Thursday, 19/1/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Ti falesh Zotit!!


Ti falesh Zotit!!


faleshTë them të drejtën e kam të vështirë t’ju flas mbi namazin, pasi jam i bindur që ju keni lexuar shumë mbi këtë ritual dhe obligim. Unë jam i bindur që prindërit myslimanë, me t’u lindur fëmijët, fillojnë t’i edukojnë me dashurinë për namazin, u recitojnë atyre ajete dhe hadithe të Profetit a.s, mbi vlerën dhe rëndësinë e këtij rituali.
Në fakt, unë nuk do t’i përqasem namazit nga ky këndvështrim, por do të zgjedh një këndvështrim krejt të ndryshëm nga ai që jemi mësuar.
çdo gjë në këtë botë, me të cilën dëshiron të kënaqesh dhe të përfitosh prej saj, duhet të plotësosh dy kritere: I pari, të kesh informacionin e duhur rreth saj, duhet ta njohësh mirë. I dyti, të kesh një këndvështrim tëndin teksa i qasesh. Ajo mund të jetë diçka madhështore, por që ti nuk e ndjen, nuk e sheh të tillë dhe për pasojë nuk e shijon.
Kështu, nëse dëshiron të martohesh, duhet të kesh informacionin optimal rreth kësaj lidhjeje dhe personit me të cilin do të lidhesh. Së dyti, duhet të kesh këndvështrimin dhe konceptin tënd mbi lidhjen martesore. Ka të rinj të cilët e konceptojnë martesën si kënaqësi fizike, pa asnjë përgjegjësi karshi njëri-tjetrit. Një martesë e tillë përfundon me divorc ta pashmangshëm. Ka vajza që e konceptojnë martesën si një rast për të pasuruar koleksionin e stolive. Një martesë e tillë nuk mund të jetë e lumtur.
Vallë sa pikë – nga njëqind – do i jepje informacionit dhe sa syresh këndvështrimit tënd? Është për t’u çuditur, por pikët që vlerësojnë informacionin nuk i kalojnë njëzet. Kurse këndvështrimi dhe koncepti yt, meriton tetëdhjetë pikët e mbetura. Është këndvështrimi yt, ai që kontrollon sjelljet e tua.
Vallë cili është këndvështrimi yt për namazin? Si e sheh dhe si e koncepton atë?
Ka njerëz që e konceptojnë namazin thjesht si lëvizje mekanike, ulje e ngritje. Ka njerëz që e konceptojnë si kryerjen e një obligimi karshi Zotit. Ka të tjerë që e konceptojnë si një barrë, të cilën duhet ta kryejmë, duam apo s’duam. Ka njerëz që e konceptojnë namazin si diçka që largon zemërimin e Zotit prej nesh. Po ti o vëlla dhe oj motër, si e konceptoni namazin? Cili është këndvështrimi juaj për këtë ritual?
Mos harroni, se tetëdhjetë për qind e kënaqësisë dhe përfitimit tënd nga diçka, varet nga këndvështrimi dhe mënyra si e konceptoni.
Si e koncepton namazin ti o vëlla? Mos e koncepton si një obligim që duhet kryer dhe kaq? Apo e koncepton si dritë, ilaç dhe formë për t’u mbushur me energji për gjithë ditën? A e koncepton namazin si mëshirë prej Zotit dhe si rast për të komunikuar me Zotin?

