Friday, 19/10/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Surja Isra



Surja Isra






1 Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona.Vërtet, Ai është dëgjuesi (i fjalëve të Muhammedit), pamësi (i punëve të Muhammedit).
2 Edhe Musait Ne i kemi dhënë librin dhe atë (librin) e bëmë udhërrëfyes për beni israilët që të mos marrin përveç Meje, ndonjë që ia besojnë çështjet.
3 Pasardhës të atyre që i bartëm (i shpëtuam) së bashku me Nuhun (bëhuni mirënjohës!). Vërtet ai ishte rob shumë falënderues.
4 Ne u kumtuam në libër beni israilëve: “Ju do të bëni shkatërrime dy herë në tokë dhe do të tejkaloni duke bërë zullum të madh”.
5 Kur erdhi koha e premtimit të parë, Ne dërguam kundër jush njerëz Tanë, që ishin të fuqishëm e të ashpër (sulmues) dhe ata hulumtuan (rreth e përqark) përreth vendit (duke mos u frikësuar). E ai (ndëshkim) ishte vendim i prerë.
6 Pastaj, Ne ua kthyem juve mbisundimin kundër atyre, ju përforcuam me pasuri e me djem dhe ju shtuam më së shumti.
7 Nëse bëni mirë, bëni për vete, e nëse bëni keq, bëni kundër vetes. E kur vjen koha e fundit (herën e dytë Ne i dërgojmë) që t’ju shëmtojnë fytyrat tuaja, që të hyjnë në xhaminë (Aksa) sikurse hynë herën e parë dhe që të shkatërrojnë rrënjësisht atë që arrijnë.
8 Zoti juaj do t’ju mëshirojë (nëse pendoheni), e nëse ju i ktheheni (të keqes), kthehemi (me ndëshkim) edhe Ne. E xhehennemin e kemi bërë burg për jobesimtarët.
9 Është e vërtetë se ky Kur’an udhëzon për atë rrugë që është më se e vërteta, e besimtarët që bëjnë vepra të mira i përgëzon se ata pa dyshim do të kenë shpërblim të madh.
10 Ndërkaq, për ata që nuk e besojnë botën tjetër, Ne kemi përgatitur një dënim të rëndë.
11 Njeriu (e tepron) lutet për keq, ashtu sikurse lutet për mirë, (po Zoti nuk e pranon lutjen e tij për keq); njeriu (nga vetë natyra e tij) është i ngutshëm.
12 Ne i bëmë natën dhe ditën dy fakte (që dokumentojnë për fuqinë Tonë), e shenjën e natës e shlyem (e errësuam), e shenjën e ditës e bëmë të ndritshme që të mund të angazhoheni për shfrytëzimin e begative të dhuruara nga Zoti juaj, dhe që ta mësoni njehsimin e vjetëve dhe llogaritjen (e kohës). Ne kemi sqaruar çdo send në mënyrë të hollësishme.
13 Secilit njeri ia kemi ngjeshur në qafë fluturaken (shënimin – për veprimin) e tij, e në ditën e gjykimit, Ne do t’ia prezentojmë atij libër të hapur,
14 “Lexo librin tënd, mjafton të jesh sot vetë llogaritës i vetvetes”.
15 Kush e udhëzon veten në rrugën e drejtë, ai e ka udhëzuar vetëm vetveten e vet, e kush e humbë (rrugën), ai e ka bërë humbjen kundër vetvetes së vet, e askush nuk do ta bartë barrën e tjetrit. E Ne nuk dënuam askë para se t’ia dërgojmë të dërguarin.
16 Kur duam të shkatërrojmë ndonjë vend (popull), i urdhërojmë pasanikët (parinë) e atyhit (të jenë në rrugë), e ata kundërshtojnë; atëherë zbatohet dënimi i merituar kundër tyre dhe i shkatërrojmë krejtësisht.
17 Sa e sa gjenerata i kemi shkatërruar pas Nuhut. Mjaft është Zoti yt vëzhgues e shikues i mëkateve të robërve të Tij.
18 Kush është që e ka për qëllim vetëm këtë botë, Ne atij që duam i japim në të aq sa duam, e pastaj atij i bëjmë të hyjë në xhehennem i nënçmuar, i përbuzur.
