Monday, 23/1/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame
Tirana
0C

T’i evitojmë besëtytnitë nga jeta


T’i evitojmë besëtytnitë nga jeta


besetytnite

Allahu xh.sh., nga mëshira e Tij e pakufijshme, zbriti programin hyjnor të jetës për njerëzit, të formuluar në Kur’an dhe Sunet, dhe thotë:
“Ne ta shpallëm Librin sqarim për çdo send, udhëzim e mëshirë dhe myzhde për muslimanët.” (Nahl, 89)
Nuk kemi nevojë të mundohemi të gjejmë program tjetër, apo të tentojmë ta përmirësojmë atë, ngase Allahu xh.sh. thotë:
“Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fe.” (Maide, 3)
Programi i vetëm i pranuar tek Allahu, është vetëm Islami:
“Feja e pranueshme tek Allahu është Islami.” (Ali Imran, 19)
si dhe:
“E kush kërkon fe tjetër përveç Fesë Islame, atij kurrsesi nuk do t’i pranohet, dhe ai në botën tjetër është nga të dëshpëruarit.” (Ali Imran,85)
Vërtet Programi i Islamit është më idobishmi, ngase është i vënë nga Vetë Krijuesi dhe na e tërheq vërejtjen që të mos pasojmë idetë e gjërat që nuk kanë bazë të shëndoshë dhe janë në kundërshtim me Programin e Allahut:
“A thua mos po kërkojnë gjykimin e kohës së injorancës, po për një popull që bindshëm beson, a ka gjykim më i mirë se ai i Allahut?” (Maide, 50)
Programi islam është i drejtë e i saktë dhe, sa herë që njeriu largohet prej tij, devijon. Thënë ndryshe, sa herë që lë një sunet, punon një bid’at apo beson në besëtytni.
Allahu, subhanehu ve teala, kërkoi prej besimtarëve që të jenë të bindur denjësisht në fenë e Tij, dhe ta përputhin jetën e tyre me këtë besim në çdo segment të jetës. Përkufizimi i besimit islam është besimi me tundjen në zemër, deklarimi me gojë, vërtetimi me vepra në praktikë. Për ta realizuar tërë këtë dhe për ta fituar shpërblimin e Allahut, duhet t’i përmbahemi ligjit të Tij të përcaktuar me Kur’an e Sunet, të cilat janë burimet kryesore të Sheriatit islam, dhe për çdo çështje duhet t’u drejtohemi këtyre dy bazamenteve. Siç thotë Allahu në Kur’an:
“O ju që besuat, bindjuni Allahut, respektoni të Dërguarin dhe përgjegjësit nga ju. Nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, atëherë parashtrojeni atë tek Allahu (te Libri i Tij) dhe tek i Dërguari (Suneti i tij), po që se i besoni Allahut dhe Ditës së Fundit. Kjo është më e dobishmja dhe përfundimi më i mirë.” (Nisaë, 59)
Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem është shpjegues i qartë i kësaj kushtetute hyjnore, dhe rruga e tij (Sunetin) duhet ndjekur në çdo pikëpamje. Allahu për të thotë:
“Ju e kishit shembullin më të lartë në të Dërguarin e Allahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke përmendur shumë shpesh Allahun.” (Ahzabë, 21)
Mirëpo, megjithëkëtë, sot tek muslimanët kemi një gjendje tjetër, që, themi me keqardhje, është e tmerrshme dhe në kundërshtim me parimet islame në të shumtën e rasteve. Mosnjohja e mjaftueshme e Islamit e ka përfshirë pjesën më të madhe të vendeve të shumta islame, me më shumëse një miliard muslimanë, shumë prej të cilëve, edhe pse besojnë në Zotin xh.sh., e deklarojnë shehadetin, e falin namazin, agjërojnë, japin zekat, shkojnë në haxh, e duan Kur’anin dhe Pejgamberin alejhi selam, ndoshta edhe jetën e flijojnë për këtë, – megjithëkëtë flasin e bëjnë punë që nuk përputhen me Islamin, shpeshherë bien ndesh me vetë parimet kryesore të Islamit.
Pra, pa vetëdije bien në shirk, kufër, nifak dhe bid’at.
E disa këtë e konsiderojnë prej fesë dhe afrim tek Zoti, sigurisht nga injoranca dhe mospajisja e duhur me njohuri islame. Dihet mirëfilli se njeriu, për nga natyra e tij, është kureshtar për të njohur fatin dhe fatkeqësinë e tij. Kjo gjë është përcjellë brez pas brezi, dhe ka ndikuar shumë në zhvillimin shpirtëror e kulturor të popujve të ndryshëm.
Me zbritjen e Shpalljes nga Zoti, u përcaktua rruga, e cila duhet të pasohet, larg këtyre besëtytnive e bid’ateve. Një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe zhvillimi shkencor, i cili i bindi njerëzit se shumë prej gjërave që i mendonin si të pashpjegueshme ose misterioze, kishin shpjegime të natyrshme e logjike.
Tradita e besëtytnive vazhdon të ruhet edhe në popullin tonë. Kuptohet fare qartë se çdo besëtytnie ne si popull i veshim një shpjegim tradicional, baza e të cilit mund të gjendet në shekujt e kaluar. Ana më e errët e këtij fenomeni, është krijimi i bazave për idhujtarinë, për bindjen e njeriut në mënyrë të gabuar, për dobinë dhe të keqen që sjellin disa gjëra që në fakt nuk i përmbajnë këto atribute. Të mos flasim këtu për çmimin e lartë qëshumë familje gjithandej trojeve shqiptare paguajnë në raste fatkeqësish dhe për ndihmën që kërkojnë tek dhjetëra e dhjetëra njerëz a tempuj, të cilëve u japin cilësi hyjnore.
Njerëzit, duke mos pasur mundësi të shpjegojnë botën përreth, nga frika filluan të besojnë në gjëra të ndryshme, të cilat më vonë kaluan në besëtytni. Nga këto fenomene që shfaqen tek njerëzit, shumë janë edhe besime të kota. Por, ato kanë hyrë në traditën shpirtërore të popullit dhe përcillen edhe në ditët e sotme.
Kështu është lufta e dragoit me kuçedrën, kur u zënka Hëna ose Dielli; sikur tokën e mbaka një ka i zi dhe, kur u zemëruaka ai, e dridhka kokën dhe atëherë u bëka tërmeti – dridhja e tokës. Në besëtytni përmenden edhe: gjarpri i shtëpisë, bukureza/bukëlza, ujku, qyqja, lejleku dhe të tjera.
Ne si imamë të xhamive, gjithnjë në terren në kontakt me xhemat dhe me grupe të llojllojshme, hasim në ide, besëtytni e bid’ate të ndryshme. Këto gjërai ndeshim jo vetëm të jenë transmetuar gojarisht, por shpesh edhe të shkruara në literaturë e publicistikë të ndryshme, madje edhe në mjetin bashkëkohor, në rrjetin e internetit.
Pikërisht prandaj, në vazhdim do të sjellim disa nga besëtytnitë më të përhapura ndër shqiptarët, ato që i kemi dëgjuar ose që i kemi gjetur të shkruara aty-këtu, – për të treguar përmbajtjen dhe banalitetin e tyre. Shpresojmë se, nga shpjegimet e tyre dhe me “argumentet” për to, do të zbulojmë të vërtetën si dhe të zgjojmë mendjen që prihet nga iluzionet dhe kotësitë e besimit të besëtytnive, të cilat shpesh ndikojnë për të organizuar muajt, vitet, madje edhe jetën mbi ujëra të turbullta, që njeriun e fundosin në botën e mëkateve e të paditurisë. Për këtë arsye, bëjmë thirrje që këto besëtytni të evitohen me këmbëngulje përfundimisht nga jeta jonë.
Ato janë:

