën e mirëfilltë, apo siç njihet ndryshe: etika profesionale. Këtë e gjejmë në mjekësi, në arsim, në ekonomi, në biznes, në fe, nëpër rrethe familjare dhe çdokund tjetër, e natyrisht se edhe në medie është dashur të kishte etikë. Por realiteti i medieve tona tregon ndryshe.

Komercializimi i tyre i ka bërë që të shohin vetëm paranë, ndërsa të mos kenë dert për mesazhet çoroditëse dhe shthurëse që përçojnë. Për ta paraja është zot, është etikë, është çdo gjë. Ata nuk shohin e as nuk njohin tjetër pos parasë. Televizionet tona po shkatërrojnë përditë e më shumë shoqërinë tonë me seriale e telenovela latine e turke. Tradhtitë bashkëshortore, divorcet pa shkas, shkatërrimi i familjeve, nuk janë vetëm skena të atyre serialeve, por edhe mesazhe indirekte që vërtet po kanë ndikim direkt dhe po formojnë një mentalitet të ultë të shoqërisë sonë.

Po kështu disa nga portalet tona informative aq shumë kanë materiale çoroditëse saqë ndonjëherë të krijohet përshtypja se janë sajte pornografike, dhe çfarë është më e keqja, ato marrin guximin që në emër të perëndimizmit të publikojnë atë, që po të publikohej në media perëndimore do të ndëshkohej rëndë.

Këto dhe elemente tjera kanë bërë që qëndrimet dhe shkrimet e medieve nuk mund të merren si parametër për ta matur pulsin apo qëndrimin e shoqërisë. Sa herë është vërtetuar gjer më tani se ndryshe përcaktohet dhe shprehet opinioni publik, e krejt ndryshe interpretohet në disa nga mediet tona. Natyrisht se me këtë artikull nuk synoj të ngacmoj apo përulë asnjërën nga mediet, por vetëm dua të tërheq vërejtjen ashtu që të nxjerrë në pah ndikimin dhe rolin e madh që posedojnë mediet në një shoqëri. Po shpresoj se me medie më transparente, me më shumë etikë, paanshmëri dhe profesionalizëm të gjithë do të viheshim në shërbim të shoqërisë, shtetit dhe atdheut. Zoti na çoftë në hair të gjithëve. Deri në javën tjetër, esselamu alejkum.

Categories

Archives