19 E kush e ka për qëllim botën tjetër, duke qenë ai besimtar, përpiqet për të ashtu si i takon asaj, angazhimi i tyre do të jetë i pranishëm (te Zoti).
20 Ne secilit atyre dhe atyre i japim nga të mirat e Zotit tënd dhe dhënia e Zotit tënd nuk është e kufizuar.
21 Shiko se si Ne i kemi dalluar disa prej të tjerëve, po dallimi në botën tjetër është më i madh dhe është përparësi më e madhe.
22 E mos shoqëro me All-llahun ndonjë zot tjetër, e të bëhesh i qortuar i papërkrahur.
23 Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve. Nëse njërin prej tyre, ose që të dy, i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as “of – oh”, as mos u bë i vrazhdë ndaj tyre, po atyre thuaju fjalë të mira (të buta, respektuese).
24 Dhe në shenjë mëshire shtrije pranë tyre krahun përulës e respektues dhe thuaj: “Zoti im! Mëshiroi ata të dy, sikurse më edukuan mua kur isha i vogël”.
25 Zoti juaj e di më së miri atë që keni në shpirtin tuaj. Nëse keni qëllime të mira, vërtet Ai u fal atyre që pendohen.
26 Dhe jepi çdo të afërmi të drejtën që i takon, edhe të varfërit, edhe atij në kurbet, po mos shpenzo tepër e pa rrugë.
27 Ata që shpenzojnë tepër (mastrafxhinjtë) janë vëllezër (në veprim) të djajve, e djalli është përbuzës i madh i Zotit të Tij.
28 Nëse detyrohesh t’ua kthesh shpinën atyre (të afërmve etj.), duke kërkuar mëshirën të cilën e shpreson nga Zoti yt (furnizim për t’i ndihmuar ata), atëherë thuaju atyre fjalë të mira (të lehta).
29 Dhe mos e bën dorën tënde të lidhur për qafe (mos u bë koprrac), e as mos e shtrij në tërësi, e të mbetesh i qortuar dhe duarthatë (nga shpenzimi i tepërt).
30 S’ka dyshim se Zoti yt është Ai që furnizon me bollëk atë që do dhe ia kufizon atij që do. Ai hollësisht e di për robtë e vet dhe i vështron.
31 Ju mos i mbytni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë, se Ne ua sigurojmë furnizimin atyre dhe juve, e mbytja e tyre është mëkat i madh.
32 Dhe mos iu afroni imoralitetit (zinasë), sepse vërtet ai është vepër e shëmtuar dhe është një rrugë shumë e keqe.
33 Dhe mos e mbytni njeriun që All-llahu e ka ndaluar (mbytjen e tij), përveç me drejtësi (që e kërkon sheriati). E kush mbytet pa të drejtë (pa faj), kujdestarit të tij Ne i kemi dhënë të drejtë (të kërkojë drejtësinë), e ai të mos e kalojë kufirin në mbytje derisa ai është i ndihmuar (prej Zotit).
34 Mos përdoroni pasurinë e jetimit ndryshe vetëm në mënyrë më të mirë (për t’ia shtuar), derisa ai ta arrijë pjekurinë e vet. Premtimin zbatonie, pse për premtimin ka përgjegjësi.
35 Masën mbusheni kur matni (me enë) dhe peshoni me peshojë të drejtë (precize). Kjo është më e dobishme dhe ka përfundim më të mirë.
36 Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri, pse të dëgjuarit, të pamurit dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi.
37 Dhe mos ec nëpër tokë me mburrje, pse ti as nuk mund ta çashë tokën as nuk mund ta arrishë lartësinë e maleve.
38 E keqja e të gjitha këtyre është e urrejtur te Zoti yt.
39 Këto janë nga urtësia që Zoti yt ta shpalli ty. Mos shoqëro me All-llahun ndonjë zot tjetër e të hidhesh në xhehennem i qortuar dhe i larguar.
