Monday, 24/9/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Të rinjtë dhe substancat narkotike



Të rinjtë dhe substancat narkotike
Të rinjtë dhe substancat narkotike
Dr. Amer Halid 

Kjo temë do të fokusohet kryesisht në substancat narkotike, përhapja e të cilave ka marrë përmasa të frikshme. Ato janë shndërruar në fantazma që rrëmbejnë fëmijët tanë e për rrjedhojë minojnë familjen dhe lumturinë e saj. Ato i transformojnë familjet tona nga parajsë në ferr. Vetëm në botën arabe numërohen mbi dhjetë milionë narkomanë dhe vartës të drogës. Dhjetë milionë të rinj, kanë rënë njëri pas tjetrit në greminën dhe skëterrën e drogës. Nëse numri i përdoruesve të drogës në vendet arabe është dhjetë milionë, kjo do të thotë që kemi njëzet milionë prindër të cilët vuajnë nga fakti që fëmijët e tyre janë përdorues të drogës.

Duke mos pasur mundësi të drejtpërdrejta për ti nxjerrë këta të rinj nga ky batak, në këtë temë, ne do të flasim për të rinjtë dhe të rejat që akoma nuk kanë rrëshqitur në rrugën e përdorimit të drogës.

Fakti që me këtë temë po u drejtohemi atyre që nuk kanë rënë akoma në kthetrat e drogës, të rinjve dhe të rejave, prindërve dhe të gjithë shoqërisë, është se vetë narkomanët nuk do na dëgjojnë. Ata jetojnë në një botë tjetër, e cila i ndan nga realiteti ynë.

Që kur e krijoi njeriun, Zoti i lartësuar e krijoi me humor të ekuilibruar. Qelizat e kënaqësisë në tru i mundësojnë njeriut të kënaqet maksimalisht 60%. 100% kënaqësi në mënyrë normale nuk ekziston.

Humori i normal i njeriut ka një konstante të caktuar. Në raste gëzimi dhe hareje, humori përmirësohet dhe ngrihet, ashtu si në raste dhimbje dhe vuajtje pëson rënie. Zoti i lartësuar ka dashur që ne të kemi një humor të ekuilibruar.

Profeti Muhamed [sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem], në një hadith na mëson si ta ruajmë ekuilibrin e humorit, duke thënë:”E çuditshme është çështja e besimtarit. Gjithçka është në favorin e tij dhe kjo nuk është veçse për besimtarin. Nëse i jepet një e mirë, ai është mirënjohës dhe kjo është në favorin e tij. Nëse e prek një e keqe, ai duron dhe kjo është në favorin e tij.”

Në shumë hadithe të tjera, Profeti [sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem] na këshillon që ta kujtojmë sa më shpesh vdekjen. Kjo, pasi kur jemi në të mira dhe mirëqenie, ne mund të ekzaltohemi dhe ta kapërcejmë gjendjen normale të humorit. Kujtimi i vdekjes na kthen në normalitetin dhe të mesmen e artë, edhe kur jemi në të mira dhe luks. Por edhe kur na kanë rënë fatkeqësi mbi kokë, duke kujtuar vdekjen, e cila është fatkeqësia më e madhe, ndiejmë lehtësim të barrës, sepse kthehemi në normalitet.

Natyra dhe përvoja e shejtanit, tregoi se ai është një krijesë e cila nuk e meriton ti besohet misioni si përgjegjës i jetës mbi tokë. Që ditën e parë pas krijimit të njeriut, shejtani i mallkuar i shpalli luftë. Ai i tha Zotit se ishte më i mirë se njeriu, i tha se do të bëjë ç’mos që ta largojë njeriun nga misioni me të cilin e ngarkoi Zoti.

“Ai tha: “Për shkak se Ti më flake tej, unë do t’u zë pritë njerëzve në rrugën Tënde të drejtë e do t’u qasem atyre nga përpara dhe nga mbrapa, nga e djathta dhe nga e majta, e kështu Ti do të vëresh se shumica prej tyre nuk të janë mirënjohës!” (Araf, 16-17)

Me drogën, plani i shejtanit është i tillë që kërkon ti nxjerrë nga linja normale, nga humori i ekuilibruar, herë duke i çuar në ngazëllim, e herë duke i zbritur në shkallët më të ulta të dhimbjes dhe vuajtjes. Puna mund të shkojë gjer atje saqë përdoruesi i këtyre substancave të vetëvritet, ose e pakta ti shkaktohen çrregullime mendore.

Substancat narkotike janë një mekanizëm djallwzor për ndryshimin dhe lëkundjen e humorit në mënyrë të pazakontë dhe iluzionare. Nëpërmjet drogës, ai të josh për tu ndjerë në paqe dhe harmoni me veten, për tu ekzaltuar dhe përjetuar ndjenjat më të bukura, për të harruar hallet dhe telashet. Por këtë e bën me qëllim që të të zhysë në një labirint vuajtjesh dhe lëndimi të pafund më pas.

Ai, është një i ri, nuk e njeh përdorimin e substancave narkotike, por shoqërohet me shokë jo të mirë. Një ditë, shokët e ftojnë në një party dhe ai i përgjigjet ftesës. Nga ana tjetër, familja e djalit nuk dinin asgjë për këtë party-n dhe jo vetëm. I ati nuk ishte shok me të birin dhe nuk e njihte gjuhën e ndjenjave dhe të dashurisë me të. Përkundrazi, ishte babai lugat, babai në mungesë. Ishte nëna që nuk do t’ia dijë për fëmijët e saj.

