Tuesday, 12/12/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Tepricat ushqimore ushqejnë të varfërit

Tepricat ushqimore ushqejnë të varfërit

Sipas njoftimeve të fundit, pothuajse 16 mijë fëmijë në botë vdesin çdo ditë për arsye që lidhen me urinë. Edhe vendet e pasura përballen me çështjen e urisë. Gati 15 për qind e familjeve amerikane kanë vështirësi të vënë ushqim në tryezë. Në të njëjtën kohë, amerikanët hedhin 40 për qind e ushqimit të tyre. Për të ndihmuar në zgjidhjen e këtyre dy problemeve, urinë dhe hedhjen e ushqimit, një grup studentësh kanë filluar një program i cili ka frymëzuar një përpjekje mbarë kombëtare.

Studenti i Universitetit të Merilendit Ben Simon dhe miqtë e tij janë të pakënaqur me hedhjen e ushqimit në kampusin e tyre.

“Ne kishim vënë re se ushqimet e tepërta në mensa në fund të ditës hidheshin. Prandaj, u takuam me përgjegjësit e mensave dhe u kërkuam atyre nëse në vend të hedhjes do të pranonin që ushqimet e tepërta të dhuroheshin.  Ata e pranuan këtë ide”.

Kështu, 18 muaj më parë, nxënësit filluan nismën Rrjeti për Shfrytëzimin e Ushqimit. Çdo natë, vullnetarët i marrin ushqimet e tepërta në mensat e kampusit dhe i dërgojnë në qendrat që ndihmojnë të pastrehët.

“Në fillim mblidhnim pak më shumë ushqime se sa tani, ndoshta mes 45 dhe 90 kilogramë ushqime në natë”.

Deri tani, ata kanë dhuruar më shumë se 23 mijë kilogramë ushqim që përndryshe do të përfundonte në plehra. Sasia e ushqimeve të hedhura u pakësua edhe kur zyrtarët e shkollës hoqën tabakatë në mensa. Rob Fahey është kuzhinier.

“Ne nuk i përdorim tabakatë sepse është vërtetuar se studentët i mbushin ato me ushqime. Kështu që tani ata mund të mbushin vetëm pjatat me ushqim dhe pastaj mund të hynë në radhë përseri për të marrë më shumë ushqim në qoftë se duan. Kjo parandalon hedhjen e ushqimit”.

Sipas burimeve të Këshillit Kombëtar të Mbrojtjes së Burimeve, në Shtetet e Bashkuara çdo vit hidhen ushqime me vlerë 165 miliardë dollarë. Zëdhënësi i organizatës, Bob Keefe thotë se kjo është rreth 40 për qind e prodhimit të ushqimit në vend.

“Nëse ne mund të pakësojmë hedhjen e ushqimit në vendin tonë në nivel 15 për qind, ne mund të ushqejmë 25 milionë amerikanë të uritur. Ky është një përfitim i madh. Këtë po bëjnë programet si Rrjeti i Shfrytëzimit të Ushqimit”.

Qendra Jeta e Krishterë është një nga përfituesit e përpjekjeve të këtyre studentëve. Ben Slye është prift protestant.

“Të vjen mirë kur shikon punën që bëjnë këta studentë të cilët po shfrytëzojnë kohën e tyre dhe makinat për të realizuar nisma si kjo. Me këtë sasi ne jemi në gjendje të ushqejmë ndoshta mbi njëqind njerëz në javë”.

Rrjeti për Shfrytëzimin e Ushqimit në Universitetin e Merilendit tani ka 200 vullnetarë dhe programi është zgjeruar në 18 shkolla në të gjithë vendin.

“Unë dua që programi të zgjerohet nga 18 në një mijë qendra të tjera brenda pesë viteve. Pasi të zgjerohemi në kampuset e të gjitha kolegjeve në Amerikë, ne duam që programi ynë të zgjerohet edhe në restorante dhe ferma”.

Vullnetarët janë të angazhuar për për arritjen e këtij objektivi.zerimamerikes/

Categories

Archives