Koncepti i namazit
Që kur kemi qenë të vegjël, kemi dëgjuar se Profeti a.s thotë:”Namazi është shtylla e fesë.”
Le ta shtjellojmë pak më shumë këtë hadith. Unë mund të vij me një çekiç në dorë dhe të godas me sa forcë muret e shtëpisë. Patjetër që kjo do të zemërojë, por mund ta tolerosh një sjellje të tillë. Mund të hyj brenda në shtëpi dhe të thyej ndonjë xham, apo ndonjë enë qelqi. Ti sërish zemërohesh, por gjen forca për të falur. Por nëse unë filloj të shemb kolonat mbi të cilat mbahet shtëpia, do të thotë që së shpejti e gjithë shtëpia do të shembet dhe rrënohet.
Një ditë, Profeti a.s i thotë Muadh ibnu Xhebelit:”A të rrëfej mbi kryet e gjithçkaje, shtyllën dhe kulmin e saj? Kryet e gjithçkaje është Islami, shtylla e tij është namazi…”
Thotë Profeti a.s:”Namazi është shtylla e fesë. Kush e mban namazin, ka mbajtur fenë, kush e braktis atë, ka braktisur fenë.”
Si e koncepton namazin ti o vëlla? A është e mundur ta ndryshojmë bashkë konceptin që kemi për namazin? Përse të mos e konceptojmë namazin si dhuratë nga Zoti? Përse të mos e konceptojmë si mirësinë më të madhe, me të cilën na nderon çdo ditë? Përse duhet ta konceptosh çdo ditë si një obligim që duhet kryer patjetër? Përse mos e shohësh si mishërim i dhembshurisë dhe mëshirës së Zotit? Përse mos e shohësh dhe konceptosh si burim energjie dhe lumturie? Përse të mos e konceptosh si mundësi për katarsis, vetëpastrim?
Kompanitë që prodhojnë ilaçet e rrobave, shpenzojnë miliona për të reklamuar mallrat e tyre. Nga ana tjetër, të interesuarit shpenzojnë miliona për t’i blerë këto produkte, pasi u interesojnë t’i kenë rrobat e pastra dhe të lara sa më mirë. Nëse njerëzit shpenzojnë miliona për detergjentet e rrobave, vallë sa u duhet të shpenzojnë për të mbajtur të pastër shpirtin e tyre? Që kur zgjohemi në mëngjes, gjer kur vjen koha të shtrihemi në darkë, pesë shqisat i ngjajnë lumenjve që derdhin papastërti dhe pisllëqe në shpirtin dhe zemrën tonë. Nëse rrobat tona bëhen të papastra brenda një dite, nga balta, shirat dhe ndotja, ç’farë mund të themi për shpirtin tonë? Ashtu si rrobat, edhe shpirti ka nevojë të pastrohet çdo ditë.
Thotë Profeti a.s:”Mendoni sikur para shtëpisë së ndonjërit prej jush të ndodhej një lum dhe në të ai lahet pesë herë në ditë. A do i mbetej gjë e pistë në trupin e tij?” “Jo” i thanë sahabet. “Po kështu dhe pesë namazet në ditë, të cilat i fshijnë të gjitha gjynahet.” – u tha Kështu, me anë të namazit, ne myslimanët pastrojmë shpirtin. Ndërkohë që për të pastruar rrobat ne shpenzojmë kushedi sa, pastrimin e shpirtit Zoti na e ka mundësuar pa asnjë shpenzim. Përse të mos e konceptojmë namazin si mundësi dhe shans për t’u vetë pastruar?
Namazi mund të konceptohet edhe si dritë, nur. Nëse hyn në një ambient të errët, mund të rrëshqasësh, përplasesh dhe humbasësh ekuilibrin, derisa të gjesh çelësin dhe të ndezësh dritën. Mjeti më i mirë për të ndriçuar udhën e jetës, është namazi. Sa herë që Profeti a.s nisej për të falur namazin në xhami, lutej me këtë lutje:”O Zot! Ndriçoje fytyrën time me dritë, gjuhën time me dritë, sytë e mi me dritë, veshët e mi me dritë, zemrën time me dritë! O Zot, ndriçoje të majtën time me dritë, të djathtën time me dritë, sipër meje me dritë, poshtë meje me dritë! O Zot më pajis me dritë.”
Me këtë, sikur Profeti a.s na thotë se me t’u nisur për namaz, gjithçka rreth teje vezullon dhe bën dritë. Thotë Profeti a.s:“Përgëzoji ata që ecin në errësirë për në xhami, me dritë të plotë Ditën e Kiametit.“
Namazi është energji dhe fuqi për mbarë ditën. Është e vërtetë që në namazin e sabahut ngrihesh i lodhur, por ky namaz të pajis me energjitë dhe forcat që të duhen gjatë ditës. Sexhdet që bën gjatë sabahut, të mbushin me energji të reja. Nëse thua se nuk e ndjen diçka të tillë, dije se kjo ndodh për shkak të konceptimit tënd të gabuar lidhur me namazin, sepse të është kthyer në diçka rutinë. Namazi është fuqi, është energji, është vitalitet, është gjak që rrjedh në damarë.
Tregojnë shokët e Profetit a.s:”Sa herë që të dërguarin e Zotit e shqetësonte diçka, brofte në namaz.” Sepse ai e konceptonte namazin si burim energjie, force dhe frymëzimi. Nëse e koncepton namazin në këtë formë, tetëdhjetë për qind e dobive të namazit i përfiton. Njëzet përqind mbeten vetëm forma dhe lëvizjet teknike të namazit.
Ka shumë njerëz të cilët ndihen të lodhur shpirtërisht, për shkak të hipokrizive, mashtrimeve, hileve dhe problemeve me njerëzit. Ilaçi kësaj lodhjeje shpirtërore është pikërisht namazi, i cili është dritë që të ndriçon udhën.
Ka shumë të tjerë që kanë projekte dhe ëndrra për të realizuar, por që ndihen të pafuqishëm përballë sfidave dhe pengesave që hasin. Namazi është burimi i energjive që u nevojiten në rrugën e realizimit të këtyre ëndrrave dhe projekteve.
Një këndvështrim tjetër dhe koncept i ri mbi namazin, është se ai shihet si shërim për të sëmurët me sëmundje fizike dhe atyre shpirtërore. Transmeton imam Ahmedi se Profeti a.s ka thënë:”Falu, se falja është shërim.”
Të gjithë ata njerëz që vuajnë nga urrejtja që u ka pllakosur zemrat, le të falen. Të gjithë ata që vuajnë nga stresi, le të falen. Faluni se namazi është shërim. Zemra e njeriut përjeton shpërndarje, të cilën nuk e kthen në normalitet veçse drejtimi kah Zoti. Zemra vuan herë pas here nga vetmia, të cilën nuk e dëbon veçse të qënit pranë Zotit. Zemra herë pas here digjet nga një zjarr i brenshëm, të cilin nuk e shuan gjë tjetër veçse namazi me përkushtim.
Shpesh herë, ata që falen përjetojnë çastet më të lumtura kur janë në sexhde. Unë di disa raste ku njerëzit ia kanë dorëzuar shpirtin Zotit në sexhde. Ka njerëz që kur falen, duken sikur nuk janë në këtë botë, sikur shpirti i tyre është shkëputur në hapësirat e pafund të qiellit, sikur komunikojnë direkt me Zotin dhe nuk u bën përshtypje asgjë përreth. Kur ka qenë hera e fundit që je përkushtuar në namaz? Kur ka qenë sexhdeja e fundit kur e ke ndjerë se je shumë pranë Zotit? Kur ke lotuar për herë të fundit teksa faleshe? Padyshim që kjo është e vështirë, pasi kërkon përkushtim dhe devocion. Thotë Zoti në Kuran:
“Kërkoni ndihmën e Allahut me durim e me namaz! Kjo është njëmend e vështirë, përveçse për të devotshmit” (Bekare, 45)