Gjatë qëndrimit në party, ai merr dozën e parë të substancave narkotike në jetën e tij. Për herë të parë, ai prezantohet dhe shijon drogën. Si herë e parë, mori një dozë shumë të vogël. Sigurisht që ndjeu ekzaltim dhe ndjesi që nuk e kishte provuar asnjëherë. Humori i tij kishte ndryshuar për mirë me një shpejtësi marramendëse dhe pa i ndodhur diçka surprizuese, pa u lodhur. Thjesht mori dozën dhe u përfshi nga ndjesi tepër të rralla. Të nesërmen në mëngjes, i ishte kthyer gjendjes së normalitetit. Sa mirë! E kush thotë që droga ta nxin jetën! Ja ku e provoi dhe nuk e gjeti asgjë! Pastaj kjo ishte hera e parë, sa për ta provuar çfarë ndjesie të jep.

Në fakt, fjalët “Vetëm një herë” janë magjike, pasi po e hodhe atë hap, nuk di të kthehesh më sërish. 99% e atyre që e provojnë për herë të parë, do e provojnë përsëri. Vetëm një herë, është porta e labirintit.

Unë e kutpoj kuriozitetin e të rinjve, por u kërkoj që tu qëndrojnë larg lëndëve narkotike. Mos e provo as dhe një herë o vëlla dhe oj motër, sado e vogël qoftë doza!

Nëse e provon një herë dhe përjeton ngazëllim dhe ekzaltim, herën e dytë do e shtosh dozën, duke u kënaqur më shumë. Me kalimin e ditëve, fillon e llogarit sa dozë i duhet për të arritur në një nivel ekzaltimi të caktuar. Për çdo problem dhe vështirësi, ai ka dozën e llogaritur për ta harruar, madje për tu kënaqur. Pas kësaj faze, vjen tjetra, ku ai kalon në kënaqësi të tilla, të cilat në jetën e përditshme, nuk arrihen me ngjarje normale. Megjithatë, sërish vazhdon të kthehet në gjendjen normale një ditë më vonë. Sa më shumë që thellohet, aq më të vështirë e ka të heqë dorë nga droga.

Teksa ka mbërritur në këtë fazë, një ditë zgjohet në mëngjes me dhimbje koke të padurueshme. Këto janë simptomat e fazës së tretë, e cila është vartësia. Ndërkohë që nuk ndihet mirë, ai mundohet të gënjejë vetën duke thënë: Jo jo, dje e kisha stomakun bosh kur mora dozën e zakonshme. Doza që mora mund të ketë qenë mall jo i mirë. Tashmë, pasi i del droga, e gjen veten të pikë të hallit, me humor shumë të keq dhe me gjendje psikologjike shumë të rënduar.

Janë mbi dhjetë milionë të rinj në Egjipt të cilët i kanë hyrë rrugës së drogës në këtë mënyrë. Mbi dhjetë milionë të rinj janë mashtruar nga shejtani dhe tashmë nuk dinë si të shkëputen nga kjo rrugë.

Në fazën e tretë, i riu ynë nuk merr drogë që të përjetojë ekzaltim dhe kënaqësi, por merr që të mos vuajë, që të përmirësojë humorin e përkeqësuar. Ai kërkon të kthehet në normalitetin e mëparshëm, por thjesht e rëndon veten më shumë, pasi i shkatërroi ekulibrat e vendosur nga Zoti.

Të njëjtat fjalë vlejnë dhe për pijet alkoolike. Prodhuesit dhe shitësit e pijeve alkoolike që i reklamojnë ato duke u thënë të rinjve:”Bëhu burrë dhe pi!” shfrytëzojnë pasionin e madh të adoleshentëve për të ekploruar botën përreth dhe dëshirën e tyre për tu ndjerë burra.

“O besimtarë! Me të vërtetë, pijet alkoolike, bixhozi, idhujt dhe shigjetat e fallit janë vepra të ndyta nga punët e djallit. Prandaj, largohuni nga këto, me qëllim që të shpëtoni! Vërtet, djalli me pije alkoolike dhe me bixhoz kërkon që të fusë midis jush armiqësi e urrejtje dhe t’ju shmangë nga të kujtuarit e Allahut dhe kryerja e namazit. Prandaj, a po hiqni dorë?” (Maide, 90)

Pasi kalon në vartësi të plotë ndaj substancave narkotike, ai bëhet handikap, jo fizik, por mendor. Shejtani u tall me të dhe e poshtëroi maksimalisht.

“pastaj do t’i urdhëroj që të ndryshojnë krijesën e Allahut. “ (Nisa, 119)

Meqë ti o Zot e nderove njeriun dhe e lartësove mbi çdo krijesë tjetër, unë do e poshtëroj atë dhe do e bëj rob të një doze droge.

Për fat të keq, edhe familja e zbulon problemin e të birit apo të vajzës me drogën, vetëm në këtë fazë. Fundi i njerëzve të tillë është i zymtë. Edhe nëse gëzon ndihmën dhe mbështetjen e familjes, shpëtimi nga kthetrat e drogës në këtë fazë është goxha i vështirë.

Më poshtë, do të sjell dëshminë e një të riu tek të njëzetat, i cili quhet Jasir. Një i ri plot energji, i pashëm dhe i dhembshur. Nëse e takon, do të uroje të jetë yt bir. Le ta dëgjojmë çfarë thotë ai vetë:

Jasir:“Zoti më ka zgjedhur mua që tu dërgoj një mesazh personave me vartësi ndaj drogës, por edhe atyre që akoma nuk janë vartës. Një vartës i substancave narkotike nuk ka nevojë për ndëshkim, por për një dorë që e ndihmon, e mbështet dhe e nxjerr nga bataku ku ka rënë.

“A barazohet i vdekuri që Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë me të cilën ecën midis njerëzve, me atë që është në errësirë e nuk mund të dalë prej saj?!” (En’am, 122)

Një përshkrim shumë i saktë për gjendjen time tani dhe atëherë kur isha i varur nga droga. Asokohe e ndjeja veten të vdekur, sepse nuk kisha ëndrra, objektiva dhe asnjë vlerë. Thjesht merrja frymë. Jeta që bëja ishte e ngjashme me atë të një kafshe. Nuk ndjeja asnjë përkatësi familjare. Nuk vija re asnjë vlerë në jetën time.

