Sunday, 19/8/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Thirrje për t’u ndjerë të lumtur 2/2



Thirrje për t’u ndjerë të lumtur 2/2

By: Dok. Aid el Karni

Thirrje për t’u ndjerë të lumtur (1/2)

12. Shtriji urat e komunikimit që ta shpëtosh anijen tënde prej fundosjes: mbill pemët e dashurisë në zemra, sepse kjo është në favorin tënd, bëje shprehi të shoqërohesh me njerëzit dhe të fitosh simpatinë e tyre, bëj kujdes që të mos humbësh ndokënd prej njerëzve, nëse e ke të mundur ta fitosh atë.

13. Ruaju shejtanit, që mos të të mashtrojë, duke bërë të mendosh se ti je njeriu më i mirë: hiq dorë një herë e mirë nga nyja e iluzionit, që të bën të mendosh mbi meritat e tua personale dhe të sodit dhuntitë e tua, për të rënë kësisoj pre e fantazisë, se ti je uniku i epokës tënde dhe më i miri i bashkëkohësve të tu, gjë e cila është tërësisht një mashtrim dhe manipulim prej shejtanit. Në botë ka mijëra dijetarë, fisnikë, të urtë, gjeni dhe yje, që janë me qindra herë më të mirë se unë dhe se ti. Reduktoje vetëkënaqësinë, ule kokën, kija drojën Zotit tënd dhe tregohu modest me bijtë e sojit tënd human… Në qofsh dijetar, dije se në kombin tënd ka dijetarë edhe më fisnikë e edhe më të merituar se ti. Në qofsh shkrimtar, dije se rreth e rrotull teje gjenden shkrimtarë edhe më të shquar e edhe më të urtë se ti… Kësisoj, pranoje realitetin dhe përtype vetveten.

14. Njih dhuntitë e njerëzve që ata t’i njohin të tuat: prej gjërave më të vështira për shpirtrat human, është mohimi i dhuntisë dhe intelektit si dhe lënia në hije nga ana e tyre, e meritave të të tjerëve. Nëse dëshiron që njerëzit të ta njohin dhuntinë dhe intelektin tënd, njihua atyre dhuntitë e tyre dhe falënderoji me zemër e vepra për to; posedimi i të tëra dhuntive nuk është një ekskluzivitet vetëm i yti, sepse në realitet njerëzit kanë dhunti, që nuk janë prezente tek ti. Kështu, nëse ti je poet, tjetri është lektor, nëse ti je kapitalist, tjetërkush është mjek, ministër, inxhinier apo pilot… Si po tenton ta monopolizosh dhuntinë e gjerë të Allahut, në një kohë që në mesin njerëzve gjendet dikush tjetër, i cili ka epërsi intelektuale dhe dhunti më tepër se ti?!

15. Pas një farë kohe nuk do ekzistosh më: mendo sesi ti do ta lëshosh këtë jetë së shpejti, ndaj angazhohu të kesh raporte sa më të denja me njerëzit, që pas vdekjes të përmendesh për mirë dhe të bëjnë lutje për ty. Nga kjo botë nuk ke për të marrë asgjë tjetër veç punës tënde, ti erdhe përkohësisht në këtë dynja dhe ke për të ikur nga ajo ashtu siç ikën të tjerët para teje, që t’u jepet mundësi të tjerëve që vinë pas teje. Tregohu dinjitoz me njerëzit, pasi ti s’je veçse në një udhëtim të shkurtër.

16. Mos bjer pre` e fobisë, duke menduar se njerëzit po të kurdisin intriga dhe pusi: njerëzit s’e kanë mendjen as tek unë dhe as tek ti. Ata kanë hallet dhe shqetësimet e tyre. Jeta është e vështirë dhe po e angazhon njeriu tërësisht me veten, pa dashur t’ia dijë për botën mbarë. Mos hamendëso se të tjerët po rrini pa gjumë, duke kurdisur të keqen tënde apo se ata janë të preokupuar me irritimin tënd. Pastroje mendjen nga këto bindje, që të bëjnë viktimë e hamendësisë, se ti qenke preja e gjykatësit, privatit, kolegut, tregtarit dhe mbarë shoqërisë. Jetoje qetësinë dhe mbështetu tek Allahu, se asnjë e keqe nuk do të të godasë pa me lejen e Tij.

