Sunday, 17/12/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Tregu i pallateve luksoze në Turqi

Tregu i pallateve luksoze në Turqi

48B23CDD-357A-4F7E-9024-45E6585A5A53_w268_r1Pallatet luksoze që shtrihen pranë brigjeve të Bosforit janë në mesin e pasurive të patundshme më të shtrenjta në botë. Sot ato janë simbol i statusit së elitës së re turke dhe elitës së Lindjes së Mesme të cilët mund të përballojnë çmimet e tyre që arrijnë në mbi 100 milionë dollarë.

Fillimisht të ndërtuara si vila verore prej druri, këto shtëpi janë quajtur “yali”, një term që rrjedh nga fjala greke “yialos” që do të thotë bregdet. Kanë mbetur vetëm disa qindra të tilla të cilat janë ndërtuar ndërmjet shekujve 17 dhe 20, kur ato ishin në pronësi të princave, sulltanëve dhe aristokratëve osmanë. Ato shtrihen në të dyja anët e ngushticës 30 kilometërshe të Bosforit që ndan Azinë nga Evropa.

Stili është ai i periudhës kur u ndërtuan, duke domuniar stili osman, arti noveau, neobarok ose neoklasik. Rreth 200 prej tyre konsiderohen monumente historike dhe në përputhje me ligjet vendore të trashëgimisë pronarët duhet të ruajnë stilin dhe dekorimet e tyre të brendshme origjinale.

Kjo do të thotë se mirëmbajtje e tyre është e kushtueshme. Ish-pronari i mediave, tani në pension, Mustafa Ozkan, në vitin 1979 bleu dhe rinovoi njërin prej këtyre pallateve të shekullit 19-të. Ai thotë se e merrte malli për bregdetin, pasi ai ka lindur në qytetin bregdetar të Mersinit.

Familja Ozkan është një nga disa pronarët që jetojnë pothuajse gjatë gjithë kohës në pallatin e tyre “Yali”, i cili është i dekoruar me mobilje origjinale dhe një koleksion mbresëlënës arti, një nga pasionet e familjes në katër dekadat e fundit.

“Unë jam shumë i kënaqur që jetoj këtu. Bregdeti, Stambolli dhe jeta në Bosfor janë të mrekullueshme”, thotë zoti Ozkan.

“Në botë nuk ka vend më të mirë se Bosfori”, thotë bashkshortja e tij, Cevahir Ozkan.

Arkitekti i këtij projekti, Cafer Bozkurt, është restaurues i njohur i pallateve “yali”. Ai është anëtar i Komisionit të Trashëgimisë Historike në Stamboll dhe specialist i restaurimit të ndërtesave historike. Që nga mesi i viteve 1970, është vendosur një moratorium për ndërtimin e shtëpive përgjatë Bosforit dhe kjo ia ka rritur vlerën këtyre pallateve.

Arkitekti Bozkurt thotë se pallatet “Yali” janë pjesë e pasurisë kulturore të Bosforit.
“Duhet të keni një nivel të caktuar kulture për të jetuar në “Yali”. Ato janë pjesë e vlerave kulturore të Bosforit kështu që ato nuk duhe të jenë objekt i spekulimeve dhe interesave komerciale”.

Jessica Tamturk, një shkrimtare belge e rritur në Kaliforni është pronare e njërit prej pallateve “Yali” përmes martesës së saj me një biznesmen turk i cili e ka trashëguar pronën.

Ajo thotë se zotërimi i një pallati “Yali” është një simbol statusi në mbarë Lindjen e Mesme, jo vetëm për shkak të vlerës së tyre, por edhe për shkak të kostos prej miliona dollarësh për mirëmbajtjen e tyre.

“Tani gjithnjë e më shumë arabët vijnë këtu gjatë verës dhe marrin me qera pallatet “yalis”, ashtu siç kanë bërë të parët tanë 70 vjet më parë, sepse në të kaluarën këto shtëpi janë përdorur si rezidenca verore”.

Sipas burimeve të pasurive të patundshme, dy familjet më të fuqishme në Turqi, Sabanci dhe Koç, janë në garë për blerjen e sa më shumë pallateve “yali”.

Deri në vitin 2009,  familja Sabanci ka blerë të paktën 17 pallate kurse familja Koç ka blerë pesë.

Në fakt, ambasada e Katarit ka bërë një ofertë prej 100 milionë dollarëshë për blerjen e një prej pallateve më të mëdha “Yali” që ndodhet në anën evropiane të Bosforit. Bëhet fjalë për pallatin Sehzade Burhanettin dhe marrëveshja për blerjen e tij pritet të mbyllet së shpejti.

Sipas gazetës turke “Hurriyet”, Shehzade Burhanettin Efendi u ndërtua në vitin 1880 dhe ka më shumë se 64 dhoma.

Pavarësisht nga trazirat e fundit politike dhe protestat, çmimet e këtyre pallateve nuk tregojnë asnjë shenjë lëkundjeje.

Tregu i pasurive të patundshme në Turqi në përgjithësi është ndikuar nga protestat, duke shënuar një rënie prej 20-30 për qind në çmimet për shitjet e brendshme.

Megjithatë, kjo rënie e çmimeve vlen vetëm për blerësit vendas, çmimi për blerësit e huaj nuk ka ndryshuar.

Ulvi Ozcan është menaxher i përgjithshëm i Bosforce, një agjenci e pasurive të patundshme e cila është duke shitur dhjetë nga pesëmbëdhjetë pallatet “Yali” në Bosfor që tani janë për shitje.

Ai thotë se çmimi është shumë subjektiv, varësisht nga shija e blerësit, kushtet e tregut, viti i ndërtimit, vlera historike dhe afërsia me bregdetin, por ato shkojnë nga 4 deri në 150 milionë dollarë.

Zoti Ozcan thotë se blerësit kryesor të pallateve “yali” janë familjet më të pasura dhe më të fuqishme turke, të pasuara nga biznesmenët e rinj që punojnë në sektorin financiar dhe sektorin energjetik dhe të huajt.

Ndërsa shitësit e këtyre pallateve janë familje të vjetra të cilat kanë humbur statusin e tyre ose të cilët nuk mund ta ndajnë një pallat të stilit “yali” në mes të shumë trashëgimtarëve

Categories

Archives