Ashtu siç isha përgjegjës për vartësinë ndaj substancave narkotike, isha përgjegjës edhe për shërimin prej tyre. Sigurisht, familja ime luajti një rol vendimtar si për problemin në të cilin u përfshiva ashtu dhe në trajtimin që mora. Im atë ka vdekur kur kam qenë shumë i vogël. Gjithmonë më ka munguar mbështetja dhe vëmendja. Më nevojitej dikush që më orienton por dhe më përkëdhel. Përvoja ime me drogën ka qenë goxha e dhimbshme. Edhe pse merrja drogë, i thoja vetes se është e pamundur që unë të krijoj vartësi ndaj drogës, gjithçka e kam nën kontroll, unë jam djalë i mirë, jam i mirëedukuar, kam objektivat e mia në jetë që dua ti përmbush, dua të jem i suksesshëm në jetë etj…

Kur familja e kuptoi ku kisha rrëshqitur, reagimi i tyre ishte shumë negativ, gjë e cila më bëri të thellohem dhe më shumë në marrjen e drogës. Filluan të më trajtojnë si një model dështimi, që jetonte mes tyre. Sipas tyre, unë tashmë kisha rënë në një pusi të tillë, ashtu do të jetoja dhe do të vdisja. Kjo situatë duhej pranuar siç ishte dhe sa më larg familjes ta mbajmë aq më mirë, pasi vetëm kështu mund ti ruajmë vëllezërit e tij nga i njëjti problem.

Herë pas here, mundohesha të heq dorë nga droga. Mbyllesha në dhomë i vetëm dhe ulërija e përplasesha për muresh. Në një nga këto ditë, dëgjoja nënën e cila e luste Zotin që të më ndihmojë dhe të shkëputem nga droga. Vëllai im i vogël, iu afrua dhe i tha:”Përse lutesh për të o nënë?! Përse nuk e lë që ta marrë Zoti dhe të biem rehat?!” Ishte shumë e dhimbshme për mua të dëgjoja fjalë të tilla.

Periudhën kur merrja drogë, dua ta përngjasoj me një pus të thellë, ku unë gjendesha në fundin e tij. Njerëzit më kalonin pranë dhe disa thoshin:”Hajde! Dil jashtë! Bëje këtë hap për veten dhe të ardhmen tënde! Dil për hatër të nënës tënde!” Disa të tjerë sikur më thoshin:”Lëreni aty se është fëmijë i paedukatë!”

Unë i shihja dhe u thosha:”Dikush prej jush të vijë dhe të më nxjerrë! Unë nuk dal dot vetë!” Çdo ditë doja të dal, por nuk gjeja asnjë dorë që zgjatej për të më nxjerrë. Çdo ditë që merrja dozën, thosha me vete: Kjo është hera e fundit. Familja, nëna, vëllezërit dhe shokët më kishin braktisur.

Një ditë, me një shumë të vogël parash shkova të blej dozën e radhës. Personi që shiste drogë refuzoi të ma japë, pasi nuk e kisha shumë e plotë. E ku ta gjeja unë shumën e plotë. Kushedi sa herë kisha vjedhur kursimet e nënës. Kur pashë se refuzon, mblodha forcat e mia dhe doja ta sulmoj, por ai sinjalizoi dikë tjetër, i cili më qëlloi me një hekur në kokë. Kam qenë shumë i fuqishëm dhe gjithë muskuj më parë, por droga më çoi në derexhe të fundit. U rrëzova përtokë me kokën që më rridhte gjak. Nuk mbaroi me kaq. Iu afrova shitësit të drogës dhe fillova ti puth këpucët duke iu lutur të më jepte dozën. Dy vajza që sapo blenë dozën e tyre, kur më panë në atë gjendje, i dhanë shumën e duhur dhe i kërkuan të më japë dozën. Një ditë më pas, shkova dhe i kërkova ndihmë nënës, e cila nuk hezitoi aspak. Ajo më tha:”Hajde! Mbështetju Zotit dhe fillo një faqe të re në jetën tënde!” Kështu filloi programi i rehabilitimit, e bashkë me të dhe beteja me veten dhe sëmundjen time. Teksa orvatesha me sa mundja, një ditë doktoresha që ndiqte dosjen time më tha një fjalë që nuk do e harroj kurrë:”Unë e respektoj vullnetin tënd për tu shëruar, unë e respektoj luftën dhe përpjekjet e tua. Jam e sigurt se do ia dalësh dhe unë do të ndihmoj!”

Sakaq, unë ia ktheva me ironi:”Çfarë?! Ti do të më ndihmosh?! E ku e di ti çfarë është droga! Unë jam ekspert në çështjet e drogës, jo ti.”

Pasi buzëqeshi, ajo më tha:”Unë nuk do të jap mësime rreth drogës, por do të mësoj si të heqësh dorë prej saj, si të shpëtosh veten dhe familjen tënde.”

Këto fjalë ishin fjalë magjike për mua. Ishte hera e parë që dëgjoja fjalë motivuese të tilla, përveç nënës. Shkëputjen nga substancat narkotike dhe lirinë që fitova nga vargonjtë e drogës, pas Zotit, unë ia dedikoj nënës dhe doktoreshës e cila më qëndroi pranë.

Herë pas here shkoj tek qendra e rehabilitimit dhe takoj të rinj që i janë nënshtruar trajtimit mjekësor. Tek secili prej tyre shoh veten time, sikur e ripërjetoj dhe një herë atë përvojë të hidhur.

Unë e kam filluar drogën në moshën 14 vjeçare dhe kam vazhduar për 14 vite me radhë. Ishin nevoja të papërmbushura në familje, ato që më shtynin ti përmbush jashtë ambientit familjar.

