Saturday, 23/6/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Të jesh nënë

Të jesh nënë

Detyra e nënës është njëkohësisht më e lehta dhe më e vështira në botë. Pavarësisht moshës, Allahu i jep secilës nënë një periudhë parapregaditore prej 9-të muajsh.

Gjatë kësaj periudhe, ti je kandidate për t’u bërë nënë. Fillimisht do ta pranosh këtë gjë, më pas do të bësh plane për fëmijën.
Kur të jetë koha e duhur, ty do të këputet një copë nga vetja por si? Sigurisht që e ke dëgjuar shpesh herë tek ta tregojnë shoqet e tua, por ai është një moment me dhimbje të papërshkrueshme që kuptohet vetëm duke e provuar.
Tashmë nuk ka më rëndësi mosha, puna, edukimi dhe profesioni i gruas. Ajo do të jetë nënë deri ditën kur të vdesë.
Të bëhesh nënë do të thotë që t’i kthesh të gjitha momentet e dhimbshme në të ëmbla. Nëna është e dashur, e dhembshur dhe e mëshirshme me të voglin e vet. Ajo është personi që do, jep, prodhon dhe bën dua.
“Të vdes unë në vendin tënd, a të dhemb, ta puth e do të kalojë, fli ti se e rregulloj unë, unë nuk e dua merre ti, haje ti, pije ti, veshe ti…” Një marrëdhënie që vazhdon e pandërprerë dhe e pandryshuar për gjatë gjithë jetës.
Nëna të mëson si të ushqehesh, të ecësh dhe të flasësh. Nëna do të të tregojë se çfarë është e keqe dhe çfarë është e mirë. Nëna do të të pëshpërit në vesh se kush është mik dhe kush është armik. Ajo do të jetë syri, këmba dhe krahu yt.
Detyra e nënës kërkon mund, kohë dhe sakrificë, por në të njëjtën kohë është edhe sadaka (lëmoshë) rrjedhëse. Ashtu si ka thënë Resulullahu ynë i nderuar: “Kur vdes njeriu, atij i ndërpriten sevapet e veprave. Vetëm këto tre sevape vazhdojnë të llogariten: lëmosha rrjedhëse, dituria e dobishme dhe lënia pas e një fëmije të mirë, i cili lutet për të.” (Muslim, Vasijjet, 14) Mëmësia tregon pjekuri. Të bëhesh nënë nuk do të thotë se thjesht ke sjellë në jetë një njeri. Ti ke marrë përsipër që gjatë gjithë pjesës së mbetur të jetës, ta ndihmosh për të kapërcyer pengesat që i dalin rrugës.
Të bëhesh nënë do të thotë që dalëngadalë të piqesh, të bëhesh më e ndjeshme dhe e përgjegjshme.
Ndërkohë, të bëhesh nënë e ndjeshme do të thotë që dhembshurinë, kujdesin dhe dashurinë që ke për fëmijën tënd, ta kesh edhe për të gjithë fëmijët e tjerë. Nëna e dhembshur i thotë çdo fëmije që nuk e ka nënën e vet: “Unë jam edhe nëna jote, të dua aq sa dua fëmijën tim.”
Nëna e mëshirshme i kupton vështirësitë e fëmijëve jetimë dhe atyre në nevojë e mundohet të jetë pranë tyre. Ajo nuk i ndan fëmijët e tjerë nga lutja e vet.
Të jesh nënë e mëshirshme do të thotë të mos të të zërë gjumi, sepse po mendon për vuajtjet e fëmijëve nëpër botë dhe të ndjesh dëshirën e fortë për të shtrënguar dorën e zgjatur nga ana tjetër e globit.
Të jesh nënë e ndjeshme do të thotë që t’i mbulosh fëmijët e tu me lutje ashtu si i mbulon me një jorgan të ngrohtë. Të jesh nënë e ndjeshme do të thotë që shqetësimet që i ke për fëmijën tënd, t’i kesh edhe për të gjithë fëmijët e tjerë të botës. Të jesh e ndërgjegjshme që kjo përgjegjësi është cilësia më e çmuar që Krijuesi i dha gruas.
Të jesh nënë e ndjeshme do të thotë të sakrifikosh çdo gjë për fëmijët. Shkurtimisht mund të themi se të jesh nënë e ndjeshme do të thotë të jesh e mëshirshme dhe e përgjegjshme si Fatma, gruaja e Ebu Talibit, ajo të cilën Muhamedi (a.s.) e quante nënë të dytë. Fatma kujdesej shumë për jetimin Muhamed (a.s): e lante, e krihte, e ushqente dhe ia plotësonte nevojat para fëmijëve të vet.
Të jesh nënë e ndjeshme të do thotë që çdo shqetësim dhe problem të fëmijëve në botë, ta mendosh sikur i ka ndodhur fëmijës tënd.
“Xheneti është nën këmbët e nënave”

Ozden Zehra Sënmez
Revista Etika

Categories

Archives