Friday, 26/5/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

T’i largojmë besëtytnitë e kota nga jeta jonë!


T’i largojmë besëtytnitë e kota nga jeta jonë!


bestytni

Ruaje besimin tënd, se vërtet besimi yt është gjëja më e vlefshme që ti e posedon. 

Allahu i Lartësuar nga mëshira e tij e pakufishme, zbriti programin hyjnor të jetës për njerëzit, të formuluar në Kur’an dhe Sunet. Ai në Kur’an thotë: 
“… Ne të shpallëm Librin, sqarim për çdo send, udhëzim e mëshirë dhe myzhde për myslimanët.” (Nahl, 89)

Nuk kemi nevojë të mundohemi të gjejmë program tjetër apo të tentojmë ta përmirësojmë atë ngase Allahu i Madhërishëm thotë: 
“… Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë time, zgjodha për ju Islamin fe…” (Maide, 3)

Pra, programi i vetëm i pranuar tek Allahu është Islami dhe Allahu thotë:

“E, kush kërkon fe tjetër pos Islamit, atij kurrsesi nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër është nga të dëshpëruarit.” (Ali Imran, 85)

Dihet mirëfilli se njeriu nga natyra e tij është kureshtar për ta njohur fatin dhe fatkeqësinë e tij. Kjo gjë është përcjellë brez pas brezi dhe ka ndikuar shumë në zhvillimin shpirtëror e kulturor të popujve të ndryshëm. 

Me zbritjen e shpalljes nga Zoti, u përcaktua rruga, e cila duhet të pasohet, larg besëtytnive e bidateve. Njerëzit duke mos pasur mundësi ta shpjegojnë botën përreth, nga frika, filluan të besojnë në gjëra të ndryshme, të cilat më vonë kaluan në besëtytni. Besëtytnitë më të përhapura ndër shqiptarët, që jo vetëm se janë thënë me gojë, mirëpo tani gjenden edhe të shkruara, të publikuara e të reklamuara në faqe të ndryshme të gazetave dhe të internetit janë:

Letra që shpërndahet

Një letër e caktuar shpërndahet në internet nga disa njerëz injorantë, të cilët nuk dinë as gjërat më elementare të fesë së tyre dhe në këtë mënyrë ata përhapin shirkun në umetin islam.

Përmbajtja e letrës thotë se ajo duhet të shpërndahet në 13 kopje, në 13 shtëpi dhe brenda 7 ditësh. Nëse nuk veprohet kështu, personi do të pësojë fatkeqësi fizike apo edhe materiale, ndërsa ata që veprojnë duke i besuar dhe duke e shpërndarë atë, do t’u plotësohet një dëshirë brenda 7 ditëve, ose do të përfitojnë materialisht e gjëra të tjera të tilla.

Besimtari, duhet ta dijë se caktimi i Allahut (kaderi), e mira dhe e keqja, janë në dorën e Tij dhe ky është një ndër kushtet e imanit (besimit) pa të cilin nuk vlen dhe nuk plotësohet besimi i askujt. Natyrisht se ne veprojmë në përputhje me ligjet e natyrës dhe nuk mund të kemi qasje në kaderin e Allahut. Por nuk kemi asnjë mësim islam që na mëson se nëse shpërndahet një “mësim” apo letra në fjalë kaq herë arrihet kaq shpërblim.

Pra, përderisa ne nuk mund ta dimë kaderin dhe përderisa nuk kemi udhëzime dhe referime islame për ta vepruar një gjë në mënyrë dhe sasi të përcaktuar, atëherë duhet shmangur asaj, sepse kalon në besëtytni. 

Hajmalitë

Hajmalitë mund të jenë me shkronja nga Kur’ani, por mund të jenë edhe gjëra të tjera të shkruara, varësisht se kush i shkruan ato.
Nëse u ndodh një e mirë, njerëzit besojnë se ajo ka ardhur nga hajmalia dhe gjithashtu besojnë se, pasi ta varin atë në qafë apo në trup, hajmalia do t’i mbrojë nga fatkeqësia. Në këtë mënyrë bindja e tyre por edhe besimi tek hajmalia, tek dobitë dhe fatkeqësitë që rrjedhin nga ajo, tejkalon shpeshherë edhe besimin te Krijuesi i tyre.