Megjithëse kishin kaluar 14 vite me drogën, arrita të shkëputem prej kësaj. Dua tu them të rinjve që sado thellë të kenë vajtur gjërat, gjithmonë ka shpresë. Jeta na ofron shanse të panumërta për ndryshim. Përderisa akoma jeton, ndryshimi është i mundshëm. Nëse je vartës i drogës, ke tre alternativa: Të burgosesh, të vdesësh ose të marrësh trajtim dhe të shkëputesh nga substancat narkotike. Në të tre situatat dhe alternativat, ti do të heqësh dorë nga droga, prandaj është mirë ta bësh me vullnetin tënd. Sigurisht që si çdo gjë tjetër, edhe kjo ka taksën e saj. Por, nëse dëshiron lirinë tënde, duhet të durosh dhe të përballesh me vuajtjet.

Unë e di që çdo narkotik nuk e ka dashur këtë jetë që bën. Si të gjithë njerëzit e tjerë, edhe narkotikët kanë pasur ëndrrat dhe ambiciet e tyre. Në një moment të caktuar të jetës, ata janë gjendur në vendin e gabuar me njerëz të gabuar.”

Vëllai dhe motra ime! Ti s’ke përse i hyn një përvoje të tillë kaq të dhimbshme. Mos lejo askënd të të mashtrojë dhe të të hedhë në fyt lakun e drogës.

Vetë natyra e aktivitetit tim më bën të takohem me shumë të rinj dhe me prindërit e tyre. Më kujtohet që njëherë, një prind më takoi dhe më tha:”Pash Zotin bëj diçka për tim bir. Ai është përdorues lëndësh narkotike!” Mandej më zgjati një letër në të cilën kishte shkruar një ajet Kurani:”dhe kush ia shpëton jetën dikujt, sikur ka shpëtuar jetën e gjithë njerëzimit.” Në ato çaste, mu duk sikur e dëgjoja për herë të parë këtë ajet. I thashë se dua ta takoj djalin e tij. Kur u takova me të birin, pashë që ishte tek të tridhjetat, djalë i butë, zemërmirë. Bashkë me familjen bënin një jetë të rehatshme. E pyeta se përse kishte zgjedhur atë rrugë dhe më tha që është sprovë. Unë e pyeta:”Çfarë mendon të bëjmë tani?”

Mu përgjigj:”Dua të ndryshoj, nuk dua të jem ky që jam, dua të jem pranë Zotit, dua të shkoj për një vizitë në Qabe. Dua të pastrohem.”

Të dy u nisëm drejt Mekës dhe kryem Umren. I qëndrova pranë për disa kohë dhe falë Zotit arriti të shkëputej nga droga. Për të, jeta filloi në moshën tridhjetë e pesë vjeçare. Që nga mosha tetëmbëdhjetë vjeçare gjer në moshën tridhjetë e pesë vjeçare, jeta e tij sikur kishte qëndruar në vend, sikur nuk kishte jetuar fare, sikur të kishte hyrë në një birucë, sikur të ishte vrarë.

Nuk është burrëri ta shtysh një shok apo shoqe drejt rrugës së drogës. Nuk është burrëri ti paguash dozat që i duhen çdo ditë. Burrëri është kur e nxjerr tjetrin nga bataku dhe humnera ku ka rënë. Thotë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem] në disa hadithe:

”Kush rend për të plotësuar nevojat e vëllait të tij, Zoti do të rendë për ti plotësuar atij nevojat.”

“Zoti është në ndihmë të njeriut, përderisa ai është në ndihmë të vëllait të tij.”

“Veprat e mira, janë mburojë ndaj fatkeqësive.”

“Kush i heq një besimtari një telash nga telashet e kësaj bote, Zoti do i heqë një telash nga ato të Ditës së Kiametit.”

Personat që kanë vartësi ndaj drogës u lipsen njerëz që i duan, njerëz që u zgjasin dorën, që i përkëdhelin dhe bëjnë çmos derisa ti bindin për tu hospitalizuar.

Perëndimi nuk i ka vlera të tilla si thëniet profetike:”Kush rend për të plotësuar nevojat e vëllait të tij, Zoti do të rendë për ti plotësuar atij nevojat.” “Zoti është në ndihmë të njeriut, përderisa ai është në ndihmë të vëllait të tij.” ka prodhuar filma dhe dokumentarë të shumtë, me qëllim që tu gjendet pranë kësaj shtrese. Sakaq, ne si myslimanë mund të bëjmë mrekulli në këtë kontekst.

Shumë të rinj të cilët kishin krijuar vartësi ndaj drogës, janë shkëputur prej saj, falë mbështetjes dhe ndihmës së familjarëve dhe miqve të tyre. Ata kanë pasur nëna që u kanë qëndruar pranë, miq që nuk i kanë braktisur. Pasi janë hospitalizuar dhe ia kanë dalë mbanë të shkëputen nga droga, shumë prej tyre kanë marrë trajnime dhe punojnë vullnetarë në ndihmë të personave të tjerë që kanë vartësi ndaj drogës.

Përmbledhje

1-   Vëlla dhe motër! Kurrë mos ia lejoni vetes ta provoni drogën! Bëni çmos që ta shmangni atë që njihet si “Hera e parë”.

2-   Bëni kujdes dhe largohuni nga shokët e këqinj!

3-   Nëna dhe babai që shoqërohen dhe krijojnë marrëdhënie të ngushta me fëmijët, kanë një rol vendimtar në ruajtjen e fëmijëve nga përdorimi i substancave narkotike.

4-   Besimi tek Zoti është shumë i rëndësishëm, sidomos për të rinjtë. Ata njerëz të cilët i frikësojnë dhe largojnë të rinjtë nga besimi fetar, le ta dijnë se besimi tek Zoti është garant dhe mbrojtës nga veset e këqia, besimi është shpëtim. Ne kemi shifra kaq të larta përdoruesish të lëndëve narkotike, sepse besimi nuk ka depërtuar tek zemrat e tyre.