17. Askush nuk mund të marrë gjë nga rizku (furnizimi) yt: Furnizuesi është Allahu Një i Vetëm, Ai ua ka ndarë furnizimin robërve dhe askush nuk do të marr nga furnizimi dhe as nga dhuntia e tjetrit. Mos kij smirë askënd për atë që Allahu i ka dhënë dhe mos u shqetëso për mirësitë e tua, pasi askush nuk mund të arrijë tek ato. Të gjitha depozitat i disponon Allahu depoziton çdo gjë, prandaj të gjitha ato që dëshiron, kërkoja vetëm Zotit tënd, pasi njerëzit nuk kanë në dorë as dëm, as dobi, as vdekje, as jetë dhe as ringjallje. Braktise egoizmin, babëzinë dhe zemërngushtësinë. Begatia është e shumtë dhe askush nuk mund ta privojë tjetrin prej saj.

18. Jeta është bashkëpunim, prandaj mos i anulo rolet e të tjerëve: disa njerëz mendojnë se jeta varet prej tyre, gjë që ua ekzagjeron atyre në mendje dhuntitë e tyre intelektuale, ndërsa e vërteta është, se jeta do vazhdojë edhe pa ta, krejt siç ishte çështja edhe para ekzistencës së tyre. Jeta nuk është peng i dijetarëve, gjykatësve, tregtarëve, pedagogëve dhe mjekëve, sepse në realitet ajo ngrihet mbi energjitë, kontributin dhe dhuntitë që vijnë nga të gjitha llojet, kategoritë dhe ngjyrimet. Nëse Allahu të ka dhënë një dhunti, dije se përkundrejt saj ka dhunti të panumërta në këtë univers dhe dhuntia jote midis tyre s’është tjetër veçse një thërrmijë. Ti i tëri s’je gjë tjetër, veçse një pikë e vockël në këtë botë. Nëse do të jetosh, të duhet ta njohësh kapacitetin tënd dhe të mos e përçmosh çështjen e të tjerëve.

19. Kur të gjendesh në dyndje njerëzish dhe trafik, sillu me delikatesë: ty si, çdo njeriu, të takon të kalosh nëpër situata dyndjesh në aeroport, spital, panaire ndërkombëtare apo arena e ambiente të tjera; në këto rrethana lypset të reagosh butësisht, që të fitosh respektin e të gjithëve, lëshoja vendin të tjerëve që të bëjnë përpara,.kKo dyndje do zgjasë vetëm pak momente nga jeta jote e pastaj problemi mbaron dhe ti del i freskët dhe i gëzuar. Merri në konsideratë situatat e njerëzve, pasi ndër to gjendet i thyeri në moshë, dijetari, i sëmuri, fëmija… Sillu me ta me delikatesën dhe modesti, jepu atyre prioritet, që të marrësh prej tyre lutje, lavdërim, kënaqësi dhe dashuri.

20. Preokupohu me mëkatet e tua dhe jo me ato të njerëzve: problemi i shumë prej nesh është, se preokupohemi me fajet dhe gabimet e njerëzve dhe harrojmë fajet tona, duke na u dukur vetja si të ishim engjëj të dëlirë apo profetë të pagabueshëm. Paskëtaj na hip mendja mbi flokë e u krekosemi robërve të Allahut… A thua se koha e mbetur në këtë dynja na premton të inspektojmë dosjet e njerëzve dhe të zbulojmë shkarjet e tyre. Ekspozeja e çmendurisë më të madhe është, kur zhytesh në fajet e të tjerëve, ndërsa vetë je i kredhur në një det fajesh dhe mëkatesh. Nëse merresh me të metat e tua, kjo s’të lë kohë të merresh me të metat e njerëzve, madje kësisoj i mëshiron ata, të dhimbsen, pajtohesh me ta, e braktis arrogancën, mahnitjen dhe kotësinë.

