Tuesday, 24/1/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame
Tirana
0C

Termetet e papritura me pasoja fatale


Termetet e papritura me pasoja fatale


Taiwan Earthquake Kills Thousands

Zoti është Ai që lëkund tokën, i bën lumenjtë të rrjedhin, i dërgon erërat. Mirëpo, përse tërmeti paraqitet në një kohë dhe vend të caktuar e jo në tjetrin, kush e përcakton shkallën e shkatërrimit të goditjes së tij dhe kohëzgjatjen se sa sekonda. Të gjitha janë të përcaktuara nga Allahu në bazë të urtësisë që vetëm Ai e di dhe pikërisht ky është koncepti që besojnë muslimanët.

Të shumtë janë ata që mendojnë se Allahu Fuqiplotë nuk ka kurrfarë ndikimi në këso çështjesh, bile edhe ata që e pranojnë Allahun si Zot e Krijues, besojnë se Ai e krijoi tokën, por që më pas ta ketë braktisur atë.

Vërshimet, tërmetet, cunamet, erërat e forta, vullkanet e zjarrta dhe përmbytjet, të cilat marrin çfarëdo që u del para, nuk janë thjesht fatkeqësi natyrore të rastësishme apo zemërim i natyrës, por janë krijesa të Allahut, Krijuesit dhe Sunduesit të gjithësisë.

Muslimani i vërtetë pas çdo hataje të madhe ndalet dhe mediton për të, në mënyrë që të nxjerrë mësime nga ato. Ai nuk është prej atyre të pavëmendshmëve që gjërat e rëndësishme i lejojnë t’u kalojnë pa bërë ndonjë bilanc apo llogari.

–           Allahu i Madhërishëm dëshiroi, që përmes kësaj ndodhie të pakëndshme për njerëzit të japi mësime, se e tërë kjo është një sprovë dhe se e tërë jeta e njeriut është e ndërtuar mbi sprovën. Ai në Kuranin Famëmadh ka shpallur: “Ne ju vëmë në provë me të keqe dhe me të mirë dhe te Ne do të ktheheni.” (Enbija, 35) “Në të vërtetë, Ne e krijuam njeriun nga një pikë farë e përzier, për ta sprovuar.” (Insan, 2) Allahu i sprovon të gjithë njerëzit, pavarësisht se janë muslimanë apo jomuslimanë, ndodh që ndonjëherë t’i sprovojë besimtarët më tepër se sa të tjerët: “Vërtet mendojnë njerëzit, se do të lihen të thonë “Ne besojmë”, pa u vënë në provë?!…” (Ankebut, 1).

–           Urtësia e dytë ka të bëjë me paralajmërimin ndaj të gjithë atyre të shkujdesurve dhe të pavëmendshmëve, të cilët kanë harruar, ose nuk vërejnë fuqinë e madhe të Allahut, se kur dëshiron Ai të ndodhë diçka Ai mjafton t’i thotë Bëhu dhe ajo menjëherë bëhet, dhe në këtë kontekst dridhet toka, lëvizin erërat, shpërthejnë vullkanet, vërshojnë lumenjtë, ngrihen dallgët e detit… Njerëzit duhet ta kenë parasysh fuqinë e Allahut, e cila nuk krahasohet me asgjë.

–           Urtësia e tretë ka të bëjë me atë, se njeriu duhet ta dijë statusin e tij në këtë gjithësi dhe të mos mashtrohet, duke u bërë mendjemadh, sepse ai nuk di se çfarë mund të ndodhë pas disa sekondash. Njeriu, i cili projektoi kompjuterin, fluturoi në hapësirë, zbriti në hënë, e bëri zbulime të tjera kolosale, para tronditjeve të tilla e ka të pamundur të bëjë diçka, mbase ka mundësi të parashikojë mundësinë e vendndodhjes së një tërmeti, mirëpo të dijë kohën e saktë, apo epiqendrën e tij nuk ka mundësi ta dijë e ta parashikojë saktësisht: “Ndërsa juve nuk ju është dhënë veçse pak dijeni.” (Isra, 85). Njeriu duhet ta kuptojë forcën e tij reale, ndërsa ai që është kryelartë e mendjemadh duhet ta dijë pozitën e tij në këtë botë dhe se pretendimet, se raca njerëzore ka arritur ta vërë nën sundim natyrën janë krejtësisht të pavend. Ajo çfarë arriti njeriu është shfrytëzimi i të mirave të kësaj bote në përputhje me ligjet e natyrës, që Zoti i vendosi në tokë. Pra, fuqia është e Allahut, dituria është prej Tij, ndërsa disa urtësi mbeten sekret vetëm për Të.

