Wednesday, 26/9/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Tahiri i vogël



Tahiri i vogël

Në bankën e parë ulej Tahiri i vogël, të cilin në klasë të gjithë e konsideronin si “patoku i shëmtuar”. Mësuesja Merjem gjatë gjithë vitit e kishte përcjellë atë dhe kishte vërejtur se ai çdo herë e më shumë bëhej nxënës më i dobët dhe se gjithnjë më pak shoqërohej më fëmijët tjerë.

Veshjen e kishte të papastër dhe atij çdo herë i mungonte pastrimi. Dinte të ishte mjaft i pakëndshëm. U bë problem për gjithë klasën. Filloi të merrte notat më të dobëta. Në shkollën ku punonte mësuesja Merjem, ishte e obliguar që të mbante evidencë për suksesin dhe sjelljet e nxënësve. Kur i erdhi radha të shihte shënimet e mësuesve të mëparshëm për Tahirin, u befasua tej mase.

Mësuesi i Tahirit nga klasa e parë kishte shënuar kështu: “Tahiri është fëmijë i mrekullueshëm. Është shumë i vyer dhe ka sjellje shumë të mira. Është i këndshëm për rrethinën.”

Mësuesi nga klasa e dytë e Tahirit kishte shënuar: “Tahiri është nxënës i shkëlqyer. Shumë mirë shoqërohet me shokët e klasës. Ndonjëherë është i mërzitur për nënën e cila është e sëmurë rëndë. Jeta në këso familje më siguri se është e vështirë.”

Në fund të klasës së tretë mësuesi kishte shënuar: “E ka goditur rëndë vdekja e së ëmës. Jep të gjitha nga vetja për të mbajtur hapin në mësime, por babai i tij nuk ka ndonjë interesim për të. I ka dukshëm notat më të dobëta.” Mësuesi nga klasa e katërt kishte shënuar këtë: “Tahiri është i dëshpëruar dhe nuk tregon shumë interesim për shkollë. Nuk ka shumë shokë dhe nganjëherë fle në klasë.”





Mësueses Merjem tashmë iu bë e qartë se ç’po ndodhte me Tahirin dhe ndjente keqardhje që gjatë gjithë asaj kohe nuk e kishte kuptuar të vërtetën. Posaçërisht, i erdhi shumë keq kur nxënësit i kishin blerë dhurata për bajram, të mbështjella në letra vezulluese, përveç Tahirit. Dhurata e tij ishte e përgatitur keq, e mbështjellë me një letër ngjyrë hiri. Mësuesja Merjem kishte zgjedhur që dhuratën e tij ta hapte të parën. Disa fëmijë filluan të qeshnin kur panë një byzylyk të cilit i mungonin disa margaritar. Së bashku më byzylyk ishte edhe një parfum i harxhuar deri në gjysmë. Mësuesja kërkoi nga nxënësit që të mbajnë qetësi dhe i tha Tahirit se dhurata e tij i pëlqente shumë.

Atë ditë duke dalë nga klasa e kishte vërejtur se Tahiri po e priste atë që t’i thoshte diçka. Kur iu afrua, Tahiri i tha: ”Zonja Merjem, sot ju vinte aroma sikur e nënës sime.” Pas kësaj, u kthye dhe shkoi. Kur të gjithë nxënësit dolën nga klasa, mësuesja qëndroi në klasë dhe qau shumë. Nga ajo ditë, qëndrimi i saj ndaj fëmijëve dhe mësimdhënies kishte ndryshuar. Kujdes të veçantë i kushtonte Tahirit. Sa me shumë që bisedonte me të, ai gjithnjë bëhej më aktiv dhe më i gëzuar.

Deri në fund të vitit, u bë një ndër nxënësit më të mirë në klasë. Tahiri u bë shumë i dashur për të (mësuesen). Pas një kohe nën derën e zyrës së saj kishte gjetur një letër nga Tahiri, në të cilën shënonte se ajo është mësuesja më e mirë që Tahiri kishte pasur ndonjëherë. Nga ky djalosh i vogël, ka dalë një njeri i suksesshëm, i cili më vonë kreu edhe magjistraturën…

I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Njerëzit më të dashur te Allahu janë ata që më së tepërmi u shërbejnë njerëzve, kurse vepra më e dashur është gëzimi të cilin e fut në zemrën e muslimanit.”