Thursday, 18/10/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

TË MIRAT VIJNË PREJ ALLAHUT



TË MIRAT VIJNË PREJ ALLAHUT

Ekrem Avdiu

TË MIRAT VIJNË PREJ ALLAHUT

Fakti se çdo e mirë vjen prej Allahut edhe pse njeriu mund të jetë shumë pak meritor për të, ndërsa të këqijat janë një pjesë e asaj që njeriu nxitë dhe provokon me veprat e veta, andaj si të këtilla nuk bën që apriori ti përshkruhen Allahut, është dëshmuar në Kur’an në forma të ndryshme. Si rrjedhojë e kësaj, kur përmenden të mirat, ato i përshkruhen Atij, ndërsa kur përmenden të këqijat, ato nuk i përshkruhen, për disa arsye:

– Mëshira dhe mirësia e Tij e tejkalon zemërimin dhe ndëshkimin. Kjo vërehet në ajetet e sures el-Fatiha, por edhe në vende tjera në Kur’an, si: “Ne nuk e dimë se a është duke u përgatitur ndonjë e keqe për ata që janë në tokë, apo Allahu është duke dashur që ti udhëzojë.” (Xhin, 10) Këtu Allahu i përshkruan fjalët e xhinëve besimtarë, të cilët shprehen se nuk e dinë në është duke u përgatitur ndonjë e keqe për njerëzit dhe këtë e shprehin në mënyrë të padefinuar, pa ia përshkruar të keqen Allahut. Në anën tjetër për udhëzimin thonë se Allahu është Ai që do ti udhëzojë nëse do. Një gjë e tillë përshkruhet edhe në fjalët e Hidrit ku ai përmend arsyet e veprimit të tij me murin, jetimët dhe anijen: “Dhe Zoti yt deshi që ata të arrijnë moshën e pjekurisë dhe të gjejnë thesarin e tyre.” (Kehf, 82) Këtu dëshirën për t’u rritur jetimët dhe për të gjetur thesarin që u takonte ia përshkruan Allahut. Ndërsa në rastin e anijes thotë: “Desha ta dëmtoj…” (Kehf, 79) Edhe pse në të gjitha rastet arsyetohet për veprimet e tija se i ka bërë me urdhër dhe udhëzim të Allahut: “Gjithë këtë nuk e bëra krye në vete.” (Kehf, 82)





– Allahu i Madhëruar është i Vetmi që jep mirësi, dhunti dhe begaton. “Çdo dhunti që keni ju, ajo është prej Allahut.” (Nahël, 53) Nganjëherë ndodhë që mirësia ti përshkruhet dikujt tjetër, por kjo assesi nuk do të thotë se ai është burimi i mirësisë, por ai përmendet vetëm si një prej sebepeve që Allahu e ka bërë për atë mirësi, përndryshe çdo e mirë vjen prej Allahut. Ndërsa kur është në pyetje zemërimi, atëherë ai nuk i përshkruhet vetëm Allahut, sepse edhe melekët, të dërguarit dhe njerëzit e mirë zemërohen me keqbërësit, krahas zemërimit të Allahut. “Vërtetë, ata që fshehin atë që kemi shpallur Ne prej argumenteve të qarta dhe udhëzimit, të këtillët i mallkon Allahu dhe i mallkojnë mallkuesit.” (Bekare, 159)

– Mospërmendja e atij, zemërimi i të cilit bie mbi ata që e meritojnë një gjë të tillë është njëkohësisht nënçmim për ata, sepse flitet për ta në mënyrë shumë mospërfillëse. Në rastin konkret, dhuntia dhe mirësia i përshkruhet Allahut ngase sikur të mos përmendej Dhuruesi do të ishte nderim jo i plotë për të mirët që e meritojnë një gjë të tillë. Në të kundërtën, mospërmendja e atij që zemërohet është shprehje e mospërfilljes dhe nënçmimit ndaj keqbërësve.