Një shkrim tjetër i dobishëm  TI DHE JETA!

Si e përjetonte Profeti a.s namazin
Sa herë që hynte koha për t’u falur, Profeti a.s e thoshte Bilalit:”Na i qetëso zemrat o Bilal!”
Qetësia dhe rehatllëku i vërtetë për Profetin a.s ishte në namaz. Ndërkohë që ka njerëz të cilët e kërkojnë qetësinë dhe rehatllëkun në gjithçka tjetër përveç namazit.
Tregon Aisheja, se Profeti a.s i thoshte herë pas here:”Më lër t’i falem për pak kohë Zotit tim.”
Kur binte Profeti a.s në ruku thoshte: “Ndaj Teje është përkushtuar dëgjimi im, shikimi im, truri im, eshtrat dhe nervat e mia.”
Tregojnë shokët e Profetit a.s, se kur i dërguari i Zotit a.s falej, dëgjonin nga ai një zë, si zëri i ujit kur valon, ngaqë qante me zë të ulët.

Njerëzit gjatë namazit, ndahen në pesë kategori:
1– Një njeri që nuk tregon fare kujdes kur merr abdes, apo kur është duke u falur dhe nuk ka përkushtim në namaz. Ata thjesht kryejnë lëvizje mekanike, ulen e ngrihen qenë aspak të përkushtuar.

2- Ata që tregohen të kujdesshëm gjatë marrjes së abdesit dhe kryerjes së riteve të namazit, por që nuk arrin të përkushtohet në namaz. Këtij do t’i kërkohet llogari për namazin.

