Tuesday, 25/7/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Terror policor dhe mediatik ndaj muslimanëve!

Terror policor dhe mediatik ndaj muslimanëve!

shqiperia

Nga Ismail Bardhoshi

Terror policor dhe mediatik ndaj muslimanëve!

Të terrorizosh fëmijët, gratë dhe pleqtë në fundin e natës, në shtëpite e tyre, me forca të shumta policia, me një ndërhyrje të dhunshme e brutale nëpër shtëpia, pa justifikim ligjor, për të arrestuar njerëz që thjeshtë dyshohet se kanë bërë veprime të paligjshme!
Të tmerrosh besimtarët që frekuentojnë xhamiat në namazin e sabahut, të bllokosh hyrjet e xhamive, të rrethosh me forca të shumta policie xhamitë, të marrësh në pyetje një për një besimtarët që hyjnë në xhami për faljen e namazit të sabahut, ndërkohë që këta dhjetra besimtarë nuk janë në dijeni për dyshimet që kanë forcat policore!
Të krijosh idenë se xhamiat janë vendet ku mund të kapen njerëzit që dyshohet se kanë kryer veprime antiligjore, a thua se nuk ka vend tjetër ku mund të kapen dhe te merren ne pyetje këta njerëz!
Të bastisësh xhamiat, të kthesh përmbys gjithçka, të hyshë në to me këpucë në këmbë, pa respektuar shenjtërinë e vendit, me preteksin se ka armatim dhe lëndë shpërthyese!
Të shpërndashë lajmin e rremë nëpër media se në xhamia u gjetën sasi armësh, lënd shpërthyese dhe pajisje ushtarake, për të terrorizuar frekuentuesit e xhamive dhe për të larguar njerëzit prej tyre!
Të krijosh imazhin e keq në popull, nëpërmjet pushtetit të orientuar dhe kontrelluar mediatik, se xhamiat tashmë nuk janë objekte ku njerezit mësojnë mbi Zotin, fenë, moralin, qetësinë, stabilitetin dhe sigurinë, por vende ku prodhohet dhunë, terror dhe pasiguri për jetën!
Të bësh një operiacion supërgjigand me forca të shumta policie për të kapur ca njerëz që dyshohet se kanë bërë vepra të paligjshme, ndërkohë që asnjëherë nuk janë njohur për rezistencë ndaj forcave të policisë dhe ndërkohë që shumë lehtë mund të thirreshin në organet e rendit për t’u shuar dyshimet ose për t’u faktuar veprimet, pa qenë i nevojshëm gjithë ky terrorizim i opionit publik nëpërmjet mekanizmit mediatik i cili për disa ditë me radhë fokusohet në pasqyrimin e kësaj ngjarje, duke krijuar kështu pështypjen e rremë në një masë të gjerë njerëzish se siguria dhe rendi kombëtar janë në rrezik nga xhamiat dhe muslimanët!!
Të shfrytëzosh praninë e ca njerëzve të painformuar në ambjentet rreth gjykatës në mes të forcave të shumta policore që gjoja janë vendosur aty për mbrojten e gjykatës, pra të shfrytëzosh praninë e këtyre njerëzve me paraqitje islame dhe ta mediatizosh për të krijuar imazhin se njerëzit me paraqitje fetare islame janë “të rrezikshëm” për rendin dhe sigurinë kombëtare!
Të krijosh idenë se komuniteti i muslimanëve që ndodhen në këtë vend prej shekujsh nuk janë në gjendje të bashkëjetojnë në paqe me komunitetet e tjera fetare, se nuk janë të aftë të prodhojnë siguri dhe stabilitet, se mësimet e Islamit që burojnë nga Kurani Famëlartë vënë në rrezik jetën dhe bashkëjetesën në paqe me të tjerët! Ndërkohë që për disa shekuj muslimanët e këtij vendi kanë bashkëjetuar në paqe me pjesëtarë të komuniteteve të tjera fetare, të cilët kanë jetuar nën hijen e tolerancës dhe drejtësisë së qeverisjes së muslimanëve, ndërkohë që muslimanët kanë bashkëjetuar në paqe me disa komunitete fetar edhe në kohën e Pejgamberit tonë në Medine, madje edhe sot e kësaj dite ka komunitete kristianësh në Stamboll, Siri, Palestinë dhe Egjipt, vende këto të qeverisura nga muslimanët prej shekujsh.
Të shfrytëzosh disa fjalë të vërteta të thëna nga njerëz që shprehin fjalë të vërteta për qëllime të kota, siç është “pavlefshmëria e idesë së përzierjes së fesë islame me fetë e tjera”, për të treguar se muslimanët janë të rrezikshëm për rendin dhe sigurinë kombëtare e ndërkombëtare, ose për të vënë nën presion muslimanët e dobët të pranojnë shtrembërimin e fesë islame dhe përzierjen e saj me idetë dhe ritet e feve të tjera! Dihet që asnjë musliman nuk mund të pranojë përzierjen e fesë islame me fetë e tjera; nuk ka dyshim që teoria e përzierjes së feve është e pavlefshme. Përqafimi i kësaj ideje është felëshim. Por kjo fjalë e vërtetë artikulohet për qëllime të këqija, për të krijuar idenë se