5-   Për çdo baba dhe nënë: Nëse konstatoni se fëmija juaj konsumon substanca narkotike, mos u sill keq me të, mos e shaj, mos e ofendo! Fëmija juaj në këtë fazë duhet të trajtohet si i sëmurë, i falni dhembshuri dhe dashuri, i qëndroni pranë dhe bëni çmos që ai të shkëputet nga ferri ku jeton! Por para se çështja të mbërrijë tek konsumimi i drogës, u kushtoni vëmendje fëmijëve tuaj! U qëndroni pranë dhe ua plotësoni nevojat e tyre emocionale! Baba dhe nënë! Droga nuk është problem në vetvete. Ajo shihet si një zgjidhje e shumë problemeve që kalojnë të rinjtë tanë. Edukimi i shëndoshë e ruan fëmijën nga veset e këqija. Me këtë rast, më kujtohet një studimi i bërë në Amerikë, ku ekspertë të psikologjisë kishin marrë dyzet fëmijë si kampione. Prindërve të tyre, u kishin kërkuar që sa herë që fëmijët tu kërkojnë diçka, tu thonë:”Nëse e dëshiron ta marrësh tani, ja ku e ke, por nëse duron, pas dy oresh do të kesh dyfishin!” Këta fëmijë që ishin edukuar me këtë frymë, pasi ishin rritur, manifestonin rezistencë të madhe ndaj veseve të këqija dhe fenomeneve negative. Të njëjtën gjë, unë e kam zbatuar me tim bir. Sa herë që ndodheshim diku dhe ai kërkonte diçka, unë i thoja:”Po bir! Por nëse duron për dy orë, do të jap dy si ajo.” Me kalimin e ditëve dhe muajve, një ditë im bir më befasoi me një pyetje:”Babi! A është e vërtetë që nëse ne durojmë, Zoti do të na japë xhenetin?”

6-   Për të gjithë narkomanët: Mos e humbisni shpresën!

 





Rasti 1

Siç vepruam në temën rreth martesës së fshehtë, do të sjellim dhe në këtë temë disa raste imagjinare dhe do të pyesim njerëzit mbi mënyrën si do të reagonin ata vetë në të tilla raste. Këto raste janë shkëputur nga aktualiteti, pra janë të vërteta. Duke i sjellë për lexuesin, ne kemi si qëllim që të vëmë trurin të punojë dhe mendojë se si do të reagojë në raste të tilla, apo të ngjashme me to.

“Ai është një i ri, me të cilin je njohur nëpërmjet një shokut twnd të përbashkët. Pas njohjes, miqësia mes jush fillon e thellohet. Por, pas disa kohësh, zbulon se ai ka vartësi ndaj substancave narkotike. I befasuar nga kjo, pyet shokun i cili të prezantoi me të dhe të thotë se ka vite që është vartës ndaj drogës dhe se shoqëria është munduar shumë që ta largojë nga kjo rrugë, por ka dështuar, duke konkluduar se as që ia vlen më të merresh me të. Reagimi yt në këtë rast, është:

1 . Të ndahesh një herë e mirë me të, sepse është i droguar dhe se sado të përpiqesh nuk do qullosësh gjë, aq sa qullosën shokët e tij më parë.

2. Nuk ndahesh prej tij, sepse profeti Muhamed [sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem] thotë:”Zoti është në ndihmën e robit, përderisa robi është në ndihmën e vëllait të tij.” Ti do i qëndrosh pranë duke i motivuar të ndjekë programin e shkëputjes nga droga.

3. Takohesh me familjen dhe shokët e tij të afërt, me të cilët bie dakord që të vendosni një plan të përbashkët për ta nxjerrë nga bataku ku ka rënë.

4. Rrallon kontaktet me të dhe herë pas here pyet rreth tij, për të ruajtur ekulibrin mes distancimit me një person negativ dhe ruajtjes së një marrëdhënie duke mos e prerë përfundimisht.

Rasti 2

“Ti motër je e fejuar me një djalë të suksesshëm, të respektuar, me moral të lartë, e dashuron dhe të dashuron, punon me një kompani të madhe. Ju të dy dhe dy familjet keni rënë dakord që pas një viti të martoheni. Por, dy muajt e fundit ke filluar të vësh re ndryshime të thella në karakterin dhe humorin e tij. Ankesa ka edhe nga kolegët e tij në punë, por edhe nga familjarët. Rastësisht kupton që ai ka krijuar vartësi ndaj drogës dhe kur e pyete, e pranoi që është konsumues. Njëkohësisht, ai të kërkoi ndihmën tënde për tu shkëputur nga droga. Ti si e fejuara e tij, çfarë do të bëje?

Ashtu si dhe rasti i parë, edhe ky rast është i shkëputur nga aktualiteti. Kushedi sa vajza më kanë telefonuar dhe më kanë kërkuar mendim se çfarë duhet të bëjnë në një situatë të tillë.

Për një vajzë të tillë, kemi zgjedhur katër alternativa:

1.   Ti qëndrosh pranë dhe të mos i tregosh familjes tënde, me qëllim që të mos e prishin fejesën. Ky ishte fati dhe caktimi yt, prandaj duhet ta pranosh si të të vijë.

2.   Ti qëndrosh pranë dhe të mos i tregosh familjes tënde, me qëllim që të mos e prishin fejesën, por me kusht që ti lësh kohë gjashtë muaj që të ndjekë programin e rehabilitimit. Në të kundërt, nëse ai nuk pranon të ndjekë programin e rehabilitimit, prishe fejesën.

3.   Ti qëndrosh pranë dhe ti tregosh familjes tënde si formë respekti për ta. Nga ana tjetër, i lë një kohë prej gjashtë muajsh derisa të rehabilitohet dhe në të kundërt, e prish fejesën.

4.   I tregon familjes tënde dhe ua lë atyre në dorë nëse është më mirë të ruhet fejesa, apo të prishet. Kjo është një çështje komplekse e cila i duhet lënë në dorë njerëzve më me përvojë.