Letra që shpërndahet
Është një letër, e cila kohët e fundit po shpërndahet nëpër internet (e shpesh edhe në mënyrë të thjeshtë dorë më dorë, e fotokopjuar) nga disa njerëz injorantë, të cilët nuk i dinë as gjërat më elementare të fesë së tyre, të cilët janë duke përhapur shirkun në Umetin islam duke menduar se janë duke kontribuar për këtë Din (fe).
Përmbajtja e letrës thotë që duhet të besohet patjetër dhe të shpërndahet në 13 kopje, në 13 shtëpi (në disa raste në 20 a 35 kopje) brenda 7 ditësh. Nëse nuk veprohet kështu, personi do të pësojë fatkeqësi fizike dhe materiale, ndërsa ata që veprojnë duke i besuar dhe duke e shpërndarë, do të përfitojnë materialisht, në shëndet dhe në punë.
Këto lloj letrash të trilluara nuk janë diçka e re për opinionin shqiptar, këto kanë qenë edhe më herët, ndoshta para 20 vjetësh, me mesazh të njëjtë, mirëpo me personazhe të tjera, në vend të Muhamedit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem përmendej Zejnebja radijallahu anha, dhe në dallim nga ky trillimi i fundit, ajo shpërndahej në mënyrë më të thjeshtë, fotokopjohej dhe shpërndahej nëpër shtëpi, kurse sot edhe shirku e bid’ati kanë filluar të avancohen duke u përhapur me mjetet më moderne.
Duhet ditur se Caktimi i Allahut (Kaderi), e mira dhe e keqja, janë në dorën e Allahut dhe ndodhin vetëm me caktimin e Allahut, dhe ky është edhe kushti i gjashtë i imanit, pa të cilin nuk vlen dhe nuk plotësohet imani i askujt.
Nëse e kuptoni këtë, atëherë do ta keni të qartë se Caktimi i Allahut ose fati yt, nuk është i lidhur me këso lloj letrash që njerëzit injorantë a qëllimkëqij i shpërndajnë me mënyra të ndryshme, që t’ua prishin dhe shkatërrojnë njerëzve besimin e tyre, besimin që është gjëja më e vlefshme e besimtarit.
Ata që merren me këso lloj letrash, ata janë të devijuar nga rruga e Muhamedit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe nuk është e vërtetëse ata e kanë parë në ëndërr Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, mirëpo atyre që janë të luhatshëm e të padijshëm në fenë e tyre, shejtani i mallkuar u paraqitet dhe i devijon ata. Sepse, si ka mundësi që Muhamedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem të të bëjë thirrje për këso gjërash që janë në kundërshtim më Sheriatin e tij, për të cilin luftoi 23 vjet me radhë, që t’u mbillte muslimanëve në zemrat e tyre besimin e shëndoshë në Allahun dhe t’ua hiqte nga zemra shirkun.
Mirëpo, bid’atxhinjtë ia ndaluan vetes së tyre kapjen për Shpalljen e Allahut xhel-le shanuhu, ata i kaploi shejtani i mallkuar dhe i hodhi në fund të devijimit dhe errësirës, morën për bazë burime të ndryshme, duke menduar se ato burime mund të jenë zëvendësime të Shpalljes.
Ah, sa i madh që është dallimi në mes të asaj diturie që buron prej Kur’anit e ujitet me ujin e pastër të Sunetit, – dhe diturisë që del nga burimet e bid’atxhinjve, të cilët nuk mbështeten në lajme (transmetime) të vërteta e as në logjikë të shëndoshë; çdo gjë që është shpifur në fenë e Allahut, është e refuzuar, dhe çdokush që devijoi nga rruga e Tij, nuk mund të arrijë qëllimin e kërkuar. Sa e largët dhe e pamundur që është që bid’ati t’u dhurojë pronarëve të vet dallues të së vërtetës nga e pavërteta, apo në zemrat e tyre të shtojë udhëzim e iman.
Si ka mundësi të udhëzohet ai, i cili ecën në shkretëtirën e errët pa pishtarë ndriçues? Dhe si mund ta shuajë etjen ai që për pije ka zgjedhur ujin e njelmët? Disa grupe bid’atxhinjsh, siç janë sufinjtë, ëndrrat i marrin si burime kryesore mbi të cilat e mbështetin akiden (besimin) e tyre, i pranojnë dhe i refuzojnë gjërat në bazë të ëndrrave, dhe pretendojnë se këto ëndrra janë një lloj shpalljeje dhe inspirimi nga ana e Allahut. Me ëndrra komentojnë disa prej ajeteve të Kur’anit, me to dallojnë Sunetin e vërtetë nga Suneti i pavërtetë, me ëndrra dallojnë mendimin më të saktë në dispozitat efikhut, etj.