3– Në këtë kategori hyjnë ata që herë janë të përkushtuar në namaz, herë të tjera shkëputen dhe i tërheq jeta. Këta, gjatë kohës që falen, kryejnë dy vepra: Falen dhe janë në xhihad (luftë) me shejtanin. Për këtë do të shpërblehet dyfish, për faljen dhe për luftën me shejtanin.

4- Njeriu që nuk e çon kohën dëm, namazin e fal siç duhet dhe është i përkushtuar duke i ndjerë ato që lexon. Këta janë njerëz të dashur tek Zoti.

5– Këtu hyjnë ata njerëz të cilët thonë “Allahu ekber” ia dorëzojnë zemrën Zotit dhe sikur shkëputen nga kjo botë. A ke qenë ndonjëherë pjesë e të pesë kategorive? Nëse nuk e arrin dot gjatë muajit të Ramazanit, sidomos gjatë dhjetë ditëve të fundit, kur mendon se mund ta arrish këtë gradë të lartë?

çfarë të bëj që ta ndjej ëmbëlsinë e namazit?
Pas çdo lëvizje të ligjshme që kryejmë gjatë namazit, fshihen urtësi dhe domethënie të rëndësishme. Disa lëvizje janë posaçërisht për pastrimin e zemrës, disa të tjera për të rritur nivelin e përkushtimit etj… Por përderisa ti e sheh namazin thjesht si obligim që duhet kryer, nuk i përjeton dot siç duhet. Prandaj, është e nevojshme ta ndryshojmë këndvështrimin dhe konceptin tonë për namazin.
Përkushtimi starton që me marrjen e abdesit. Sytë e tu mund të përloten nga përkushtimi që gjatë abdesit.
Thotë Profeti a.s në një hadith:“Kur robi merr abdes dhe lan gojën, i dalin të gjithë gjynahet nga goja. Kur lan fytyrën, i dalin gjynahet nga qerpikët. Kur lan duart, i dalin gjynahet nga thonjtë. Kur fshin kokën dhe veshët, i dalin gjynahet që ka dëgjuar me veshë dhe kur lan këmbët, i dalin gjynahet nga gishtat e këmbëve.”
Teksa je duke marrë abdes, përjetoje këtë hadith në çdo rit të abdesit. Pas abdesit, prej besimtarit kërkohet të mbulojë pjesët e turpshme të trupit. Por kujdes, mos i jep rëndësi vetëm anës së jashtme, duke e lënë anën e brendshme të mbushur me gjynahe dhe dëshira të shfrenuara. Për këtë pendohu dhe largohu prej tyre.
Pasi të mbulohesh, do të drejtohesh nga Kibla. Po si vallë nuk të vjen turp që drejtohesh drejt Qabes me trup, kurse zemrën e ke në kahun e kundërt të saj?
Pasi të jesh drejtuar me trup dhe me zemër drejt Qabesë, bëj nijet që do të falësh namaz, që të pajisesh me energji, të pastrosh shpirtin dhe ta falësh namazin ashtu siç e kërkon Zoti.
Më pas do të thuash tekbirin fillestar duke shqiptuar:“Allahu Ekber” që do të thotë:“Zoti është më i madhi”. Nëse me gojë pohon se Zoti është më i madhe, ndërkohë që në zemër ke gjëra të tjera më të mëdha se Zoti, konsiderohesh gënjeshtar. Në çastin kur thua Zoti është më i madhi, asgjë tjetër nuk duhet të jetë më e shtrenjtë dhe më e madhe se Zoti në zemrën tënde. Me të cituar se Zoti është më i madhi, ti je në takim me Zotin, Krijuesin dhe të Gjithëpushtetshmin sublim. Pas thënies Allahu ekber, nuk pranohet prej teje të jesh i shkujdesur dhe ta shkëputësh vëmendjen në gjërat e kësaj bote. Prandaj, çdo shkëputje vëmendjeje, çdo shikim vëngër i fëmijëve që luajnë, çdo hetim mbi pastërtinë e vendit, çdo ngritje zëri si mesazh për dikë që bën zhurmë etj… është e papranueshme.
Zakonisht në takimet mes presidentëve, mbretërve dhe burrave të shtetit, ndiqet një protokoll i caktuar, të cilit duhet t’i përmbahen të gjithë. Nëse një nga palët flet, pala tjetër duhet ta dëgjojë me vëmendje dhe jo i shkujdesur. Nëse kjo kërkohet për mbretërit e kësaj bote, çfarë mendoni për Mbretin dhe Sunduesin e të gjithë botëve?