 

Jo drogës në shoqëritë tona

Të flasësh për drogën, nuk është një temë e cila i drejtohet vetëm asaj pjese të shoqërisë e cila e konsumon dhe ka krijuar vartësi ndaj saj. Jo, ne të gjthë jemi të kërcënuar dhe të dëmtuar nga përdorimi i drogës, edhe pse jo të gjithë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ne jemi të kërcënuar pasi numri i përdoruesve të drogës është në rritje. Ne jemi të kërcënuar sepse askush nuk e di cili djalë apo vajzë e ka radhën pas filanit dhe filanes. Ne dëmtohemi sa herë që shohim një të droguar në atë gjendje të nderë. Ne dëmtohemi sa herë që shohim një prind me zemër të pikëlluar dhe të copëtuar për faktin se i biri është përdorues droge. Ne dëmtohemi sa herë që shohim një fëmijë me komplekse, për shkak se i ati është përdorues droge. Ne jemi të kërcënuar nga përdorimi i drogës, pasi ata mund të shkaktojnë aksidente me makina dhe të marrin në qafë njerëz të pafajshëm. Ne jemi të dëmtuar dhe të kërcënuar, sepse përdoruesve të drogës u duhen para për ta siguruar, nëse nuk i kanë, detyrohen të vjedhin. Ne jemi të dëmtuar dhe të kërcënuar, sepse vajzat përdoruese të drogës, shesin trupin e tyre për të siguruar dozën. Prandaj, nëse nuk bën diçka kundër drogës për hatër të Zotit, bëje për veten dhe familjen tënde, pasi edhe ju jeni të kërcënuar prej saj. Ne jemi të dëmtuar dhe të kërcënuar nga droga, pasi në pallatin dhe lagjen ku banojmë mund të ketë përdorues të saj, me të cilët djemtë dhe vajzat tona mund të shoqërohen nesër.

Një i ri, i cili tashmë është në program rehabilitimi, më tregoi:”Kam filluar që herët të përdor drogë. Im atë kishte tre dyqane stofrash. Për të siguruar dozën e përditshme, fillova të vjedh stofra dhe ti shes lirë. Pas një periudhe, babai u detyrua ta mbyllë njërin dyqan, pasi falimentoi. E njëjta gjë filloi të ndodhë me dyqanin e dytë. Duke ndjerë humbjet e mëdha, im atë vendosi të bëjë një inventar të materialit. Duke ndjerë rrezikun se mund të zbulohesha, i vura flakën dyqanit. Për fat të keq, flakët nuk dogjën vetëm dyqanin, por edhe një shtëpi pranë tij. Kur babai e kuptoi ç’kam bërë, më dëboi nga shtëpia. Një natë, gjendesha në rrugë duke ecur në këmbë. U ngrija dorën makinave që kalonin, edhe pse nuk kisha para. Një nga makinat ndaloi dhe pasi më vështroi me çudi, shoferi më tha:”Ti je biri i filanit?! Ç’të ka ngjarë që je katandisur kështu more?!” Menjëherë ia dhashë vrapit drejt dhomës ku jetoja, mbi një tarracë pallati. Atje u shtriva mbi krevat duke qarë si fëmijë. Lutjet më dilnin në mënyrë të pavetëdijshme, ku e lusja Zotin të më shpëtonte nga ai ferr. Atë ditë vendosa të ndjek programin për tu rehabilituar. Dymbëdhjetë vite kam qenë përdorues i drogës dhe askush nuk tregoi dhembshuri për mua. Do të doja që dikush të më kishte folur.”

Kur flasim për drogën dhe shumat e mëdha që duhen për ta siguruar, duhet të kuptojmë se këtu nuk bëhet fjalë vetëm për paratë. Droga dhe pijet alkoolike janë haram, të ndaluara, madje nga gjynahet e rënda. Nëse insistimi në një gjynah të vogël e shndërron në të madh, ç’mund të themi për gjynahet e rënda dhe të mëdha si droga dhe alkooli?

Kur profeti Muhamed [sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem] udhëtoi në Miraxh, pa njerëz të cilët gëlltisnin prush. Ai pyeti se kush ishin ata dhe iu tha se ishin konsumuesit e lëndëve alkoolike. Nëse njeriu vdes duke konsumuar drogë apo alkool, ditën e Kiametit do të ringjallet në të njëjtën gjendje.

Askush mos të thotë çfarë po bën qeveria dhe shteti. Të gjithë ne jemi përgjegjës për gjendjen e rinisë tonë. Si myslimanë ne kemi përgjegjësi për çdo të ri dhe të re. Ditën e Kiametit, Zoti do të na pyesë edhe për ata të rinj e të reja që kanë konsumuar substanca narkotike, çfarë kemi bërë për ti nxjerrë nga gremina ku kanë rënë.

Gjatë një fushate kundër lëndëve narkotike në Egjipt, unë vajta dhe qëndrova një ditë mes personave që ishin në përfundim të programit të rehabilitimit. Ata kishin muaj e vite që trajtoheshin dhe ishin shkëputur nga përdorimi i drogës. Atyre u ishte kthyer shpresa dhe optimizmi për jetën, jeta e tyre tashmë kishte kuptim dhe të gjithë kishin një qëllim në jetë.

Nëse në mesin tuaj ka persona që kanë rënë në rrjetën e drogës, bëni çmos që ti takoni me persona që janë shkëputur prej saj. Përgjithësisht, truri i njeriut e beson diçka nëse sheh një model të suksesshëm, beson se mund t’ia dalë të shkëputet nga droga, nëse sheh një model të gjallë që ia ka arritur.

O njerëz! Kini shpresë dhe jini optimistë! Të gjithë së bashku mund të bëjmë shumë gjëra si për të rinjtë që nuk e kanë provuar drogën, ashtu dhe për ata që kanë rënë pre e kthetrave të saj. Le ti themi mjaft pasivitetit që na ka mbërthyer! Le të bëjmë diçka të mirë për vetet dhe për ata që vuajnë! Le të ndryshojmë diçka, qoftë dhe me fjalë! Ai që hesht teksa cwnohet një çështje e drejtë, është një shejtan pa gojë.