Nuskat dhe hajmalitë
Nuskat dhe hajmalitë mund të jenë me shkronja Kur’ani ose pa to, në varësi se kush e shkruan. Nëse u ndodh ndonjë e mirë, njerëzit besojnë se ka ardhur nga hajmalia dhe gjithashtu besojnë se, pasi ta varin në qafë apo në trup, hajmalia do t’i mbrojë nga fatkeqësitë. Në këtë mënyrë bindja e tyre, por edhe besimi tek hajmalia, tek dobitë dhe fatkeqësitë që rrjedhin nga ajo, tejkalon shpeshherë edhe besimin te Krijuesi i tyre.
Disa nuk besojnë se hajmalia ndikon drejtpërdrejtë, por besojnë se ajo ka qenë shkak që Zoti të ketë realizuar një dëshirë të tyre.
Këtë mundësi shpesh e përdorin “pseudohoxhallarët” dhe të ashtuquajturit “shërues shpirtërorë”.

Madhërimi i varreve dhe i tyrbeve
Madhërimi i varreve dhe i tyrbeve praktikohet gjithandej në vende me popullsi shqiptare. Arsyetimi i këtij veprimi është kryerja e një vepre të mirë, dhe varri ose tyrbja merret si ndërmjetësues në mes lutjes dhe realizimit të dëshirës së personit nga ana e Zotit.
Kjo është njënga format e interpretimit, ndërsa një pjesë e madhe e njerëzve shkojnë e i vizitojnë dhe luten në këto vende pasi, sipas tyre, aty ka vdekur një njeri i mirë, dhe kështu besojnë në realizimin e dëshirave.
Shembulli më i mirë është vizita e përvitshme e qindra njerëzve tek Tyrbja e Sulltan Muratit dhe tek “varri” i tij në Mazgit të Prishtinës.

Therja e kurbaneve në varre ose në tyrbe
Këto flijime kafshësh bëhen me qëllim që lutjet ndaj këtyre objekteve të kenë vlerë më të lartë. E tërë kjo, për të realizuar një hall ose për të larguar fatkeqësitë. Falltorët udhëzojnë që njerëzit të shkojnë tek një varr i caktuar dhe të presin kurban e të lahen me gjakun e tij, etj., në mënyrë që t’i afrohen shenjtërisë së varrit.

Therja e kurbanit në themel të shtëpisë
Therja e kurbaneve në themelet e shtëpive bëhet në “emër” të një fillimi të mbarë, duke tentuar që me këtë vepër të ketë mbarësi shtëpia që po ndërtohet, dhe ata që do të jetojnë aty. Ky besim rrjedh nga koha e injorancës, kur njerëzit që udhëtonin atë kohë vetëm në këmbë, kur ndaleshin për të pushuar e për të bujtur, thoshin “Kërkojmë mbrojtjen e exhinit të kësaj lugine”.
Po ashtu edhe kur theret kurbani në themelin e shtëpisë, bëhet në emër të atij exhini në atë vend, edhe pse nuk e përmendin.

Zanat
Zana ose ora, sipas besimeve popullore shqiptare, është figurë e parafytyruar si vajzë shumë e bukur dhe luftarake, e cila jetonte në male e në pyje. Ajo u ndihmonte trimave, por, nëse e ngucte dikush, e ndëshkonte duke e shituar – “Të shitoftëzana!”. Të mirëve u sjell fat, e të këqijve u sjell fatkeqësi.
Ato lahen në lumenjtë malorë dhe vijnë pranë burimeve dhe nëpër lugje të mira.
Ekziston edhe emërtimi Lugu i Zanave. Flokët i kanë të gjatë deri në bel. Të zezë ose të verdhë. Janë shumë të bukura. Janë të veshura me një vel të hollë dhe të bardhë.
U ndihmojnë njerëzve që luftojnë për drejtësi. Këshillat e tyre merren pranë burimeve dhe janë të urta.
Në Llap përmenden Zana e Sopës, Zana e Shalës, Zana e Llapit, Zana e Malit, Zana e Bytyçit – çmohet për urtësi e bukuri dhe më shumë është e njohur si Zana e Bukurisë. Dhe vajzat që kanë fatin ta takojnë, bëhen të bukura, kurse djemtë martohen me vajza të bukura. Djemtë urohen – “U bëfsh trim si Zana”, kurse vajzave – “U bafsh si Zana” e të tjera.

Potkonjtë e kuajve
Shumë shtëpi, si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri, kanë të varur një potkua kali sipër derës hyrëse në shtëpitë e tyre. Jo vetëm kaq, por potkonjtë varen edhe në vetura e makina, apo disa herë mbahen edhe të vegjël në varëse, byzylykë, etj.
Origjina është nga mitologjia e lashtë greke, atëherë kur kuajt konsideroheshin të shenjtë. Një potkua i varur sipër derës së shtëpisë, mendohet se do të sjellë mbarësi. Besohet se, nëse është i hapur nga sipër, do ta mbajë mbarësinë në atë shtëpi, kurse nëse është i kthyer teposhtë, do ta derdhë mbarësinë.