–           Urtësia e katërt. Allahu dëshiroi që t’ia bëjë me dije njeriut, se sa realisht vlen kjo botë, duke ia tërhequr vërejtjen, që të mos vrapojë pas saj vetëm sa për të shtuar të mirat materiale, dhe që të harrojë tërësisht ahiretin. Vdekja mund të vijë papritmas, kurse te shumica e njerëzve është pjekur ideja, se do të vdesin pas moshës gjashtëdhjetëvjeçare. Kësisoj Allahu dëshiron që përmes këtyre akteve të natyrës t’iu dërgojë atyre një paralajmërim, se takimi me Zotin mund të ndodhë në çdo moment.

–           Urtësia e pestë. Allahu përmes kësaj ndodhie na përkujton kataklizmin e Ditës së Kiametit:“O njerëz, frikësojuni Zotit tuaj, sepse dridhja e Orës (së Kiametit), është vërtet një ngjarje e madhe! Ditën, që do të shihni atë, çdo grua me fëmijë në gji do ta harrojë fëmijën e saj dhe çdo grua shtatzënë do ta hedhë barrën e vet. Njerëzit do t’i shihni si të dehur, ndonëse ata nuk do të jenë të dehur, por dënimi i Allahut është i ashpër.” (Haxh, 1-2) Dridhjet e tanishme nuk ndodhën më shumë se një minutë, pra, ishin në pyetje vetëm çështje sekondash, ndërsa paramendoni si do të jenë lëkundjet dhe tronditjet e kiametit: “Kur Toka të dridhet fuqishëm, malet të thërrmohen copë-copë e të shndërrohen në pluhur të shpërndarë” (Vakia, 4-6) Pra, dridhjet e tanishme konsiderohen të thjeshta në krahasim me ato të Kiametit. Në tërmetet e sotme nëna ikën dhe e harron fëmijën e saj, kur zbret poshtë me vrap nga ndërtesa dhe shpëton, atëherë i kujtohet dhe thërret fëmija im, fëmija im. Ka të atillë që kanë ikur me rroba gjumi kur ka ndodhur tërmeti, ka edhe sish që kanë qenë duke u larë në banjë dhe kur kanë dëgjuar dridhjet e tokës kanë dalë me vrap në atë gjendje, sepse për të gjithë jeta është e ëmbël dhe e dëshiruar. Kjo gjithsesi neve na kujton edhe Ditën e Gjykimit: “…çdo grua me fëmijë në gji do ta harrojë fëmijën e saj dhe çdo grua shtatzënë do ta hedhë barrën e vet. Njerëzit do t’i shihni si të dehur, ndonëse ata nuk do të jenë të dehur, por dënimi i Allahut është i ashpër.” Përkitazi me këtë i Dërguari i Allahut ka thënë: “Njerëzit do të ringjallen në Ditën e Gjykimit këmbëzbathur, të zhveshur lakuriq dhe të pabërë synet.” Aishja e habitur pyeti: “Burra dhe gra në një vend, ku secili do të ketë mundësi ta shikojë njëri-tjetrin.” I Dërguari i tërhoqi vërejtjen duke i thënë:“Çështja në atë moment është më kanosëse, se sa t’i kujtohet dikujt që të shikojë pjesët intime tjetrit.” Në atë ditë askush nuk mendon për epshin e vet, sepse: “Atë Ditë, secili prej tyre do të ketë aq shqetësim për veten, sa do t’i mjaftojë.” (Abese, 37).

Një shkrim tjetër i dobishëm  Abortimi i fetusit te deformuar

Allahu ua dëshiron të mirën robërve të Vet, kur ua kujton Kiametin dhe Ditën e Gjykimit, meqë shumica prej tyre i kanë harruar sot dhe nuk u bëjnë përshtypje ato. Ata shpresojnë se do të qëndrojnë përherë në tokë dhe se vdekja është caktuar për dikë tjetër e jo për ta. Të paktë janë ata që meditojnë për ahiretin.

E tërë kjo ka një mësim; e ai është që tërë njerëzimi të pendohen dhe të kërkojnë falje ngase të gjithë bëjmë mëkate, ndërsa më të mirët janë ata që pendohen dhe kërkojnë falje tek Allahu i Madhëruar:“O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit”. (Araf, 23) Kësi lloj ndodhish duhet që t’i provokojnë njerëzit për t’iu kthyer natyrshmërisë së pastër e të thonë: O Zot, na fal… me shpresën që Ai t’i pastrojë ata nga llumi i mëkateve, epsheve dhe lakmive. Një veprim i tillë do të ishte për ta një lindje e re.

Njerëzit përballë katastrofave ndahen në katër grupe.