21. Zbrit tek mendësitë e njerëzve të thjeshtë dhe shqetësimet e masës: jo të gjithë njerëzit janë dijetarë, filozof dhe gjeni. Në realitet shumica e njerëzve i përkasin masës së gjerë, ndaj me ta sillu me modesti dhe thjeshtësi, mos u ekspozo atyre aftësitë dhe muskujt e tu, folu atyre me dialektin e tyre dhe sipas kapacitetit të tyre, nëse do që t’i fitosh zemrat e tyre, bëhu pjesë e festave dhe gëzimeve të tyre dhe kur të flasësh me ta, mos e tepro me fjalë të thella, sepse kështu shndërrohesh në një person të rëndomtë, që ata s’e honepsin. Sillu thjeshtësisht, lehtësisht, qasu mentalitetit dhe gjuhës së tyre. Lëre ekspozenë e dhuntive të tua, pasi kjo ka për të të kushtuar vetëm urrejtje dhe ftohje.





22. Respektoji emrat dhe mos i anashkalo titujt e nderit: thirri shokut tënd me emrin e tij më të bukur, pasi kjo është thirrja që i tingëllon atij më bukur në vesh, por mos i neglizho titujt e tij të nderit që ai i ka fituar me mund në jetë, sikurse për shembull artikulimin shejkh (profesor), i nderuar, hazret, shkëlqesi, doktor, inxhinier, etj. Asgjë tjetër nuk do përfitosh nga anulimi i këtyre titujve, veç armiqësisë dhe paraqitjes tënde me rrobën e smirëziut dhe mohuesit?! A ti ua dhe atyre këto tituj nderi, apo ata i arritën ato me përpjekjet dhe djersët e tyre?! E pse pra do që t’i anashkalosh ato? Nderoji njerëzit, që të nderohesh prej tyre dhe respektoji, që të respektohesh.

23. Njerëzit do të të trajtojnë ashtu siç i trajton: siç sillesh me të tjerët, ashtu do sillen me ty, atë që jep atë edhe do marrësh, moralet janë si treg; paguaj shtrenjtë dhe ke për të marrë mall të shtrenjtë, paguaj lirë dhe ke për të marrë mall të lirë, nëse i përshëndet njerëzit, ata do të të përshëndesin e nëse sillesh ftohtë me ta edhe ata do sillen ftohtë me ty. Si kërkon të vlerësohesh dhe mbështetesh nga të tjerët, teksa ti vetë abuzon me të drejtat e tyre?! Nëse nderon njerëzit, ke nderuar vetveten, nëse i përbuz ata, vetveten ke përbuzur, pra zgjidh për veten tënde atë që do, sepse shpërblimi është në bazë të veprës së bërë.

24. Lëri armikut një linjë tërheqjeje: nëse hyn në konflikt me dikë, lër vend për marrëveshje; ti nuk di se deri ku mund të arrijnë pasojat, të mundësosh një pajtim, do të thotë të mos e shtosh numrin e rivalëve; një mijë shokë janë pak, ndërsa një armik i vetëm është shumë. Ta bësh çdokënd armik, ta preokupon mendjen dhe turbullon kujtesën dhe ky është një dëm ky i mjaftueshëm. Prej çdo personi dalin gabime dhe ato mund të eliminohen, nëse tregohesh i matur dhe i përmbajtur, nëse e kuron rivalitetin që në nisje, para se të trashet.

25. Mos sfido askënd: mos fto në sfidë asnjë prej njerëzve, madje nëse dikush të përmend ndonjë gabim që ke bërë, bëja të qartë atij, se çështja është e pranueshme, se midis teje dhe tij sundojnë lidhje dhe raporte superiore, që nuk lejojnë që situata të përkeqësohet, bëj kujdes që të mos i hakërrehesh dikujt, se do t’i bësh keq; pasi kjo nënkupton se ti je një burim frike dhe stresi, gjë që do i bëjë njerëzit të ta kenë frikën dhe do të të shndërrojë në një agresor, që përbën kërcënim për njerëzit. Thirr në paqe, dashuri, shoqëri dhe harmoni.