kushdo që është kundër përzierjes së feve, është edhe kundër sigurisë dhe paqes kombëtare e ndërkombëtare, ndërkohë që muslimanët e këtij vendi prej shekujve nuk kanë pranuar ta përziejnë fenë e tyre me fetë e tjera, e megjithëkëtë kanë pasur aftësinë të jetojnë në paqe me të tjerët, madje ju kanë dhënë paqen dhe sigurinë jomuslimanëve në saj të mësimeve tolerante të islamit. Pra, të jeshë kundër përzierjes së parimeve dhe riteve islame me fetë e tjera nuk do të thotë se je kundër rendit, sigurisë dhe bashkjetesës në paqe me jomuslimanët. Shfrytëzimi i kësaj fjale të vërtetë më kujton atë komentin e shquar të Aliut r.a. për shprehjen e një grupi të devijuar “Nuk ka gjykues tjetër veç Allahut”. Duke komentuar këtë shprehje, Aliu r.a. tha: “Fjalë e drejtë, por e përdorur për qëllim të keq”. Më kujton dhe thënien e Pejgamberit: “Ata sjellin citate nga (tekstet) më të mira (tekstet e Kuranit dhe Hadithit)”. Këto fjalë Pejgamberi a.s. i ka thënë për një grup të devijuar që sjellin shprehje të sakta për qëllime të këqija.
Të quash terrorizëm besimin e muslimanëve se sistemi ekzistues ka të meta, defekte, shtrembërime, probleme, dhe se në të ardhmen, pas plotësimit të kushteve dhe krijimit të mundësisë, në përputhje me metodën e profetëve për ndryshim të gjendjes, do të zëvendësohet me një sistem të përsosur, pa të meta, probleme dhe shtrembërime, sistem që e pëlqen Zoti i gjithësisë dhe që është në dobi të njerëzisë. Nëse ky besim do të klasifikohet si terrorizëm, atëherë duhet të quhen terrorizëm edhe zërat e sociologëve, juristëve dhe intelektualëve jomuslimanë, evropianë e joevropianë, që flasin për të metat dhe defektet e sistemit ekzistues dhe që shprehin bindjen se në të ardhmen ky sistem do të ketë fatin e shumë sistemeve të tjera të cilat ranë dhe u zëvendësuan nga sistemet e mëpasshme. Nëse njerëzit me besim ose bindje të tillë do të klasifikoheshin si terroristë, përsakohë që nuk u prekin të tjerëve jetën, pasurinë, lirinë dhe të drejtat që garanton sistemi ekzistues, atëherë ç’ndryshim do të kishte ky klasifikim nga shtypja e mendimit ndryshe në regjimin komunist? Nëse kjo bindje do të ishte terrorizëm, atëherë përse nuk quhen terroristë ithtarët e feve të ndryshme në perëndim që besojnë se do të vijë një kohë kur sistemi ekzistues do të rrëzohet, dhe do të vendoset rendi, sistemi apo mbretëria që sipas tyre ka bekimin e Zotit!?
Të përhapësh nëpërmjet mediave fobinë se frekuentuesit e xhamive janë të rrezikshëm për rendin dhe sigurinë kombëtare, duke sjellë si argument ndonjë thirrje ose lëvizje të disa njerëzve banorë të ndonjë vendi tjetër larg realitetit të trevave shqiptare të cilët kanë devijuar nga rruga e Pejgamberëve dhe kërkojnë t’i realizojnë gjërat pa ju ardhur koha, pa plotësimin e kushteve, pa krijimin e mundësisë dhe pa ndjekur rrugën e Pejgamberëve për ndryshimin e gjendjes. Por edhe në disa vende evropiane ka njerëz që i përkasin të djathtës ekstreme, të majtës ekstreme, ndonjë rryme kristiane ekstreme, ndonjë rryme rraciste. Këta njerëz bëjnë krime, ndërmarrin veprime për përmbysjen e sistemit, shprehin qëndrime ekstreme kundër rendit ekzistues. A do të pranonte kush të konsiderohej terroriste e gjithë e djathta, e majta etj.!? Në çdo vend ka njerëz që bëjnë vepra penale, por a do të ishte e drejtë të inkriminoheshin të gjithë banorët e vendit dhe të ngjallej fobi kundër të gjithëve? Në disa vende të Evropës ka refugjatë shiptarë që kryejne vepra penale, por askush nga shqiptarët nuk do të ndihej mirë nëse do të përhapej fobi në Evropë kundër të gjithë shqiptarëve, përkundrazi, këtë do ta quanin të padrejtë.
Të ngjallësh fobi përmes medias kundër muslimanëve të këtij vendi për dyshimet mbi gabimet ose devijimet e disa personave, dyshime këto të cilat ende nuk janë vërtetuar, ndërkohë që në vendin tonë nuk kemi asnjë rast dhune ose krimi konkret në emër të fesë muslimane!
Le ta dinë ata që ushtrojnë këtë terror se ne muslimanët nuk kemi në dorë median të tregojmë të vërtetën, dhe as nuk na e lejon feja të dizinformojmë publikun dhe të shtrembërojmë realitetin, por kemi ndihmën e Zotit të gjithësisë, kemi forcën e të vërtetës.

Një shkrim tjetër i dobishëm  Prejardhja e Babadimrit

Categories

Archives