Horoskopi dhe përcaktimi i fatit
Horoskopi dhe përcaktimi i fatit është formë moderne e besëtytnisë, që lexohet nga shumica e të rinjve. Një pjesë e madhe e tyre ndikohen drejtpërdrejt, duke besuar në fatin dhe fatkeqësinë që paralajmëron horoskopi.
Origjina është në studimet astrologjike që pretendojnë se personalitetet e njerëzve janë të përcaktuara nga yjet, dhe se punët që ata bëjnë, dhe ngjarjet që do t’u ndodhin, janë të shkruara në yje, dhe se horoskopi është një udhërrëfyes për atë që do t’u ndodhë.

Shikimi i filxhanit të kafesë
Kjo besëtytni bazohet në besimin se në figurat që dalin pasi të jetë pirë kafeja, mund të lexohet e ardhmja e personit dhe rrugët që do të ndjekë. Këtu përfshihen edhe leximi i së ardhmes në shenjat e duarve, në letrat e ndryshme me figura e lloj-lloj besëtytnish, që ushqejnë besimin se, përmes shenjave, mund të lexohet e ardhmja e një personi.
Origjina është që nga kohët e lashta, por është përhapur në shumë vende të botës.

Shtriga
Shtriga janë plaka që bëjnë keq. Kur ndonjë grua është e prirur që të tjerëve t’u sjellë të këqija, e urren tërë fshati. Kur urrejnë ndonjë grua, i thonë “Shtrigë-shtriga” ose “Shtriga e keqe”, ndonëse nuk ka shtrigë të mirë. Shtriga edhe bëhet flutur e zezë dhe hyn në shtëpi nëpër vrima të derës ose dritares. Atë flutur e mbysin. Nga shtriga mbrohen njerëzit me thelba hudhre.

Gurët që bëjnë veprime magjike
Ritin pagan të lutjeve ndaj gurëve, sot e hasim në vende të ndryshme në trojet shqiptare, në veçanti në disa rajone të Maqedonisë. Disa prej tyre janë “Guri i Gjallë” në fshatin Moranë (Shkup) dhe “Guri i Vërtakicës” afër fshatit Studeniçan.
Aty shkojnë gratë që nuk u rrojnë fëmijët, për se flet edhe atributi “guri i gjallë”.
Pastaj, në viset e Tetovës dhe të Gostivarit te “Guri i Grave” dhe “Gurra Llapoush”.
Origjina e kësaj besëtytnie rrjedh nga mundësia e ekzistimit të një manastiri në afërsi të vendit të pelegrinazhit, ku ende shihen shenjat e gurëve të themelit të këtij objekti kulti, emri i të cilit nuk mbahet mend.
Këta gurë pelegrinazhi duhet të jenë me zanafillë shumë të lashtë, që nga kulti pagan, por, me kalimin e kohës, kanë marrë atribute hyjnore. Hallexhinjtë (e paudhëzuar në Islam), që u luten këtyre gurëve, janë të shumtë, duke filluar nga gratë që nuk lindin, të cilat kërkojnë ndihmë dhe besojnë se do të mbeten shtatzëna, nga ato shtatzëna që luten të kenë fëmijë jetëgjatë, e deri tek vajzat dhe djemtë beqarë, që luten për fat në martesë dhe jetë të lumtur.

Lugati
Lugati është parafytyruar si njeri që bën keq. Zakonisht lugati është njeri, i cili, pas vdekjes, çohet nga varri dhe bën zhurma e i frikëson fshatarët. Kur nëmin ndonjë njeri, i thonë “U qofsh lugat!” që do të thotë të të urrejnë të gjithë. Lugatit i thonë edhe dhampir (dhompir, vampir).
Tradita thotë se lugati duhet të vritet me pushkë, me pushkën futur nën sqetull dhe duke shtënë në drejtim të lugatit. Në disa fshatra flitet se i kanë parë lugetërit të veshur me të bardha.

Medaljone me figurën e Jezusit, me kryq, ose me figura shenjtorësh
Ata që i mbajnë këto simbole, janë sidomos pjesëtarët e besimit të krishterë në Shqipëri, dhe arsyeja, përveç respektit për këto figura, ka të bëjë me lutjet që u bëjnë këtyre simboleve dhe me besimin që kanë tek ta. Kjo paraqet për ta mbarësi, e mbi të gjitha mbrojtje nga fatkeqësia, por që në vetvete paraqet bindjen e tyre për t’iu lutur dikujt tjetër përveç Zotit. Jo në pak raste këto simbole merren si ndihmues në fatkeqësi dhe orientues drejt fatit të mirë. Origjina vjen nga shpjegimet biblike për kryqëzimin e Jezusit.

Kallukanxha
Kallukanxha është krijesë e imagjinuar femër ose mashkull, e cila rri nëpër pyje dhe i huton njerëzit. Kur njeriu sillet poshtë e lart pa punë, thonë se “e ka marrë kallukanxha”.

Macet e zeza dhe fatkeqësia që ato sjellin
Si në të kaluarën, ashtu dhe në kohën e sotme, prerja e rrugës nga një mace ezezë, besohet si afrimi i një fatkeqësie.
Baza e kësaj besëtytnie është në Egjiptin e lashtë, ku adhuroheshin macet. Perëndesha “Bast” ishte mace e zezë. Edhe grekët e romakët mbajtën të njëjtin qëndrim për macet. Pas ardhjes së Krishterimit, me kalimin e viteve, disa të krishterë erdhën në përfundimin se ajo kafshë së cilës në errësirë i shihen vetëm sytë e ndritshëm, nuk mund të jetë asgjë tjetër veçse vepër e djallit.
Macet e zeza më vonë u morën si instrumente të shtrigave. Edhe sot e kësaj dite, për t’i ikur fatkeqësisë, njerëzit e ndërrojnë rrugën kur shohin një mace të zezë ose pështyjnë tri herë në anën e majtë, duke shpresuar në këtë mënyrë që të mbrohen prej fatkeqësisë që ajo sjell. Madje, thonë, nëse macja e zezë ta pret rrugën, të pritet nafaka.