40 A mos u dalloi Zoti juaj me djem, e për vete zgjodhi melaike që ju i mendoni femra? Vërtet, ju jeni duke thënë fjalë të mëdha.
41 Ne sqaruam në mënyrë të ndryshme (argumentet) në këtë Kur’an, ashtu që ata të nxjerrin përvojë, por kjo nuk u shtoi atyre tjetër, vetëm se largim (nga e vërteta).
42 Thuaj: “Sikur të kishte zota të tjerë përveç Atij, sikundër thonë ata, atëherë ata (zotat) do të kërkonin rrugë për mbizotërim ndaj të Madhëruarit (për t’ia marrë pushtetin)”.
43 I pa të meta është Ai, Lartësia e Tij është e madhe nga ajo që thonë ata.
44 Lartmadhëri të merituar i shprehin Atij shtatë qiejt e toka dhe çka ka në to, e nuk ka asnjë send që nuk e madhëron (nuk i bën tesbihë), duke i shprehur falënderim Atij, por ju nuk e kuptoni atë madhërim të tyre (pse nuk është në gjuhën tuaj). Ai është i butë dhe fal shumë.
45 Kur ti e lexon Kur’anin, në mes teje dhe atyre që nuk e besojnë botën tjetër, Ne vëmë një perde të padukshme.
46 Ndërkaq, në zemrat e tyre vëmë një mbulesë dhe shurdhim të thellë të veshëve të tyre që nuk mund ta kuptojnë atë. E kur e përmend ti në Kur’an Zotin tënd, vetëm Atë, ata ikin mbrapa dhe largohen.
47 “Ne e dimë më së miri përse ata e dëgjojnë atë (Kur’anin) kur vijnë të dëgjojnë ty dhe kur ata bisedojnë fshehtazi dhe kur ata zullumqarë thonë: “Ju nuk jeni kah pasoni tjetër, përveç një njeri të magjepsur!
48 Shih se si të mveshin ty epitete (i çmendur, poet, i magjepsur), andaj ata kanë humbur dhe nuk mund ta gjejnë rrugën (e vërtetë).
49 Ata thanë: “A pasi të bëhemi eshtra të kalbur, dhé e pluhur, a mos do të bëhemi krijesë e re e ringjallur?”
50 Thuaj: “Edhe nëse të jeni gurë a hekur”!
51 Ose ndonjë krijesë që ju duket e madhe! Ata do të thonë: “Kush do të na rikthejë neve në jetë?” Thuaj: “Ai që ju krijoi për të parën herë!” E ata do t’i tundin kokat e tyre nga ti e do të thonë: “Kur është ajo (ringjallja)?” Thuaj: “Ndoshta do të jetë afër!
52 (ringjallja është) Atë ditë kur Ai ju thërret, kurse ju i përgjigjeni të përulur e duke e lavdëruar Atë, e ju duket se nuk qëndruat (në Dunja) vetëm pak kohë.
53 E ti robve të Mi thuaju: “Le ta thonë atë që është më e mira, pse djalli ndërsen mes tyre, e është e ditur se djalli është armik i hapët i njeriut”.
54 Zoti i juaj më së miri e di gjendjen tuaj, nëse Ai do, ju mëshiron dhe nëse Ai do, ju dënon, e ty (Muhammed) nuk të kemi dërguar roje të tyre (nuk ta besuam ty punën e tyre e t’i fusësh me dhunë në besim).
55 Zoti yt e di më së miri gjendjen e atij që është në qiej e tokë. Ne kemi dalluar disa pejgamberë nga të tjerët, prandaj Davudit i kemi dhënë Zebur (shënime).
56 Thuaj: “Ftoni ata, të cilët i menduat (zota) pos Atij, e ata nuk mund ta heqin prej jush mjerimin, as nuk mund ta mënjanojnë”.
57 Të tillët (zotat) që këta po lusin (pos Zotit), vetë ata (zotat e tyre) kërkojnë afrimin (te Zoti i vërtetë), shpresojnë në mëshirën e Tij dhe i frikësohen dënimit të Tij. Vërtet, dënimit të Zotit tënd është për t’iu ruajtur.