Horoskopi dhe përcaktimi i fatit

Horoskopi dhe përcaktimi i fatit është formë moderne e besëtytnisë, që lexohet nga shumica e të rinjve. Një pjesë e madhe e tyre ndikohen drejtpërdrejt duke besuar në fatin dhe fatkeqësinë që paralajmëron horoskopi.

Origjina e horoskopit vjen nga studimet astrologjike, të cilat pretendojnë se personalitetet e njerëzve janë të përcaktuar nga yjet dhe se punët që ata bëjnë dhe ngjarjet që do t’u ndodhin janë të shkruara në yje. Gjithashtu, sipas këtyre studimeve horoskopi është një udhërrëfyes për atë që do t’u ndodhë njerëzve.

Shikimi i filxhanit të kafes

Kjo besëtytni bazohet në besimin se në figurat që dalin pasi të jetë pirë kafja, mund të lexohet e ardhmja e personit dhe rrugët që do të ndjekë ai. Këtu përfshihen edhe leximi i së ardhmes në shenjat e duarve, në letrat e ndryshme me figura e forma të tjera të llojllojshme, përmes të cilave njerëzit injorantë mashtrohen duke pretenduar se ato iu tregojnë të ardhmen.

Fantazma apo “shpirti”

Fantazma apo shpirti është parafytyruar si një njeri që bën keq. Zakonisht është njeri, i cili pas vdekjes çohet nga varri dhe duke mos gjetur rehatinë e tij, u bën keq të tjerëve.

Kjo është një gjë e trilluar që kundërshton besimin në Zot dhe frikën që duhet ta kemi vetëm ndaj Tij. Ne duhet ta dimë se s’ka gjë që mund të bëj dëm e as dobi, pos me lejen e Zotit. 

Macet e zeza dhe fatkeqësia që ato sjellin!

Si në të kaluarën ashtu edhe në të sotmen, prerja e rrugës nga një mace e zezë, besohet si afrim i një fatkeqësie. Baza e kësaj është në Egjiptin e lashtë ku në kohën e injorancës e adhuronin macen. Disa thonë se ajo s’mund të jetë asgjë tjetër vetëm se vepër e djallit e disa thonë se janë instrumente të shtrigave (siç paraqiten në të shumtën e rasteve nëpër filma të ndryshëm).

Edhe sot e kësaj dite, për t’i ikur fatkeqësisë, njerëzit e ndërrojnë rrugën kur shohin një mace të zezë ose pështyjnë tri herë, ose kthehen tre hapa mbrapa, kinse të mbrohen prej të keqes që ajo mund të sjellë.

Pasqyra e thyer

Pasqyra e thyer është besëtytni e përhapur shumë.

Vajzat e dinë fare mirë se sa herë janë qortuar nga gjyshet e tyre që të mos e thyejnë pasqyrën sepse, nëse e bëjnë këtë do të ketë shtatë vjet fatkeqësi apo edhe shtatë vjet ato nuk do të martohen.

Po ashtu, për pasqyrën thuhet se, nëse shikohet njeriu natën në të mund të çmendet.

Rrobat e fatit

Ky është një lloj tjetër i besëtytnive ku thuhet se, nëse nëna ka pasur fat në martesën e saj, rrobat e saj duhet t’ia lejë më pas vajzës në mënyrë që edhe atë ta ndjekë fati i njëjtë.

Derdhja e kripës

Thuhet se nëse derdhet kripa, atëherë atij personi apo asaj familjeje do t’i ndodhin fatkeqësi të shpejta. Sipas kësaj besëtytnie, kripa e derdhur duhet të merret dhe të hidhet në anën e majtë të trupit, me qëllim që ta neutralizojë fatkeqësinë që mund të vijë. Origjina e kësaj besëtytnie vjen nga kohët e lashta, atëherë kur kripa u shenjtërua për shkak të vetisë së saj për t’i mbajtur gjërat e paprishura dhe të freskëta.

Kur një vajzë bëhet nuse 

Ndër ceremonitë që përmbajnë më shumë besëtytni është pikërisht ceremonia e përgatitjes së nuseve.

Duke filluar që prej momentit të fejesës e deri në ditën e martesës e tutje, thuajse çdo ritual përcillet me besëtytni, të cilave shpesh nuk u dihet as filli, por thjesht janë rrënjosur në mentalitetin e popullit. 

Shkurtimisht, po përmendim disa prej tyre:

Nusja e re në ditën e martesës në shtëpinë e burrit duhet të hyjë (ta shkelë pragun e derës) me këmbë të djathtë, në të kundërtën harmonia e familjes do të shkatërrohet që nga ai çast. 