Një shkrim tjetër i dobishëm  Magjia është lloj i sëmundjes psiqike dhe fizike

Këndimi i qyqes
Nëse dëgjohet afër shtëpisë natën, besohet se ndjell fatkeqësi. Origjina është nga legjenda e motrës me nëntë vëllezër, që u vranë në luftë dhe, kur ajo erdhi në shtëpi dhe nuk gjeti asnjërin, u “shndërrua” në qyqe, dhe që atë ditë e sot, ajo vajton për ta. Andaj dhe qyqja vlerësohet si negative, dhe thonë: “Të knoftë qyqja”, “Këndon qyqja në vorr të djalit të ri”.

Gjarpri dhe lëkura e gjarprit
Ilirët besonin se, nëse lëshohen gjarpërinjtë në trupin e femrave pa fëmijë, ato do të ngjizeshin natën e parë të fjetjes me burrin. Dhe ngjizja eventuale e fëmijës kuptohej si ndikim i gjarprit mbi trupin e femrës. Me kalimin e shekujve, kjo besëtytni është modifikuar, por elementet e gjarprit dhe fuqia e tij për të bërë mrekulli, ka mbetur në botëkuptimet e njerëzve.
Në Kosovë qarkullon besimi se lëkura e gjarprit të mbron nga fatkeqësitë. Kjo bindje shpjegohet nga historia e shpëtimit të një anijeje që ishte duke u mbytur nga vrima që kishte bërë aty një mi, por ishte gjarpri ai që u vendos në vrimën e bërë, dhe kështu shpëtuan të gjithë.
Po ashtu qarkullon edhe bindja se, nëse bart lëkurën e gjarprit në kuletë, do të bëhesh i pasur. Ekziston edhe bindja se çdo shtëpi ka gjarprin e shtëpisë.

Dhëmbi i ujkut
Për ta luftuar syrin e keq, zakonisht fëmijëve u vënë ndonjë “mësyshe”, që është dhëmbi i ujkut ose rruaza të kaltra të futura në pe, që lidhen në flokë. Fëmijët e porsalindur i ruajnë nga syri i keq, por edhe nuset kur janë lehona-llahusa.

Ulërima e qenit
Qeni kur ulërin, ndjell të keqen.

Lejleku
Lejleku, sipas këtyre besimeve, sjell “bekim dhe bereqet”.

Fuqia e breshkës
Sot shohim byzylykë të vegjël ose varëse të ndryshme në formë breshke, të cilat besohet se sjellin fuqi dhe fat. Origjina është nga indianët, të cilët besonin në “fuqinë dhe fatin e breshkës”.

Pasqyra e thyer
Pasqyra e thyer është besëtytni e përhapur shumë. Vajzat e dinë fare mirë sa herë janë qortuar nga gjyshet për të mose thyer pasqyrën, sepse, në të kundërtën, do të kenë shtatë vjet fatkeqësi.
Origjina e kësaj besëtytnie është që nga kohët e lashta. Atëherë, kur dikush shikohej në ujin e qetë, mund të kalonte ndonjë njeri i keq dhe të hidhte gur. Prishja e kthjelltësisë së ujit nga rrathët e krijuar, besohej se ndillte fat të keq.
Me paraqitjen e pasqyrës, u mbart i njëjti botëkuptim, por tani për pasqyrën e thyer. Ndërsa periudha prej 7 vjetësh rrjedh prej besimit romak, sipas të cilit për periudhën e ringjalljes së njeriut, duhen saktësisht shtatë vjet.
Po ashtu ekziston edhe një bindje për pasqyrën: nëse njeriu shikohet natën në të, mund të trenohet (çmendet).

Zierja e hallvës në netët e mëdha dhe kur shpëtojmë nga fatkeqësia
Kjo është shprehi e zakonshme për shumicën dërrmuese të familjeve në Kosovë, pjesërisht edhe në Shqipëri. Zierja e hallvës për “netët e mëdha” bëhet duke besuar gabimisht se “gjatë këtyre netëve vijnë melaqet dhe shpirtrat e të vdekurve, dhe nuhasin a ka erë hallve. Nëse ka, ata kthehen të lumtur, e nëse jo, kjo mund të sjellë fatkeqësi në atë familje”.
Edhe në rastet kur njerëzit janë në rrezik dhe shpëtojnë duke pasur ndihmën e Zotit, është shprehi që puna e parë që bëjnë pasi mbërrijnë në shtëpi, është zierja e një hallve, në këtë rast si shenjë falënderimi.

Falltorët
Kur një sëmundjeje, apo një problemi, nuk i dihet shkaktari, zakonisht thonë: “Ka sehire, i kanë ba mxhi”. Nëse burri me gruan nuk kalojnë mirë, prapë faji u mbetet sehireve – “U kanë ba sehire”. Në këto raste shkojnë tek falltorët. Falltorit i jipej vetëm një shenjë e rrobave të njeriut për të cilin qitej fall, dhe ai pastaj tregonte shkakun.

Hudhrat
Është pothuajse e pamundur të mos i gjesh në shumicën e familjeve në Shqipëri. Zakonisht janë të varura në hyrje të shtëpive, por i gjen edhe në vetura, në makina dhe në vendin e punës. Arsyetimi është se ato vendosen për mbrojtje nga syri i keq.
Njerëzit vendosin një hudhër, ngase prej erës së keqe, të tjerët nuk do të çuditeshin dhe nuk do të merrnin mësysh objektin (ose personin). Dhe arsyetimi i dytë është mbrojtja që njerëzit ndiejnë nga hudhrat në rast fatkeqësish, dhe fatin që ato u sjellin.

Rrobat e fatit
E praktikojnë më shumë pjesëtarët e besimit bektashian në Shqipëri. Në Kalanë e Krujës, në muzeun e shtëpisë së Pashait, ndodhen rrobat që kalonin deri në pesë apo gjashtë gjenerata nga nëna tek e bija. Nëse ajo kishte pasur fat në martesë, ia jepte së bijës, që edhe atë ta ndiqte fati.