58 Nuk ka asnjë nga fshatrat (nga vendbanimet e kundërshtarëve) e që Ne nuk do ta shkatërrojmë ose ndëshkojmë atë me një dënim të ashpër para ditës së kijametit. Kjo është theksuar në Libër (Lehvi Mahfudh).
59 Neve nuk na pengoi asgjë që t’u sjellim argumente (mrekulli), pos asaj që ata të parët i përgënjeshtruan ato. Ne i dhamë Themudit deven (mrekulli) konkrete, e ata e mohuan atë. E mrekullitë (ose fenomenet natyrore që shkatërrojnë), Ne nuk i dërgojmë për tjetër vetëm për frikësim.
60 Përkujto, kur Ne të thamë: “Zoti yt ka përfshirë (me dijen e Vet) të gjithë njerëzit (e di që këta nuk besojnë edhe në ju sjellësh mrekulli). E atë pamjen tënde që ta treguam (natën e Miraxhit) dhe pemën e mallkuar (të përmendur në Kur’an), nuk i bëmë për tjetër vetëm se sprovë për njerëz. Ne i frikësojmë ata (idhujtarët), po nuk u shton ai tjetër vetëm se rebelim të madh”.
61 Përkujto kur Ne u thamë engjëjve: “Bëni sexhde Ademit!” (në shenjë përshëndetjeje) e ata i bënë, me përjashtim të Iblisit. Ai tha: “A t’i bëj sexhde atij që e krijove nga balta?”
62 (Mandej vazhdoi e) Tha: “A e sheh (i tha Zotit) këtë që Ti e vlerësove mbi mua, nëse më lë të jetojë deri në ditën e kijametit, unë gjithsesi do t’i shfaros pasardhësit e tij, me përjashtim të një pakice”.
63 (Zoti) Tha: “Shko, e kush prej tyre vjen pas teje, shpërblimi juaj është xhehennemi, shpërblim i plotë”.
64 Dhe me atë alarmin e zërit tënd, mashtroje atë që mundesh prej tyre, me kalorësit e këmbësorët tu thirri (bërtitu) ata, përzieju me ta në pasuri dhe në fëmijë dhe premtoju atyre, po shejtani nuk u premton tjetër, përveç mashtrim.
65 Në të vërtetë, ti nuk ke kurrfarë fuqie ndaj robërve të Mi. Mbrojtja e Zotit tënd është e mjaftueshme (për ata).
66 Zoti juaj është Ai që për ju mundësoi lundrimin e anijeve në det, në mënyrë që të kërkoni nga të mirat e Tij. Vërtet, Ai është shumë mëshirues ndaj jush.
67 E kur ju kap juve paniku (frika) në det, i humbni (nga kujtesa) ata që i lutni, u mbetet vetëm Ai (All-llahu), mirëpo pasi që Ai t’ju shpëtojë e të arrini në tokë, ia ktheni shpinën. Ashtu, njeriu është përbuzës.
68 A mos jeni të siguruar që nuk do tu shafitë në tokë ose nuk do t’ju lëshojë ndonjë shtrëngatë e ju nuk do të keni mbrojtës.
69 A mos jeni të sigurt se Ai nuk do t’ju kthejë njëherë tjetër në det, e t’ju lëshojë ndonjë furtunë të erës, e për shkak të mosbesimit tuaj t’ju fundosë, e pastaj nuk do të gjeni kush do të hakmerrej kundër nesh për ju.
70 Ne vërtet nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit), u mundësuam të udhëtojnë hipur në tokë e në det, i begatuam me ushqime të mira, i vlerësuam ata (i lartësuam) ndaj shumicës së krijesave që Ne i krijuam.
71 (Përkujto) Ditën kur do ta thërrasim secilin njeri me prijësin (librin, pejgamberin, shënimet e veprave) e tyre. E atij që i jepet libri i tij nga e djathta e tij, të tillët i lexojnë shënimet e tyre (të mira), dhe nuk u bëhet e padrejtë asnjë fije.