Po ashtu, ajo duhet ta prekë pjesën e sipërme të derës me të dy duart, (ndonjëherë të lyera me mjaltë ose me sherbet), që jeta e çiftit të ri të jetë e ëmbël, e lumtur dhe të ketë harmoni edhe me anëtarët e tjerë të familjes.

Karamelet, orizi, gruri e drithërat e tjera që i hidhen nuses (ose çiftit të ri), kanë për qëllim që trashëgimia e tyre të jetë e mbarë.

Tingëllima e veshit

Shumë njerëz, kur iu ndodh kjo pyesin: “çfarë thonë kur të tingëllon veshi?”

Thjesht, është një gjë e kotë për të cilën thuhet se, nëse të tingëllon veshi i djathtë, do të marrësh lajme të mira, ndërsa nëse të tingëllon veshi i majtë, do të marrësh lajme të këqija.

Babadimri

Disa nga besëtytnitë e babadimrit janë të vjetra me shekuj.

Për shembull, besëtytnia se babadimri hyn në shtëpi nga oxhaku është zhvilluar nga një legjendë e vjetër skandinave. Skandinavët besonin që perëndesha Hertha shfaqej në vatër dhe sillte fat të mirë në shtëpi.

Ndonëse shumica e njerëzve mendojnë se babadimri ka qenë një peshkop me emrin Shën Nikolasi i Azisë së vogël i shekullit IV, kjo në fakt s’është e vërtetë, ngase legjendat të cilat i janë atribuuar këtij “të shenjti” nuk kishin origjinë krishtere, por erdhën nga traditat pagane.

Ai shfaqet si njeri i moshuar, i gjatë, me mjekër dhe me flokë të bardha, i veshur si një peshkop katolik, me pelerinë dhe me shkop bariu, me shprehinë e çuditshme të kalërimit në qiell dhe u sjell dhurata fëmijëve të mirë, duke ardhur me sajën e tij, të cilën e tërheqin drerët.

Mjerisht ky emër “BABADIMËR” njihet shumë edhe sot në mesin e muslimanëve duke mos pasur fare lidhje me fenë dhe besimin tonë.

Bredhi e pisha e Vitit të Ri

Një nga zakonet më të përhapura të Krishtlindjeve sot, është sjellja në shtëpi e pemës së Krishtlindjeve dhe zbukurimi i saj.

Besimi i të krishterëve për bredhin është ky: Bredhi është një lloj peme që të sjellë fat në shtëpi gjatë tërë vitit.

Enciklopedia Britaneze thotë: Popujt e mëhershëm si hebrenjtë, faraonët dhe kinezët, këtë e kishin si simbol të lumturisë. Më vonë, kur Evropa kaloi në besimin e idhujtarisë, atëherë e çmuan bredhin më shumë se çdo pemë tjetër, dhe kështu vazhduan deri në shekullin VI. Në Gjermani këtë pemë e quanin ”Pema e Xhenetit”, ndërsa pas shekullit VI e ndërruan dhe e quajtën “Pema e Krishtit”.

Prej besimeve të tyre është: Kush është i lumtur natën e Vitit të Ri, do të jetë i lumtur tërë vitin.

Po ashtu edhe zbukurimi i bredhit në këtë natë me ngjyra të ndryshme, simbolizon Krishtin (Isain alejhis-selam), kinse ai e ka sakrifikuar veten e tij për njerëzit që vijnë pas tij, duke i larë mëkatet që ka bërë njerëzimi.

E tërë kjo nuk ka kurrfarë baze fetare as tek krishterët, e jo më tek myslimanët që, fatkeqësisht janë përfshirë në këtë dukuri.

Pasojat që sjellin këto besëtytni në familjet tona janë të mëdha.

Duhet të besojmë fuqishëm fjalën e Muhamedit (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) të cilën e transmeton Ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili ka thënë:

Më ka thënë i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të:
“Ruaje ti Allahun, Allahu të ruan ty; ruaje Allahun, do ta gjesh çdo herë pranë vetes; dhe kur të lypësh, lyp prej Allahut; e kur të kërkosh ndihmë, kërko prej Allahut. Dhe dije se, nëse të gjithë njerëzit mblidhen që të bëjnë ndonjë dobi, nuk kanë mundësi të bëjnë asgjë, përveç asaj që ta ka caktuar Allahu; dhe dije se, sikur të gjithë njerëzit të mblidhen për të të bërë keq ty, nuk kanë mundësi të bëjnë asgjë përveç asaj që ta ka caktuar Allahu. Janë ngritur lapsat dhe janë tharë fletushkat.”