Grupi i parë janë ata që e njohin Allahun, e adhurojnë dhe i binden vetëm Atij, miratojnë të lejuarat dhe largohen nga të ndaluarat. Ata e kanë parasysh, se pasimi i ligjit të Zotit dhe respektimi i urdhrave të Profetit është shpëtim dhe zgjidhje për të dyja botët. Këta janë besimtarët e vërtetë, që e njohin Allahun në mirëqenie, kurse Ai nuk i harron ata në vështirësi.

Grupi i dytë: Këta kur janë në mirëqenie gjejnë kënaqësi, por kjo fatkeqësisht i bën që ta harrojnë Zotin. Me t’i goditur belaja, ata shumë shpejt kthehen te Krijuesi. Këta fatkeqësitë (të çfarëdo natyre) i kuptojnë si vërejtje nga Allahu për veprat e tyre të papërgjegjshme, prandaj edhe shpejtojnë në pendim dhe në kërkimin e faljes: “Allahu i do ata që pendohen fort (për gjynahet) dhe ata që pastrohen.”(Bekare, 222).

Grupi i tretë: Këtu hyjnë ata që me të plotësuar nevojat e tyre materiale e harrojnë tërësisht Zotin dhe e kujtojnë Atë vetëm në çastin e vështirësisë dhe sapo të kalojë kriza ose fatkeqësia kthehen prapë në rrugën e devijuar. Këta kanë ngjashmëri të madhe me mushrikët, të cilët i përshkruan Allahu në këtë mënyrë: “E kur gjenden në anije që lundron me ta me erën e përshtatshme e ata i gëzohen kësaj, arrin një stuhi dhe i sulmojnë valët nga të gjitha anët e mendojnë se do t’i vënë poshtë, (atëherë) i luten Allahut sinqerisht, duke i premtuar besimin: “Nëse na shpëton nga kjo gjendje, me të vërtetë, do të jemi mirënjohës”. E kur Allahu i shpëton ata, menjëherë ata pa kurrfarë të drejte bëjnë turbullira në Tokë.” (Junus, 22-23)

Ndërsa grupi i katërt që konsiderohet më i rrezikshmi prej tyre, janë ata të cilëve u janë nxirë zemrat dhe u janë bërë më të ngurta se guri. Atyre u ndodhin fatkeqësi dhe bela me pasoja katastrofike, por ja që asnjëherë nuk ngrenë duart lart, që të thërrasin Zotin e tyre. Ata janë të zhytur thellë në mëkate dhe nuk i kuptojnë urtësitë e Allahut, që përmes këtyre fatkeqësive nuk dëshiron që ta zhdukë njerëzimin, por t’i paralajmërojë që të vetëdijesohen për ato që veprojnë, që të pendohen dhe t’i kthehen rrugës së drejtë: “Ne ju kemi dërguar shumë popujve profetë para teje dhe i kemi dënuar ata me skamje dhe fatkeqësi, për t’u bërë të dëgjueshëm. Vetëm sikur të përuleshin kur u erdhi ndëshkimi Ynë! Por zemrat e tyre u bënë gur, ndërsa djalli ua paraqiste si të bukura veprat e tyre të këqija.” (Enam, 42-43).

Kur dikujt prej të parëve tanë të mirë –selefit- i ndodhte ndonjë ngjarje e pakëndshme deklaronte se kjo i kishte ndodhur si pasojë e mëkateve të tij. Lidhur me këtë ekzistojnë edhe lutje të shumta, që i Dërguari ynë Muhamedi, paqja dhe lavdërimi i Zotit qoftë për te, na ka porositur t’i themi në raste katastrofash, ndër to: “La Ilahe il-lAllahul Adhimul Halim, La Ilahe Il-lAllahu Rabul Arshil Adhim, La Ilahe il-lAllahu Rabus Semavatis Seb’i ue rabul Erdi, ue Rabul Arshil Kerim. (Buhariu dhe Muslimi) (S’ka të adhuruar tjetër përveç Allahut të Madhëruar e të Urtë. S’ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Zotit të Arshit të Lartësuar. S’ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Zotit të shtatë qiejve dhe të tokës dhe Zotit të Arshit Fisnik.)

Pastaj duaja e Junusit në barkun e balenës: “La Ilahe Il-la ente Subhaneke in-ni Kuntu minedh-Dhalimin. (Tirmidhiu) (S’ka të adhuruar tjetër përveç Teje, që je i Madhëruar. Me të vërtetë unë jam prej mëkatarëve.)

Në fund lusim Allahun e Madhërishëm, që të na i largojë të këqijat e tërmeteve dhe të na mbrojë nga çdo e keqe, duke e lutur gjithnjë që të mos na shkatërrojë për shkak të asaj çfarë bëjnë të papërgjegjshmit. Amin./albislam/

image_pdf
Tags:

Categories

Archives