72 E kush ka qenë i verbër në këtë (botë), ai do të jetë edhe në botën tjetër i verbër dhe më i humburi i rrugës së drejtë.
73 Në të vërtetë ata (idhujtarët) gati arritën të sprovojnë ty nga ajo që Ne ta shpallëm, e të trillosh tjetër nga çka të shpallëm, e atëherë do të zinin ty mik.
74 Dhe sikur Ne të mos të kishim forcuar ty, ti gati anove diçka pak te ta.
75 E atëherë Ne do ta shijonim mundimin dyfish të kësaj jete dhe dyfish të jetës tjetër, e pastaj ti nuk do të gjeje mbrojtës kundër nesh.
76 Ata gati të shqetësuar në tokë (në Meke) për të përzënë prej saj, po atëherë edhe ata nuk do të mbeteshin pas teje (pas pak kohe do të shkatërroheshin).
77 Ky është ligji i Tij edhe me të dërguarit që i dërgoi para teje. E në ligjin Tonë ti nuk gjen ndryshim.
78 Fale namazin kur zbret (nga zeniti) dielli, e deri në errësirën e natës dhe duke bërë lutjen (namazin) e agimit. Vërtet, lutja e agimit është e përcjellur.
79 Dhe në një pjesë të natës zgjohu me të (me Kur’anin – namazin), është e sigurt se Zoti yt do të ngrejë ty në një vend të lavdishëm.
80 Dhe thuaj: “Zoti im, më shpjerr në një vend të mirë dhe më nxjerr në mënyrë të ndershme dhe nga ana Jote më dhuro fuqi ndihmuese”.
81 Dhe thuaj: “Erdhi e vërteta e u zhduk e kota”. Vërtet, e kota gjithnjë ka qenë e zhdukur.
82 Ne të shpallim Kur’anin që është shërim dhe mëshirë për besimtarët, kurse jobesimtarëve nuk u shton tjetër përpos dëshpërim.
83 E kur e begatojmë (me të mira) njeriun, ai prapësohet dhe largohet i mashtruar, e kur e godet e keqja, ai humb shpresën.
84 Thuaj: “Secili vepron sipas rrugës së vet, e Zoti juaj e di më së miri për atë që është në rrugë më të drejtë”.
85 Të pyesin ty për shpirtin; Thuaj: “Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, e juve ju është dhënë fort pak dije”.
86 Po të kishim dëshiruar, Ne do ta shlyenim nga gjoksi yt atë që ta shpallëm ty, e ti nuk do të gjeje mbrojtës që do të ruante.
87 Por kjo është mëshirë nga Zoti yt dhe mirësia e Tij ndaj teje vërtet është e madhe.
88 Thuaj: “Edhe sikur të bashkoheshin njerëzit dhe xhinët për të sjellë një Kur’an të tillë, ata nuk do të mund të bënin si ky, sado që do ta ndihmonin njëri – tjetrin”.
89 Ne u sqaruam njerëzve në këtë Kur’an shembuj (argumente) të çdo lloji, e shumica e njerëzve nuk deshi tjetër, vetëm mohimin.
90 Ata thanë: “Nuk të besojmë ty derisa që të na nxjerrësh prej tokës burime”.
91 Ose, (nuk të besojmë deri që) të kesh kopshte me hurma e me rrush, e të bësh të rrjedhin vazhdimisht lumenj në mesin e tyre.
92 Ose, (nuk të besojmë derisa) të bie mbi ne qielli copa – copa, ashtu si po mendon ti (se do të na dënojë Zoti), apo të na sjellish All-llahun dhe engjëjt pranë nesh.
93 Ose të kesh një shtëpi prej ari, apo të ngjitesh lart në qiell, po ne nuk të besojmë për ngjitjen tënde derisa të na sjellësh një libër që ta lexojmë?!” Thuaj: “Subhanallah – i Madhërishëm është Zoti im, a mos jam unë tjetër vetëm se njeri, pejgamber?
94 Po njerëzit nuk i pengoi tjetër që të besojnë, kur u erdhi atyre shpallja, vetëm se thoshin: “A thua All-llahu e dërgoi njeriun pejgamber?”