“Gjithashtu, Allahu krahason shembullin e dy njerëzve, njëri prej të cilëve është shurdh-memec, nuk mund të bëjë asgjë dhe është barrë e pronarit të vet, – kurdo e kudo që ta dërgojë, nuk i sjell asnjë të mirë. A është i barabartë ky me atë që urdhëron për drejtësi dhe ndjek rrugën e drejtë?!” (Nahl, 76)

Cili nga këta të dy je ti o vëlla dhe oj motër? Nëse dëshiron që Zoti tu shohë me syrin e kënaqësisë, duhet të bëni diçka për shtresat në nevojë, për këta hallexhinj të cilëve u janë mbyllur dyert e shpresës.

Mua më vjen të plas kur dëgjoj njerëz që thonë se rrëzë pallatit ku banojnë, gjejnë çdo ditë shiringa droge dhe mbetje të lëndëve narkotike. Me keqardhje u them: Mirë ata, po ju çfarë keni bërë për ta ndryshuar këtë situatë? A nuk u shkon në mendje se një ditë edhe fëmijët e tu mund të bien pre e lëndëve narkotike? A nuk ke frikë se këta njerëz mund të ngacmojnë fëmijët e tu?

Gjithmonë kijeni parasysh ajetin kuranor që thotë:”dhe kush e risjell në jetë një person, është njëlloj sikur ka risjellë në jetë mbarë njerëzimin.”

Bëni diçka për këtë shtresë, sado e vogël qoftë ajo! Ata kanë nevojë qoftë dhe për një buzëqeshje, një fjalë shpresëdhënëse. Zoti nuk do e harrojë të mirën tuaj, sado e vogël qoftë ajo, qoftë dhe një broshurë, një fletëpalosje, një fjalë motivuese…

Thotë profeti Muhamed [sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem]:”Veprat e mira e mbrojnë njeriun nga fatkeqësitë.” Nëse dëshiron që Zoti të të mbrojë nga një vdekje e shëmtuar dhe bajate, bëj vepra të mira në këtë jetë. Nëse kërkon ta gjesh pranë teje Zotin, sidomos në çaste nevoje, gjindju pranë një personi që vuan nga droga.

Thotë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem]:”Kush i zgjidh një besimtari një hall nga hallet e kësaj bote, Zoti do i zgjidhë hallet e botës tjetër.”

Një nënë, e cila i njihte të rinjtë që konsumonin drogë pranë pallatit të saj, një ditë bleu një tortë të madhe dhe i ftoi të gjithë këta të rinj për ti qerasur. Mbi tortë, ajo kishte shkruar fjalët:”Jeto shëndetshëm, jeto pa drogë!”

Gjatë fushatës tonë kundër drogës, një ditë më telefonoi një i ri, i cili me tu prezantuar, më tha se shiste drogë. I befasuar, unë e pyeta:”Do të thuash se je përdorues droge?”

“Jo – më tha – unë shes drogë. Ajo që më bëri tu telefonoj, është se teksa shihja të rinj që u flisnin njerëzve për rreziqet e drogës, në rrugë, kafene, restorante, shkolla etj… fillova të ndjej se jam një katil dhe i pashpirt. Posterat e ngjitur nëpër mure, bisedat me njerëz dhe njoftimet në tv, më kanë prekur shumë. Edhe pse nuk jam një shitës i madh droge, të ardhurat janë të shumta. Kam frikë të pendohem, pasi nuk e di çfarë mund të më ndodhë nga padronët e mëdhenj të drogës.”

Ai e mbylli telefonatën edhe pse nuk më premtoi se do të heqë dorë nga puna që ushtronte. Ky fakt, më shtoi shpresën dhe më bëri optimist. Me vete mendova se zëri ynë paska arritur gjer tek shitësit e drogës.

Rehabilitimi i përdoruesve të drogës, fillon me dëshirën dhe vullnetin e tyre dhe të familjarëve për të ndjekur programin. Do të ishte e pavlerë që përdoruesit të drogës ti injektojmë ilaçe, nëse ai nuk dëshiron të shkëputet nga droga. Gjëja më e rëndëishme e rehabilitimit është kur përdoruesi ngre dorën dhe thotë:”Unë dua të marr trajtim dhe të rehabilitohem!”

Hapi i dytë, është hyrja në programin e rehabilitimit, i cili zgjat minimalisht 5-6 muaj. Gjatë këtyre muajve, trajtimi fokusohet tek ndryshimi i stilit të jetesës së përdoruesit, ndryshimi i mënyrës si mendon, çfarë duhet të bëjë kur ndihet i dëshpëruar, i stresuar dhe i mërzitur.

Drogë dhe akte penale

Një problem tjetër madhor i përdoruesve të drogës, është se kryejnë akte të ndryshme penale. Pra, ata nuk janë thjesht përdorues, por edhe kriminelë. Gjatë fushatës kundër drogës, unë u njoha dhe me një të ri, Muhamedin, i cili kishte qenë përdorues droge për dhjetë vite, por jo vetëm. Përveç marrjes së drogës, ai filloi të kryejë akte penale si vjedhja, me të cilën siguronte dozën ditore. Ai tregon se ditën e fejesës së motrës, pasi krushqit kishin ardhur për vizitë në shtëpi, vodhi diçka të shtrenjtë që burri i motrës ia kishte sjellë motrës së tij, gjë të cilën e shiti më pas për të blerë dozën ditore të drogës. Ai tregon se vidhte gjëra tek fqinjët dhe kudo që i krijohej mundësia. Ai tregon se herë pas here i vinin mendime të këqija për të eleminuar fizikisht njerëz të ndryshëm dhe ç’është më e keqja, ishte i gatshëm ti çojë gjer në fund këto ide.