Trokitja në dru
Në popull ekziston bindja se trokitja në dru (tavolinë) parandalon daljen e shpirtrave të këqij jashtë. Prandaj, në rast se një njeri përmend një dëshirë personale ose dikë tjetër, troket në dru për t’i parandaluar shpirtrat e këqij që të dalin e të rrëmbejnë fatin e asaj që ai mendon ose që sapo e përmendi. Origjina rrjedh nga besimi i romakëve në zotin pemë.

Numri 13 dhe dita e premte
Numri 13 dhe dita e premte është një besëtytni e përhapur në veçanti në shtetet perëndimore. Tek ne më pak, por mund të haset tek pjesëtarët e besimit të krishterë, tek brezat e rinj, nga të cilët numri 13 merret si numër ters (baksëz). Numri 13 konsiderohet si numër i pafat, madje në shumë ndërtesa dhe hotele në Amerikë, nuk ekziston fare kati i 13, por ai quhet kati i 14. Origjina e këtij besimi mbështetet në rrëfimet e Biblës për darkën e fundit të Jezusit me 11 apostujt. I 13-ti ishte Juda dhe, sipas besimit të krishterë, besohet se Jezusi u kryqëzua të premten.

Kukullat e varura sipër shtëpive
Pothuajse në çdo shtëpi në ndërtim e sipër, në Shqipëri dhe në shumicën e atyre që janë ndërtuar në katet e sipërme, vëren të varur një kukull, ose edhe më shumë. Këtë simbol e vëren edhe tek pallatet e larta dhe tek hotelet përskaj bregdetit.
Shpjegimi qëndron tek besimi se kukulla mbron nga syri i keq dhe sjellm barësi për objektin që po ndërtohet.

Derdhja e kripës
Nëse derdhet kripa, atëherë atij personi apo asaj familjeje do t’i ndodhë shumë shpejt një fatkeqësi. Sipas kësaj besëtytnie, kripa e derdhur duhet të merret dhe të hidhet në anën e majtë të trupit, me qëllim që të neutralizojë fatkeqësinë që mund të vijë.
Origjina ekëtij besimi vjen nga kohët e vjetra, atëherë kur kripa u shenjtërua për shkak të vetisë së saj për t’i mbajtur gjërat e paprishura dhe të freskëta.

Sjellja e kripës
Sipas traditës, ekziston edhe të shkelurit. Njeriu shkel në vend të keq, ku lugati, shtriga ose zana kanë qëndruar dhe kanë fshehur diçka. Njerëzit zakonisht nga të shkelurit pësojnë sëmundje psikike. Këto sëmundje i shkakton djalli ose dreqi. Në këto raste ndonjë plakë ua sjell kripën rreth koke dhe e hedh në zjarr. Si kërcet kripa, pëlcet dreqi dhe syri i keq. Me këtë veprim edhe largohet frika në aspektin psikologjik, dhe kështu hiqet frika e të sëmurit psikik.

Kur një vajzë bëhet nuse
Ndër ceremonitë që përmban më shumë besëtytni, është pikërisht përgatitja e nuseve. Duke filluar që prej momentit të fejesës e deri në ditën e martesës e tutje, thuajse çdo ritual përcillet me besëtytni, të cilave shpesh nuk u dihet as filli, por thjesht janë rrënjosur në mentalitetin e popullit.
Shkurtimisht, disa prej tyre janë: Nusja e re në shtëpinë e burrit në ditën e martesës duhet të hyjë (ta shkelë pragun) me këmbën e djathtë, në të kundërtën harmonia e familjes do të shkatërrohet që nga ai çast. Po ashtu, me të dy duart (ndonjëherë të lyera me mjaltë ose me sherbet), duhet të prekë pjesën e sipërme të derës, që jeta e çiftit të ri të jetë e ëmbël, e lumtur dhe në harmoni me anëtarët e tjerë të familjes. Karamelet, orizi, gruri e drithërat e tjera i hidhen nuses (ose çiftit të ri), me qëllim që trashëgimia e tyre të jetë e mbarë.

Kur gërshërët bien nga dora
Kur gërshërët bien nga dora në dysheme, së shpejti në atë familje do të ketë grindje.

Kur fotografia ose ndonjë send bie nga muri
Nëse fotografia ose ndonjë send bie nga muri rastësisht, pritet një fatkeqësi e madhe për shtëpinë.

Çadra e hapur në shtrat
Nëse harrohet çadra e hapur në shtrat, ajo sjell fatkeqësi.

Fëmija dhe fshesa
Nëse fëmija merr fshesën vetvetiu dhe fillon të fshijë dhomën, atëherë pritet ardhja e një mysafiri nga larg. E njëjta gjë ndodh edhe nëse e harroni (për njëkohë të gjatë) lugën nën sofër.

Kruarja e syrit
Nëse ju kruhet syri i djathtë, sjell gëzim, ndërsa i majti lot.

Këndimi i gjelit
Këndimi i gjelit, ndjell mysafirë.

Këndimi i pulës
Kur pula fillon të këndojë si gjeli, është ndjellakeqe dhe duhet të pritet menjëherë.

Prerja e thonjve
Nëse në të njëjtën kohë pritni thonjtë e këmbëve dhe të duarve, në të njëjtën ditë do të keni edhe gëzim edhe hidhërim.

Tingëllimi i veshit
Nëse ju tingëllon veshi i majtë, mund të keni lajme të këqija, ndërsa i djathti sjell lajme të mira.

Lemza
Nëse ju ngacmon lemza, dikush mendon për ju dhe ju përmend pandërprerë.

Kruarja e dorës
Kur ju kruhet dora e djathtë, është paralajmërim se do të jepni para (tek disa është e kundërta), kurse e majta – se do të merrni para.