95 Thuaj: “Sikur të kishte në tokë engjëj që ecin qetë (si njerëzit), Ne do t’u çonim atyre nga qielli engjëj pejgamberë”!
96 Thuaj: “All-llahu më mjafton për dëshmitar mes meje dhe mes jush, Ai hollësisht i njeh dhe i sheh robtë e vet”.
97 Atë që All-llahu e drejton në rrugë të drejtë, ai është udhëzuar, e atë që e lë të humbur, për ata nuk do të gjesh ndihmëtarë përveç Atij. Në ditën e kijametit Ne i tubojmë ata duke i tërhequr rrëshqanas me fytyra për dhé, të verbër, memecë, të shurdhët. Vendi i tyre është xhehennemi, sa herë që të pushojë flaka Ne ua shtojmë flakën e zjarrit.
98 Ai (dënim) është meritë e tyre, ngase ata mohuan argumentet tona dhe thanë: “A pasi të bëhemi eshtra e pluhur do të ringjallemi krijesë e re?”
99 A nuk e kuptuan ata se All-llahu që krijoi qiejt e tokën është i plotfuqishëm që të krijojë ashtu siç janë ata, dhe Ai u ka caktuar afatin (e vdekjes e të ringjalljes) në të cilin nuk ka dyshim, po zullumqarët nuk deshën tjetër, vetëm të refuzojnë.
100 Thuaj: “Sikur t’i kishit depot e begative të Zotit tim, nga frika se po shpenzohen, do të bëheni koprracë; njeriu është dorështrënguar”.
101 “Ne i patëm dhënë Musait nëntë argumente (mrekulli) të qarta. Pyeti pra ti (Muhammed) beni israilët (nëse duan të dëshmojnë) kur ai u ka ardhur atyre (Musai), e atij i pat thënë faraoni: “O Musa, unë mendoj ti je i magjepsur!
102 Ai (Musai) tha: “Po ti e di se ato (mrekullitë) nuk i zbriti kush tjetër pos Zotit të qiejve e të tokës, i zbriti të dukshme, e unë besoj, o faraon, se ti je i shkatërruar”.
103 Ai (faraoni) deshi t’i dëbojë ata nga vendi (Egjipti), kurse Ne e përmbysëm atë dhe të gjithë ata që ishin me të së bashku.
104 Pas tij beni israilëve u thamë: “Rrini në vend, e kur të vijë koha e botës tjetër, Ne ju sjellim të gjithëve të përzier”.
105 Ne me urtësi e zbritëm atë (Kur’anin) dhe me urtësi është zbritur. E ty nuk të dërguam tjetër vetëm se përgëzues dhe qortues.
106 Dhe (ta shpallëm) Kur’anin që Ne e ndamë pjesë – pjesë për t’ua lexuar njerëzve dalëngadalë dhe ashtu e shpallëm atë një pas një.
107 Thuaj: “I besuat ju atij ose nuk i besuat (atij nuk i bëhet dëm), e atyre që u është dhënë dijeni (nga librat e parë) para tij, kur u lexohet atyre, ata hedhen me fytyra (përdhe) duke i bërë sexhde”.
108 Dhe thonë: “I lartësuar është Zoti ynë, premtimi i Zotit tonë është realizuar”.
109 Dhe duke qarë hidhen me fytyra (kur dëgjojnë Kur’anin) dhe ai ua shton edhe më përuljen (ndaj All-llahut).
110 Thuaj: “Thërrisni: All-llah ose thërrisni Er Rrahman, me cilindo që ta thërrisni (me këta dy emra), emrat e Tij janë më të bukurit. E ti mos ngrit zërin (duke lexuar) në namazin tënd, po as mos e ul tepër në të, mes kësaj kërkoje një rrugë mesatare”.
111 Dhe thuaj: “Falënderuar qoftë All-llahu, i cili nuk pati fëmijë dhe nuk ka për Të shok në sundim, dhe sa i përket aftësisë, nuk ka nevojë për ndihmëtarë, dhe madhëroje Atë me madhërinë që i takon”.