“Ishte një i njohur me të cilin konsumoja drogë, ai që më ndihmoi të heq dorë prej saj. Ai vetë kishte një vit që ishte rehabilituar dhe më dha numrat e telefonit të programit të rehabilitimit. Fillova menjëherë programin dhe ka tre vite, e shtatë muaj e shtatëmbëdhjetë ditë që jam shkëputur totalisht nga përdorimi i drogës. Jo vetëm kaq, por bëra çmos që 90% e personave qw drogoheshin të cilët i njihja, të ndiqnin programin e rehabilitimit. Shyqyr Zotit pjesa më e madhe e tyre u shkëputën nga droga. Tashmë, bashkë me shokët e dikurshëm të drogës, jemi sërish shokë, por të luftës kundër drogës.” tregon Muhamedi.

Vëllezër dhe motra! Përdoruesit e drogës, të cilët kryejnë dhe akte penale për të cilat burgosen, janë një minë me sahat, e cila mund ti shpërthejë kujtdo, nëse nuk ndjekin program rehabilitimi.

Ideja e burgut, është për rehabilitimin e personave që kanë kryer vepra penale, për ti bërë të aftë që ti kthehen sërish jetës së përditshme. Përse të mos jetë burgu, vendi ku rehabilitohen dhe shkëputen edhe nga droga këta njerëz?

Ibnu Tejmije, një nga kolosët e shkencave islame, u burgos për një periudhë të caktuar kohe. Teksa qëndronte në burg, ai jetonte me moton:”Qelia ime, është rast për ta përjetuar maksimalisht afërsinë me Zotin.”

Uroj që këto fjalë ti mbërrijnë edhe të burgosurve në burgje të ndryshme. Sigurisht që ti nuk ke hyrë me dëshirën tënde në atë vend, por përse nuk e shfrytëzon për diçka të dobishme? Ti jeton në një qeli të ngushtë, e cila mund të shndërrohet në lëndinë pafund, nëse jeton me ndjesinë e të qenit pranë Zotit. Nëse të gjitha dyert e tjera reale dhe figurative të janë mbyllur, saqë tashmë ke përfunduar krejt i vetëm në qeli, trokit portën e të Gjithëfuqishmit! Të jesh i bindur se nëse e bën, ke trokitur në portën e Bujarit, të dhembshurit dhe të dashurit. Ai na tregon se kushdo që i afrohet një pëllëmbë, Ai i afrohet një pash. Kush i afrohet një pash, Ai i afrohet dy. Kush shkon drejt Tij duke ecur, do i shkojë duke rendur. Le të jetë vetmia jote në burg, vetmi e cila thyhet me prezencën e Zotit. Le të jetë zanafilla e pajtimit me Zotin. Sa herë që një rob pajtohet dhe i rregullon marrëdhëniet e tij me Zotin, vetë engjëjt e qiellit thërrasin:”Një rob i tokës është pajtuar dhe i ka rregulluar marrëdhëniet me Zotin.” Edhe pse tek njerëzit në tokë ti konsiderohesh thjesht një drogaxhi, burgaxhi, kriminel etj… në çastin e pendimit, emri yt përmendet në hapësirat e qiellit, nga krijesat më të fisme, engjëjt e Zotit.

Kur një gjynahqar i cili i ka humbur shpresat tek të gjithë, përveç Zotit, thërret:”O Zot! O Zot! O Zot!” Përgjigja e të Gjithëfuqishmit është:”Të përgjigjem, të përgjigjem, të përgjigjem robi Im!”

Të bësh mirë

Më kujtohet një hadith i profetit Muhamed [sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem]:”Ruhuni nga zjarri i xhehenemit qoftë dhe duke dhënë një gjysmë hurme sadaka!”

Pra, ta ndash një hurmë arabie përgjysmë dhe gjysmën t’ia japësh një personi në nevojë, ti ke bërë një akt i cili të mbron nga zjarri i xhehenemit. Po të shpëtosh një person nga kthetrat e drogës, vallë çfarë shpërblimi ka? Po të shpëtosh një familje nga vuajtjet ngaqë djali apo vajza e tyre kishte rënë pre e drogës?

Thotë profeti Muhamed [sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem]:”Besimi është gjashtëdhjetë e kusur nivele, më i larti është fjala:”La ilahe il-lallah, kurse më i rëndomti është heqja e një mbeturine nga rruga.”

Nëse heqja e një mbeturine nga rruga, renditet tek nivelet e besimit, ç’mund të themi për dikë që heq përdorimin e drogës nga jeta e dikujt?

Thotë Zoti në Kuran:”Bashkëpunoni në punë të mira dhe devotshmëri, por mos bashkëpunoni në ligësi dhe agresivitet!”

Nuk ka bashkëpunim më të mirë dhe të frytshëm, sesa ai që bëhet për ruajtjen e rinisë nga droga dhe alkooli, ashtu siç nuk ka ligësi dhe agresivitet më të keq se vetë substancat narkotike dhe alkoolike.

Fushatat që ndërmerren këtu e atje, të cilat synojnë luftën kundër veseve të këqija, janë dy lloje:

I pari, fushata gur. Ajo i ngjan një guri që hidhet në një ujë të ndenjur e për rrjedhojë formohen rrathë valësh njëri pas tjetrit. Me rënien e gurit në fund, intensiteti i valëve fillon e rrallohet derisa uji ti kthehet qetësisë së parë.

I dyti, fushata tren. Ajo i ngjan trenit, i cili tërhiqet nga një lokomotivë, duke qëndruar nga një stacion në një tjetër. Ai asnjëherë nuk ndalet, por udhëton në çdo kohë.

Edhe puna me përdoruesit e drogës, duhet ti ngjajë llojit të dytë të fushatave, nuk duhet të ndalet asnjëherë.

E lusim Zotin që ti udhëzojë të rinjtë dhe të rejat kudo që të ndodhen! E lus Zotin ti ruajë nga veset e liga! E lus Zotin të na e pranojë mundin që kemi derdhur për nxjerrjen e këtij materiali!

 

 

Perktheu: Elmaz Fida