Babadimri
Plaku i Vitit të Ri nuk ka një origjinë dashamirëse! Ky karanxholl i trashë dhe gazmor, mund të gjurmohet deri tek legjenda e lashtë skandinave. Disa nga veçoritë e babadimrit janë të vjetra me shekuj.
Për shembull, besimi që babadimri hyn në shtëpi nëpërmjet oxhakut, është zhvilluar nga një legjendë e vjetër skandinave. Skandinavët besonin që perëndesha Hertha shfaqej në vatër dhe sillte fat të mirë në shtëpi. Ndonëse shumica e njerëzve mendojnë që babadimri origjinal ka qenë një peshkop me emrin Shën Nikolasi i Azisë së Vogël i shekullit të katërt, kjo në fakt s’është e vërtetë, ngase legjendat, të cilat i janë atribuuar këtij “shenjti”, nuk kishin origjinë krishtere dhe, me gjasë, erdhën nga traditat pagane. Ai shfaqet si një njeri i moshuar, i gjatë, me mjekër dhe me flokë të bardhë, i veshur si një peshkop katolik, me pelerinë dhe me shkop bariu, në dukje – një shenjt katolik i vërtetë, por me shprehinë e çuditshme të kalërimit nëpër qiej mbi një kalë të bardhë, – dhe u sjell dhurata fëmijëve të mirë, duke ardhur me sajën e tij që e tërheqin drerët.
Pas pështjellimeve të shumta rreth emrit të tij, tash njihet si “BABADIMËR” mjerisht edhe në mesin e muslimanëve. Për popullarizimin e tij në kohën tonë, meritë të veçantë ka kompania Coca-Cola, e cila me reklamat e saj pompoze në mjetet e ndryshme të masmedias për pijen Coca-Cola, i dha publicitet edhe babadimrit.

Bredhi a pisha e Vitit të Ri
Një nga zakonet më të përhapura të Krishtlindjeve sot, është sjellja në shtëpi e pemës së Krishtlindjeve dhe zbukurimi i saj. Besimi i të krishterëve për bredhin është ky:
Bredhi është një lloj peme që të sjell fat në shtëpi gjatë tërë vitit. Enciklopedia Britaneze thotë: Popujt e mëhershëm si hebrenjtë, faraonët dhe kinezët këtë e kishin si simbol të lumturisë. Më vonë, kur Evropa kaloi në besimin e idhujtarisë, atëherë e çmuan bredhin (pishën) më shumë se çdo pemë tjetër. Deri në shekullin VI-të në Gjermanie quanin “Pema e Xhenetit” (pema e Ademit a.s.). Pas shekullit VI-të e ndërruan dhe e quajtën “Pema e Krishtit”. Këtë nuk e pranuan britanezët deri në shekullin XIX-të.
Prej besimeve të tyre është: Kush është i lumtur natën e Vitit të Ri, do të jetë i lumtur tërë vitin; gjithashtu janë të kujdesshëm nga zjarri, sepse nëse e pik zjarri atë natë, atëherë tërë viti do t’i kalojë me probleme. Po ashtu edhe zbukurimi i bredhit në këtë natë me ngjyra të ndryshme, simbolizon Krishtin (Isain a.s.) kinse ai e paska sakrifikuar veten e tij për njerëzit që vijnë pas tij, do të thotë për larjen e mëkateve që ka bërë njerëzimi. E tërë kjo nuk ka kurrfarë baze fetare të shëndoshë as tek krishterët, e jo më tek muslimanët që, fatkeqësisht, janë përfshirë në këtë dukuri.