Thotë Profeti a.s:”Kur njeriu fillon namazin dhe e shkëput vëmendjen tek diçka, Zoti i thotë:”A po mendon mbi diçka më të mirë se Unë?!”
Thotë Zoti në një hadith kudsij: “E kam ndarë namazin mes Meje dhe robit Tim në dy pjesë. Kur thotë robi: “Falënderimi është i Zotit të botëve”, Unë them: “Më falënderoi robi Im”. Nëse thotë: “Mëshiruesi mëshirëbërësi”, them: “Më lavdëroi robi Im”. Nëse thotë: “Sunduesi i ditës së gjykimit”, them: “Më lartësoi robi Im”. Nëse thotë: “vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë”, Unë them: “Kjo është mes Meje dhe robit tim. Robit Tim i takon çfarë kërkon. Kur thotë:”Na udhëzo në rrugën e drejtë” Unë them:”Kjo i përket robit Tim..”
Pas Fatihasë, duhet të lexosh një sure tjetër, qoftë dhe e shkurtër, si surja Ihlas. Edhe pse është sure e shkurtër, prej teje kërkohet ta recitosh me përkushtim dhe vëmendje të përqendruar.
“Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm!” Meqë Allahu është i vetëm dhe absolut, vetëm prej Tij pres të më ndihmojë dhe të më furnizojë.
“Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim.” Gjithçka që ekziston në univers, ka nevojë për Zotin, sakaq Ai nuk ia ka nevojën askujt. Për këtë, ai nuk ka nevojë as për fëmijë dhe as për prindër.
“Ai as nuk lind, as nuk është i lindur.”
Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!”
Pas leximit të Kur’anit, bie në ruku duke thënë “Allahu Ekber”. Duke përkulur trupin për në ruku, përkul dhe zemrën duke thënë “Vetëm për ty o Zot unë përulem në këtë formë.” Në ruku thuaj tre herë:”Subhane rabbijel adhim.”
Duke u drejtuar, themi:”Semiallahu limen hamide, rabbena ve lekel hamd (Zoti e dëgjon atë që e lavdëron. O Zoti vetëm Ty të takojnë lëvdatat)” Kjo lëvdatë dhe falënderim, është shenjë mirënjohje për Zotin, që të ka dhënë formë të drejtë dhe jo të kërrusur si shumë krijesa të tjera. Falenderoje Zotin që ta ka drejtuar shpinën dhe të ka bërë të fisëm.
Më pas drejtohesh dhe bie në sexhde. Në sexhde ti vendos pjesën tënde më të lartë dhe më të shtrenjtë, fytyrën, në vendim më të ulët në tokë, nga e cila u krijove. Në sexhde themi tre herë ose më shumë:“Subhane rabbijel a’la (i pa të meta je Ti o Zot i lartë).”
Meqë ti ke pranuar të përulesh aq shumë për hatër të Zotit, Ai e ka vlerësuar këtë dhe i pranon lutjet që bëhen në ato çaste. Me qëllim që t’ia përforcosh përuljen dhe nevojën tënde për Zotin, sexhdeja bëhet dy herë.
Më pas qëndron ulur duke lexuar pjesët e posaçme për këtë ulje. Aty do i çosh përshëndetjet e tua profetit Muhamed a.s. Menjëherë më pas lexon fjalën e dëshmisë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.
Namazi mbyllet duke përshëndetur me selam, një herë në krahun e djathtë mandej në të majtin. Menjëherë, citojmë lutjen:”Allahum-me entes selam, ve minkes selam, tebarekte ja dhel xhelati vel ikram (O Zot! Ti je paqa, prej teje buron paqa, i bekuar je o i lartë dhe Bujar).”
Profeti a.s thoshte:”Kënaqësia e syve të mi është në namaz.” Asgjë në këtë botë nuk mi mbush sytë, si namazi. Kjo edhe pse Profeti a.s i shijonte kënaqësitë e kësaj bote, për të cilat thotë:”Nga kjo botë, më pëlqejnë parfumet dhe lidhjet bashkëshortore.”
Menjëherë pasi të përfundosh së lexuari këtë temë, ngrihu fali dy rekate, pasi ta kesh korrigjuar konceptin për namazin.

image_pdf

Categories

Archives