26. Shndërroi armiqtë e tu në shokë: urtësia dhe humanizmi na shtyjnë, që armikun ta bësh shok, duke gjetur gjuhën e përbashkët dhe duke i shtrirë urat drejt tij, teksa shndërrimi i shokut në armik është padyshim kulmi dhe skaji i budallallëkut. Reago me mend dhe përgjegjësi, dërgoi mesazhe pozitive rivalit tënd dhe përpiqu gjithmonë që ai të bëhet shoku yt, sepse kësisoj shpëton nga gjëmat e tij dhe fle i qetë. Me butësinë tënde përthithe mllefin e rivalit tënd, për të qenë ti vetë i fituari dhe i lumturi.

27. Ekspozoju diellit dhe lahu me dritën e tij: dielli është mirësi madhështore për gjallesat, mos e privo vetveten nga rrezet e tij, ekspozoju atij dhe laje trupin tënd me dritën e tij; pasi ai i vret parazitët e trupit, e pajis trupin dhe gjakun me energji, e lulëzon shpirtin, sidomos direkt në kohën pas agimit. Hapja dyert dhe dritaret në këtë kohë dhe lëre dritën e diellit të depërtojë në shtëpinë tënde, lëre atë të hyjë nëpër dhoma, të rrënojë mikrobet dhe të rinovojë jetën.

28. Asnjeri nuk është i kulluar, prandaj pranoji njerëzit ashtu siç janë: pranoji ata, fali, tregohu i duruar me ta dhe mos kushtëzo kushte të rënda për t’i qasur njerëzit apo për të bërë shokë; pasi, nëse të tilla kushte do i zbrisje në realitetin tënd, do e gjeje veten të padenjë. Allahu është Krijuesi, Furnizuesi, Ai qëndron mbi robërit e Tij, të cilët i detyrohen dhuntive të Tij, Ai u bën lëshime dhe i fal ata. Nuk je ti krijuesi dhe furnizuesi i njerëzve, që t’i marrësh ata në llogari për gjërat e mëdha e të vogla, prandaj pajtohu me dobësinë e tyre njerëzore dhe bëj lëshime, që t’i fitosh të gjithë ata.

29. Sënduku familjar i bamirësisë: në shtëpinë tënde bëj një sënduk të vogël me çelës, që të hapet çdo muaj dhe në të çdo anëtar i familjes të vendosë për çdo ditë qoftë edhe disa qindarka, t’i vendosë ato me dorën e tij, që ta shijojë ëmbëlsinë e dhënies së lëmoshës. Shumën që mblidhet, shpenzoje në fund të muajit për nevojtarët, të varfrit dhe jetimët. Le të jetë ky sënduk muaj pas muaji sënduk i mëshirës dhe bereqetit, largues i fatkeqësive dhe sëmundjeve, që kurrsesi nuk e zvogëlon kapitalin tënd, por përkundrazi e shton atë.

30. Mos e vështro me ëndje fatkeqin: gjithkush nga ne do sprovohet në jetë me ndonjë fatkeqësi. Atëherë pse duhet të gëzohemi me fatkeqësitë e të tjerëve? Kush prej nesh ka garanci, se nuk do të sprovohet? Të gjithë ne jemi të dobët, nën Vullnetin e Allahut, prandaj falënderoje Allahun për shëndetin, lutu për të mirën e të gjithëve dhe mos u gëzo me fatkeqësitë e të tjerëve; bota rrotullohet dhe nxjerr në pah, se ai që gëzohet me fatkeqësinë e tjetrit është i marrë, i pashpirt dhe i pamëshirshëm. Përkundrazi ti duhet të solidarizohesh me personat në fatkeqësi, të qëndrosh në krah të atyre që vuajnë dhe të ndjesh dhimbje për robërit e Allahut.

31. Shkruaj një program ditor: bëj për çdo ditë një plan të studiuar, në varësi të punës tënde, ku të dedikosh kohë për adhurimin, leximin, namazin, vizitën dhe kryerjen e angazhimeve. Përmbaju gjithmonë këtij programi, duke përjashtuar rastet e veçanta dhe kështu ke për të parë, se do ta kalosh ditën tënde i lumtur, i qetë dhe i prehur, do shpëtosh nga destabilizimi dhe rrëmuja. Pra angazhohu me disiplinë, që të jetosh i qetë.

Perktheu: Altin Torba





Categories

Archives