* * *
Aq sa mundëm, sollëm shembujt e mësipërm për të parë se në popullin tonë shumë kulte dhe besëtytni të krijuara nga mendja e njeriut, u veshën padrejtësisht me cilësi hyjnore dhe shërbyen si bazë e adhurimit, si faktor i parashikimit të së ardhmes.
Pasojat që sjell në familjet tona ky realitet, janë të mëdha.
Duhet t’i besojmë fuqishëm fjalës së Muhamedit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, të cilën na e transmeton Ibën Abbasi radijallahu anhu, i cili thotë:
Më ka thënë i Dërguari i Allahut: “Ruaje ti Allahun, Allahu të ruan ty, ruaje Allahun, do ta gjesh çdo herë pranë vetes, dhe kur të lypësh, lyp prej Allahut, e kur të kërkosh ndihmë, kërko prej Allahut. Dhe dije se, nëse të gjithë njerëzit mblidhen që të të bëjnë ndonjë dobi, nuk kanë mundësi të të bëjnë asgjë përveç se atë që ta ka caktuar Allahu, dhe dije se, sikur krejt njerëzit të mblidheshin që të të bëjnë ndonjë të keqe, nuk kanë mundësi të të bëjnë asgjë përveç asaj që ta ka caktuar Allahu. Janë ngritur lapsat dhe janë tharë fletushkat.”
Allahu xh.sh. na e tërheq vërejtjen:
“A po adhuroni pra në vend të Allahut ata që nuk ju sjellin kurrfarë dobie as dëmi?” (Enbija, 66)
“S’ka dyshim se ata që po i adhuroni ju përveç Allahut, janë të krijuar ashtu sikur ju…” (A’rafë, 194)
“Nëse Allahu të godet me ndonjë të keqe, s’ka kush të ta largojë atë përveçTij.” (En’amë, 17)
Shikuar nga ky këndvështrim, njeriu një herë e përgjithmonë duhet ta kuptojë se mbarësia dhe fatkeqësia janë të caktuara nga Zoti dhe pjesë e sprovave të kësaj jete.
Të gjitha tentimet e njeriut për t’i anashkaluar këto ndodhi të fshehta, duke kërkuar ndihmën e atyre që s’kanë mundësi të mbrohen dhe t’i sjellin mbarësi vetvetes, janë të kota, por njeriu rrezikon të hyjë në mesin e personave që Zoti nuk do t’i ketë nën faljen dhe mëshirën e Tij. Allahu thotë në Kur’an:
“S’ka dyshim se Allahu nuk e fal (mëkatin) t’i bëhet Atij shok (idhujtarinë), e përveç këtij (mëkati), i fal kujt do. Kush i bën Allahut shok, ai ka trilluar një mëkat të madh.” (Nisaë, 48)
Besojmë se, si njerëz, kemi nevojë për mëshirën e Zotit përballë gabimeve tona të shumta. Njeriu mund të gabojë, por kurrë nuk duhet t’ia lejojë vetes të bjerë pre e paditurisë dhe të besojë e të kërkojë ndihmë diku tjetër përveç se tek Zoti i tij. E tërë kjo duke kujtuar Fjalën e Allahut:
“Askush përveç Allahut, as në qiej, as në tokë nuk e di të fshehtën.” (Neml, 65)
Në kushtet e zhvillimit të edukimit të mirëfilltë fetar, besëtytnitë nuk do të lulëzonin. Ato nuk do të lulëzonin as në kushtet e një ngritjeje të mirëfilltë edukativo-shkencore, por e tërë kjo tregon se si popull, në masë të madhe na mungojnë që të dy elementet e nevojshme për të mos besuar në ato që nuk besohet, dhe për të mos lejuar të jemi të paditur karshi interpretimeve që kalojnë edhe nivelet e fantazisë.
A ia vlen që, për shkak të besimeve tona të kota, të largohemi nga shpresa dhe besimi tek Zoti e të humbim gjënë më të rëndësishme, ndihmën dhe mëshirën e plotfuqishme të Tij?
Pra, i dashuri vëlla dhe e dashura motër, ruaje besimin tënd, se vërtet besimi yt është gjëja më e vlefshme që ti posedon, besimin tënd mbështete vetëm në baza të shëndosha të Islamit, në Kur’an dhe Sunet, se vërtet do ta gjesh veten të liruar nga çdo lloj robërimi dhe do të jesh vetëm rob i Allahut, për se edhe je i krijuar.
Ndërsa ata që nuk janë robër të nënshtruar ndaj Allahut, ata janë robër të çdokujt, i sheh ata të besojnë në lloj-lloj besëtytnish dhe frikësohen nga ato, në dallim nga besimtari, zemra e të cilit është mbushur me dashuri ndaj Allahut dhe nuk i frikësohet askujt përveç Allahut.
Allahu e mëshiroftë Ibën Kajjimin, i cili thotë: “Kanë ikur prej robërimit që janë krijuar për të, e kanë rënë në robërim të tekave të tyre dhe djajve”.
Njeriu, nga vetë natyrshmëria e tij,shpirti i tij kërkon që të lidhet me Krijuesin e tij, e nëse nuk lidhet me Krijuesin e tij, ai do të lidhet me diçka tjetër, pra ose do të jetë rob i Allahut, ose rob i tjetërkujt përveç Allahut xhel-le shanuhu.
Allahu xhel-le shanuhu në Kur’an na sjell shembullin e shirkut dhe tevhidit (idhujtarisë dhe besimit të drejtë në Një Zot) në suren Zumer, ajeti 29, ku thotë:
“Allahu solli një shembull: Një njeri (rob) në posedimin e të cilit ishin ortakë pa marrëveshje në mes tyre dhe një njeri (rob) që është thjesht në posedimin e një njeriu. A janë ata të dy të një lloji (të një gjendjeje)? Lavdërimi i takon vetëm Allahut, por ç’bën shumica e tyre, nuk e dinë.” (Zumer, 29)
Pra, Allahu solli shembullin e atij që, përveç Allahut, adhuron edhe zota të tjerë, si shembulli i atij robi që e kanë në pronësi shumë zotërinj, një e urdhëron me një punë e tjetri me tjetrën punë, e kështu me radhë. Si mund të jetë gjendja e tij shpirtërore? Ndërsa, shembulli i atij që adhuron vetëm Allahun, është si shembulli i atij që është rob vetëm i një zotërie, i kryen urdhrat e tij dhe është i qetë.
E lusim Allahun që të na e shtojë imanin tonë në Allahun, dhe të na bëjë të jemi robër vetëm të Tij, e të na bëjë të lirë nga çdo lloj robërie tjetër, dhe të na ruajë nga shirku!
Në fund themi:
“Zoti ynë, mos na i lako zemrat tona pasi na drejtove, na dhuro mëshirën Tënde, sepse vetëm Ti je dhuruesi i madh.” (Ali Imran, 
Dhe bëjmë thirrje:
“Kthehuni tek Zoti juaj dhe përuljuni Atij para se t’ju vijë dënimi, se pastaj nuk do të ketë kush t’ju ndihmojë. Dhe përmbajuni asaj më të mirës që u është shpallur nga Zoti juaj, para se t’ju vijë dënimi befas e ju të mos e dini!” (Zumer, 54-55)

Përgatiti: Bahri CURRI

Referencat:
1. “KUR’ANI-i Përkthim me komentim në gjuhën shqipe” – Përktheu dhe komentoi Sherif Ahmeti
2. Shënime të mbledhura nga autori.
3. “Iktidau es-Sirat el-Mustekim” – Ibën Tejmijje, botimi i shtatë, 1999, Arabia Saudite.
4. “Llapi gjatë historisë” – dr.Fehmi Pushkolli,1998, Prishtinë.
5. “Besëtytnitë, a përcaktojnë fatin tonë?” – Ismail Lutolli dhe Samire Ademi, Revista “Argumenti”, nr.37, prill 2005, Prishtinë.
6. “Përhapja dhe shpërndarja e letrave të ndaluara”- Behxhet Behrami, (www.fjalaebukur.com).
7. “Fjalor i mitologjisë” – Todi Dhama, 1988, Prishtinë.
8. Dhe literaturë tjetër ndihmëse.

image_pdf
Tags:

Categories

Archives