Allahu i Madhërishëm na tërheq vërejtjen në Kur’anin fisnik:

“… A po adhuroni pra në vend të Allahut ata që nuk ju sjellin kurrfarë dobie e as dëmi?” (Enbija, 66)

“S’ka dyshim se ata që po i adhuroni ju përveç Allahut, janë krijuar ashtu sikur ju…” (A’raf, 194)

“Nëse Allahu të godet me ndonjë të keqe, s’ka kush ta largojë atë përveç Tij…”( En’am, 17)

Nga këto fjalë të Allahut, ne duhet të kuptojmë se fatmirësia dhe fatkeqësia janë të caktuara nga Zoti dhe janë pjesë e sprovave të kësaj jete.

Të gjitha tentimet e njeriut për t’i anashkaluar këto ndodhi të fshehta, duke kërkuar ndihmën e atyre që s’kanë mundësi t’i sjellin vetes mbarësi (fat të mirë), janë të kota, dhe në këtë mënyrë njeriu rrezikon të hyjë në mesin e personave që Zoti nuk do t’i ketë nën faljen dhe mëshirën e Tij.

Allahu në Kur’an thotë: “S’ka dyshim se Allahu nuk e falë (mëkatin) t’i bëhet Atij shok (idhujtarinë), e përveç këtij (mëkati) i fal kujt të do. Kush i bën Allahut shok, ai ka trilluar një mëkat të madh.” (Nisa, 48)

Njeriu mund të gabojë, por kurrë nuk duhet t’ia lejojë vetes të bjerë pre e paditurisë dhe të besojë e të kërkojë ndihmë diku tjetër përveç tek Zoti i tij. Ai duhet ta kujtojë fjalën e Allahut:

“… Askush përveç Allahut, as në qiej, as në tokë, nuk e di të fshehtën…” (Neml, 65)

E dashura motër, ruaje besimin tënd, se vërtet besimi yt është gjëja më e vlefshme që ti e posedon.

Besimin tënd mbështete vetëm në baza të shëndosha të Islamit, në Kur’an dhe Sunnet, se vërtet do ta gjesh veten tënde të liruar prej çdo lloj robërimi dhe do të jesh vetëm rob i Allahut, për çka edhe je krijuar.

Dijetari i njohur, Ibnul Kajimi (Allahu e mëshiroftë!), ka thënë: 

“Kanë ikur prej robërimit që janë krijuar për të, e kanë rënë në robërimin e tekeve të tyre dhe të djajve.”

Pra, si përfundim i gjithë kësaj që thamë është se:

Për ata që pretendojnë se e dinë gajbin (të fshehtën), Allahu, subhanehu ve teala, thotë:

“Thuaj: Askush përveç Allahut, as në qiej, as në tokë, nuk e di të fshehtën, si dhe nuk e dinë se kur do të ringjallen.” (En-Neml, 65).

Pasi Allahu e urdhëron Muhamedin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, që të lajmërojë në Gjithësi se askush nuk e di gajbin përveç Allahut, atëherë ai që pretendon se e di gajbin, njëkohësisht e përgënjeshtron Allahun për këtë lajm.

Atyre ju themi: Si mundet që ju ta dini gajbin, e Resulullahu, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, mos ta ketë ditur?! A ju jeni më të mirë, apo ai?! Nëse thonë se ata janë më të mirë, me këtë fjalë bëhen kafira (mosbesimtarë), e nëse thonë se ai është më i miri atëherë ju themi:

Si mund ta dini ju gajbin kur ai nuk e ka ditur!? Allahu, subhanehu ve teala, ka thënë: “Ai (Allahu) e di të fshehtën dhe atë fshehtësi nuk ia zbulon askujt, me përjashtim të ndonjë të dërguari që Ai do…” (Xhinn, 26 dhe27)

E lusim Allahun që të na shtojë imanin tonë në Të, të na bëjë të lirë nga çdo lloj robërie tjetër përveç robërisë së Tij dhe të na ruajë nga shirku! Amin!

Një shkrim tjetër i dobishëm  16 mënyra për sjelljen e bereqetit ne shtëpi

Categories

Archives