Sunday, 22/7/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Sjellja e mirë



Sjellja e mirë

• TË DREJTAT E PËRBASHKËTA • ..(35)
dera
? Sjellja e mirë ?
I bëj thirrje çdo bashkëshorti e bashkëshorteje duke u thënë se nëse silleni mirë gjatë jetës suaj bashkëshortore, ta dini se tek Allahu ju pret shpërblimi dhe përfundimi i mirë dhe mos prisni shpërblimin prej të tjerëve, por priteni atë prej Allahut (subhanehu ve teala). Çdokush që do të pajiset me moral të lartë, le ta ketë parasysh që të mos presë asgjë nga të tjerët. Kushdo që dëshiron të përmirësojë moralin dhe sjelljen e tij, le të vendosë përpara syve të tij shpërblimin e Zotit dhe t’i zbatojë urdhrat e Tij; të gjitha të mirat le t’i bëjë vetëm për hir të Allahut, e jo të bëjë mirë ndaj të tjerëve për të pritur të mira prej tyre. Besimtari duhet ta presë shpërblimin e të mirave që bën vetëm prej Allahut (subhanehu ve teala) duke shpresuar që Allahu (subhanehu ve teala) t’ia pranojë, në mënyrë që këto sjellje të bukura e të moralshme të shkruhen në librin e punëve të tij të mira dhe t’i gjejë ato përpara syve ditën kur çdo njeri do të dalë nga varri; atë ditë kur do të shfaqet hapur ajo çfarë është fshehur në zemrën e çdonjërit. Një burrë i pajisur me morale të larta është një bashkëshort fisnik dhe nëse gruaja e tij është e keqe dhe e mundon, atëherë le të bëjë durim sepse ndoshta Allahu do t’ia kompensojë me më të mirë.
Allahu ka thënë: “Dhe Ne e rregulluam gruan e tij.” (Enbija: 90). Për këtë ajet disa dijetarë kanë thënë se kur Zekerija u sprovua me mospasjen e fëmijëve, ai iu drejtua Allahut me lutje duke thënë: “O Zoti im! Eshtrat tashmë më janë dobësuar , thinjat më janë mbuluar kokën dhe asnjëherë nuk kam mbetur i dëshpëruar në lutjet e mia ndaj Teje o Zoti im. Unë ua kam frikën të afërmve të mi pas meje (kushërinjve se do ta humbin fenë), ndërsa gruaja ime është beronjë. Prandaj më dhuro nga ana Jote një pasardhës!” (Merjem: 4-5). Zekerija e luti Zotin ndërkohë që ishte njëqind e njëzet vjeç dhe nuk e humbi shpresën ndaj mëshirës së Allahut. Ai në fund të jetës së tij e luti Allahun që t’i jepte një djalë dhe Allahu nga Bujaria e Tij ia dha atë që ai kërkoi. Kur je ngushtë, Allahu të jep atë që kërkon dhe madje më shumë se aq, prandaj Allahu i Lartësuar ka thënë që Ne i dhamë fëmijë dhe ia rregulluam gruan. Disa dijetarë të tjerë, në lidhje me këtë ajet, kanë thënë se gruaja e tij e shante dhe e mundonte, ishte e ashpër dhe e keqe në sjellje me të, ndërsa ai bëri durim deri në fund të jetës. Allahu (subhanehu ve teala) ia kompensoi këtë mundim me një djalë dhe ia udhëzoi bashkëshorten, për të bërë me të një jetë të mirë.
Disa nga dijetarët kanë thënë se çdo burrë që mundohet prej gruas së tij në fillimet e jetës bashkëshortore, nëse bën durim dhe sillet mirë, ka për të marrë nga Allahu si kompensim lumturi të plotë në fund të jetës së tij. Disa njerëz kanë rrëfyer se një burrë ishte sprovuar me një grua që vetëm e mundonte në fillimet e jetës bashkëshortore. Zoti deshi që ai të sëmurej në fund të jetës së tij dhe ia zbuti asaj zemrën. Kështu ajo u bë shumë e dashur me të dhe i shërbente atij për çdo gjë që kishte nevojë. Fëmijët dhe të afërmit e braktisën kur ai u sëmur dhe pranë tij ndenji vetëm e shoqja. E gjithë kjo sepse Allahu (subhanehu ve teala) e shpërblen robin kur ai tregohet durimtar. Nëse burri sillet mirë me bashkëshorten e tij dhe sheh se ajo sillet po aq mirë me të, le të falënderojë Allahun (subhanehu ve teala). Nëse tek ajo gjen të kundërtën, atëherë le të bëjë durim se Allahu nuk ia humb shpërblimin atij që bën punë të mira. Edhe gruaja e mirë, nëse sillet mirë me bashkëshorten e saj, le të presë që Allahu ta shpërblejë për këtë. E nëse ajo sheh mirësi nga bashkëshorti i saj, le të falënderojë Allahun, por nëse ndodh e kundërta, atëherë le të bëjë durim se Allahu i Madhëruar ka për t’ia kompensuar asaj në fenë e saj, në këtë botë dhe në ahiret.
——————————————————
Pjesë nga libri: “KODI I FAMILJES”
Autor: Muhamed el-Muhtar ESH- SHINKITI-
—————————————————–
Vazhdojmë me postimet e kapitujve tjerë, inshaAllah









Categories

Archives